Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se Ukraina do ta humbë luftën kundër Rusisë, nëse Kongresi amerikan nuk e miraton një paketë të madhe të ndihmës ushtarake, teksa forcat ruse e rrisin prezencën në vijën e frontit.
Ushtria ukrainase e ka pranuar se luftimet rreth vijës së frontit në qytetin Çasiv Jar janë “të vështira”, mirëpo forcat janë duke rezistuar.
Ukraina vazhdon të kërkojë ndihmë urgjente prej Shteteve të Bashkuara, sidomos për paketën e propozuar në vlerë të 60 miliardë dollarëve, e cila është bllokuar që disa muaj nga republikanët në Kongres.
“Është e nevojshme që specifikisht t’i tregojmë Kongresit që nëse Kongresi nuk i ndihmon Ukrainës, Ukraina do ta humbë luftën”, ka thënë Zelensky përmes një video-incizimi.
Do të jetë e “vështirë” për Ukrainën “të mbijetojë pa ndihmë”, ka thënë Zelensky.
“Nëse Ukraina humb luftën, shtetet tjera do të sulmohen”.
Rusia i ka rritur sulmet në Çasiv Jar teksa teton të rrisë territorin nën kontrollin e saj.
Çasiv Jar është më pak se 30 kilometra prej Kramatorskut, një zonë e rëndësishme hekurudhore dhe logjistike për ushtrinë ukrainase.
“Situata është e vështirë dhe e tensionuar”, ka thënë Oleg Kalashnikov, zëdhënës për brigadën ushtarake të angazhuar në atë zonë.
Republikanët konservatorë në Kongresin amerikan hezistojnë të miratojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, me arsyetimin se nevojiten reforma të thella për imigrimin në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Joe Biden, në anën tjetër, e ka përmendur disa herë nevojën kritike për ta mbrojtur Ukrainën kundër pushtimit rus.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.REL