Fotokopertina e Rezarta Reçit e realizuar nga Foto RRELI
Pyetje: Ku ka lindur Rezarta Reçi?
Rezarta Reçi: Në qytetin e diellit e shiut, e humorit e barcaletave, e ujrave dhe kalasë, e xhamive dhe kishave, e bashkejeteses fetare, e njerezve mikpritësa dhe zemërqeshur plot batuta që vetëm atyre i shkojnë kur i shkëmbejnë, në djepin e dijes dhe kulturës, të kolosëve që bënë art, në qytetin e njerëzve të revoltuar jo më kot, të njerëzve me ndjesi lirie të thellë që në bark të nënës, në qytetin ku i këndohet amël dashnisë e dashni e ambelsi përcjell bashkë me kangët e bukura qytetare, një pasuri e jashtëzakonëshme e këtij qyteti që quhet Shkoder.
Pyetje: Në çfarë familje?
Rezarta Reçi: Familje me babë shkodran dhe mamë nga Shqiperia e mesme, që e fliste shkodranishten aq ambël e bukur, sa ajo!
Pyetje: Çfarë ke marrë esenciale nga qyteti i lindjes?
Rezarta Reçi: Artin e dashnisë, motoja ime është ” Mbill dashuri dhe korr buzëqeshje!” Përveç dëshirës për të kēnduar, kërcyer e argëtuar se jeta na jepet veç njëherë dhe duhet vlerësuar.
Pyetje: Rrugëtimi i edukimit?
Rezarta Reçi: Realisht kam qënë nxënëse e mirë, aktive në organizimet e drejtimet e aktiviteteve kulturore artistike, kam mbaruar për shkenca politike, degë shumë mikse, por që më jepte mundësinë që të bëhesha edhe kryetare dege finance, por edhe gazetare. Dhe une ndoqa endrren e femijerise, gazetarine.
Pyetje: Pasionet dhe hobet?
Rezarta Reçi: Leximi , udhëtimet, komunikimi njerëzor.
Pyetje: Dashuritë e jetës ?
Rezarta Reçi: Dashuria nisi udhëtimin në fakultet, quhet Miri. Bashkë sollëm në jetë vajzën me emrin Iva, e cila me Armandin na shndrruan në gjyshër të Katalehas dhe Soleit, një lumturi e papërshkrueshme që po jetojmë.
Pyetje: Si e nise karierën e gazetares?
Rezarta Reçi: Viti ’92 na përfshiu ne nje konkurs ne Radio Tirana per tre vende pune , tre muaj eksperience pa pagesë, dhe ia dolem. Nje juri zotërinjsh vlerësuan esenë time radiofonike “A duhet të pimë kur jemi të mërzitur?” Poshtë Radio Tiranës ishte një klub ku kishte pijedashës. Intervistat e tyre të sinqerta e befasuese te regjistruara me Uher shkaktuan ilaritet e të qeshura. Fituam unë, Rudina dhe Katjusha. U caktuam në Departamentin e Kultures dhe seicila vazhdoi rrugëtimin e vet profesional .I jam mirënjohëse atmosferes së postnëntëdhjetës dhe disa kolegëve të cilët kontribuan që unë të gjeja veten nga rubrika psikologjike ” Tema dhe Dilema” deri në ndërtimin e dy emisioneve të drejtëpërdrejta nga ora 20.00- 24.00, ” Bota ime” dhe ” Paralele që priten”,emisione qe ndiqeshin shumë deri në mesnatë dhe më dhanë emrin spikatës duke më bërë të njohur vetëm nga zëri.
Pyetje: Pothuaj tridhjet vjet gazetari çfarë do të thotë?
Rezarta Reçi: Jetë përmes pasionit dhe dashurisë, emocione pa fund, lodhje e bukur, për të lënë një emër të mirë ne fushën e gazetarisë socialkulturore.
Pyetje: Çfarë është Arratia e Peshkut të Kuq për Rezarten?
