Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi pas deklaratës së Edi Ramës se në vitin 2027 Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s në Tiranë. Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se mes liderve të pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA, Donald Trump.
Por Berisha shprehet se do të jetë vetë ish-kryeministri ai që do të organizojë Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut pas 2 vitesh.
“Projeksionet janë jo vetëm të miat, por të mbarë aleancës, që në vitin 2027, samitin e organizon ai që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe jo ai që bëri protesta kundër NATO-s. Shumë evidente kjo”, ishte përgjigjja e Berishës.
Çfarë tha Rama?
Kryeministri Edi Rama njoftoi nga konferenca e fundvitit me gazetarët se presidenti i ri i SHBA, Donald Trump do të vizitojë Shqipërinë në vitin 2027. Rama tha se vizita e Trump do të bëhet në kuadër të Samitit të NATO-s që do të zhvillojë punimet në Shqipëri.
“Akoma më e pamendueshme disa vite më parë është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s, në vitin 2027 ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA. Kemi nisur punën bashkë me NATO-n. Një ekip vlerësimi për infrastrukturën ka ardhur në Tiranë dhe ka bërë vlerësim për Tiranën që do të ishin të pamundura nëse nuk do të kishim ndërtuar gjithçka që është ndërtuar këtë dekadë. Sot trajtohemi si të barabartë jo thjeshtë formalisht port me një respekt që nuk e kemi pasur kurrë më parë”.
(BalkanWeb)