A mund të hetojë krimet zgjedhore Prokuroria e Posaçme? Ish prokurori, juristi i njohur Besnik Muçi e sheh me skepticizëm ndërsa pyetja retorike që ngre flet vetë: Nga kush SPAK do i ruajë zgjedhjet, kur shumicën e krimeve zgjedhore e bën qeveria?
Në një lidhje me skype me emisionin Kafe Shqeto’ në Syri TV, Besnik Muçi jep dy arsye thelbësore pse SPAK do të dështojë.
“Kjo strukturë do të dështojë në hetimin e krimeve zgjedhore se ka dështuar gjithmonë për dy arsye thelbësore.
Sepse është jashtë funksionit të saj kushtetues. Në të gjithë veprimtarinë që bën SPAK vetëm në një përqindje të vogël është në funksion kushtetues në atë që ka të bënjë me hetimin e veprave penale, dhe çuarjen e personave në gjyq, pjesa tjetër është përgjegjësi e qeverisë. Pra që të marrësh informacion dhe përpunosh informacionin është detyrë e policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera. SPAK nuk ka kapacitet. Është e pamundur që 20 prokurorë e 40 oficerë të policisë gjyqësore të ndjekin në terren krimet zgjedhore.
SPAK nuk është strukturë që mbulon territorin. Krimet zgjedhore ndodhin çdo cep të Shqipërisë. Të jeni të sigurtë që ndodhin në çdo fshat e qytet të Shqipërisë. Nuk janë vjedhje, vrasje, aksidente. Nuk ka vendngjarje në këto krime. Pavarësisht situatës shumë të rëndë të krimeve zgjedhore do të jetë e pamundur”
Rastin e dy ditëve më parë në Fier, kur agjentët e BKH-së u grushtuan me njerëzit e Agron Kapllanajt nxjerr zbuluar realitetin se nëse SPAK nuk mund të hetojë krimet zgjedhore pasi është vetë policia që i fsheh.
“Ndërsa bëhen protokolle bashkëpunimi krimi elektoral vazhdon. Ne jemi në kulmin e fushatës e krimit zgjedhor. Unë jam i sigurtë nëse policia nuk dëshiron të luftojë krimin zgjedhor, e ka të pamundur se nuk bashkëpunon me SPAK e BKH.
Rasti i Fierit është rast i pastër ku u tregua mungesë bashkëpunimi. Është e pamundur që një oficer i BKH-së që shkon të kryejë veprime hetimore të përplaset me personat në terren. Oficeri gjyqësor nuk është person që ushtron dhunë por merr provat e policia e shtetit duhet të sigurojë kushtet. Pra nëse prokurori apo oficeri rrihet me grushta me personat. Na ka ndodhur një rast kur një prokuror vajti në një parcelë me kanabis se policët ikën. Pra është e pamundur ta marrë përsipër këtë detyrë.
Një tjetër arsye themelore është dhe fakti që ne parashikojmë krimin zgjedhor. Po kush e bën krimin zgjedhor? Nga kush SPAK do i ruajë zgjedhjet?
Në Shqipëri zgjedhjet sipas të dhënave mediatike e zyrtare shumicën e krimeve zgjedhore e bën qeveria. Pra ne caktojmë roje për të ruajtur pronarin, se qeveria ka detyrim kushtetues e ligjor për mirëfunksionimin e zgjedhjeve. Ne themi vjedh qeveria, por a e ka të mundur SPAK që të ruajë zgjedhjet nga pronari ose roja?
Prandaj e shoh me skepticizëm. Edhe përvoja e rasteve dhe hetimeve tregon se SPAK nuk ka pasur efektivitetin e cilësinë dhe vullnetin e duhur për ti shkuar në fund krimeve zgjedhore”
tha Muçi.sn