Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të marrë pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Evropiane (PPE), e cila do të mbahet më 3 dhe 4 qershor 2025 në Bruksel.
Takimi do të mbledhë së bashku drejtuesit më të lartë të PPE-së dhe përfaqësues të partive anëtare, përfshirë dhe PD-në nga Shqipëria.
Asambleja do të hapet zyrtarisht të martën në orën 15:00 me një seancë të drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat.
Më pas do të zhvillohet Sesioni 1 mbi Reformën Partiake dhe fazën e zbatimit të saj, me pjesëmarrjen e Presidentit të PPE-së Manfred Weber dhe zyrtarëve të lartë të partisë.
Të mërkurën, më 4 qershor, vëmendja do të përqendrohet te politikat tregtare dhe rendi botëror, ku përmes një paneli të nivelit të lartë do të diskutohen sfidat aktuale dhe përgjigjet që ofron PPE.
Në këtë sesion do të marrin pjesë emra si Simon Harris, Ministër i Jashtëm i Irlandës, dhe Wolfgang Hattmannsdorfer nga Austria, si dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe instituteve kërkimore.
Pjesëmarrja e Berishës në këtë ngjarje vjen në një kohë me zhvillime të rëndësishme për të djathtën shqiptare, e cila po denoncon farsën zgjedhore të 11 Majit. sn