Rezarta Reçi: Po ta them thjeshtë : mbyllja e emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq “u bë shkak i shfaqjes së sëmundjes në trupin tim. Nuk eshte shkak mungesa e daljes në ekran se nuk kam lindur në ekran. Ështe lufta e nënrrogoztë dhe e pacipë deri në fund për ta mbyllur me çdo kusht. Dhe ia dolën! Natasha Lako si rastësisht më tha në 2017:” Ti me emisionin tënd ke krijuar hierarki vlerash! ” Unë qesha pa e besuar. Por rezistenca e pronareve te medias ku trokita per punë më bindi qe televizionet tashmë perkrahnin frymën e emisioneve jo edukuese e kultivuese, jo mënçuri as edukatë dhe as dije.
U tërhoqa në heshtjen time dhe në magjinë e Radio Tiranes!
Pyetje: Sa vite zgjati Arratia e Peshkut të Kuq dhe sa personazhe ka intervistuar Rezi?
Rezarta Reçi: Arratia e Peshkut të Kuq jetoi 13 vite. Ishim një grup i vogël realizues. Unë , organizatorja e emisionit, kontaktuesja e personazheve, përzgjedhesja e shesh xhirimit, regjisorja e montazhit,shoferja e Arratisë sëbashku me operatorin dhe montazhierin me të cilet kam kryer të gjitha Arratitë. Janë afro 750 personazhe të Arratisë dhe kam një arkiv të pasur fotosh dhe regjistrimesh vidio që më bëjnë njëkoheshëm ta quaj veten të pasur, por edhe pyetëse: çfarë të bëj me këtë thesar që nuk duhet të flerë?
Pyetje: Cila është intervista që të ka bërë te qash?
Rezarta Reçi: Intervista me këngëtaren Naile Hoxhë dhe thënien e saj kur mori në dorë Radion Iliria. E vetmuar në banesen e saj i kerkoi aparatit te radios t’i këndonte një këngë të saj.”A po ma kndon nji kangë për mu, sa shumë kam kndu unë për ty? E radioja kurrë nuk i përgjigjej se ne jemi harrestare dhe të pavëmendshëm ndaj vlerave.
Pyetje: Intervista ku ke qeshur fort?
Rezarta Reçi: Në përgjithësi gjatë xhirimeve krijohej atmosferë e bukur , e këndëshme. Por që kam qeshur, kënduar,kercyer e punuar fort ka qënë Arratia e realizuar në një përvjetor lindjeje të aktorit brilant Skender Sallaku.
Pyetje: Intervista që të ka kerkuar shume kohë?
Rezarta Reçi: Koha ishte e dhënë njëherë e përgjithmone: Çdo jave, çdo të shtunë duhej një Arrati e re në ekran!
Kur më komplimentoi regjisori i njohur Ylli Pepo për Arratinë, unë i thashë: nga profesionistët dua vërejtje dhe sugjerime!
Ai: Unë të shoh me admirim çdo të dielë në mëngjes duke bërë pyetjen “Si ia bën kjo grua të realizojë një dokumentar në javë”?
Pyetje: Intervistat më të bukura?
Rezarta Reçi: Janë shumë, nuk i diferencoj dot, rradhe, shumë rrallë kam gabuar në përzgjedhje.
Arratia për mua është një Universitet në vete dhe gjithë personazhet më kanë ridimensionuar mendërisht e shpirtërisht, i jam mirënjohëse thellësisht personazheve te Arratisë që ma bënë të bukur udhëtimin tim jetësor e profesional.
Pyetje: Intervista qe te ka mbetur peng pa u kryer?
Rezarta Reçi: Ato i plotësoj në emisionet e RadioTiranes ” Kur themi të dua” dhe Zerat e mesnatës”.
Pyetje:A mund të sjellesh nga ky fond i artë i emrave të të intervistuarve: Rezarta Reçi: Violeta Manushi, Drita Pelinku,Tinka Kurti. Zyliha Miloti, Marika Kallamata, Prof. Shaban Murati, Prof.Përparim Kabo, Drita e Fatos Haxhiraj, Roza Anagnosti, Dhimiter Anagnosti, Timo Flloko, Mevlan Shanaj, Mihal Luarasi, Sabri Godo, Vath Koreshi, Viktor Gjika, Niko Nikolla, Ramadan Sokoli, Agron Aliaj, Xhanfise Keko, Dhimiter Xhuvani, Gjergj Antoniu, Agim Zajmi,Mumtaz Dhrami, Ibrahim Madhi, Amik Kasoruho, Skender Sallaku, Anida Take, Demir Hyskja, Agim Faja, Rrok Mirdita, Hektor Çoçoli, Anesti Kondili, Mira Rrakacolli, Adelina Mazreku, Meri Lalaj, Mirjan Hakani, Vitore Sallaku, Yllka Mujo, Gezim Kame, Genti Kame, Adrian Trebicka, Kujtim Prodani, Nikolin Ivanaj, Skender Kamberi, Edmond Rira, Anita Tartari, Nora Çashku, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Ketrin Gjonçaj, Evanthi Ciko, Moikom Zeqo, Edit Mihali, Shqipe Zani, Enver Shengjergji, Alfred Moisiu, Liri Berisha, Agron Duka, Jonian Kadesha, Irma Libohova, Anila Konomi, Bujar Zajmi, Anila Zajmi, Ylber Gjini, Robert Radoja, Enada e Gert Vaso, Mariana Leka, Eva Golemi, Ledia Sulo, Lorenc Radovani, Sadri Ahmeti, Shpetim Kushta, Isak Shehu, David Tukiqi, Genc Tukiqi, Vladimir Kapo, Rozmari Jorganxhi, Erjona Gjyzeli, Armando Likaj, Armaldo Kllogjeri, Fatos Qerimi, Ethem Qerimi, Dhimiter Lala, Nestor Jonuzi, Pashk Pervathi, Serxho Petrela, Adriana Puleshi, Fatbardh Marku, Aleksander Gjoka, Klodian Qafoku, Olta Boka, Sokol Kushta, Shyqyri Ballgjini, Edgar Prifti, Gjovalin Paci, Hilmi Kasemi, Gjergj Leka, Nestor Jonuzi, Vlash Droboniku, Eneida Tarifa, Vladimir Myrtezai, Ilirian Shima, Merita Rexha Tershana, Justina Aliaj, Zhani Ciko, Etrita Ibrahimi, Suela Piciri, Klajdi Sahatçi, Kesiana Lekbello, Gezim Hidri, Natasha Lako, Zija Çela, Fatos Kongoli, Flutura Açka, Visar Zhiti, Rudolf Marku, Rita Petro, Luan Rama, Besnik Mustafaj, Daut Gumeni, Shaban Murati, Hamit Boriçi, Kim Mehmeti, Ali Podrimja, Ali Aliu, Adem Demaçi, Arber Ahmetaj, Bislim Ahmetaj, Leonard Veizi, Anila Bega, Ylli Demneri, Bashkim Hoxha, Mihallaq Qilleri, Preç Zogaj, Betim Muço, Ledi Kacani, Arben Shehi, Demir Gjergji, Valdete Andoni, Lazer Stani, Edmond Tupe, Brunilda Zllami, Gaqo Bushaka, Primo Shllaku, Petrit Palushi, Ferik Ferra, Vangjel Kozma, Ferit Lamaj, Uran Butka, Gjergj Vlashi, Ilir Kadia, Ruzhdi Gole, Elvira Dones, Mitro Çela, Petrit Ruka, Adriatike Lami, Vera Bekteshi dhe lista nuk përfundon këtu, por vazhdon…
Pyetje: Duke parë fondin e fotografive me personazhet e intervistuara, është i jashtëzakonshëm. A mendon të hapësh një ekspozitë me këto fotografi ? Ështe pyetje dhe sugjerim. Rezarta Reçi: Të falenderoj për sugjerimin. Dikur kemi projektuar ta hapnim me Foto Rrelin. Por gjithmonë është faktori financiar një pengesë ” e vogël”.
Pyetje: A ka Rezi te drejtën e autores?
Rezarta Reçi: Po, e kam fatmiresisht.
Pyetje: Deri tani ke botuar nje liber me keto intervista “Në arrati me shpirtra qe nuk shuhen”, do ta vazhdosh serine e botimeve?
Rezarta Reçi: Mendoj se nuk behet dot pa një investim e sponsorizim shtetëror a privat që çdo libër të ketë brënda dvd me Arratitë e realizuara. Unë nuk e perballoj dot e vetme se kam punuar e punoj me një rrogë modeste.

