VOAL

VOAL

“Ndaj letërsisë së realizmit socialist flet me përçmim e përbuzje”, si u përgjua nga sigurimi Ibrahim Rugova, iu vu pseudonimi “Zdrukthi”

October 10, 2022

Komentet

“Nuk luftojmë me flamurin grek”, refuzimi i çamëve parapriu provokacionin! Kurthi i Enver Hoxhës më 1949-ën dhe si shpëtuan ata nga një masakër tjetër

HYQMET ZANE

PARATHËNIA E NJË PROVOKACIONI

Janë shkruar dhe u shkruajtën shumë fjalë nga analistë dhe njerëz të medias për të ashtuquaturin “provokacionet greke të 2 gushtit 1949”. Por asnjëherë nuk u tha dhe nuk u shkruajt se para se të ndodhte ai provokacion që kërkohej të shkelej kufiri shqiptar, qeveria e Enver Hoxhës i bëri një presion të rëndë popullatës çame që kishte ardhur në Shqipëri pas genocidit që bënë grekët ndaj Çamërisë. E them jo vetëm unë, por edhe studiues të historisë këtë sepse ka disa të vërteta të hidhura që ka bërë me sjelljet e saj qeveria komuniste shqiptare e kohës që ishte nën presionin e orientimeve të këshillëtarëve jugosllavë të atashuar pranë PKSH. U përdorën krerë, intelektualë çamë që ishin të lidhur me luftën dhe frontin e ashtuquajtur nacional- çlirimtar dhe me bindje komuniste, kryesisht nga Filati, që t’u bënin thirrje çamëve që të bëheshin palë me komunistët grekë për të luftuar kundër nacionalistëve grekë që ishin autorët e masakrave në Çamëri.

GRACKA PËR ÇAMËT

Sipas të thënave nga dëshmitarë okularë dhe trashëgimtarë të prindërve tanë, por dhe historive që tashmë dihen, burrat çamë nuk e pranuan ftesën që të shkonin të luftonin me flamur grek me premtimin se po të fitonte EAM-i do të ktheheshin në Çamëri?! Çamët në tërësi nuk e pranuan dhe në kinematë e ndryshme në qytetet ku ishin vendosur çamët që nga Tirana e ne Vlorë e Durrës, në Elbasan e Peqin, e me tej u bënë sherre dhe u bënë zënie të egra me drejtuesit e këtyre takimeve. Nga popullata çame thuhej me të drejtë se “ne nuk luftojmë me flamur grek, pro me flamurin kuq e zi se jemi shqiptar” e të tjera. Ky ishte një atentat nga ana e qeverisë shqiptare që me këshilltarët vllehë si Nesti Kerenxhi e të tjerë si Koçi Xoxe dhe që bëri që burrat çamë të burgoseshin dhe internoheshin në Llozhan dhe Maliq të Korçës. Ngjarja u cilësua si pabesi nga ana e qeverisë shqiptare që donte të përdoret çamët si mish për top tek grekët. Zgjuarsia e burrave çamë bëri që të shpëtonin nga një masakër tjetër. Vepra të tilla ndaj çamëve edhe nga grekët u bënë edhe më 1940 me internimet e burrave nga gjithë trevat e Çamërisë që i çuan për t’i vdekur në ishujt e Hio e Midilin kur Italia sulmoi Greqinë. Këto “atentate” dëmtuan rëndë dinjitetin e shqiptarëve të Çamërisë që u cilësuan të “pabesë” pse nuk pranuan të bëheshin therror për grekët në luftën civile në Greqi dhe në provokacionet e 2 gushtit 1949.

PAK HISTORI

Njëri prej ngjarjeve të kohës në Ballkan ishte Provokacioni i Vidohovës, i datës 2 gusht të vitit 1949, një përplasje e armatosur në kufirin juglindor të Shqipërisë, e lidhur ngushtë me fazën përfundimtare të Luftës Civile (1946–1949), ku ishte përfshirë Greqia, si një luftë e përgjakshme midis ushtrisë qeveritare, të mbështetur fillimisht nga Britania e Madhe dhe më pas nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të Doktrinës Truman, dhe Ushtrisë Demokratike të Greqisë (DSE), të drejtuar nga komunistët. Lufta nuk zhvillohej vetëm brenda kufinjve grekë. Kufijtë me Shqipërinë, Jugosllavinë dhe Bullgarinë kishin një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike. Terreni malor i Gramozit dhe Vicit lejonte lëvizje të shpejta të forcave guerile, furnizime dhe tërheqje drejt vendeve fqinje. Në verën e vitit 1949 ushtria qeveritare greke kishte nisur ofensivën përfundimtare kundër forcave komuniste në malet e Gramozit. Në këtë klimë, Athina ishte e bindur se baza kryesore e mbështetjes së rebelëve ndodhej në territorin shqiptar. Në këtë sfond ndodhi incidenti i Vidohovës, pranë Bilishtit.

INCIDENTI I VIDOHOVËS

Më 2 gusht 1949, njësi të ushtrisë greke kaluan kufirin shqiptar në sektorin e Vidohovës gjatë operacioneve kundër forcave të DSE-së. Burimet shqiptare të kohës e cilësuan ngjarjen si një agresion të mirëfilltë kundër sovranitetit të vendit, ndërsa literatura ndërkombëtare e lidh atë me ndjekjen e forcave komuniste pranë kufirit dhe me tensionet e krijuara nga mbështetja që Shqipëria u jepte atyre. Sipas dokumenteve ushtarake shqiptare, rezistenca ishte e organizuar dhe vendimtare. Forcat greke u detyruan të tërhiqeshin përtej kufirit pas përleshjeve që shkaktuan humbje nga të dyja palët. Numri i saktë i viktimave ndryshon sipas burimeve dhe mbetet objekt diskutimi historik, por nuk ka dyshim se bëhej fjalë për një nga incidentet më serioze kufitare të pasluftës. Ushtria greke në këtë sulm frontal kundër Shqipërisë kishte vënë në dizpozicion mbi 70 mijë forca të armatosura, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 topa gjuajtës, ndërsa në vijën e mbrojtjes së Shqipërisë tonë u mobilizuan direkt në luftime rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë që u mbajtën rezervë në gatishmëri rreth 30 mijë trupa pranë vijës greke të sulmit. Nga trupat greke mbeten të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve në shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë shqiptarë dhe u plagosën 127 të tjerë. Pak javë më vonë, në fund të gushtit 1949, Lufta Civile Greke përfundoi me disfatën e Ushtrisë Demokratike. Atëherë nisi një tjetër dramë.

DYNDJA E GREKËVE

Mijëra luftëtarë dhe civilë grekë kaluan kufirin shqiptar për t’i shpëtuar ndjekjes së ushtrisë qeveritare. Sipas studimeve historike, rreth 10–12 mijë luftëtarë të DSE-së dhe civilë hynë në Shqipëri në fazën përfundimtare të luftës, ndërsa në shkallë rajonale dhjetëra mijëra të tjerë u strehuan edhe në Jugosllavi, Bullgari dhe vendet e bllokut lindor. Nga Shqipëria, një pjesë e madhe e tyre u transferuan më pas drejt vendeve të Evropës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik. Provokacioni i Vidohovës mbeti për dekada një nga simbolet e gatishmërisë së ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e kufirit. Në historiografinë shqiptare të periudhës socialiste ai u paraqit si një fitore e rëndësishme ushtarake kundër një agresioni të jashtëm. Studiuesit bashkëkohorë, duke përdorur dokumente shqiptare, greke, britanike dhe amerikane, e shohin ngjarjen në një kontekst më të gjerë: si pasojë e drejtpërdrejtë e Luftës Civile Greke dhe e përplasjes së madhe ideologjike që po ndante Evropën në dy blloqe.

DOKUMENTET USHTARAKE

Burimet greke, sidomos dokumentet ushtarake dhe diplomatike të kohës, nuk e paraqesin hyrjen në territorin shqiptar si një agresion të planifikuar për pushtim, por si një domosdoshmëri ushtarake të diktuar nga Lufta Civile Greke.

ARGUMENTET KRYESORE TË TYRE JANË:

1. Shqipëria ishte bazë e Ushtrisë Demokratike Greke (DSE). Sipas Athinës, forcat komuniste greke përdornin territorin shqiptar për t’u furnizuar me armë, municione, ushqime, kujdes mjekësor dhe për t’u tërhequr pas operacioneve. Për qeverinë greke kjo përbënte ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën civile. Kjo tezë mbështetet edhe nga dokumente diplomatike amerikane dhe britanike të vitit 1949.

2. “Ndjekja e armikut”. Shtabi i Përgjithshëm grek argumentonte se, gjatë luftimeve në Gramozs dhe Vitsi, repartet komuniste kalonin kufirin dhe strehoheshin në Shqipëri. Sipas këtij interpretimi, njësitë greke hynin përkohësisht në territorin shqiptar për të vazhduar ndjekjen e forcave guerile dhe jo për të pushtuar Shqipërinë.

3. Pretendimi për zjarr nga territori shqiptar. Më 4–6 gusht 1949, komunikatat ushtarake greke deklaronin se repartet e tyre ishin goditur me artileri dhe armë automatike nga territori shqiptar dhe se kishin pësuar të vrarë e të plagosur. Për këtë arsye, Athina argumentonte se kishte të drejtë të përgjigjej ushtarakisht.

4. Mohimi fillestar i shkeljes së kufirit. Në ditët e para të incidentit, komunikatat zyrtare greke mohuan akuzat shqiptare për depërtim në territorin e Shqipërisë dhe këmbëngulën se operacionet zhvilloheshin në territor grek. Megjithatë, dokumentet diplomatike britanike dhe amerikane të kohës tregojnë se ekzistonte shqetësimi real se ushtria greke mund të hynte ose kishte hyrë në territorin shqiptar gjatë operacioneve kundër DSE-së.

GUERILASIT KOMUNISTË

Nga këndvështrimi grek, operacioni ishte një veprim i imponuar nga nevojat e luftës kundër guerilasve komunistë, ndërsa nga këndvështrimi shqiptar ishte një agresion ndaj integritetit territorial. Dokumentacioni i sotëm tregon se incidenti nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të Luftës Civile Greke dhe fillimeve të Luftës së Ftohtë, kur kufiri shqiptaro-grek ishte shndërruar në një vijë përballjeje midis dy blloqeve. Vetëm kështu mund të kuptohet plotësisht një episod që nuk ishte thjesht një incident kufitar, por pjesë e historisë së trazuar të Ballkanit në fillimet e Luftës së Ftohtë.

EPILOG

Forcat shqiptare që u bënë mbështetje për komunistët grekë, ishin ata që 5 vite më parë, kur ndodhi masakra greke mbi Çamërinë, edhe pse Enver Hoxhës i thanë se në Çamëri po ndodhgte një masakër, ai si një filoserb e filo grek urdhëroi mbylljen e kufitit në gushtin 1944, në kohën kur popullata e pafajshme çame po kërkonte të hynte në Shqipëri, duke lënë në mëshirën e fatit këtë popullatë. Edhe ndihma e qeverisë shqiptare pas çlirimit (nëse mund të quhej çlirim) ka qenë një injorim i plotë dhe ata që e ndihmuan këtë popullatë të strehohej ishte popullata atdhetare sqhipatre. Rreth 3 mijë banorë çamë që u vranë në Çamëri që nga bandat e andartëve të Napoleon Zervës, po aq u vdiqën brenda kufirit sdhqiptar nga mosndihma e qeverisë shqiptare, edhe pse UNRRA kishte dhënë miliona ndihmë për këtë popullatë. Historia flet me fakte se sjellja e qeverisë shqiptare ndaj popullatës çame ka qenë injoruese dhe si atentate ndaj edhe atyre që kishin luftuar kundër nazifashizmit si në Greqi edhe në Shqipëri. Kjo më jep të drejtën të them se pabesia e qeverisë shqiptare ndaj popullatës çame ka qenë e orientuar nga vllaho – grekët që kishin poste kuçe në kupolën komuniste.

/Gazeta Panorama 

“Ne asnjëherë s’kemi pasur simpati për shqiptarët, i kemi luftuar të gjitha kërkesat e tyre për krijimin e shtetit të pavarur…”- Zbulohet raporti i funksionarit të ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë më 1939

Nga Isuf B. Bajrami/ E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes, u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Rruga e popullit shqiptarë drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës, të kushtëzuara nga rrethanat historike, ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike, të brendshme e të jashtme.

Këto ishin pikëpamje përparimtare dhe mbeten gjithnjë të freskëta, shërbejnë si dëshmi për të kundërshtuar si koncepte antishqiptare të atyre “studiuesve” të huaj, të cilët ndarjen e shqiptarëve në tri fe e interpretonin si ndarje “në tri grupe”, për çdo njërën nga të cilat feja na paska qenë ”një flamur kombëtar”, ashtu edhe shtrembërimet që propaganda, duke ringjallur konceptet mesjetare halifatiste dhe patriarkiste,i bënë në ditët tona gjendjes së sotme të kombit shqiptar.

Përpjekjeve të jashtëzakonshme të rilindësve u kushtohet ai bashkim politik i popullit shqiptar, pa dallim feja e krahine, që u realizua në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)dhe u ruajt gjatë gjithë Rilindjes. Vendimet e Lidhjes dhe gjithë veprimtaria e saj, vinte në dukje Sami Frashëri më 1878, ”ishin frymëzuar nga patriotizmi, atdhedashuria…dhe mbështeteshin në parimin e kombësisë dhe jo në fanatizmin fetar”. (“Terxhumani Shark”, 17/19 qershor 1878, nr.81, fq.3). Ky bashkim i shqiptarëve i të tri besimeve ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen e kombit shqiptar, ishte një e vërtetë e pohuar edhe në dokumentacionin e huaj bashkëkohës.

Në relacionet që funksionarët e administratës osmane në Shqipëri i dërgonin Portës së Lartë prandaj se midis myslimanëve shqiptarë, që përbënin shumicën e popullsisë, dhe të krishterëve ekzistonte një bashkim me tradita të lashta e që i ka qëndruar kohës, se ky unitet do t ë vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë bashkim të shqiptarëve të të tri besimeve funksionarët osmanë ua atribuonin devotshmërisë kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve, të cilët, siç theksonin ata, ishin aq të fortë, sa që ndryshimet në fe nuk mund t’i dobësonin aspak. (K. Prifti; Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881, Tiranë, 1978, dok.40.).

Është i njohur kontributi që dha në luftën kundër reaksionit klerikal për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar një brez i tërë atdhetarësh,në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX, i përbërë nga Jani Vreto, Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Bajram e Çerçiz Topulli, Dervish Hima, Mihal Grameno, etj., të cilët, duke ecur në hullinë e hapur nga Lidhja e Prizrenit dhe themeluesit e saj, demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. Në pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, lufta kundër ndasive fetare, të mbjella nga kleri, zinte një vend po aq të rëndësishëm sa edhe qëndresa kundër sunduesve osmane dhe armiqve të tjerë të jashtëm. Klerin ata e shihnin si një armik po aq të rrezikshëm sa edhe Perandorinë Osmane.(“Kombi”, Boston, nr. 58, 25 tetor 1907).

Lufta e gjithanshme e rilindësve për demaskimin e reaksionit klerikal ishte një faktor i rëndësishëm politik në lëvizjen kombëtare, që dha frytet e tij për forcimin e unitetin të popullit shqiptar. Ndonëse i shkaktuan pengesa Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sunduesit osmanë dhe fuqitë e tjera të huaja, përballë forcës së bashkimit të shqiptarëve, nuk arritën t’i përçajnë e t’i hedhin ata në luftë me njëri-tjetrin. Sikurse vinte në dukje me kënaqësi Pashko Vasa, ndërmjet shqiptarëve mysliman dhe atyre të krishterë nuk ka pasur kurrë “hasmëri të rrënjosur as edhe armiqësi shekullore”, se “ndryshimet fetare s’kanë qenë shkak për t’i shtypur në përçarje” (P. Vasa, vep e cituar, fq. 91.).

Është një e vërtetë e provuar historikisht, që nuk i ka shpëtuar vështrimit të Sami Frashërit, se shqiptarët “nuk kanë njohur ato grindje, luftëra fetare, masakra të mëdha e të tmerrshme që kanë ndodhur” jo vetëm në vendet e Lindjes, por edhe “në vendet e qytetëruara të Evropës” (Sami Frashëri; Shqipëria ….,fq. 45-46.).

Mungesa e një fanatizmi të tillë fetar, që Jani Vreto në Apologjinë e vet ua atribuonte shqiptarëve të të gjitha besimeve e sidomos atyre myslimanë (Jani Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1973, fq.225), zotërimi tek ata i ndjenjës kombëtare mbi atë fetare, përbënin për rilindësit, dhe jo vetëm për ta, por edhe për gjithë lëvizjen që u zhvillua edhe më pas, për bashkimin e të gjitha forcave të kombit shqiptar në luftën për çlirimin kombëtar dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendit.

Shpallja e Pavarësisë dhe formimi i shtetit kombëtar me 28 nëntor 1912 përbën një ngjarje të shënuar që do të mbetet e paharruar në historinë e kombit tonë,jo vetëm për nga rrjedhimi që pati për të ardhmen, por edhe për forcën e bashkimit politik të shqiptarëve përballë pushtuesve të rijnë e tepër të rrezikshëm ballkanas. Ajo ishte vepër e mbar popullit shqiptar dhe e qindra atdhetarëve që vepronin në gjirin e tij. “Në emër të gjithë popullit, mysliman e të krishterë, në emër të gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, shpalli Pavarësinë, më 25-28 nëntor 1912, nën grykën e pushkëve dhe të topave të ushtrive pushtuese” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj. Tiranë, 1963. dok. 3,6-9,11,13).

Vetë Kuvendi i Vlorës, që shpalli pavarësinë dhe formoi Qeverinë e Përkohshme si nga përbërja e tij ashtu edhe nga vendimet që mori, kishte një karakter mbarëshqiptar, shprehu aspiratat shekullore të të gjithë kombit për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar. Pjesëmarrja në të e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha këtij Kuvendi karakterin e një Asambleje Kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi dëshmi e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për të formuar një shtet unik, në të cilin të përfshiheshin të gjitha viset e banuara prej tyre.

Këtë vendosmëri shqiptarët e Kosovës, të Shkupit e Dibrës dhe të viseve të tjera, të udhëhequr nga një bërthamë unike ushtarako-politike të përbërë nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Sali Gjuka, Ramadan Zaskoci, Isuf Xhelili, etj., e shprehën jo vetëm me delegatët që dërguan në Kuvendin e Vlorës,por edhe me qëndresën e pashembullt që u bënë kudo,ushtrive serbo-malazeze, të cilat u dyndën në trojet shqiptare.

