Mund të qëndrosh një jetë të tërë në hije, brenda një institucioni shkencor dhe universitar, pa bërë asgjë tjetër përveç një doktorature. Pastaj të rrotullohesh rreth saj për 17 vjet të tjera, derisa një ditë, me pak pudër akademike, ta ribotosh si “punë të re”, gjoja e zhvilluar gjatë “veprimtarisë shkencore” në institucion.
Më pas fillon një “projekt të ri kërkimor” – ose më saktë, një tjetër dekadë e një gjysmëpritjeje të re. Kalojnë edhe 16 vite të tjera me raporte fiktive, ca botime dokumentare të të tjerëve, por me emrin tënd si të dytë, ndërkohë që ti, pa asnjë ngut, pret moshën e pensionit. Por, pikërisht në prag të tij, ndodh një tjetër mrekulli shqiptare: në një vend ku ligjet nuk zbatohen, ku kriteret janë letër e vdekur, mund të bëhesh kokë e dijes me asgjënë tënde – me vetëm dy punime në 39 vite page publike – dhe askush nuk të kërkon llogari, askush nuk të kërkon të kthesh paratë.
Hajde, ta provojmë edhe këtë! Mbase funksionon. Sepse dihet: në këtë vend, nuk vlen më puna, as merita, as ligji. Vlen mburoja e titullit, vlen lidhja krahinore, marrëveshja e heshtjes, aleanca e kotësisë, përkulja, dhe rënia e moralit dhe e ndërgjegjes. Sistemi, i përulur përpara mediokritetit, shpërblen heshtjen shumëvjeçare me votë, paçka se ti mbërrin në “platformë” me duar në xhepa, me belbëzimin tënd, me marrëzinë tënde të mirënjohur.
Në këtë vend tentohet gjithmonë që medalja e nderit t’i jepet jo atij që ka ecur, por atij që ka ditur të qëndrojë pa lëvizur – buburreci i turpit që zvarritet anash kanaleve – në vendin e duhur, pranë njerëzve të duhur.