Prishtinë, 11 janar 2004 – Sot në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, me një Akademi përkujtimore u shënua pesëvjetori i vrasjes së ENVER MALOKUT, shef i Qendrës për Informim të Kosovës – QIK, ku mori pjesë dhe foli Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, familja Maloku, zyrtarë të lartë dhe aktivistë të shumë të LDK-së, deputetë dhe miq e kolegë të ENVER MALOKUT dhe qytetarë të shumtë.
Në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova tha se “jemi sot së bashku këtu, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në këtë Akademi përkujtimore për të shënuar 5 vjetorin e vrasjes së gazetarit dhe publicistit të madh të vendit tonë dhe të botës shqiptare, ENVER MALOKU“.
Ndërkaq, Presidenti Rugova duke folur për veprimtarinë gazetare 20 vjeçare të ENVER MALOKUT, tha se ai dha një kontribut të madh për shoqërinë dhe shtetin kosovar. Në fillim punoi në Televizionin e Prishtinës si gazetar i shquar i kulturës. Prej vitit 1990, kur kjo shtëpi televizive u mbyll nga pushtuesi, Maloku e vazhdoi veprimtarinë e tij në lëvizjen e madhe të Kosovës për liri e pavarësi. Kështu në vitet ’90 Ai u bë njëri ndër gazetarët kryesor të Kosovës, theksoi Presidenti Rugova dhe shtoi: “Së pari punoi në Zyrën e LDK së, e që nga viti 1991 në Qendrën për Informim të Kosovës, që ishte njëri ndër themeluesit e saj. Kjo Qendër në vend dhe në botë u njoh si Agjenci Kombëtare e Lajmeve e Kosovës, e cila për një decenie e denoncoi dhunën, masakrat, gjenocidin dhe ekzodusin e pushtuesit mbi popullin e Kosovës”.
Në vazhdim Presidenti Rugova tha se nën drejtimin e ENVER MALOKUT që nga viti ’93 kjo Qendër u bë më e fuqishme dhe e zgjeroi veprimtarinë e vet publicistike e shkencore përmes botimeve të rëndësishme. “Nga kjo Qendër nën drejtimin e Malokut u lansuan me qindra mijëra informata e lajme të ditës në shërbim të mbrojtjes dhe të afirmimit të lëvizjes për liri e pavarësi. Kështu lajmet e kësaj Qendre u bënë lajme më të besueshme për Kosovën në botë. Dhe duke përdorur energjinë e Tij të pashterrshme në vitin ’98, në vitin e luftës, siç e quante ai, nxori edhe gazetën e mbrëmjes me titull “Informatori” për informim sa më të shpejtë të opinionit kombëtar. Në këtë mënyrë Maloku u bë Zëdhënësi kryesor i Kosovës në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Dr. Rugova.
“ENVER MALOKU ishte burrë i guximit të madh, pranoi të ishte gazetar i lajmeve të ditës, që është punë e vështirë në kohë të vështira. Gjithmonë gjendej në zjarrin e informatës në terren dhe nga terreni. Ai i vuri themelet e informimit dhe të lajmeve zyrtare në kuadër të Qendrës dhe paanësinë të mbështetur në fakte e argumente, gjithmonë në interes kombëtar të vendit”, tha Presidenti Rugova, duke veçuar ENVER MALOKUN si edhe analist të mprehtë të çështjeve politike dhe kombëtare. Lajmet e shkruara nga Maloku, tha Dr. Rugova, pos informatës, kishin në vete edhe elemente të jetës, reflekse të njerëzve, që i bënin ato më të besueshme dhe më njerëzore.
Duke evokuar kujtime për ENVER MALOKUN, Presidenti Rugova tha se
“Enveri ishte një burrë trim. Ai e dinte rrezikun e punës së tij, po nuk u ndal për asnjë moment. Më kujtohet kur në korrik të vitit ’98 kur u bë atentati i parë mbi të, të nesërmen hyri në Zyrën time i buzëqeshur duke thënë ‘President u shpëtova, nuk kanë çka të më bëjnë. Unë do të vazhdoj punën time’. Dhe vërtet ai e vazhdoi punën edhe më me ngulm e fuqi”, tha Presidenti Rugova dhe shtoi se “në gjithë gazetarinë e tij ndihet e vërteta dhe dashuria e përkushtimi për Kosovën, për kombin për lirinë dhe pavarësinë tonë”.
Presidenti Rugova në vazhdim tha: “Më lejoni që këtë Fjalë timen ta përmbyll me komentimin e njërit ndër shkrimet, lajmet e fundit të ENVER MALOKUT i dhënë në formë urimi më 31 dhjetor me titull ‘Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999’, ku thotë: ‘Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhembjes, pikëllimit e trishtimit… Le të gëzojnë dhe festojnë të gjallët që i pret një vit shumë i vështirë, vit i luftës dhe i lirisë. Gëzuar Vitin e Ri 1999, Vitin e lirisë”.
Këto fjalë të Malokut janë sa të prekshme, aq edhe profetike, tha Presidenti Rugova, sepse pas gjashtë muajsh me 12 qershor të vitit 1999 Kosova u bë e lirë dhe de facto e pavarur pas intervenimit të NATO s dhe miqve tanë.
“I quajtëm këto fjalë profetike, sepse njerëzit që punojnë, që gjenden në rrjedhën e gjërave, njerëzit e mëdhenj, çfarë ishte Maloku, lënë fjalë profetike e proverbiale që i dëshmon koha, njerëzit dhe ngjarjet. Profecisë së Tij sot mund t’i përgjigjemi me një urim, pas pesë vjetësh të amshimit të tij “Gëzuar liria e Kosovës ENVER MALOKU, që është edhe pavarësia e saj”, theksoi Dr.Rugova.
“Po, sot kemi dhembje të thellë për ENVER MALOKUN, po më të madhe e kemi krenarinë për veprën dhe jetën e Tij energjike. Maloku ishte një hero i gazetarisë shqiptare, zëdhënësi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai është shembull si punohet për Atdheun, Kosovën tonë të dashur”, tha në fund të fjalës së tij në këtë Akademi përkujitmore kushtuar ENVER MALOKUT, Dr. Ibrahim Rugova, President i Kosovës.
Në vazhdim të kësaj Akademie u shfaq një program artistik dhe u ekzekutuan disa pika të zgjedhura muzikore nga Lule Elezi, Alisa Baraku dhe Antonio Gashi. Ndërkaq, aktori i njohur Çun Lajçi lexoi fragmente nga shkrimet analitike të ENVER MALOKUT.
Komentet