Pyetje: E dashur Rezi, nuk e di nese deshiron te tregosh per problemin shendetesor, mendoj se çdo femër e sheh kete rrezik si të vetin dhe vuan e ndihet solidare me çdo grua qe e kalon kete eksperience të hidhur. Mua më ka bërë pershtypje nje intervista jote tek Rudina Magjistari, ku thua se ti e dije por e mbaje fshehur. Si e kishe kuptuar? Diçka dua të pyes, kurimi përballohet nga shteti apo individi, se ka fushata te Tetorit rozë, po mbështetje të grave a ka?
Rezarta Reçi: Tashme jam perfshire ne zinxhirin e kurimit mjekësor i cili per mua ka qënë plot kujdes,dashuri e dhimsuri ne Spitalin Shtetëror Onkologjik. I jam mirënjohës një grupi njerëzish, mjekësh dhe infermierësh të cilët më kanë rrethuar me përkujdesje, ndihmë konkrete, mbështetje pa kushte. Është viti i dytë i kurimit,të shpresojmë që mundi të mos na shkojë dëm.
Pyetje: E dashur Rezi, ti ke një aktivitet gati tre dekada, kontribut i bukur për kulturën dhe vetëdijen e kombit dhe kuptohesh se të hanë duart për punë, a ndihesh e vlerësuar në bazë të kontributit dhe meritokracisë?
Rezarta Reçi: Nuk e di e dashur nuk di çfarë të them!
Pyetje: A janë sot ekranet e televizioneve ne krize identiteti, po kujtoj dy fakte, dy motra sexy kane pushtuar fundjaven e nje televizioni kombetar, a eshte krize e pergjithëshme kjo?
Rezarta Reçi: Është politika mediatike që kanë vendosur të ndjekin televizionet, ata e dinë rrugën që do zgjedhin, t’i shërbejnë publikut apo klikimeve?

Pyetje: Je tashmë autore e dy romaneve të sukseshëm, Kolonë zanore dhe Zhbërja. Duke qenë gazetare e kulturës ti nuk i je ndarë librit, plus qe kishe botuar edhe librin e parë me një pjesë të intervistave “Në arrati me shpirtra që nuk shuhen”, si iu kthye romanit dhe a ka Rezi në duar romanin e ri?
Rezarta Reçi: Në fcb unë fillova të shkruaj ” Mëngjeset e Rezit” të cilat lexoheshin me qejf, po njëkohësisht kjo më skaliti stilin e të shkruarit. Pagjumësia në fillim të kurimit më bëri autore të dy librave,” Kolonë zanore ” dhe “Zhbërja,” me të cilat kam synuar të shpalos ndjesitë dhe dëshirat e mia për një shoqëri të evoluar mendërisht e shpirtërisht ne favor të lirisë,dashurisë, seksualitetit. Të flasim bukur e sinqerisht për veten tona, ndjesitë tona të brëndëshme , si i duam dhe si jemi realisht. Jane pritur mire, fatmirësisht, duke më bërë të mos pendohem që u përfshiva në këtë aventurë joshëse.
Pyetje: A mendon se kultura shqiptare eshtë në sitën e politikes dhe jo të kritikës? Po gazetarët profesionistë me karierë shumë domethënëse a janë të mbrojtur nga sindikatat? A ka sindikate te punonjesve te mediave ne Shqipëri?
Rezarta Reçi: Nuk kam asnjë informacion, nuk ftohem gjëkundi, nuk ka luftuar asnjë për mua! Ndonëse jam e bindur se Arratia që kam realizuar për 13 vite ka pasur lidhje me çdo shtëpi shqiptare dhe personazhet nuk kanë qënë të panjohur e të paparë.
Pyetje: A do te deshironte Rezi ta vazhdonte “Arratine e peshkut te kuq” ?
Rezarta Reçi: Sigurisht që e dua, fatmirësisht dhe fatkeqësisht njëherësh e identifikoj veten me “Arratinë e peshkut të kuq.”
Pyetje: Si gazetare me një eksperience kaq domethënëse çfare e shihni si të domosdoshme per ju profesionistët?
Rezarta Reçi: Status të veçantë që të mos flakemi pa mëshirë e pa rrugëdalje në rrjetën e papunësisë, kotësisë dhe zhvlerësimit.







Komentet