Këto nuk ishin beteja thjesht lokale, për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës, por një qëndresë që bëhej për ruajtjen e tërësisë së gjithë truallit shqiptar ose, siç shpreheshin atdhetarët në deklaratën dërguar Fuqive të Mëdha në tetor 1912, për t’i dalë zot tërësisë tokësore të Shqipërisë”, “për t’i parë trojet shqiptare të bashkuara, me një formë të qeverisuri e sundimi politik” (Akte të Rilindjes…, dok. 169).

E parë nga pikëpamja e kontributit që dha në bashkimin kombëtar të popullit shqiptar, qeveria e Ismail Qemalit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit tonë. Me krijimin e saj dhe të vetë shtetit kombëtar, shqiptarët siguruan atë qendër udhëheqëse që u kishte munguar prej rreth pesë shekujsh, e cila, siç shprehej shtypi patriotik, ”do të bashkonte nën flamurin e Shqipërisë gjithë popullin shqiptar” (A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Tiranë, 1978, fq. 126-127, ”Liri e Shqipërisë”, Sofje, 22.07.1913).

Ndonëse nuk pati jetë të gjatë, Qeveria e Vlorës dhe forcat patriotike që u grumbulluan rreth saj, zhvilluan një veprimtari të dendur, dolën të bashkuara si brenda vendit, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, kundrejt lakmive pushtuese të monarkive fqinje dhe vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve që u mbajt në Londër më 1912-1913. Qeveria e Përkohshme i kundërshtoi vendimet e Konferencës së Londrës, sepse ato binin ndesh me aspiratat e ligjshme të shqiptarëve, të cilët, siç theksohej në deklaratat e kësaj Qeverie, si”grupimi etnik më kompakt dhe më homogjen në Gadishullin Ballkanik “, kishte të drejtë të formonin shtetin e tyre të bashkuar,sepse ato vendime nuk merrnin parasysh parimin e kombësisë, por e zëvendësonin atë me” të drejtën e luftës e të pushtuesit”.

Në viset e pushtuara nga ushtritë serbe protesta kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës u shoqërua me kryengritjen kundër zgjedhës serbo-malazeze që shpërtheu në Dibër në shtator të vitit 1913, u shtri gjatë muajit tetor në Ohër,Srugë,Tetovë,në Malësinë e Gjakovës, në Prizren e në vise të tjera të Kosovës. Në thirrjet drejtuar Fuqive të Mëdha, më 15 tetor 1913, kryengritësit dibranë e kosovarë ngritën zërin kundër krimeve të ushtrisë serbo-malazeze, që mbyti në gjak fshatrat shqiptare, i ktheu ato në krematoriume, ku u dogjën për së gjalli qindra gra e fëmijë, dhe kërkoi nga Evropa si mjet shpëtimi “t’u jepte të drejtën të rronin të lirë në atdheun e tyre të njëshëm” (Qeveria e Përkohshme e Vlorës…, dok. 322, shih edhe D. Tucoviç, Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë, 1968, fq. 82-84).

Kryengritja e shtatorit të vitit 1913, ishte shkëndija e parë e asaj lëvizjeje masive që do të zhvillohej, në vitet 1918-1925, në Kosovë e në viset e tjera të aneksuara nga Jugosllavia, nën drejtimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Lufta e popullit tonë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe për bashkimin kombëtar nuk ka cenuar kurrë ndonjëherë të drejtat e popujve të tjerë të Ballkanit. Ismail Qemali dhe atdhetarët shqiptarë i quanin bashkatdhetarët e tyre nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe për të siguruar bashkimin e plotë kombëtar.

Por ata nuk mund të pranonin që kjo luftë të bëhej në dëm të shqiptarëve, duke penguar bashkimin e tyre kombëtar dhe duke gjymtuar rëndë trojet e popullsinë e tyre, duke masakruar e shpërngulur nga vatrat amtare qindra mijëra shqiptarë. ”Zgjidhje” të tilla të çështjes kombëtare në Ballkan, të cilat mbrohen e përligjen edhe nga historiografia e sotme e vendeve fqinje, u imponuan, nga “interesat e borgjezisë” dhe interesat” dinastike”të monarkive ballkanase, si edhe nga borgjezia reaksionare, imperialiste e Evropës që “nxit shovinizmin dhe armiqësinë kombëtare”, midis popujve.

Ishte Serbia dhe monarkitë e tjera ballkanike fqinje që pa u kënaqur me cungimin e rëndë që u bënë trojeve shqiptare në Konferencën e Londrës, më 1913, u orvatën me forca ushtarake e mjete diplomatike të likuidonin qysh në embrion shtetin e pavarur shqiptar. Në sintezë të politikës së Serbisë dhe të Jugosllavisë që u krijuan më pas, e cila i përshtatet edhe qëndrimit të monarkive të tjera ballkanike, ka dhënë funksionari i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë, Ivan Vukotiçi, në raportin, dërguar qeverisë së tij në vitin 1939.

”Ne, -shkruante ky, -asnjëherë nuk kemi pasur simpati për ta (kupto: për shqiptarët)…Në kombinacionet tona politike dhe diplomatike, si edhe në politikën tonë diplomatike, si edhe në politikën tonë Ballkanike, ne vazhdimisht kemi synuar të luftojmë të gjitha kërkesat shqiptare për krijimin e shtetit të pavarur, thjeshtë për arsye se ky shtet mund të themelohej vetëm kundër nesh dhe kundër synimeve tona kombëtare” (B. Krizman, Studim i Dr. Ivo Andriçit mbi Shqipërinë në vitin 1939. Në ”Qasopis za Sovremenu Povijest”, Zagreb, Godina IX, 1977, nr.2(24)).

Rreziku i copëtimit përfundimtar i kombit tonë, i zhdukjes së shtetit të pavarur shqiptar, që u shfaq me gjithë forcën gjatë Luftës së Parë Botërore, e sidomos në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit, të viteve 1919-1920, mund të kërcënohej vetëm në qoftë se shqiptarët do të dalin para saj si një popull i bashkuar e kompakt me qeverinë e tyre, e cila do ta përfaqësonte zyrtarisht shtetin shqiptar.

Marrëveshja që arritën në këtë Konferencë, më 13-14 janar 1920, përfaqësuesit e Anglisë, të Francës e të Italisë për copëtimin e Shqipërisë, midis Italisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë, sipas klauzolave të Traktit të Londrës të 26 prillit të vitit 1915, shkaktoi një shqetësim të madh e të ligjshëm në mbar popullin shqiptar, i dha një shtysë të re e të fuqishme forcave të ndryshme shoqërore të vendit e të afroheshin me njëra-tjetrën, të forconim unitetin politik dhe të thërrisnin në janar të vitit 1920 Kongresin e Lushjës.

Ky ishte një kuvend mbarëshqiptar, siç thuhet në dokumentet e tij, fryt i “përfundimit të një marrëveshje të përgjithshme e të gjitha viseve të Shqipërisë”, që mori përsipër detyrën e “forcimit të bashkimit e vëllazërimit ndërmjet shqiptarëve, për tu siguruar vetëqeverimin e plotë të Shqipërisë dhe unitetin e gjithë shqiptarëve” (M. Çami; ”Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar (përmbledhje dokumentesh), Tiranë, 1976, vëllimi II-të dok.1).

Ajo që karakterizoi Kongresin e Lushnjës dhe Qeverinë Kombëtare e Sulejman Delvinës, ishte bashkimi rreth saj i të gjitha forcave patriotike të popullit dhe i trojeve shqiptare. ”Asnjëherë në historinë e vet, – deklaronte në atë ditë Aqif Pashë Elbasani, – kombi shqiptar nuk ka qenë i bashkuar si është sot, me një dëshirë të patundur që të ketë qeverinë e vet, pas formulës ”Shqipëria për shqiptarët “(Po aty, vëllimi II-të dok. 89 ).

Në një kohë me përpjekjet që bëri në rrafsh ndërkombëtar, pranë Konferencë së Paqes së Parisit, kundër traktativave për copëtimin e Shqipërisë midis tri shteteve fqinje dhe për pavarësinë e plotë të vendit, qeveria e re, e vendosi në Tiranë në shkurt të vitit 1920, vazhdoi me konsekuencë veprën e nisur nga Ismail Qemali; bashkoi njëra pas tjetrës viset e ndryshme të atdheut.

Por u desh të çlirohej edhe Vlora me krahinën përreth, që kishte mbetur ende nën pushtimin Italian, të derdhej gjaku i qindra luftëtarëve të tjerë që të kryhej vepra e bashkimit kombëtar. Lufta për çlirimin e Vlorës ka hyrë në historinë e Shqipërisë si një epope e lavdishme, në të cilën u shfaq me tërë madhështinë e saj forca e unitetit të popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Shtypi shqiptar shkruante në ato ditë” Lufta e Vlorës është një çështje e përbashkët e lidhur me jetën e Shqipërisë; (“Populli”, Shkodër, 17.07.1919, “Drita”, Gjirokastër, 16.06.1920 dhe 31.07.1920).

Në betejat e përgjakshme e të pabarabarta që u zhvilluan në qershor-korrik të vitit 1920 kundër një ushtrie të shumtë në numër e të armatosura deri në dhëmb, në Drashovicë, në Kotë, në Kaninë, në Gjormë, Llogara, Tepelenë e brenda në Vlorë, bashkë me fshatarët e qytetarët e këtyre viseve që përbënin bërthamën kryesore të forcave shqiptare, ishte përfshirë një komb i tërë, i gjithë Shqipëria, mijëra vullnetar nga të gjitha anët e vendit, jo vetëm nga krahinat e afërta të Beratit e Gjirokastrës, por edhe nga Tirana, Elbasani, Korça, Peqini, Kavaja, Shijaku, Kruja, Mati, Dibra, Gramshi, etj. (Lufta e popullit shqiptar…, vëllimi II-të, dok. 323).

