VOAL- Lideri i opozitës Sali Berisha, më 5 korrik (e shtunë) bisedoi me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) me anëtarë në Zvicër, Francë, Itali dhe SHBA.
Z. Berisha iu përgjigj pyetjeve dhe shkëmbeu opinione me anëtarët e Unionit, të cilat kishin të bënin kryesisht me zgjedhjet e 11 majit dhe me fatin e demokracisë e të pluralizmit në Shqipëri.
U trajtuan tema të tilla si roli i opozitës në rrethanat e sotme të vendit për të rikthyer dhe për të përmbushur shpresat e shqiptarëve, problemet që ngrenë rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR lidhur me mbrojtjen e pavarësisë së mediave në kuadrin e krijimit të pozitave të barabarta në garën zgjedhore mes pushtetit dhe opozitës; lidhur me shtrembërimet e votës, ku 50 000 vota kanë prodhuar vetëm 1 deputet për opozitën, ndërsa në Vlorë 50 000 vota kanë prodhuar 9 deputetë për pushtetin; lidhur me politikën e jashtme të PD-së, ku ajo është shumë aktive kohët e fundit në takimet me partitë e djathta në Perëndim dhe më gjerë; pritshmërinë për zgjedhjet e ardhshme lokale e tjerë.