Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në ‘A Krasta Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, theksoi se Shqipëria nuk është “qendra e botës” për politikën amerikane, pavarësisht interesave që mund të ketë administrata e Shtëpisë së Bardhë.
Ai vlerëson investimet e familjes Trump si pozitive dhe të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet me SHBA, duke përmendur veçanërisht sektorët e turizmit dhe mbrojtjes. Mediu nënvizon gjithashtu se administrata e Trump ka shfaqur mbështetje për opozitën shqiptare, duke përfshirë edhe qëndrimin e DASH ndaj çështjes së Berishës, ndërsa paralajmëron se SHBA-të janë më të rezervuara në krahasim me reagimet evropiane për manipulimet zgjedhore në Shqipëri.
Fatmir Mediu: Duke njohur mentalitetin e tyre por duke parë dhe peshën që ka Shqipëria, e para unë dua të them që ne nuk jemi qendra e botës që çdo veprim i përditshëm i presidentit amerikan apo nivelit të lartë të administratës, lidhet me Shqipërinë. Investimet e familjes Trump në Shqipëri janë mirëpritur nga të gjitha krahët e politikës dhe qytetarët shqiptarë, sepse kanë të bëjnë me investime amerikane që janë të nevojshme në marrëdhëniet me SHBA, të vijë edhe niveli ekonomik. Jo vetëm në fushën e turizmit, por mendoj edhe në fushën e mbrojtjes.
Dua t’ju vë në dukje që nga ana e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka disa zhvillime në favor të opozitës shqiptare. Po ashtu, menaxheri i zotit Trump erdhi në Shqipëri për të mbështetur opozitës, pavarësisht se koha ishte e kufizuar. Por dha një mesazh të qartë që kishte ardhur në mënyrë private, por ishte brenda axhendës së presidentit Trump dhe është në kontakt të vazhdueshëm më Trump.
Për më tepër DASH mori qëndrim në raport me çështjen e zotit Berisha duke e konsideruar çështjen e non gratës, si një vendimmarrje të qëllimshme politike, e cila nuk zë vend në administratën e re dhe nuk vlerësohet nga administrata e re dhe zoti Berisha është i lirë të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto nuk janë zhvillime të vogla, por shtoj edhe disa zhvillime të tjera. Po ta shikoni, SHBA-të kanë qenë shumë më të rezervuara sesa brohoritjet apo përshëndetjet në raport me liderët evropian për zgjedhjet e lira, në një kohë që dokumentet evropiane, siç është ODIHR, PE apo KE, kanë denoncuar fortë fakte të manipulimit të zgjedhjeve, të përdorimit të shtetit dhe grupeve kriminale në interes të qeverisë dhe të lidhura me qeverinë.