Afrimi i 25 prillit do të rindezë krahasimet ndërmjet Lirimit tonë e atij të të tjerëve. Është e parashikueshme që në manifestimet do të ridëgjohet thirrja “Palestina e lirë”, e do të hymnizohet “qëndresa” e atij popilli. Por po aq e sigurtë është se të njëjtin interes nuk do të shkaktojë qëndresa e ukrainasve. Simbas një paradoksi të eksperimentuar mirë në debatin tonë publik: pikërisht ata që janë më shumë të zotuar për të kundërshtuar pushtuesin izraelian, janë më të prirurit për të kuptuar arsyet e pushtuesit rus. Megjithëse Gaza nuk ishte e pushtuar para se të shpërthente lufta, ndërsa Donbasi ishte dhe është. Kjo vëngëri etike e politike është interesante edhe në motivimet e saj. Pardje ishte një dëgjuese e radios tepër e zemëruar me qeverinë ukrainase: “Atë që e gjej të palejueshëm – thonte – është përçmimi i skajshëm i jetës njerëzore nga ana e atij që dërgon dy ushtarë të luftojnë kundër dymijëve”. Zakonisht mbajmë anën e më të dobtit. Ndërsa në rastin e Rusisë, fuqia ushtarake dhe demografike e së cilës e quajtur e tepruar, është që në fillim një arsye shumë e mirë që ajo t’a fitojë luftën. Pra:zemërohemi në emër të shënjtërisë së jetës me ata dy që qëndrojnë, por jo me dymijët që përpiqen t’i vrasin.
Duke lënë mënjanë faktin që në histori shpesh herë më i trashi i ka marrë goditjet (Rusia cariste, rul ngjeshës i Evropës, qe për shëmbull fuqia e parë që u mund nga një Vend aziatik, Japonia e vogël, më 1905). Por ai që bën më shumë përshtypje është arsyetimi që mohon në rrënjë të drejtën e qëndresës së më të dobtit, që është i ligjëruar pikërisht nga dobësia e tij numerike e ushtarake e atij që pëson një padrejtësi e një paudhësi. Nuk e di nëse përkrahësit e kësaj teze a e kuptojnë se arrijnë deri në mohimin e shëmbëllesave të heroizmit si ajo e treqind spartanëve, që në Termopile mbrojtën lirinë e grekëve përballë fuqisë së pakufishme ushtarake persiane; ose atë të vietkongëve që në shtegun Ho Shi Min më së fundi mundën gjigandin amerikan; madje edhe qëndresën e hindianëve t’Amerikës, që më mirë se sa të përfundonin të internuar në një vend, parapëlqyen të përballeshin në një fushë beteje.
Shkurt: nëse më i dobti nuk ka të drejtë të mbrohet, duhet rishkruar e gjithë historia e njerëzimit. Nga ana tjetër, jam i sigurtë se e njëjta dëgjuese nuk do të kishte përdorur kurrë të njëjtin argument për të dënuar veprimet e partizanëve italianë ndërmjet 1943 e 1945, madje duke përsëritur padinë e vjetër të të bërit përgjegjës, me luftën e tyre, të shpagimeve të llahtarëshme nazifashiste të Marzabottos e të Sant’Anna të Stacemës. Nga ana tjetër ata që mendojnë si ajo sigurisht nuk i kërkojnë Hamasit të pushojë luftën për të shmangur plojën e mijra civilëve palestinezë. Madje dhe Hamasi, duke ngritur të famshmin flamur të bardhë, do të kishte fuqinë t’i jepte fund luftës, duke mos pranuar të përballonte një kundërshtar qartësisht më të fuqishëm për aftësi ushtarake e teknologjike. Megjithatë përgjegjësia e Hamasit, ploja e izraelianëve e 7 tetorit, nuk mund të krahasohet as së largëti me çfarëdo “casus belli” të përdorur nga Moska ndaj Kievit për të ligjëruar mësymjen.
Pikërisht ndeshtrasha e luftës arabo-izraeliane, e filluar 76 vite më parë, do të duhej të na mësonte se paqja nuk është një fitore ushtarake, se nuk mjafton një bashkëngjitje territori ose dorzimi i armikut për t’a siguruar. Më 1948, kur OKB-ja vendosi lindjen e dy Shteteve në Palestinë, më të dobtit ishin hebrejtë, pak qindra mijra të rrethuar nga një det miljona arabësh në Egjypt, Jordani, Siri, Liban, Irak; të cilët bënë gabimin të mos pranimit të planit të ndarjes, të bindur se do të mbizotëronin me forcën, duke hapur kështu një nga luftërat sot më larg çdo shprese të paqes. Në të njëjtën mënyrë, nëse nesër në mëngjes një qeveri ukrainase do të vendoste t’i dorëzohej Putinit, nuk do të ishte fundi i luftës, por fillimi i një lufte të re, të zvarritur e të pafund, ndoshta edhe një stine terrorizmi ndërkombëtar; pikërisht ashtu siç ndodhi në Lidjen e Mesme, kur palestinezët e Arafatit e përqafuan atë si armë qëndrese.
Rusët duhet t’a dinë mirë, mbas përvojës së Afganistanit: e mësyen edhe atë Vend, por u detyruan të tërhiqeshin mbas dhjetë vitesh, duke lënë të hapur plagën e skajshmërisë islamike nga e cila mbiu sulmi i Bin Ladenit Amerikës, përgjigja e Bushit të ri, lufta e Irakut, pafundësia e vatrave të luftës dhe atentateve që ende sot gjakosin botën.
“Nuk ka paqë pa drejtësi”. E ka thënë edhe Gjon Pali i II, duke shtuar: “Nuk ka drejtësi pa falje”. Kush përgatitet të ndyejë kujtimin luftës sonë të Lirimit për të përligjur shtypjen e të tjerëve, ose për të bërë dy pesha e dy masa simbas mësyesve, le të kujtojë këto fjalë më 25 prill.
“Corriere della Sera”, 15 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika