Banka Botërore ka rishikuar vlerësimin për rritjen e ekonomisë shqiptare, duke ulur pritshmëritë si për vitin 2015, ashtu edhe në terma afatmesëm. Ndërsa në qershor të vitit të shkuar Banka Botërore priste një rritje 3% të ekonomisë shqiptare, në raportin e fundit norma e rritjes është ulur me pesimizën në kuotën e 2.7%.
Të dhënat janë publikuar në raportin e fundit mbi ecurinë e ekonomisë globale, ku Banka Botërore ka ulur parashikimet e rritjes ekonomike edhe për vitet 2017 dhe 2018. Sipas raportit, vlerësimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2016, është ulur në 3.4 për qind nga 3.5 që ishte parashikuar disa muaj më parë. Por më shumë se korrigjimi i lehtë me ulje për vitin 2016, bie në sy pesimizmi i Bankës Botërore edhe për dy vitet në vijim, ku sipas raportit, rritja ekonomike nuk do kalojë mbi normën 3.5%.
Parashikimet e Qeverisë
Për vitin 2015, Qeveria parashikoi fillimisht një rritje ekonomike prej 3,5%. Ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, në tremujorin e parë të 2015 rritja arriti në 2.8 për qind. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, aktiviteti ekonomik vendas shënoi gjithashtu një ritëm rritje më të lartë se sa viti 2014 prej 2.5%, ndonëse me një ngadalësim të lehtë ndaj ritmeve të tremujorit të parë. Për të gjithë gjysmën e parë të vitit, ekonomia u zgjerua me rreth 2.6% në terma vjetorë. Ndërkohë që pas mosrealizimit të vazhdueshëm të të ardhurave përgjatë gjithë vitit, të shkuar, edhe Qeveria i uli në 2.7% pritshmërinë për rritjen ekonomike të vitit që sapo lamë pas.
Termat afatmesme
Me të njëjtin optimizëm ka parashikuar edhe rritjen ekonomike në terma afatmesme. Në relacionin e Buxhetit të vitit 2016, Këshilli i Ministrave thekson se rritja reale ekonomike parashikohet që të përshpejtohet gradualisht nga 2.1 për qind që ishte në vitin
2014 në rreth 4.2 për qind në vitin 2018. Rritja ekonomike, sipas Qeverisë, pritet të mbështetet nga një nivel më i lartë i kërkesës së brendshme, ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë një efekt ngadalësues duke faktorizuar edhe efektin e pritshëm të rritjes së importeve si rrjedhojë e projekteve të mëdha energjetike që
priten të realizohen gjatë viteve në vijim. Niveli i inflacionit që parashikohet për këtë periudhë është 2.3 për qind për 2016, 2.7 për qind për vitin 2017 dhe 3 për qind vitin 2018.
INSTAT: Zyrtare, në vitin 2012, rritja ekonomike 2.02%
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave ekonomia shqiptare për vitin 2014 u rrit me 2.02%. Këto të dhëna tregojnë një rritje disi më të lartë krahasuar me vlerësimin prej rreth 1.89%, që mbështetej në statistikat tremujore për vlerën e shtuar bruto. Edhe shifra prej 2.02% është një vlerësim paraprak, ndërsa të dhënat finale për rritjen ekonomike të vitit 2014 do të publikohen vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, këto të dhëna tregojnë se rritja ekonomike e vitit 2014 është afro dy herë më e lartë në raport me rritjen prej 1.11% të vitit 2013. Njëkohësisht, viti 2014 solli përmirësim të rritjes ekonomike, pas dy vitesh radhazi kur vlerat e rritjes kishin qenë në rënie. Sektori me kontributin kryesor ka qenë ai i aktiviteteve profesionale dhe mbështetëse, i ndjekur nga tregtia dhe nga shërbimet publike.
Ulja e normave të interest, sjell ‘çkyçjen’ e depozitave
Ulja e normave të interesit ka bërë që individët dhe bizneset të ulin depozitat me afat, duke i transferuar ato formën e llogarive rrjedhëse apo depozitave pa afat. Të dhënat zyrtare tregojnë se depozitat me afat paraqiten në rënie, si në lekë, ashtu edhe në euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat me afat në lekë në Nëntor 2015 kishin vlerën e 366.6 miliardë lekëve, në rënie me afro 6% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me depozitat në euro. Në fund të Nëntorit, ato kishin vlerën e dy miliard eurove, në rënie me 4.4% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2014.
Komentet