Tek ura mbi Lumin Ibër
kalimtarët janë të rrallë
si retë e rralla në qiellin
mbi kokat tona
Tek Ura mbi Lumin Ibër
kalimtarët e rrallë
janë të heshtur
si retë e heshtura
në qiellin mbi kokat tona
qiell i rimtë sykthjellët
me ndonjë re tek-tuk
si kalimtarët tek-tuk
në Urën mbi Ibër
tre qenushë endacakë të bukur
patrullojnë
mbi Urën e Lumit Ibër
kanë uri dhe na afrohen
miqësisht
futen në fokusin
e aparatit fotografik
si miq të vjetër
nuk pyesin çfarë etnie ke
sytë i kanë miqsorë, lutës
t’i ftosh në shtëpinë tënde në Europë
të luajnë me fëmijët
të lehin gjithë gaz
kur kthehesh në shtëpi
nga udhëtimi në Mitrovicë –
nga Ura mbi Lumin Ibër
aty ku qentë endacakë të uritur
lypin miqësi jo bukë
të mbushin
barkun e uritur
dhe vijnë e fotografohen me ty
sikur të jenë
pjestarë të familjes
Poezi nga vëllimi poetik i autores Skaterr, Onufri 2014