VOAL- Revista “Sindh Courier” qe publikohet në gjuhën angleze në Karaci, (Pakistan) nga shkrimtari dhe publicisti i njohur pakistanez Nasir Aiaz, po boton romanin ‘Shtatori i gjëmës së madhe’ të shkrimtarit Skifter Këlliçi, i cili, nën titullin ‘Disastrous September’ është botuar vitin e kaluar në Amerikë nga Enti botues Lulu.
Siç dihet, ky romani i kushtohet 9/11, tragjedi në të cilën, si pasojë e akteve të një grupi terroristësh fanatikë islamikë, mbetën të vrarë 2981 njerëz, ndër të cilët dhe tre shqiptarë – Frrok Camaj, Mon Gjjonbalaj dhe Simon Dedvukaj, të kthyer në personazhe të këtij romani.
Këlliçi ka punuar gjatë viteve 1999-2001 security guard në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit dhe atë mëngjez ka parë të kalonin nga një pikë kontrolli e Terminalit B të këtij aeroporti një grup prej 5 pasagjerësh të rinj arabë, pa e ditur se këta ishin disa nga terroistët që pastaj u futën një avion ,vranë pilotët, e kthyen atë në një predhë gjigande, që goditi një nga Kullat Binjake. Pas disa minutash një grup tjetër terroristësh veproi në të njejtën mënyrë me avionin në të cilin fluturonin duke goditur kështu kullën tjetër binjake.
Revista ‘Sindh Courier”, siç nënvizon Nasir Aiazi në një intervistë të dhënë gazetës së përjavshme “Nacional”, është e njohur jo vetëm në Pakistan, por edhe në 70 vende të tjera të botës.
Në numrat e saj të ardhshëm kjo revistë do të vazhdojë të botojë fragmentet deri në fund të këtij romani.