Voal – Një hetim i nisur prej vitit 2014 për ish-kryetaren e AMA-s Endira Bushati, ka përfunduar në janar të këtij viti, ku prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Endira Bushatin. Akuza që është ngritur ndaj saj, është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi Bushati në periudha të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së saj ka lejuar në mënyrë të qëllimshme “lulëzimin” e televizioneve pirate. Çështja tashmë kundër Bushatit është dërguar në gjykatën e Tiranës dhe se pritet që në ditët në vijim ajo të gjykohet nga gjyqtari Martin Deda. Dy vite më parë prokuroria kërkoi në gjykatë pezullimin e Bushatit nga detyra e kryetares së AMA-s pasi kishte mundësi që ajo të prishte provat hetimore, duke zhdukur dokumentet.
Bushati nuk veproi
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se disa subjekte i kanë kërkuar me shkresa zyrtare AMA-s, më konkretisht Endira Bushatit, për verifikimin e pretendimeve dhe provave për këto transmetime të paligjshme të këtyre operatorëve dhe për fillimin e procedurave për vendosjen e sanksioneve përkatëse dhe mbylljen e veprimtarisë së këtyre operatorëve sipas parashikimeve ligjore. Prokuroria ka evidentuara dhe subjektet që transmetojnë kanale në mënyrë të paligjshme, ndërsa ankesat në këtë institucion kanë filluar në vitin 2009 e duke vazhduar gjatë viteve, ku detajoheshin lloji i shkeljes dhe data konkrete e kryerjes së saj. “Ndaj këtyre kërkesave, Kryetarja e KKRT dhe më pas AMA, shtetasja Endira Bushati, nuk ka ndërmarrë të gjitha veprimet që është e detyruar nga dispozitat ligjore. Duke mos vepruar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, kryetarja e KKRT, sot AMA, ka lejuar që këto subjekte të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme materialisht, në formën e shitjes së programeve të tyre dhe transmetimeve të paligjshme tek publiku i gjerë”-vijon akuza.
I hapi rrugën abuzimeve
Sipas prokurorisë nga viti 2009 e deri në largimin nga detyra, nuk konstatohet të jetë zbatuar procedura e heqjes së licencës për ndonjë nga subjektet kundërvajtëse për transmetimet e paligjshme. Në mënyrë të veçantë për disa operatorë është kërkuar në mënyrë të përsëritur, marrja e masave përkatëse,por përsëri asnjë masë nuk është marrë ndaj tyre. Në këto kushte, në veprimtarinë e saj si kryetare e KKRT-së dhe AMA-s, shtetasja Endira Bushati nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për penalizimin e subjekteve që transmetojnë në mënyrë të paligjshme”, thotë prokuroria. Ajo shton se shkelje është edhe shkresa e datës 29 maj 2013, kur Endira Bushati i është drejtuar të gjithë operatorëve kabllorë, duke i kërkuar transmetime të hapura të programeve të operatorëve televizivë kombëtarë. Në këto kushte, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova ndaj shtetases Endira Bushati për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”./shqiptarja.com
Komentet