Administrata bashkiake ka braktisur orarin zyrtar të punës, për të dalë në mbështetje të kryetarit të tyre, Erion Veliaj, teksa ky i fundit ndodhej në seancë gjyqësore për t’u njohur me masën e rivlerësimit.
Nga një vëzhgim i Syri TV, në Njësinë Bashkiake nr.9 nuk ka mbetur asnjë punonjës aty, pasi të gjithë referuar edhe një urdhri të lëshuar nga Bashkia e Tiranës, duhej të ishin në protestë para GJKKO, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Nga pamjet e ofruara nga vëzhgimi i Syri TV, shihen qartë dyert e mbyllura dhe një ‘heshtje’ e plotë në zyrat e Njësisë 9, duke bërë që qytetarët e Tiranës të mbeten pa shërbimet publike, të cilat bashkia e ka detyrim ligjor t’i ofrojë.
Më herët u raportua edhe për ’mobilizim’ të Policisë Bashkiake, për të braktisur uniformën e tyre dhe për të dalë në protestën e thirrur në GJKKO në mbrojtje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë protestës ra në sy prezenca e drejtorëve dhe ish drejtorëve të Policisë Bashkiake, të shoqëruar nga familjarë dhe militantë të tjerë socialistë.
Protestuesit dhe administrata bashkiake e Bashkisë së Tiranës pritet të rimblidhen sërish në orën 17.00, sipas urdhrit të lëshuar nga kjo bashki.