Atje ku hëna ka frikë!
Dashurinë të cunguar e le në udhëkryq
Si një pemë në pranverë që bisqe nuk çel
Si një zog i vetmuar pa një strehë
Si lumë i tharë në verë.
Në mëngjes sot shpresa ime nga retë doli
Një puthje të dhembshur agimit ia dhuroi
Në horizont drejt tingujve po rrëshqet,
Ku rrezet e diellit bien tangjent me fytyrën dhe shpirtin
Anije pa vela mes oqeanit me tërbim
Afeksion mbolla në parcelat e qiellit të pamatë.
Fjalë nuk kam më për të thënë
Nëse më dashuron akoma, as ti mos fol
Heshtjen lëre ndërmjet nesh
Edhe mungesën tënde unë e dua
Vetëm ty dua të të jem e përkushtuar
Sepse ti më dhemb më shumë se gjithçka në këtë jetë
Ti që je ndërgjegjja ime që fjalën e merr
Atje ku hëna ka frikë, ua nxin shpirtin njerëzve të dritës
Me rrezet e saj të zbehta…
Sot u bëra e qetë si shembëlltyra ime e tëra
Mërinë ma zbut ky laps e kjo letër
Që gdhend dashuri, fjalë të mençura e poezi, fabula, tregime e legjenda
Mbushur me brengë e mall të patretur
Shkëmbinj e ajzbergë që përmbysin botën!
Një petk i hirtë
Ndonjëherë hesht
Edhe pse fjalët më vijnë vetë dhe mendja shkruan
Zemra krijon portretin më të bukur në sytë e saj që janē si dy liqene akullnajorë
Është një shikim, një ëndërr që mbeti veçse një mirazh
Një dhimbje, një buzëqeshje e çiltër që kurrë nuk u vlerësua
Gjithçka është një shkrim në shpirtin tim.
Prandaj heshtja ime erdhi te unë si një petk i hirtë
Që i vihet nga koha shtëpisë prej guri atje në cep pylli në Petralbë.
Prandaj zgjodha t’bëj roje e vëmendshme
Dua të dëgjoj, të shikoj si shkruan koha plagët e kohës
Si ndahet bota në dysh pa ty,
Është njejtë si një oxhak që pret me i vu zjarrin!
Sytë e mi e shohin hijen tënde
Dhe zemra rreh me ritmin e kujtimeve,
Nuk do më dëgjosh, por në çdo qetësi, në çdo fjalë të munguar do të jem aty…
Në gurin e heshtur ta putha aromën
Më vret ky nektar,
Ti s’je veçse fantazmë e frymëzimit
Askush s’do ta dijë si lindi ky krijim,
Poezia si gur i heshtur do mbetet
E ti nuk do më thuash më kurrë o, Perëndesha ime!
Përballë teje nuk jam aq e fortë
Thyhem në ngrohtësinë e buzëve si xham
Në mijëra kristale grimcohem
Kjo aromë më rrëshqet si shtjellë e verbuar
Pa më pyetur më puth në prag
I mbyll sytë,
ah, ky çast, sa një botë
Frymën pezull do e mbaj
Mëngjesi dua herët të agojë
Me buzëqeshjen tënde kam takim
Je ti gjaku im i prishur prej Dardanisë!
Me jelet e malit erdha pranë teje
Të ta puth aromën në shpirtin tënd
Të lutem; mos ki frikë nga rrudhat e kohës sime
Jam unë vajza e Arbërisë
Klithjet do të rrëzohen prej buzēve
Si krenaria kur bie përdhe
Në ujin e Matit në natën me hënë.
Kjo botë ziliqare
Kjo botë, gati si ziliqare,
E ngushtuar nën hijen e urrejtjes,
E mbushur — përkundër — nga drita e dashurisë.
Jo, ti nuk je thjesht poet që zvarritesh nën rrëke,
Diku ku kap një peshk e mban peng,
Në rrjetën e thurur nga dyshimi i egër.
Shpirti im — një lum i rrëmbyeshëm,
Përplas pengesat, dhe stërkalat i çon në pafundësinë e qiellit.
Një ylber i shpërqendruar lind nga këto stërkala,
Dhe dielli e pikturon me ngjyrat e tij të çmendura.
Por trupi im është kapur nga ethet, të paftuara,
Pse rikthehen, këto ethe?
A mos bëra mëkat që të besova,
Dhe zemrën — të hapa në duart e tua,
Ty, mëkatari me shpirt fisnik?
Megjithatë, nuk është mëkat të jesh ylber frymëzimi,
Ylber që ndriçon në sytë e mi të gjelbër,
Zemërmirë shpesh, dhe rrallë me akull,
Koha për ta s’rrjedh kot,
Në kërkim të dashurisë së sigurt, por edhe të zjarrtë.
Sa rebele është bërë kjo zemër,
Si sahat i ndërtuar mbi sahat-kullën e mishit,
Ku rrahjet e saj — gjaku dhe mishi — tingëllojnë fort,
Duke krijuar ritmin e një kënge magjike,
Me të cilën vallëzojnë yjet e universit të tërë.
Një gotë vere do ta pimë,
Dhe nëse derdhet mbi trupin tim,
Do të dehemi në përjetësi.
Jo kot, burrat e mençur lotojnë para gruas së zemrës,
Do të më thoshte për mollët e kopshtit të Edenit,
Që këtu pranë meje nuk janë të ndaluara,
As ti nuk je Adami, e as unë Eva.
Nuk jam Afërdita e hyjnive,
Por një grua e zakonshme, poete që dashuron me shpirt,
Jo si ti, poet që zvarritesh poshtë,
E s’përvëlon dot veçse fjalë…
Me të gjitha ëndrrat njerëzore jetoj në këtë botë që zvogēlohet nga ligësia
Në këtë botë të zmadhuar nga dashuria.
Dua të mbytem në ty
Ti je deti im!
Unë ulem në prehrin tënd
Si në bregun shkumëbardhë
E ndjej gishtërinjtë e valëzave
Që më përkëdhelin gjithë trupin
E më tjerrin mornica deri në thellësi!
Ndonjëherë më duket se ti je shkëmbi
E unë
Rëra përreth tij.
Ndjej se si valët po bëhen dallgë
E dallgët stuhi,
Ndërsa në brendësi
Një tërmet po gatuan cunam!
Ooohhh sa dua të mbytem në ty!
Në thembër të Akilit
Sa shpejt ikin vitet
Kujtimet gjithnjë e më shumë ngacmojnê shpirtin
Treten shikimet në rrugët ku ecēm
Ah ky mall, zërin ma ka ngjirur, e tharë
Mbi supe pandalshëm rëndon pesha e kohës,
E ti hareshëm më ulesh pranë i qeshur
Lehtë më prek përmallshëm e trupin ma ledhaton
Derisa më deh shpirtin e jotja dashuri…
Të bukurin sy kur ma hedh si rreze e parë kur agon
Si tërmet zemra përjeton dridhje,
Vullkani ndizet sa do të shpërthej
E gjaku lëviz me shkulme ndër vena.
E dashur, m’u lute me lot në sy;
Mos më ndëshko me fjalët e mia që ti thash pas dehjes së dashurisë
Aromën e zemrës veç tek unë e ke
Vërtet u mundova të largohem prej teje si nomad
Po, s’tê nxjerr dot prej gjakut tim,
Sepse më rrjedh nëpër dej si ujvarë
Më ushqen çdo ditë ashtu si një bimê e rrallë!
Tamam si ato që lindin mes shkretëtire.
I dashur ti ke dobësinë e Akilit,
E thembra jote jam unë ta dish.
Mallin tënd unë e kreh por se prish dot,
Mbi kujtesë e var aromën e nxehtë
Pastaj, e ndjej hapin tënd që largohet
E lamë njëri – tjetrin ftohtë në këtë natë të heshtur…