Ishin kompaktësi, uniteti i veprimit, guximi, patriotizmi i zjarrtë, që populli shqiptar shfaqi në luftën e armatosur të Vlorës, ata faktorë që bënë të pavlefshëm Traktatin famëkeq të Londrës të 26 prillit 1915, si dhe projektet antishqiptare të Konferencës së Paqes, ata faktorë që ruajtën shtetin e pavarur shqiptar në kufijtë e vitit 1913.

Ndonëse i takojnë një periudhe disi të largët, këto projekte të atdhetarëve shqiptar për bashkimin kombëtar, mbajnë gjithnjë një theks aktual. Me jehonën që rrezatuan në periudhat pasardhëse,me gjurmët e pashlyeshme që lanë në mendimin politik dhe në veprimtarinë praktike të lëvizjes demokratike e asaj revolucionare të mëvonshme, ato përbëjnë një trashëgimi të vyer, e cila, kaloi brez pas brezi si një mësim e testament i madh, që historia e kaluar i la së tashmes e të së ardhmes të popullit tonë. Memorie.al

Dokumentet që sfidojnë historinë zyrtare! Ramize Gjebrea dhe dosjet e fshehta! Përplasjet me Dushan Mugoshën, debati për Kosovën dhe fundi tragjik! Çfarë zbulojnë arkivat

KASTRIOT KOTONI

PJESA E DYTË

 

Ministria e Arsimit udhëzon gjithë shkollat e Tiranës: Ministria dëshiron që dita e 28 nëntorit të kremtohet me entuziazëm e disiplinë. Në mbarim të manifestimit nxënësit do të largohen me rregull nga sheshi i Bashkisë dhe do të drejtohen në shkollat e s’do të lejohen manifestime të tjera, as këngë në rrugët e qytetit. Si përherë në ballë të qëndresë demonstruese antifashiste ishte Gjebrea, e cila “trimërinë e kish të shkruar në ballë, e para në krye të aksioneve e demonstratave antifashiste”. Drejtori i Policisë fashiste i shkruan Kryesisë Këshillit të Ministrave, Ministrisë Brendshme e Ministrisë të Arsimit: “Pasdite më 16 të vazhduesit (shkurt) në ‘Nëna Skënderbeg’ janë krye akte mosdisipline të cilat grumbullue nën hajat të këndojshin hymne komëtare dhe tue marrë krejtësisht sjellje sulmuese penguen daljen e dy profesorave nga Instituti duket se njërin e rrahën e me shputa.” Fajtorët për rrahjen e profesoreshës e manifestimin para Minstrisë së Arsimit në mbrojtje të shoqeve të tyre për ulje note në sjellje në 6 ndaheshin në dy kategori: 1) Fajtore për rrahjen e profesores Tedesco; 2) fajtore të shtyra nga “elemente turbulluese të jashtëm” që për moshë ishin të papërgjegjshme para ligjit. Të gjitha ishin shoqe të ngushta të Ramizesë, e cila i nxiti të këndonin këngët patriotike dhe ishte ajo organizatorja ose “elementi turbullues”.

Në përkujtim të 7 prillit, u organizua demonstrata e fundit në Tiranë nga Qarkori i Rinisë Antifashiste. Me organizimin e demonstratës më shumë u mor vetë Ramizeja. Në ballë të demonstratës ishin vajzat, me mendim se fashistët ishin disi më të rezervuar për dhunë ndaj tyre, por që në realitet fashistët vunë dorë dhe vajzat u kacafytën dhe u përleshën me ta, kështu e kujton njëra nga pjesëmarrëset e kësaj demonstrate Naxhije Dume këtë fakt në revistën “Shqiptaria e re.” Gjebrea e vetme femër guerilase dhe në formatin e një prej guerilasve më me emër në Tiranë, si anëtare e njësitit gueril me Mihal Durin e Misto Mamen të cilët morën pjesë në aksionin e rrëmbimit të shtypshkronjës (pedalinë) Gutenberg.

Ramize Gjebrea delegate në Konferencën e Pezës sipas Rezolucionit të Konferencës: “Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave dhe rrymave politike. Përfaqësues të nacionalizmit shqiptar, të Partisë komuniste, të Rinisë Komuniste e të Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë i çlirimit të Shqipërisë.” Në botimet moniste referohet vetëm delegacioni i Rinisë Komuniste dhe asnjëherë delegacioni i Rinisë Femërore Popullore Shqiptare, kësisoj edhe sot në botimet akademike, edhe në publiçistikën e Nexhmije Hoxhës! Ka një arsye të fortë: Nexhmije Hoxha ndjehet keq nën hijen e Ramize Gjebresë në Konferencën e Pezës, e në ndihmë i vijnë historianët e vjetër e të rinj.

Më 17 shtator të vitit 1942 Ramizeja arrestohet, sepse ishte në demonstratën para burgut të Tiranës me gratë dhe rininë shkollore për të mos internuar në Itali të burgosurit politikë. Ramizeja fill nga Konferenca e Pezës organizon protestën me gratë dhe vajzat e rinisë shkollore të Tiranës, përpara dyerve të burgut. Ajo ishte e veshur me rrobat e një nëne tiranase, e maskuar, Gjebrea ishte në krye të turmës. E arrestuan dhe e torturuan për të treguar organizatorët dhe nuk tha asnjë fjalë. Trukoi një mizaskenë me milicin dhe menjëherë doli sërish në ilegalitet, ku nisi të nxirrte gazetën “Kushtrimi i Lirisë” në redaksinë e së cilës bënin pjesë Nexhmije Xhuglini, Ramize Gjebrea, Gjik Kuqali, Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Luan Omari. Gjebrea botoi me pseudonimin “Zala e Kaçanikut. Kur në Buletinin e “Zëri popullit” e ribotoi shkrimin më të bukur shkruar nga Ramizija me pseudonimin Zala e Kaçanikut, më 1985 emri i Ramizesë u hoq dhe u la pa emër që të mos identifikohej me Zala me Ramize Gjebrënë!

Kur Gjebrea ishte në Vlorë marrëdhëniet e saj me “Kushtrimin e Lirisë” u bën akull edhe pse ishte anëtare e redaksisë. I vinin njoftime nga redaksia Zala nuk botohet, mundohu ti afrohesh më tepër stilit të revistës. Kape për brinjësh idenë dhe shtroje mirë në kartë që të mos rrëshqasë nga duart si gjarpër. Mundohu të jesh sa më konçize”. Ishte komunikimi i fundit i Interesantes me “Kushtrimin e Lirisë”, ku ajo ndër të tjera i dërgon mendime kritike redaksisë për revistën “Kushtrimi Lirisë”. Nexhmije Hoxha e konfirmon këtë fakt kur pohon se në “arkivin tim kam një letër të saj (Ramizesë) ku na bën vërejtje” Një temë tepër sensitive është edhe tema e fejesës së Nako Spirut me Ramizenë. Nexhmije Hoxha…Nakoja më tha në konfidencë se ishte në dilemë për të zgjedhur si shoqe jete mes Ramizesë dhe Liri Belishovës të cilat i vlerësonte të dyja nga inteligjenca, vendosmëria etj… Unë duke qeshur i thashë: Nako, mirë bën që pyet kokën por pyet edhe zemrën dhe vendos.. Dhe Nakoja vendosi, i bëri propozim Ramizesë.

Liri Belishova kur është pyetur nga Vasfi Baruti, është përgjigjur se kjo që po më thoni ju, në gojën e Nexhmijes, më çudit shumë! Asnjëherë s’kam kuptuar e ndjerë ndonjë shenjë simpatie të Nakos për mua për kohën që flisni. V.Baruti vijon më tej me komentin e tij, kur thotë se Nakoja mirë bën që pyet Xhuglinin dhe ajo e inkurajon të zgjedhë mes arsyes dhe zemrës dhe Nakoja anon nga e “drejta” e të fortit, udhëheqësit, të verë dorën ku t’i thotë zemra, mjaft të hapë gojë e vajza binte në prehër të tij… Nakoja vendosi. Në fillim Ramizeja hezitoi…S’kaloi” shumë kohë dhe Nakoja me Ramizenë njoftuan udhëheqjen e Partisë për fejesën e tyre. Argumente që lëvizin qasen largohen, diku takohen, sepse shoqet që e njihnin mirë Ramizenë e rrëfejnë se ajo ishte me karakter të fortë, e guximshme, s’bënte pazar me dinjitetin dhe ishte e zonja për zgjedhjen e duhur midis postit të lartë të Nakos dhe harmonisë “shpirtërore” morale fizike.

Sipas dëshmisë së Dashamir Hohrit i cili e kishte dëgjuar bisedën kur ato ishin në shtëpinë e tij, në mes Nexhmijes , Nakos, Ramizesë dhe Motrës së tij, dukej se Ramizeja hezitonte dhe ende nuk po e jepte fjalën “po”. Një fakt, tjetër domethënës është edhe mbledhja e qarkorit të partisë së Tiranës ku ishin edhe Enveri, Gogo e Kozma Nushi, Nexhmija, Ramizeja etj., por Nako nuk ishte. Gogoja tha si e kanë punën Nakoja me Ramizenë? Unë e di se janë të fejuar, është hapur fjalë. Gogoja ndërhyri: pse nuk i kanë deklaruar Partisë fejesën? S’pati ndërhyrje tjetër për të mbështetur mendimin tim thotë Sotir Manushi. Tarasi ndërhyri: Nako është udhëheqës, ma lini mua këtë problem, e zgjidh unë! Më vonë kuptova se Nako kishte mësuar ç’thashë në mbledhje, filloi të rrijë rëndë e s’kaloj muaji dhe e pësova, përfundova në Berat, me të njëjtën detyrë, shprehet Sotir Manushi. Sipas V.Barutit në një dosje të AQSH-së në kapak tepër sekret të shkruar dukshëm dyfjalëshin “Tepër Sekret” dhe brenda është një fletë me shënime të sekretarit të qarkorit të partisë së Tiranës, Gogo Nushi, mbajtur shumë shkurt nga diskutimet të kuadrove shoqe të rinisë komuniste, gati të gjitha me pseudonime, të cilat i shqetësojnë fejesat ilegale të kuadrove komunistë me vajza partizane apo ilegale… Peçe thotë se partizanët ankohen për përgjegjësit e tyre.

Nona, mbi fejesat ilegale. Dhora Leka. -Në rini flitet për këto fejesa, dhe shumë ankohen për këto fejesa ilegale…Thonë se këto fejesa i bën Partia. Flasin se në çeta ka abuzime (imorale) nga përgjegjësit. Puna e Vlorës është marr vesh. Kuadro sevdallinj në parti me “të drejtën” për fejesa ilegale me vajza të zgjedhura e bukuroshe që punonin në ilegalitet dhe “fejesat” bëhen me “ndërmjetësi” të titullarit, “fejesa” mbetej sekret i të “fejuarit” e ndërmjetësit partiak. Dhora Leka si dëshmitare në këtë mbledhje kishte dëgjuar edhe Ramizenë kur ishte në Tiranë, e cila kishte kritikuar (në qarkor) fort fejesat ilegale që bëheshin nga ndonjë jerark i partisë, aty mësuam se Gjebra ishte arrestuar në Vlorë për “dashuri”. Në përfundim: Gjebrea s’mund të bëhej preh e fejesave ilegale. Todi Lubonja, i ri komunist me mjaft influencë në rrethet e rinisë komuniste e antifashiste të Tiranës shprehej për Ramizenë: “Flokë arta Ramize me halle, shoqe e njohur gjerësisht nga rinia e Tiranës akuzonte pa hezitim: “e ç’janë këta anadollakë në krye të Partisë në Vlorë?” Qëndrimi tepër kritik për shokët e Vlorës, i cili nuk mund të jetë lëshuar kështu dosido, e pa e njohur problemet e luftës, por edhe fjala e saj, s’mund të mos ketë shkuar e telekomanduar nga Tirana në Vlorë m’u në vesh të Dushanit dhe porosia e tij: m’a sillni Gjebrenë në Vlorë! Interesantja nuk bën kompromis me të vërtetën, të drejtën, asnjë kompromis me Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën për nacionalizmin patriotik, për Kosovën e Çamërinë; as për kalamendjet e Detit (Nakos), për të fituar nga e “drejta” e të madhit në post, as me Tarasin si gur shahu i Dushanit e Miladinit.

LARGIMI I RAMIZESË

Sipas Vasfi Barutit arsyeja e largimit të Ramizesë (Interesantes) nga Tirana në Vlorë tërhiqej nga zilia e “Delegates” Xhuglinit i bindur se vetëm zilia u mbrujt nga tangente të tjera. Premtimi që dha Tarasi në mbledhjen të Qarkorit u mbajt: zgjidhja s’vonoi, janar 1943 Gjebrea largohej nga Tirana, detyrën ia dorëzoi Liri Belishovës. V.Baruti nxjerr zbuluar Nexhmijen, kur ajo shkruan se Interesantes i jepej detyra sekretare politike e Rinsë Antifashiste të Qarkut të Vlorës, thotë Nexhmije.H, por mban sekret se Gjebrea shkoi në Berat ku qëndroi gjashtë muaj.

Për punën në qarkune Beratit i vetmi burim arkivor është Agenda (Ditari) Gjebrea, nga i cili mbeten pak faqe ditari për qarkun e Beratit. Në fletët e ditarit Gjebra është në punë të përditshme, në veprimtari në shumë fshatra mjaft të largëta, në udhëtim edhe e sëmurë, edhe natën, më 25 qershor mban fjalën e lamtumirës në varrin e R.Aranitasit. Faqe të shumta të ditarit për punën në qarkun e Beratit janë të grisura në ish-arkivin e partisë, dhe mbeten gjurmë memorie bashkëkohësisht teksa e shoqëronin Gjebrenë në Qeparo të Himarës e hedh pakëz dritë për Gjebrenë në fshatrat e thellë të Gramshit. Ka një diskutim kritik për punën e Qarkorit të Rinisë së Tiranës, që përfaqësohej edhe nga Xhuglin. “Ka kontradikta”: Qarkori ka qenë mekanik! Po të jetë ashtu siç thotë shoqja Ramize, nuk do të kishte rezultate përgjigjet Xhuglini.

Në ditët e Konferencës së Zaloshnjes, Gjebrea merr urdhër të nisej në qarkun e Vlorës me detyrë sekretare politike e rinisë antifashiste të qarkut që përfshinte rajonet Vlorë, Kurvelesh e Mallakastër, me mision kryesor punën në terren, hedhja e rinisë në luftë. Siç dëshmon Sotir Manushi i është lutur Nako Spirut që Ramizeja të qëndronte në Berat se, ishte e sëmurë dhe që ai të shkonte në Vlorë në vend të saj, por Nakoja këmbëngulte në Vlorë në Vlorë të shkojë! Dushan Mugosha i kudogjendur në mbledhje partie, rinie komuniste e antifashiste, në protesta, demostrata, shqipfolës i mirë dhe për nga detyra që mban sigurisht ka njohje lidhje pune me Gjebrenë, me emër të madh në aksione, protesta e demostarta antifashiste. Bashkëkohëse e afërt e Ramizesë Vera Tetova kujton se, kishte patur përplasje Mugosha-Gjebrea për Kosovën, e dihet ç’përgjigje merr Mugosha nga Gjebrea. Në qarkun e Vlorës Gjebrea kudo që shkon ndez zjarr patriotik nacionalist: Shqipëria e shqiptarëve! Dhe s’është hamendje por e vërtetë e lexueshme e publikuar në tërë Shqipërinë në prill maj të 44-ës: Trakti për Ramize Gjebrenë i hedhur nga Rinia e Ballit Kombëtar: Qëllimi yt Shqipëria e shqiptarëve” dhe vijon më tej V.Baruti me letërkëmbimin e Ramizesë me Agllai Zoton. Nga Hysoverdhi i Vlorës. Gjebra i dërgon letër të gjatë shoqes së saj Agllai Zotos -”Duhet ta dijë populli dhe të gjithë se ne jemi për luftën Nacional-çlirimtare dhe jo për të prurë rusin ose grekun me serbin këtu.”

Ramizeja për çështjen e Kosvës kishte debatuar edhe me një oficer britanik, siç kujtonte Reiz Malile:-Ramizeja më thosh për një oficer engles me të cilin kishte bërë debat, ndoshta për politikë aleate në qëndrimin ndaj Kosovës apo ishte provokim i tij e debati bëhej problem, i raportohej Shtabit, por sido që vajti puna mbetën miq, anglezi i kërkoi një lloj “falje”. Në një letër që Tarasi i shkruan Detit: -I thuaj Ramizesë: “Kur inglizi është kaq i poshtër, ju është tharë dora atyre shokëve të Vlorës të na bëjnë një raport të imtë mbi punën e tij e manevrat që bën”? Urdhri ishte vetëm një kompetencë e Mugoshës, sepse ai ishte urdhërdhënësi për pjesmarrjen në mbledhje. Një dëshmi tjetër nga ish-komandanti Shefqet Peçi: “Dushani nguli këmbë më shumë për të dënuar Ramizenë. Kjo di unë, pse mbase kishte dashur ta bënte për vete dhe ajo nuk ja kishte varur, sepse për ashtu hante bukë veç dhe i kishte shoqet e rralla ajo.” Më tej vijon V.Baruti në komentin e tij, “kishte dashur ta bënte për vete”, një konstatim që edhe flet qartësisht, por edhe fsheh diçka: Mugosha mëton lidhje intime me Gjebrenë apo ka objektiv politik për çështjen e Kosovës? Mugosha i prirur për të dyja, porse “Gjebrea i kishte shoqet e rralla”. Komandat Shefqet Peçi vlerëson karakterin, moralin e Interesantes, dhe që s’këmben një derhem dinjitet me një OK ar. Niaz Dizdareviçi, misionar i Titos në vendin tonë, një kohë i ngarkuar me rininë antifashiste shqiptare e më pas me ushtrinë tonë, nuk la një dëshmi të drejtpërdrejtë, por një informacion me shumë rëndësi për vitet të luftës “Mugosha me të drejtë apo pa të drejtë ka nënshkruar urdhrin për pushkatimin e shoqes së tij Ramize Gjebrea në zonën e Vlorës…”. Konfliktet politike Gjebrea-Dushan të rrëfyera nga Nako Spiru për Liri Belishovën: … Me atë atdhetarizmin e zjarrtë, me atë dashurinë e madhe për Kosovën, që kishte në shpirt Ramizeja, nuk mund të mos fitonte dhe antipatinë e Dushanit. Nako Spiru më ka thënë: se kur Ramizeja erdhi në Tiranë për herë të fundit, në tetor 1943, i kishte treguar atij se kishte pasur kontradikta me Dushanin për çështjen e Kosovës, që Kosova është Shqipëri…As Mugosha dhe as Miladini as gjymtyrët e tyre në komandë e në qarkor nuk mundën ta fusnin Interesanten Gjebrea në orbitën e tyre, sepse Gjebrea ishte në orbitën e vet. Raporti i H.Kapos, i 7 marsit, ai i H.Çakos, i 7 prillit 1944, e thonë qartë: Brigada shpërbëhej dhe humbjet, vdekjet në borë të paralizuarit, të dezertuarit, i kalonte 370 partizanë, madje dezertime me shumicë bëhen e në mars-prill, pas mbarimit të Operacionit të dëborës. Përgjegjësia për situatën e sterosur të Brigadës ishte tek koka e Partisë, shtabit, komandës. Udhëheqja e Brigadës ishte në alarm e duhet të shpëtonte veten nga gjëma e dimrit. Partizanët e mbetur ishin të terrorizuar nga ç’kishin vuajtur. Për t’i shpëtuar përgjegjësisë, koka e partisë dhe e shtabit “gjetën shkakun”, përgjegjësia e katastrofës i faturohej Gjebresë që i kishte “lënë” partizanët në dorë të fatit e “bënte dashuri të shthurur me komisarin Zaho!” Gjatë luftës ishte rregulli i prerë: kundërshtarët politikë nuk dënoheshin me gjyq, por dekoroheshin me plumb pas shpine, vijon argumentet tij V.Baruti si shembull sjell Zef Malën, Zai Fundo Anastas Plasarin, Irfan Ohrin, Mynyr Xhindin dhe Mustafa Gjinishin etj. Tarasi porosiste urdhrat sekret që ja dërgonte Nexhmije Xhuglinit e ngarkuar për “dekorimin” e kundërshtarëve. Ndaj udhëheqja e Brigadës e kishte të vështirë gjyqin me Ramizenë, më shumë se pushkatimi i saj.

/Gazeta Panorama

Ramize Gjebrea, drejtuesja e vërtetë e vajzave antifashiste, si e përvetësoi Nexhmije Hoxha rolin udhëheqës, dokumentet!

KASTRIOT KOTONI

PJESA E PARË
Në librin e studiuesit DR.Vasfi Baruti “Ramize Gjebrea NEGA TOTUM asgjë e vërtetë”, është trajtuar nëpërmjet dokumentave arkivore të dorës së parë figura e dëshmores Ramize Gjebrea. Autori pasi ka krahasuar edhe libra të autorëve Sofokli Lazri, Pavllo Gjidede dhe Nexhmije Hoxha bën interpretime nëpërmjet shumë fakteve të reja dhe siç e ka theksuar vetë këtë libër të zhanrit sociohistorik. Dr Vasfi Baruti në faqet 46-të në libër shkruan: E vërteta Gjebra e prangosur për gjashtë dekada në dosje të Arkivit të Partisë e të AQSH-së, por që në fillillm vjeshtën e 2005-ës, bie kjo kala e pathyeshme, griset perdia e mistershme që mbante Gjebrenë në errësirë. Bashkëkohësit e Gjebresë me krenari mbajtën të pashuar ngrohtësinë e ëmbël të ndjenjës së dikurshme të shkollës e të luftës, miqësinë e ruajtën të pastër, kujtimet i ruajtën të shtrenjta në pastërtinë e shpirtit. Vjen një ditë e kujtimet zgjohen për t’u rrëfyer. Gjebrea me cilësi të vyera, gatuar me vyrtyte të shënjta. Rrëfyen për Gjebrenë me aksh pasion e me dhimbje loti bashkë. Bukuria shpirtërore e trupore, kultura e gjërë, të risillte nga kush e njohu e jetoi me Gjebrenë e vjen grimëherë unikale: shëmben ledhet që politika ndau bashkëkohës në të majtë e në të djathtë e s’ka më tjetër rast të bëhen njësh të gjithë e i bën madhështia e saj dhembja për të, vetëm se harmoninë e prish paksa Nehmije Hoxha me ftohtësi të sertë si presë çeliku e ndjej të thotë me vetveten: shkrova të shpëtoj shpirtin, shkruan në reshtat e parë të librit Vasfi Baruti.

Rinia shkollore e Tiranës, forca më e madhe në qëndresën antifashiste, në krye të saj shquheshin vajzat të Institutit Femëror Nëna Mbretëreshë, djem të Liceut e të Shkollës Teknike. Në historinë komuniste shkruhet vetëm për Institutin Nëna Mbretëreshë, dhe flamurtarja e udhëheqjes së vajzave del Nexhmije Xhuglini. Kurrë s’u shkrua për shumë vajza të Nëna Mbretëreshë që bën emër si guximtare të krisura antifashiste, e Ramize Gjebrea ishte në krye të vajzave të Institutit Nëna Mbretëreshë, të djemve dhe vajzave të Liceut të Tiranës dhe shkollës Teknike. Vetë Nexhmije Hoxha e thekson këtë fakt, kur thotë se Ramize Gjebrea përpara pushtimit fashist bënte pjesë në “treshen kryesore” që organizonte punën e grupeve revolucionare në shkollë, shkruan Vasfi Baruti. Më tej autori vijon : Me treshe kryesore ka parasysh veten, Ramizen dhe Fiqerete Sanxhaktarin, e cila largohej nga shkolla nga fundi i verës së vitit 39-të e vite më pas dënohej (në mungesë) nga fashizmi; Naxhije Dume e mohon të kishte bashkëpunim me “treshen kryesore” dhe referimet e Nexhmijes për të kujtuar shoqet e shkollës janë fiasco një mashtrim i pastër, sepse ajo ka qënë larg aksioneve e veprimtarive antifashite që organizonin vajzat e Instittutit dhe në burime arkivore s’ka asnjë shenjë veprimtarie antifashiste të saj, siç ka në dokumente fashiste për vajzat të tjera të Institutit.

Ish bashkëkohëset me të, rrëfejnë se, rrinte në hije, e bëjnë habi tek propaganda udhëheqëse e vajzave antifashiste në Institutin Femëror. Fillesë e veprimtarisë antifashiste nuk është demostrata e 3 prillit, por mesnata e 31 marsit kur shpërtheu demonstrata e parë antifashiste që vazhdoi më 1- 2 prill dhe protogonistë kryesorë ishin vajzat e Institutit Femëror dhe të Liceut që dhanë kushtrimin “Atdheu në rrezik”, mes tyre Ramize Gjebrea në rolin e vajzës që vdiq mbi flamur nga plumbi fashist e kjo është arsyeja pse i bëhej hije faktit historik të demostratës së mesnatës së 31 marsit. Në memuaret e Koço Tashkos shkruhet thekson autori: “Më 1 prill (mbrëmja31 mars) bëhej një shfaqje teatrale nga vajzat e Institutit (Nëna Mbretëreshë), merrte pjesë dhe motra ime, si këngëtare. Shfaqja bëhej me rastin e javës së Gruas shqiptare e s’duhet identifikuar me shfaqjen e po kësaj drame më 31 mars nga Instituti Nëna Mbretëreshë.

Gjashtë vjet më pas në kujtim të 7 prillit të zi, në prill të 1948 botohen kujtime mbresëlënëse për shfaqjen e vajzave që dhanë kushtrimin “Atdheu në rrezik”, dhe s’gjendet e cituar në historografinë moniste, e as sot, madje shfaqja melodramës Besa, sot identifikohet me shfaqjen zyrtare të (31 marsit, të orës 9-30); janë shfaqje të së njëjtës ditë, në të njëjtën sallë kinemaje, në orë të ndryshme, në përfundime të kundërta: shfaqja zyrtare mori duartrokitje të shumë vajzave të Institutit, kurse ajo e vajzave me prani të shumë vajzave të Institutit Nëna Mbretëreshë, djemve të Liceut e qytetarë të thjeshtë përfundoi demostrativisht me daljen të pjesëmarrësve jashtë në rrugë, në demostratë antifashiste që vazhdoi deri afër mëngjesit të 1 prillit të vitit 1939-të. Një ngjarje historike e lënë në harresë për arsye politike. Më tej historiani Vasfi Baruti paraqet ditarin e një liceisti T.Jarani: “E shtunë” Në kinema Gloria jepej shfaqja teatrore me subjekt kombëtar prej vajzave të Institutit Një mori populli asitonte në shfaqje.

SHPËRTHIMI I DEMOSTRATËS

Në mbarim të dramës shpërtheu demostrata. Ishte ora 12 e mesit të natës. Me qindra vetë, pleq e të rinj merrnin pjesë. Këngët patriotike jehonin në qiellin e qetë të Tiranës. Në 4 të mëngjesit demostruesit shpërndahen. Vajza që “s’vdes” mbi flamur! Në memorie të pjesëmarrësve në shfaqje të melodramës Besa, në mesnatën e 31 ishte Ramize Gjebrea, e cila kishte ditë që përgatitej për rolin, ajo kishte prirje artistike, ndoshta për këtë ia kanë besuar rolin. “Në demonstratat, në përleshjet e popullit të Tiranës me karabinierët e policët fashistë, ishte gjithmonë në krye Ramize Gjebrea.

Për aktivitet antifashist i pritet bursa e përjashtohet nga shkolla, duke qënë nën syrin e policisë fashiste. Ramizeja ishte udhëheqëse e Institutit Femëror e më pas e Liceut të Tiranës. Çdo ditë në shkollë do të ndodhte “një skandal”, siç i quante drejtoria fashiste aksionte e vajzave. Një ditë vajzat e rreshtuara për të hyrë në klasë, në vend që të këndonin himnin e rinisë “La giovinezza” ia filluan këngës tonë patriotike “Për mëmëdhenë”. Herë tjetër ishte thyer portreti i Musolinit dhe mësuesja italiane jepte alarmin. Ramizeja ishte tepër aktive në mbledhjet e rinisë antifashiste dhe merrej shumë me redaksinë e gazetës “Kushtrimi”, nga ku shkrojti elegjitë për Ali Demin dhe Misto Mamen. Ajo kishte për zemër temën e Kosovës, Çamërisë njihte mirë historinë e tyre, më shumë të Kosovës. Ajo organizoi grisjen e flamurit fashist në Institutitn Femëror dhe në mëngjes profesorët dhe nxënëset e shkollës u shushatën, kur panë një flamur fashist të grisur. Për këtë arsye shkoi ca kohë tek e motra në Shkodër dhe i vëllai në Gjirokastër, sepse kishte rënë në erë puna e saj si antifashiste. Është ndër më aktivistet e vendit me veprimtarinë e gjerë antifashiste në Tiranë dhe e zgjeron aktivitetin edhe në rrethe të tjera si në Berat, e Shkodër. Është ndër të parat femra që merr pjesë në aksionet e grupeve guerrilase e veshur ndryshe ngaherë, e maskuar me gërsheta dhe syze dielli, shpesh i shmangej çdo kujt që të fotografohej në grup ose prezantohej vetëm me pseudonimin “Intersantja”, ajo fitoi zemrat e rinisë shqiptare.

Demostrata e 28 tetorit 1941. Për tre vjet nga dita e pushtimit fashist, Demonstrata e 28 tetorit ishte i pari demostrim politik antifashist dhe bëhej ditën e fitores së fashizmit “Marshimi mbi Romë”. Në historografinë moniste e botime të tjera, thekson autori Vasfi Baruti, meritë në organizimin dhe udhëheqjen së kësaj demostrate i është dhënë Enver Hoxhës: “Drejtimin e demostratës e mori Enver Hoxha. Demostrata u organizua e udhëhoq nga Enver Hoxha.” Demostrata zuri fill në Kinema Rex, ku autoritet fashiste kishin organizuar mbledhje zyrtare solemne. Mbledhjen e sabotuan nxënësit e shkollave dhe u shndërrua në demonstratë të fuqishme antifashiste masive. Meritat rreket t’i marrë Nexhmije Hoxha tek rrëfen në Jeta ime me Enverin: “U përlesha me fashistët, isha flamurtare e demostaratës” në një vijë zjarri me Enver Hoxhën: me fotomontazh fals në librin e saj. E vërteta shton më tej V.Baruti, është se N.Hoxha s’ishte në demostratë, sepse orët kur bëhej demostrata ishte pjesëmarrëse në ceremoninë fashiste “Marshimi mbi Romë”, e organizuar nga leva fashiste “Rinia e Liktorit Shqiptar fashist”.

E vërteta historike! Në të gjashtin vit nga demostrata e 28 tetorit 1941 vjen redaksionalja e gazetës Luftëtari për “sabotimin” e festës fashiste nga nxënësit e shkollave: “Demostrata filloi në mëngjesin e kësaj date, në kohën kur studentët e gjimnazit dërgohen në sinema Nacional të dëgjonin një konferencë fashiste. Me të arritur para dyerve të sinemasë, studentët nuk dëgjojnë të futen brenda. Ata dinë se aty nuk do të ketë gjë tjetër veçse fjalë helmuese.”

Nuk është e vërtetë dhe përkundrazi pati një grup vajzash dhe djemsh të Liceut të Tiranës e Shkollës Teknike që orvaten të futen në ceremoninë fashiste të sabotojnë në mbajtjen e saj, por nuk u lejuan nga fashistët. Kurse në vitet 1970-të e më pas në historinë politike është shkruar krejt ndryshe, se nxënësit e shkollave ishin ata që me parrullat e këngët patriotike në sallën e ceremonisë fashiste bënë të dështojnë festa fashiste. Gjebrea, mes protogonistëve. Për pjesëmarrje në ceremoninë fashiste e përvjetorit të “Marshimit mbi Romë” ftesa u dërgohejdhe drejtorive të shkollave të mesme të Tiranës me porosi që nxënësit të visheshin me divizë festive e uniform shkollore. “ Ramize Gjebrea udhëheqëse e rinisë antifashite të Liceut të Tiranës” bashkon vajza e djem të Liceut e Shkollës Teknike dhe i motivon të shkojnë e të bëjnë rrëmujë në ceremoninnë fashiste dhe ta mendoje ishte marrëzi…Në fakt nxënësit hynë në kinema pa uniformën festive siç porositej, dhe së andejmi policia sekrete u vu në alarm nga elementët turbullues që ishin të pranishëm në ceremoni, dhe i nxorrën jashtë duke kënduar këngë patriotike nëpër rrugët drejt Liceut të Tiranës ku u bashkuan shumë qytetar tiranas. Sipas Todi Lubonjë Ramizeja ishte ajo që bënte debat me krerët fashistë duke u kërkuar llogari pse nuk i linin të futeshin brenda në kinema. Fashistët u turrën si bisha të egra kundër vajzave demostruese ku bënte pjesë edhe Ramizeja. Demostrata ra si bombë tek krerët fashistë dhe shpejt u identifikuan 112 demonstruesit më aktivë. U përjashtuan nga shkolla shumë student dhe kuestura kërkon informacion të veçantë për Ramize Gjebrenë e bija e Rustemit dhe Sofijes, lindur në Gjirokastër më 1923, banuese në Tiranë. Korrespondenca e Kuesturës së Tiranës përsëritej për kuesturat e Beratit dhe Gjirokjastrës, më 12 shkurt të vitit 1942, dhe për kuesturat Shkodër e Korçë.

Në ditën e flamurit në nëntor 1941 Ramizeja ishte në udhëheqje të Qarkorit të Rinisë Antifashiste të Tiranës me përgjegjësi sekretare politike e qarkorit. “Pas Mbledhjes themeluese të Rinisë Komuniste u organizuan mbledhja për zgjedhjen e Komitetit të Rinisë të Qarkut Tiranë, sekretare politike u zgjodha unë… sekretar organizativ Misto Mame dhe Ramizeja u zgjodh për punë me të rejat, shkruan N. H. E vërteta është ndryshe, shkruan V.Baruti: Xhuglini emërohej sekretare politike dy vjet më pas me ndikim të drejtpërdrejt të Enver Hoxhës tek Nako Spiru (nëntor të 1943), detyrë që e mbajti deri në mars të 1944. Frytet e para të krijimit të qarkorit të rinisë u panë në kremtimin e Ditës së Flamurit… Autoritet fashiste synuan të organizojnë ceremoni zyrtare të marrin në dorë organizmimin e festimit të 28 Nëntorit. Më 24 nëntor të 1941.

/Gazeta Panorama 

1976- Pushimet e mësuesit 22-vjeçar anglez nga Market Harborough në Shqipërinë komuniste

«Ato ishin flokët e mi dikur…» — Philip Burbidge, tashmë me flokë të prerë shkurt anash dhe prapa, i hedh edhe një herë një sy listës së rregullave «çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet» për pushimet e tij, të hartuar nga autoritetet shqiptare. — Burimi: Harborough Mail, e enjte, 29 korrik 1976, ballinë.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Korrik 2026

 

Gazeta angleze “Harborough Mail” ka botuar, të enjten e 29 korrikut 1976, në ballinë, rrëfimin asokohe mbi përgatitjet e udhëtimit të një mësuesi anglez 22-vjeçar drejt Shqipërisë komuniste, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Pushime ndryshe nga të tjerat ?

Philip-i rregullohet për vizitën në Shqipëri

 

 

Burimi: Harborough Mail, e enjte, 29 korrik 1976, Ballinë.

Pushimet e një 22-vjeçari nga Market Harborough në Shqipërinë komuniste u shndërruan në një përvojë të pazakontë që para se ai të largohej nga vendi i tij.

 

Sepse Philip Burbidge, nga 225 Welland Park Road, Market Harborough, duhej të priste flokët përpara se autoritetet shqiptare ta lejonin të hynte në vend.

 

Për të marrë vizën për pushimet e tij dyjavore, Philip-it iu desh t’u përmbahej një liste të gjatë dhe të hollësishme «kërkesash».

 

Përveç prerjes së flokëve shkurt anash dhe prapa, atij nuk i lejohej të vishte pantallona me fund të zgjeruar (flared) apo këpucë moderne.

 

«Ngjyrat e ndezura dhe stilet moderne të veshjes nuk janë të pranueshme», thonë autoritetet shqiptare.

 

Megjithatë, pikërisht këto kufizime – dhe ka edhe shumë të tjera – ishin ato që e tërhoqën mësuesin nga Harborough drejt këtij vendi.

 

«Fakti që është kaq e vështirë të hysh atje e bënte edhe më tërheqës,» tha Philip, i cili punon në shkollën fillore Great Bowden. «Sa më shumë kufizime, aq më e madhe ishte tërheqja.»

 

«Vendi është një enigmë e vërtetë. Dihet shumë pak për të, sepse pak njerëz lejohen të hyjnë, ndaj doja të mësoja më shumë.»

 

Philip-i nuk u lejua të hynte në Shqipëri deri këtë javë për shkak të «problemeve të brendshme». Më në fund ai u nis të hënën me avion përmes Jugosllavisë.

 

Nga aeroporti pritej të dërgohej në një kompleks hotelesh në Durrës.

 

Atij i ishte thënë se kompleksi ishte i ndarë nga pjesa tjetër e qytetit dhe se, nëse dikush dëshironte të vizitonte zonën përreth, do të shoqërohej nga një udhërrëfyes turistik.

 

«E vetmja gjë që më frikëson është se mund të bëj pa dashje diçka të papranueshme,» tha Philip. «Ne jetojmë në një vend ku lejohet pothuajse çdo gjë, por ata nuk ka gjasa të jenë kaq mirëkuptues.»

