Në nenin 92, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet se “Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin”.
Po ashtu, në paragrafin 4 të këtij neni thuhet se “Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë….”
Kjo i bie se secila Qeveri duhet të veprojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës. Në të kundërtën vlen dorëheqja apo heqja. Është e njëjta analogji si te rasti i Presidentit, i cili duhet shkarkuar kur bën shkelje të Kushtetutës.
Cinikët mund të thonë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i paqartë ose nuk ndalon themelimin e Asociacionit, por ama aty një gjë është e qartë dhe ajo është se marrëveshja për “Zajednicën” NUK është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Pavarësisht konsistencës dhe kundërshtimeve opozitare e qytetare, Isa Mustafa deklaronte se nuk e heq asnjë presje nga marrëveshja dhe se e njëjta është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, madje këtë e thoshte me siguri të plotë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i tillë, falë angazhimit opozitar dhe qytetarë përgjatë këtyre muajve. Po të mos ishte i gjithë ky angazhim, përpjekje e besa edhe gazi lotsjellës, natyrisht që vendimi do të ishte tjetër fare. Ja që doli edhe gazi lotsjellës dhe ia hapi sytë edhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Është e domosdoshme që pas këtij vendimi, Isa Mustafa bashkë me vartësit e tij të largohet nga aty. Nëse nuk e bëjnë, e kemi obligim qytetar që t’ia bëjmë të mundur largimin ne.
Një regjim i mbështetur vetëm në forcat e sigurisë dhe të përndjekjes policore të opozitës, nuk mund të fshihet nga populli në hapësirat e institucioneve të Republikës për gjatë kohë. Ky regjim që ka uzurpuar Republikën, dhe solidaritetin e gjen, e mirënjohjen e merr nga Beogradi, jo vetëm pse po toleron strukturat e saj paralele dhe kriminale në veri të vendit, por edhe po e thellon praninë e Serbisë në brendësi të Republikës, përmes dialogut dhe marrëveshjeve që kanë pasuar atë.
Me skenarët e regjimit të Millosheviqit që për origjinë kanë modelin famëkeq Rankoviqian, dhunën dhe burgosjen e aktivistëve e të veprimtarëve të 68-s, 81-shit e të atyre të viteve 90-ta, Isa Mustafa si pinjoll i denjë i tyre, mund të përkushtohet ndaj këtyre mjeteve për të dëshmuar besnikërinë e tij, por populli shqiptar do t’i japë përgjigjen e merituar atij dhe të tjerëve që po ndjekin urdhrat e tij.
Sa më shumë që i afrohemi fundit të këtij regjimi, ne së bashku do të shohim dhe po përjetojmë brutalitetin e tij. Ironikisht, dhuna e këtij regjimi, veçmas shtylla kurrizore e tij, është shndërruar edhe në barometrin e matjes së shkërmoqjes së tij, akrepat e të cilit me shpejtësi po rrahin afrimin e rënies së tyre. Fundi i tyre do të jetë i plotë dhe përfundimtar. Ai nuk nënkupton vetëm rënien nga Qeveria dhe pushteti, por edhe përballje me drejtësinë e vërtetë, të asaj drejtësie që buron nga populli dhe shqiptohet në emër të tij, për t’u përgjigjur për të gjitha dëmet ndaj atdheut dhe mbytjes së mirëqenies së qytetarëve, si dhe për dhunën dhe përndjekjen e ushtruar ndaj aktivistëve e deputetëve opozitarë.
Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të gjithë ndjekësit dhe argatët e tyre që kanë zënë vend në të gjitha institucionet e shtetit, veçanërisht në gjyqësi e polici, rezervojnë rastin dhe detyrimin e shpagimit të tyre të fundit dhe përfundimtar për të gjitha veprimet e tyre të dëmshme ndaj Republikës e të dhunshme mbi opozitën. Ky rast dhe detyrim është shumë afër, aq afër sa që nuk do të kenë kohë që t’u zbatohet as edhe urdhri i tyre i fundit për të gjykuar deputetë të opozitës, gjersa marrëveshjet si “Zajednica” dhe Demarkacioni kanë rënë tashmë.
Rrëfimi i tyre i fundit para verdiktit përfundimtar, do të jetë një moment çlirimi për qytetarët, ashtu siç ishte bërë absolutizmi, plaçkitjet e pasurisë publike dhe koncesionet ndaj Serbisë, robëri për qytetarët dhe Republikën. Çlirimi i vërtetë i një populli ka dy përmasa, atë të jashtëm dhe këtë të brendshëm dhe për sa kohë nuk përmbushet në plotëni, çlirimi nuk është as i vërtetë dhe as përfundimtar. Për më tepër, këto dy përmasa të ndërlidhura ngushtë njëra me tjetrën, duke e ushqyer dhe ngrënë nga njëra-tjetra në atë kuptim që një regjim jopopullor dhe autoritar si ky i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, mbahet duke varfëruar qytetarët dhe plotësuar apetitet e armikut dhe anasjelltas, okupimi i jashtëm i plotë apo i pjesshëm, detyrimisht kalon nëpër një klasë qeverisëse të korruptuar, si kjo e Kosovës, të shkëputur nga populli dhe antiqytetare dhe antirepublikë në instancë të fundit.
Kjo përballje e këtyre ditëve me këtë regjim diktatorial e antishtetëror, dhe nëpërmjet tij me Serbinë, që po shtrin strukturat e saj atje ku u detyrua t’i tërheqë dhe po legalizon aty ku i kishte mbajtur vazhdimisht, është vazhdim i luftës së UÇK-së me mjete tjera. Figurativisht, kjo mund të jetë edhe beteja e fundit e UÇK-së, UÇK-së si sinonim i pakontestueshëm i emëruesit të plotë të angazhimit të pareshtur për bërjen e Republikës dhe të betimit të ushtarit çlirimtar, të atij betimi që ngërthen rrjedhat e vazhdueshme të angazhimit dhe të kontributit përgjatë viteve e dekadave, duke na u përcjellë nga brezi në brez, për të shërbyer sa një moment frymëzimi, aq sa edhe një pikë referimi për ngecjen dhe njëkohësisht ecjen tonë si shumësi qytetare dhe kombëtare.
Armiku i Republikës nuk duhet të ketë domosdo etni tjetër dhe zaten, historia botërore na mëson se ai nuk ndodhet vetëm jashtë nesh. Ai mund të burojë në shtetin armik, por zgjatimet e tij të drejtpërdrejta apo të tërthorta, me vetëdije apo pa të, për interes të njëjtë apo për një interes tjetër personal a klanor, material a të pushtetit, mund të ndodhet brenda nesh, shumë afër nesh, dhe atë edhe në institucione apo në krye të tyre, të cilat edhe pse pandehen të popullit dhe të Republikës, i shërbejnë Serbisë, siç është rasti me Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin.
Komentet