VOAL- Festivali i 76-të i Filmit në Lokarno premton të jetë një ngjarje e guximshme dhe e pasur kulturore. Bazuar në programin e prezantuar sot, të mërkurën, në Bernë, do të jenë 17 filma në garë për Leopardin e Artë. Juria do të kryesohet nga aktori francez Lambert Wilson.
Çmimi i Ekselencës Davide Campari 2023 do t’i shkojë aktorit britanik Riz Ahmed. Djali i një emigranti pakistanez, Ahmed kishte një karrierë të pasur filmike, të kombinuar me një angazhim social dhe politik në luftën kundër intolerancës dhe racizmit. Çmimin do ta marrë më 2 gusht, në fillim të dhjetëditëshit kushtuar artit të shtatë në Piazza Grande.
Qëllimi i këtij edicioni të 76-të të Festivalit është të eksplorojë fusha të reja të artit kinematografik. Quentin Dupieux, Radu Jude dhe Sylvain George janë vetëm disa nga regjisorët, filmat e të cilëve do të jenë në konkurrencë. Zvicra përfaqësohet nga Basil Da Cunha, një nga zërat më origjinalë të ringjalljes së filmit zviceran. Përafërsisht 8,000 spektatorë do të priten në Lokarno çdo mbrëmje. rsi-eb