Qyteti i Kavajës përkujtoi sot Josif Budon, heroin e demokracisë, me një shtatore të ngritur në mes të qytetit.
I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja ishte i pranishëm kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha dhe ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum.
Po kush është ish-diplomati i vlerësuar disa herë për qëndrimin e mbajtur ndaj regjimit komunist?
Berisha jo pak herë në fjalimet e tij ka theksuar se Daum ishte ndër të paktët ambasadorë perëndimorë, që nuk donte që Shqipëria të mbetej një ‘ishull’ i izoluar komunist në Europë.
Disa herë, Berisha ka theksuar se Daum nuk e pranonte që vendi ynë të ishte një Kubë e Adriatikut, siç përflitej në atë kohë.
Edhe sot, Berisha tha se Daum ishte një ‘kavalier i vetmuar’ në përpjekjet e tij për të shpëtuar Shqipërinë nga komunizmi.
Në fakt, roli i Daum në rrëzimin e regjimit komunist mbetet shumë i rëndësishëm.
Ai kishte inkurajuar grupet antikomuniste në Shkodër, Kavajë etj për të intensifikuar lëvizjen e tyre.
Sipas revistës Spiegel, ai kishte inkurajuar shqiptarët që të kapërcenin muret e ambasadave.
Kur kjo ndodhi më 2 korrik të vitit 1990, ambasadori e pa si një mundësi të artë.
“Ishte e qartë për mua se një eksod masiv do të çonte në rrëzimin e regjimit”, tha Werner Daum për median gjermane.
Ishte pikërisht Daum i cili ndezi shpejt dritat e projektorëve dhe hapi portat.
Për Werner Daum, ambasadorin e parë të Gjermanisë Perëndimore në Shqipëri, hapja e dyerve të ambasadës së tij ishte vetëm në plan të dytë një akt humanitar. “Para së gjithash, isha i bindur se një katastrofë e tillë e paimagjinueshme në qendër të kryeqytetit do të çonte në përmbysjen e qeverisë”, tha Daum për Deutsche Welle.
Por regjimi komunist nuk ishte mposhtur ende. Ambasadat që strehonin refugjatët ishin nën një presion të madh.
“Ishte e tmerrshme. Pas disa ditësh, uji ynë u ndërpre. Ne e transportuam nga apartamentet përballë në ambasadë me kova, në mënyrë që të gjithë të mund të pinin të paktën një gotë. Pastaj furnizimi me ushqim u ndërpre. Tashmë kishte një revolucion në rrugë dhe disa pjesë të popullsisë u siguruan që të merrnim të paktën pak bukë”, kujton Daum.
Por u desh pak kohë dhe vëmendja ndërkombëtare dhe presioni perëndimor u kthye më në fund mbi Shqipërinë.
‘Kuba e Adriatikut’ do mbetej vetëm një iluzion dhe për këtë gjë, shqiptarët i detyrohen edhe ambasadorit gjerman. sn