Godina nuk ishte më, ajo ishte shndërruar në disa mbetje të ngurta e bashkë me to ishin të copëtuara netët e premierave, duartrokitjet, emocionet, koha, historia…
Ishte shembur godina e Teatrit Kombëtar!
Shfaqja kishte mbaruar…, policia ishte larguar…
Disa protestues ndodheshin në stacionet e policisë ose si thuhet në komisariate, meqë ishin ndeshur me forcat e rendit…
Edhe pishat me emrat e artistëve të shquar, nuk ishin më. Shumë nga objektet e rekuizitës qenë tashmë nën peshën e fatit të mjeteve të rënda gërmuese…
Kishte mbetur vetëm një pishëz e vogël, e vetmuar, dëshmitare e heshtur dhe nën lotë trishtimi…
Befas atje u shfaq një siluetë e bukur, nazike, ndjelladritëse…Ishte artistja e madhe, Yllka Mujo. Në fakt ajo quhet Yllka Muji, si Muji i legjendës, si mujësi… triumfuesi…
Ajo qëndroi pranë pishës , me sfondin e zbrazur në projeksion…, duke ndërtuar monologun më të dhimbshëm të jetës…
Kishte humbur folenë e saj artistike, i kishin vjedhur historinë, nuk ishte më atje skena e drunjtë, por fisnike…
Këtu u rrita, – tha, këtu unë u bëra kjo qe jam…
Sot Yllka ka ditëlindjen, ende po ajo grua sharmante, po ajo artiste tejet e kulturuar, ai shpirt i bukur dhe i ndjeshëm, që e do teatrin sa veten dhe nuk e gjen të kuptimtë të dojë veten jashtë skenës…
Tashmë ajo është e reja qe vijoi punën e artisteve të vjetra dhe modeli për aktorët e rinj…
Yllka Mujo, me artin dhe karrierën e saj, është “ Institucioni Yllka Mujo”
Jetë të gjatë, Yllka!
P.Kabo. 15 tetor , 2022
Komentet