Nga Chuck DeVore, FOX NEWS
Në ditën e parë në detyrë, presidenti Donald J. Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që përcaktonte kartelet e trafikut njerëzor dhe droge si Organizata të Huaja Terroriste (FTO).
Këtë javë pritet një tjetër lëvizje, pasi Departamenti i Shtetit nën Sekretarin Marco Rubio do përcaktojë gjashtë kartele meksikane si FTO.
Uashingtoni zyrtar ka përhapur prej kohësh trillimet e rehatshme se Meksika është një partner i ndershëm në luftën kundër drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Ky mit vazhdon, pavarësisht dekadave me prova dërrmuese se qeveria meksikane është në rastin më të mirë neglizhente me dashje, dhe në rastin më të keq, në bashkëpunim aktiv me rrjetet kriminale që shkatërrojnë jetë në të dy anët e kufirit.
Trump i ka dhënë fund me forcë kësaj gënjeshtre. Veprimi i Trump ekspozon të vërtetën e papërshtatshme: Meksika, fillimisht nën ish-presidentin Andrés Manuel López Obrador (AMLO) dhe Partinë e tij Morena dhe tani me presidenten Claudia Sheinbaum, nuk është aleate homologe. Është një shtet i komprometuar thellësisht nga korrupsioni dhe kontrolli prej karteleve.
Ndërsa elitat e Uashingtonit shqetësohen për diplomacinë dhe stabilitetin, dhjetëra mijëra amerikanë po vdesin nga helmimi me fentanil çdo vit. Kjo krizë nxitet drejtpërdrejt nga kartelet që veprojnë pa u ndëshkuar në Meksikë dhe me mbështetje materiale, financiare dhe inteligjente nga Kina.
Këto organizata kriminale nuk ndryshojnë nga grupet terroriste të Lindjes së Mesme si ISIS apo Hezbollah. Ata janë të pamëshirshëm, të mirëfinancuar dhe kanë pushtet politik në mënyra që asnjë qeveri legjitime nuk duhet t’i tolerojë – përveç nëse, sigurisht, ajo qeveri komprometohet.
Përcaktimi i karteleve si FTO nuk është një përshkallëzim radikal. Është një përshtatje e nevojshme me realitetin. Të njëjtat mjete që përdorim për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar – sanksionet financiare, operacionet e zgjeruara të inteligjencës dhe madje edhe veprimet e drejtpërdrejta ushtarake – duhet të përdoren kundër karteleve meksikane.
Përfitimet e këtij përcaktimi janë të qarta. Kartelet dhe mundësuesit e tyre do të përballeshin me ngrirje të aseteve, ndalime të udhëtimit dhe ndëshkime të rënda për këdo që u siguronte atyre mbështetje materiale. Më e rëndësishmja, zbatimi i ligjit në SHBA do të kishte rritur autoritetin për të çmontuar rrjetet e karteleve brenda Amerikës. Kjo është një luftë dhe duhet luftuar si një e tillë.
Kritikët do të paralajmërojnë se kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet SHBA-Meksikë. Por le të jemi të sinqertë: çfarë saktësisht po përpiqemi të ruajmë? Një partneritet i rremë ku qeveria meksikane pretendon se kujdeset për ndalimin e trafikut të drogës duke përfituar në të njëjtën kohë prej tij? Kjo nuk është diplomaci. Ky është një teatër vdekjeprurës.
Sipas një politike të iniciuar nga AMLO, e ashtuquajtura ‘abrazos, no balazos’ (përqafime, jo plumba), Meksika është dorëzuar zyrtarisht para karteleve. Vetë AMLO e ka pranuar hapur se preferon “të shmangë konfliktin” me këto grupe, duke u ofruar degë ulliri, ndërkohë që ata vërshojnë Amerikën me drogë vdekjeprurëse dhe trafikojnë qenie njerëzore për përfitime. Kjo nuk është një strategji; është bashkëpunim.
Rezultati është një narko-shtet në rritje në kufirin tonë jugor. Kartelet janë shtrirë në politikën meksikane, gjyqësorin dhe madje edhe zbatimin e ligjit në nivelet federale dhe shtetërore. Gazetarët dhe sinjalizuesit meksikanë, që guxojnë t’i ekspozojnë këto lidhje shpesh heshtin – përgjithmonë.
Për dekada, Uashingtoni zyrtar ka zgjedhur rrugën e rezistencës më të vogël kur bëhet fjalë për Meksikën. Politikanët dhe burokratët preferojnë të ruajnë iluzionin e partneritetit, pavarësisht se sa amerikanë vdesin nga fentanili i furnizuar nga karteli ose sa emigrantë brutalizohen nga trafikantët e qenieve njerëzore. Shqetësimi i tyre për “stabilitetin” në Meksikë është vetëm një eufemizëm për qetësim.
Por stabilitet për kë? Sigurisht jo për familjet amerikane që varrosin fëmijët e tyre pas helmimeve të tjera me fentanil. Sigurisht jo për emigrantët e skllavëruar dhe të trafikuar nga kartelet me miratimin e heshtur të autoriteteve meksikane. Stabiliteti i shërben vetëm klasës politike të korruptuar në Meksikë dhe bosëve të kartelit që i financojnë ato.
Lërjani presidentit Trump këtë gjë. Përcaktimi i karteleve meksikane si organizata të huaja terroriste është hapi i parë i ndershëm që Uashingtoni ka ndërmarrë për këtë çështje në dekada. Ai dërgon një mesazh të pagabueshëm: Ditët kur pretendohej, se Meksika është një partner i barabartë, kanë mbaruar. Ne nuk do të lejojmë më politikanët e korruptuar dhe liderët e karteleve të përfitojnë nga vrasja e amerikanëve, ndërkohë që bllokojmë qindra mijëra në një formë të skllavërisë moderne pa pasoja.
Nëse elita politike e Meksikës dëshiron të vazhdojë ta mbajë mirë me kartelet, kjo është zgjedhja e tyre. Por Amerika ka të drejtën – dhe përgjegjësinë – për të mbrojtur veten nga pasojat vdekjeprurëse të kësaj zgjedhjeje. Kjo nuk është më vetëm një çështje e sigurisë kufitare; është një imperativ jetik i sigurisë kombëtare.
Këneta e Uashingtonit do t’i rezistojë të vërtetave të pakëndshme që do të zbulojë ky emërtim, por ky nuk është problemi ynë. Fantazia e tyre për Meksikën, si një partner i përgjegjshëm në sigurinë rajonale, është një gënjeshtër mizore.
Është koha për t’u përballur me realitetin: Qeveria meksikane jo vetëm që po dështon të luftojë kartelet; po i ndihmon ata në mënyrë aktive – aq shumë, saqë është e vështirë të përcaktohet se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra.