Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se do të tërhiqet nga gara nëse nuk merr të paktën 61 vota në një votim të fshehtë, siç e parashikon Kushtetuta.
Në një konferencë për media, Haxhiu insistoi se mënyra e votimit duhet të jetë e fshehtë dhe përfshirëse për të gjithë deputetët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Me rastin e votimit të fshehtë kur votojnë të gjithë deputetët, siç ka kërkuar edhe Gjykata Kushtetuese, nëse unë si kandidate e propozuar nuk i marr së paku 61 vota, tërhiqem nga kandidatura për kryetare e Kuvendit”, tha ajo.
Deklarata e saj vjen në një moment kur në Kuvend po zhvillohen diskutime intensive për mënyrën e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, mbështeti qëndrimin e Haxhiut, duke cituar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e konsideron votimin e fshehtë si një procedurë të lejueshme dhe jo antikushtetuese.
Konjufca paralajmëroi për pasiguri në skenën politike, duke thënë: “Ne nuk mund ta dimë çfarë do të ndodhë pas 26 korrikut”, duke nënvizuar se ngërçi politik është i mundshëm nëse nuk respektohen standardet demokratike. Ai shtoi se Kushtetuesja e ka bërë të qartë se veprimet e partive politike mund të çojnë në një qorrsokak institucional.sn