Do duhet të jesh i privuar nga inteligjenca emocionale të mos ndjesh pështjellim dhe spazma vjelljesh nga retorika spekuluese e kryeministrit Rama, që guxon dhe flet për Diasporën, pikërisht njeriu që renditet në top-listën e atyre që e shumëfishuan në mënyrë eksponenciale Diasporën shqiptare.
Rama krijoi në një moment oportun dhe makiavelizmi elektoral Samitin e Diasporës dhe Ministrinë e saj, për ta fshirë nga përbërja e kabinetit të tij në mandatin aktual, ndoshta ngaqë e pa se me ata kundërshtarë që ka, as ata s’kanë “sy për qabe”, për përfshirjen aktive të saj në vendimarrjet politike përmes vullnetit politik në sfidat e ardhshme elektorale. Ose ngaqe ai vetë u gërdit nga përberja e vetëpërzgjedhur e atyre që naivisht besojnë se janë përfaqësues të Diasporës në palo-Këshillin Koordinativ të Diasporës, që ta neverit me komplekset për protagonizëm në ndonjë aktivitet, ku as biletat dhe faturat e hoteleve të sponsorizuara nga qeveria nuk ia vlejnë.
Diaspora shqiptare në masën dërrmuese është jo vetëm pjesa më aktive, më moderne dhe më e afte e kombit, pasi jo vetëm përbën gjysmën e tij, por edhe ka “mëkatin” e mbajtjes happy të një pjese të madhe të familjeve në atdhe me remitancat që dërgon tek të afërmit, të cilët jo pak i kalojne dhe hedhin hallet e tyre edhe tërë ditën mbi një kafe e tre ujë pa gaz, apo edhe duke jetuar shpesh edhe më mirë se mërgimtarët sakrifikues.
Kjo Diasporë mban këtë dhe gjithë qeveritë e deritanishme në pushtet përmes shfryrjes se valvulave sociale, duke penguar shkuarjen deri në palcë të thikës së kostos së jetesës të atyre që më pas shpërdorojnë papërgjegjshmërisht votën për administrata të korruptuara të një vendi të korruptuar deri në qelizën më të vogël të konstitucionit shpirtëror, në këtë atdheun tim të pashkëmbyeshëm.
Dhe nga ky mentalitet, duket se shpirt-qarja zyrtare, ka të bëjë më shumë jo me lehtësimin e jetës së Diasporës së ndershme dhe hallemadhe, sesa për anti-Diasporën që përmes krimit dhe paligjshmërisë na spërkat dinjitetetin me sterkalat e turpit të gjithë, të njomët dhe të thatët.
Nga ana tjetër, me të ardhurat e tyre kriminale mbajnë dhe krijojnë biznese në sektorë si ndërtimi e turizmi, ku qeveria e sotme dështon në mënyre spektakolare në moslejimin e lavatriçezimit të parave të krimit, siç do të bëjë kam frikë edhe me amnistinë fiskale, edhe për qëllime elektorale përmes likuiditetit të pritshëm.
E para, pjestarët e kësaj bote të nëndheshme nuk janë aq të trashë sa të mos e kuptojnë se paratë e tyre me sakrifica, paçka se kriminogjene, do i zbulojnë ata përpara organeve ligjzbatuese dhe kam frikë se nuk do e hanë atë kokërr ulliri. Por edhe ky nuk është karrem i kryeministrit për ekspozimin e tyre. Andaj edhe Britania është ashpërsisht kundër amnisitisë fiskale.
E dyta, Diaspora e ndershme s’ka nevojë për amnisti fiskale për paratë e fituara ligjërisht dhe lehtësisht të vërtetueshme nga shtetet ku jetojnë pjestarët e saj si qytetarë të ndershëm dhe kontribues të ekonomive në këto vende dhe me reputacion të mirë si etni.
Unë për vete absolutisht s’kam nevojë, pasi gjysmën e të ardhurave, a më shumë, e kam nga institucionet ligjzbatuese. Jam si dikur Rama kur deklamonte se “s’ka bir kurve të gjejë paratë e tij në xhepin tim!” Me siguri e thotë edhe sot, do thërrasin idhtarët e tij.
Krim shqiptar ka kudo, ku më shumë, e ku më pak. Aq më tepër në Britani. Mos të fshihemi pas gishtit, por është pjesa derrmuese e shqiptarëve të ndershëm të Diasporës qelibar që po përdoret si “kokë turku” nga politika e këtushme, shprehje që ma vodhi kryeministri ynë, në një akt të mirëfilltë plagjature, 26 orë më vonë pasi e shqiptova në TV tim, dhe e futi në cicerimën e tij si kryeministër.
Ajo që s’po ben ai është krijimi i Diasporës së ligjshme dhe ligjërimit të saj në Perëndim. Ose sepse s’ka fuqi, ose s’ia fërshëllen njeri si i pari i shqiptarëve. Ose me “gomonizimin” e Britanisë kërkon të përfitojë politikisht përmes ndonjë ujdie me homologun e vet britanik në pikë të hallit elektoral.
Në Ditën e Diasporës, shqiptarët e saj duan të dinë çfarë ka bëre ai vetë dhe kjo qeveri në tre mandatet e fundit për ta, sepse çfarë ka bërë Diaspora dihet, ka mbajtur gjallë atë vend, me aq sa ka mundur, edhe kreyministrin në pushtet. Por kjo Diasporë edhe ju injoron, pasi nuk varet nga thasët e miëllit dhe as shqepet me petulla si trimat e Selfo Qorrit në ditën e gjykimit popullor.
Jepuni votën atyre dhe do e shikoni se sa e dobët do jetë politika shqiptare dhe sa shpejt do ndryshojë dhe avancojë, e sa shpejt do dalë nga bataku ku vegjeton stabilokratura shqiptare.
©Arben Manaj – Londër
Komentet