Pas rrëzimit nga Kuvendi me votat e shumicës të dekretit të pronave, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.Presidenca njofton se vendimi vjen pas votimit të datës 21 janar 2016 nga Kuvendi i Shqipërisë të dekretit për “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 133/2015 ‘Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave’”.
Sipas Nishanit, ligji, në tërësinë e tij, cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut.
Deklarata e plote:
“Presidenti i Republikës ka mirëpritur dhe njohur angazhimin legjitim të Qeverisë shqiptare për të trajtuar çështjen e pronarëve, me synimin për të eliminuar me ligj dhe në praktikë të zvarritjeve burokratike, dhe për të sjellë barazi të të gjithë pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë.
Në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në respektim të jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke shpresuar në një debat më serioz, profesional dhe të kujdesshëm rreth këtij ligji, Presidenti vendosi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 133/2015, me vlerësimin se:
Ligji, në tërësinë e tij, cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut.
Presidenti i Republikës konsideron se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ka impakt të drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e përparimit të vendit, çka e reflekton qartë edhe përcaktimi i saj si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Bazuar në sa më sipër, Kreu i Shtetit informon opinionin publik mbi vendimin e tij për të dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin në fjalë.
Komentet