Të paktën tri viktima të aksidentit që ndodhi në kantierin e ndërtimit të qendrës tregtare Malley Lumières, në qytetin në periferi të Lozanës – Tetë persona të tjerë të plagosur, katër në gjendje të rëndë.
VOAL- Tre punëtorë humbën jetën dhe të paktën tetë të tjerë u plagosën, katër prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, mëngjesin e së premtes në Prilly, jo shumë larg Lozanës, për shkak të shembjes së një skele të madhe. Kështu ka bërë të ditur policia e kantonit Vaud. Gjashtë persona të plagosur u dërguan në CHUV në Lozanë, duke përfshirë një me helikopter dhe dy të tjerë në HUG në Gjenevë.
Aksidenti ka ndodhur pak para orës 09:30. Në vendin e aksidentit ndodhet edhe Prokuroria Publike, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Aksidenti i rëndë ndodhi në kantierin e “Malley Phare”, një projekt ngritës 14-katësh në çatinë e qendrës tregtare “Malley Lumières”, ngjitur me “Vaudoise Arena”. Dy ndërtesat u evakuuan përkohësisht dhe qendra sportive u përdor për të akomoduar dhe trajtuar të plagosurit.
Sipas disa dëshmitarëve dhe punëtorëve, një ashensor mallrash u shemb nga maja e kullës, duke marrë me vete edhe skelat e fasadës veriore. Shërbimet e urgjencës kanë frikë se mund të bjerë edhe pjesa tjetër e strukturës: është kryer punë sigurie. Ndërtesa ka gjithsej 19 kate dhe është pothuajse 60 metra e lartë.
Ekipi i ndihmës psikologjike në Vaud dhe ekipi i ndihmës emergjente u kujdesën për rreth njëzet persona të përfshirë, por jo të lënduar, dhe familjet e viktimave, shtohet.ATS/RSI