Voal.ch – Filmi me metrazh të shkurtër i Flonja Kodhelit “Ka me kalu” pretendent për të fituar Magritte du Cinéma 2023.
Magritte Du Cinéma është një çmim që jepet prej vitit 2011 nga Académie André Delvaux, për filmin më të mirë belg me metrazh të shkurtër në gjuhën frënge.
Sivjet është edicioni i 12-të. Nominimet për Magritte du Cinéma do të shpallen më 12 janar ndërsa ceremonia do të mbahet më 4 mars 2023.
Përzgjedhja e “Ka me kalu” në dhjetë filmat kandidatë më të mirë për t’u nominuar është një lajm i rëndësishëm edhe për kinemanë shqiptare, sepse regjisorja e filmit belg Flonja Kodheli është shqiptare.
Flonja Kodheli përveçse regjisore e filmit, është edhe skenariste, realizuese, autore e muzikës dhe po ashtu interpreton rol kryesor!
Filmi bën fjalë për Stelën, një vajzë me origjinë shqiptare, që kthehet në Bruksel në shtëpinë e nënës së saj, për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes. Menjëherë Stela vëren se nënën e mundon më shumë frika sesa zija për gjyshen. Reagimet e saj duken të hutuara dhe sjellja absurde, madje paranojake. Traumat e së shkuarës rishfaqen dhe pushtojnë jetën e tyre. Në rolet kryesorë përveç Flonja Kodhelit, interpretojnë edhe Ilire Vinca dhe Mathilde Rault.
Filmi i Flonja Kodhelit është përzgjedhur për Magritte du Cinéma në morinë e mbi njëqind filmave me metrazh të shkurtër.
“Ka me kalu” është përzgjedhur po ashtu si filmi më i mirë nga revista franceze FORMAT COURT. Kritiku Augustin Passard qe boton per kete reviste e ka rradhitur të parin në pesëshe. Ketu linku i artikullit:
Le nouveau Top 5 de l’équipe de Format Court !
Format Court është një revistë shumë e rëndësishme e shfaqur online prej vitit 2009, që mbulon aktualitetin e filmave me metrazh të shkurtër në të gjithë botën përmes informacioneve, festivaleve, botimit të intervistave me profesionistë etj. Që nga krijimi i saj, Format Court ka identifikuar vazhdimisht autorë të rinj të talentuar dhe filma të rinj – pa patur si kriter gjatësinë, zhanrin apo kombësinë – dhe ka siguruar promovimin e tyre në ueb.
Flonja Kodheli është bijë arti, ajo është vajza e artistes të shquar Justina Aliaj.
Voal.ch i dëshiron artistes të re që ta fitojë trofenë e Magritte du Cinema për 2023 dhe po ashtu e uron edhe për suksese të tjera, përse jo një ditë të fitojë edhe Oscar!/Elida Buçpapaj

Revista franceze online Format Courte e ka zgjedhur filmin e Flonja Kodhelit “Ka me kalu” të parin në pesëshen e filmave më të mirë-


Komentet