Kësaj fantazie do t’ia kishte pasur lakmi edhe vetë Xhorxh Oruelli. Përfytyrojini institucionet shtetërore të një vendi të shndërruara në studio televizive, zyrtarët e lartë në yje televizivë dhe zëdhënësit e zëdhënësit në folës/e, reporterë/e, komentatorë/e, artistë zbavitës alla Hollywood.
Ndjesë pastë Oruelli, atij si të gjithë fisit tonë të përbashkët, ia mbante koha frerët e fantazisë, kësaj atkie lazdrane kalorësish të shfrenuar, ëndërrues të pandreqshëm të Eldoradove. Sot zyrtarët e lartë shtetërorë janë më shumë se kurrë të tunduar ta shndërrojnë funksionin e tyre sa më në reality show, veten në aktorë, skenaristë e regjisorë. Dhe teknikat e lejojnë deri në përkryerjen më të skajshme që zyrat shtetërore të funksionojnë njëherësh edhe si studio televizive të lajmeve, të spektakleve, të bisedave, të gjitha të drejtpërdrejta, të gjitha me regji të rreptë sa edhe të improvizuar. Kjo do t’i vinte politikën dhe mediat në një raport ku e para është gjithnjë e më suprimuese ndaj së dytës, politikanët me gazetarët në një raport ku të parët janë gjithnjë e më suprimues ndaj të dytëve. Më thjesht: Përderisa e kemi politikën, pse t’i kemi mediat, përderisa i kemi politikanët pse t’i kemi gazetarët, përderisa i kemi figurat karizmatike të politikës, pse t’i kemi yjet e ekraneve të mëdhenj dhe të vegjël, deri- pse ta kemi industrinë e kinemasë, industrinë artistike, industrinë e reklameve, industrinë e modës.
Pse të jenë mediat pushtet i katërt, pushtet i pestë apo pushtet i kushedisatë, kur ato janë mirëfilli pushtet i parë, pra pushtet politik në vend? Mund të preket a mund të ndërkryhet dikush dhe të thotë se mediat kështu e humbasin identitetin e tyre, e braktisin rolin e tyre të informimit të paanshëm të publikut, madje e tradhtojnë, e presin në besë publikun, luajnë horllëk me publikun, me të drejtën e tij themelore kushtetuese për të qenë i informuar. Edhe kjo e drejtë e publikut, përballë një pushteti politik hapekrah ndaj publikut, në të vërtetë bëhet e panevojshme, ashtu siç bëhet e panevojshme që të ekzistojnë më logot e mediave. Sepse ato bëhen pjesë e Kryeministrisë, Kuvendit, Presidencës, ministrive, kryesive, kryetarëve, deputetëve, zyrtarëve të tjerë, ndihmësve të tyre, këshilltarëve, sekretarëve/sekretareve, zëdhënësve/zëdhëneseve, trukuesve/trukueseve, e tjerë e tjerë.
Sa Oruellin, një gjendje e tillë ta kujton edhe një fabul e hershme: Një njeri i mbërrimë (siç iu thoshin të moçmit parashikuesve, evliave) i kishte bërë thirrje popullit të tij që t’i mbushte me ujë të gjitha enët, sepse do të vinte një shi uji i të cilit do të ishte i rrezikshëm, sepse do t’i çmendte të gjithë ata që do ta pinin. Sapo të ketë kaluar uji i atij shiu, krojet, burimet dhe të gjitha ujërat e tjera do të bëheshin prapë të pijshme. Thirrjes së tij iu përgjigj vetëm ai, njeriu i mbërrimë. Populli i tij e piu ujin. Dhe e tregonin atë, njeriun e mbrërrimë, me gisht: Ja i çmenduri! Atëherë ai nuk pa rrugë tjetër, i zbrazi deri në pikë të fundit enët e tij publikisht, dhe e piu ujin e çmendur e u bë si të gjithë të tjerët, në një haré e në një gazmend të harbuar.
Fatin e parashikuesit të ujit të shiut do ta ketë cilido që do të përpiqej t’iu bindej ligjeve profesionale të gazetarisë, etikës profesionale të gazetarit. Edhe një pipëtimë miu po të lëshonte, do t’i vërsuleshin nga të gjitha anët e anëve, ngado që eteri përhap zërin dhe figurën të gjithë ish kolegët tashmë të përfshirë në sektin e politikës.
Si institucion i censurës, i dezinformimit, i territ informativ, i manipulimit, verbimit, shurdhimit informativ, sy, vesh dhe ndijë e Vëllait të Madh, mediat kanë qenë pjesë e sofistikuar e superstrukturës shtetërore në socializëm. Kështu Radiotelevizioni shtetëror i Shqipërisë deri në fund të vitit 1991 ishte pjesë e infrastrukturës së lartë shtetërore, e sistemit telefonik trenumërsh ku ishin edhe Komiteti Qendror, Kryeministria, ministritë, Presidiumi, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë e tjerë.
Membrana, cipa midis pushtetit politik dhe mediatik është gjithnjë e kërcënuar të hollohet dhe të griset a të shqyhet, sa më fort që pushteti politik tenton të bëhet jetëgjatë apo të bëhet i përhershëm. Jo më kot raportet midis këtyre pushteteve shikohen si një nga matësit më realë të shkallës së demokracisë së një vendi. Dhe jorastësisht mediat do të ishin po aq përgjegjëse sa politika për krizën e rëndë që iu kanos ekonomisë botërore, krizë me prejardhje politike. Asnjë nga mediat nuk e kishte shpuar dot koracën e kolosëve financiarë në prag të falimentimit të tyre, çka pasoi me krizën botërore. Gazetaria hetimore ishte dorëzuar përballë fuqisë financiare të reklamave. Prandaj do të falimentonin edhe mediat, do të flakeshin në rrugë personelet mediatike, ashtu siç do të shkurtoheshin administratat shtetërore. Dhe më së paku do ta pësonin vetë shkaktarët e krizës botërore.
Në Perëndim, në çfarëdo rrethanash, falë teknologjive të reja, gjenia mediatike gjen alternativa të reja për të arritur thënien e së vërtetës. Ashtu ato bëhen shpëtimtare jo vetëm të pushtetit të tyre, pra pushtetit mediatik, por edhe shpëtimtare të raporteve midis pushteteve të tjera me pushtetin mediatik, në radhë të parë, të raporteve midis pushtetit politik dhe pushtetit mediatik. Dhe i jepet shansi demokracisë perëndimore të mos kthehet prapa dhe të pajiset me përvoja të reja dhe imunitete të reja.
Kjo ndodh në shoqëritë me tradita të fuqishme demokratike. Ndërsa në shoqëritë me pak tradita apo në fillimet e tyre demokratike pushtetet janë si sistemet në rendet e ulëta, ku ende nuk dallohen dhe përzihen mes tyre sistemet e frymëmarrjës, të qarkullimit të gjakut, të marrjes, të nxjerrjes e kështu me radhë. Kështu pushteti politik e përzien veten me pushtetin ekonomik, me pushtetin juridik, me pushtetin mediatik. Në këtë rrëmujë instinktesh, përzierjesh të sistemeve, më racionali do të mbetej pushteti mediatik. Në këtë kaos atij i takonte roli për t’u orvatur të bëjë pjesën më të ndjeshme të sistemit nervor, duke formësuar atë pjesë të qelizave prej nga do të vinin shqisat e demokracisë. Kjo vlen më fort se shumëkund për demokracinë shqiptare. Sa më autentike do të ishin ndaj njëra tjetrës këto sisteme, aq më e dlirë do të ishte në vetvete demokracia..
(17 nëntor 2010)
Komentet