 

Të paktën, nëse i përmbahet rregullave të përcaktuara qartë, Philip duhet t’i shijojë pushimet e tij të disiplinuara. Siç shprehen autoritetet shqiptare: «Nëse nuk prisni mrekulli, mund të mbeteni të kënaqur nga ajo që do të gjeni.»

Lennox Herald (1979) “Përvoja ime shqiptare!” — Rrëfimi ekskluziv i Murdo MacLeod (futbollistit të Celtic) pas kthimit nga Tirana

Pas kthimit nga udhëtimi i tij në Shqipëri, Murdo MacLeod me bashkëshorten Mhairi dhe vajzat Gilan dhe Mhairi (anëtarja më e re e familjes). — Burimi : Lennox Herald, e premte, 28 shtator 1979, ballinë.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Korrik 2026

 

Gazeta skoceze “Lennox Herald” ka botuar, të premten e 28 shtatorit 1979, në ballinë, rrëfimin ekskluziv asokohe të Murdo MacLeod (futbollistit të Celtic) pas kthimit të tij nga Tirana, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Përvoja ime shqiptare!

Burimi : Lennox Herald, e premte, 28 shtator 1979, ballinë.

Murdo MacLeod tregon se si është në të vërtetë jeta atje

Ekskluzive nga Eric Wishart

 

Futbollisti i Celtic-ut nga Dumbartoni, Murdo MacLeod, kryqëzoi duart pas kokës, ngriti këmbët mbi tavolinën e sallonit dhe tha me një buzëqeshje ironike:

 

«Epo, të paktën kishte një gjë të mirë në Shqipëri – gratë bënin gjithë punën.»

 

Murdo zbuloi se kishte pak arsye për t’u gëzuar në atë vend të vogël, i cili kishte jetuar nën regjimin e hekurt të Enver Hoxhës që nga vitet 1940.

 

«Më pëlqeu udhëtimi,» tha ai disa orë pasi ishte kthyer në shtëpinë e tij komode në Barnhill Road, Dumbarton. «Por nëse do të doja të jetoja atje, kjo është një çështje krejt tjetër.»

 

Avioni çarter i ekipit Celtic u ul në një aeroport të izoluar pranë Tiranës dhe udhëtimi gjysmëorësh me autobus drejt qytetit u dha menjëherë një ide të jetës shqiptare.

 

«Fushat ishin plot me gra që punonin me vegla të vjetra dore,» kujton Murdo.

 

«Nuk shihje burra duke punuar askund. Ishte e çuditshme. Kur mbërritëm në qytet, nuk kishte fare trafik. Njerëzit ose ecnin në këmbë, ose lëviznin me biçikletë. »

 

«Gjithashtu kishte shumë ushtarë përreth; disa ishin në pushim dhe thjesht rrinin, por shumë të tjerë ishin të armatosur dhe ruanin ndërtesat publike.»

 

Veshja ishte «si në fillim të viteve ‘60 dhe pa ngjyra». Edhe pse njerëzit dukeshin miqësorë, lojtarët kishin pak kontakte me ta.

 

«Komunikonim përmes një përkthyesi, i cili ishte i vetmi që dinte anglisht. Ata u përpoqën shumë të na bënin të ndiheshim si në shtëpi. »

 

«Hoteli nuk ishte i keq; dhomat kishin vaskë dhe dush, një radio të vjetër dhe një telefon të lashtë – sikur të ishte i vitit 1902. »

 

«Na pyetën çfarë donim të hanim dhe ne zgjodhëm pulë me patate të skuqura. Dukej zgjedhja më e sigurt. Madje e hëngrëm dy herë.»

 

Surpriza e tyre e parë e madhe ishte në seancën stërvitore të së martës në mbrëmje, kur rreth 10.000 njerëz erdhën për ta parë.

 

Ndeshja u zhvillua pasditen e ditës pasuese, në vapë të madhe, përpara rreth 35.000 spektatorëve.

 

Tashmë është histori se Partizani fitoi 1–0. Shqiptarët dominuan 35 minutat e para dhe më pas patën fat që ruajtën avantazhin deri në fund.

 

Tetë kamera televizive e filmuan ndeshjen nga të gjitha këndet, një fakt që, sipas tij, kompanitë tona televizive duhet ta marrin si shembull.

 

«Detyra jonë ishte të luanim futboll dhe jo të shqetësoheshim se kush lejohej të vinte. Por një gjë është e sigurt : do t’i mundim shqiptarët kur të vijnë në Parkhead.»

 

Skuadra kaloi pak kohë jashtë hotelit, duke kaluar orët e lira në dhomat e tyre.

 

Aktiviteti i tyre kryesor shoqëror ishte një banket pas ndeshjes, ku shqiptarët kënduan disa këngë dhe skocezët bënë të njëjtën gjë, duke përfshirë edhe këngën tradicionale «Flower of Scotland».

 

Kur më në fund u larguan, u vonuan një orë – por, ndryshe nga fluturimet turistike britanike, kjo nuk ndodhi për shkak të trafikut ajror.

 

«Nuk kishte asnjë avion që mbërrinte apo nisej – ne ishim i vetmi fluturim në aeroport,» tha Murdo.

 

Megjithëse nuk ka gjasa që ai të kthehet ndonjëherë në Shqipëri, Murdo nuk bleu asgjë për ta kujtuar vizitën e tij.

 

Blerja e vetme që bëri gjatë udhëtimit ishte në dyqanin duty-free gjatë rrugës për në shtëpi.

100 vite jetë – historia e Rustem Mulosmanit

Mulosmanët është një dokumentar që rrëfen jetën dhe kujtimet e Rustem Mulosmani, një burrë që ka përjetuar një shekull histori në trevat e Tropojës. Përmes rrëfimeve të tij, ky film sjell trashëgiminë, traditat dhe shpirtin e një familjeje dhe një krahine që kanë kaluar brez pas brezi, duke ruajtur identitetin dhe historinë e tyre. Një udhëtim i qetë dhe emocional mes kujtimeve, natyrës dhe fjalës së vjetër shqiptare.

🎬 Titulli: Mulosmanët

🎬 Regjia: Fatjon Shusha & Sokol Mulosmani

🎥 Kamera: Fatjon Shusha & Denis Muka ✂️

Montazhi: Fatjon Shusha

DOSJA- Arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri në Francë, SPAK ndan detajet: Parisi u njoftua që më 19 qershor, me kartelë të kuqe në Interpol prej vitit 2025! Akuzat, pasuritë dhe detajet

Prokuroria e Posaçme zbardh operacionin e arrestimit të biznesmenit Ermal Beqiri në Francë, i akuzuar për shumë vepra penale që lidhen me skandalin e dosjes së AKSHI-t, tenderimet dhe sekuestrimin e pasurive.

Me një njoftim zyrtar, SPAK informon se prej dhjetorit 2025 Beqiri sikurse edhe Ergys Agasi, ishin me kartelë të kuqe nga Interpol Tirana, pra në kërkim ndërkombëtar.

Në 19 qershor janë njoftuar autoritetet në Francë për informacion në lidhje me Beqirin, për të cilin kishte të dhëna se ndodhej atje. U verifikuan gjithashtu aktivitetet dhe bizneset apo pasuritë e tij atje dhe në Shqipëri.

Miliona euro pasuri i janë sekuestruar deri tani.

Beqiri u kap duke fluturuar mbi një central bërthamor në Pleny të Francës veriore disa ditë më parë, ndërsa kishte me vete edhe disa pajisje GPS. SPAK tha se pret ekstradimin e tij sa më të shpejtë.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime për llogari të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për llogari të të cilit, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit E.B, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal”, thuhet mes të tjerash në dosje, për veprat e ngritura ndaj tij.

Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme:

“Mbi arrestimin për qëllime ekstradimi të shtetasit E.B.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime për llogari të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për llogari të të cilit, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit E.B, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personave nën hetim dhe konkretisht shtetasve E.A dhe E.B. me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme te Shkalles se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Me shkresën nr. 43981 prot, datë 24.12.2025, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, i është kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, shpallja në kërkim ndërkombëtar të këtyre shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Shpallja në kërkim ndërkombëtar është pasqyruar edhe në database të Interpol Tirana me “njoftim të kuq” (red notice).

Më datë 19 qershor 2026, Prokurorët e Posaçëm të SPAK, kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen e shtetasit E. B, në kushtet kur nga informacioni i disponuar dyshohej se ky shtetas ndodhej në territorin e Republikës Franceze.

Në momentin e kësaj kërkese, shtetasi E.B ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” (Red Notice) të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve gjyqësore shqiptare për qëllime arrestimi dhe ekstradimi. Pas marrjes së kësaj kërkese, SSI kontaktoi menjëherë Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) Franceze, duke mundësuar fillimin e menjëhershëm të hetimeve në territorin francez. Po atë ditë, u vendos një bashkëpunim i ngushtë me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO).

Hetimet fillestare sugjeronin se E.B. ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut. Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente , u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj,

Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre.

Këto hetime, të kryera nga Brigada Kombëtare e Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF), çuan gjithashtu në zbulimin e automjeteve që mund të ishin përdorur nga personi në kërkim dhe lejuan që operacionet në terren të përqendroheshin më saktësisht në atë zonë gjeografike.

Njëkohësisht, u angazhua Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF) për të kryer hetime financiare lidhur me asetet kriminale të identifikuara në Francë dhe për të përgatitur — në koordinim me autoritetet gjyqësore franceze dhe shqiptare masa sekuestrimi që do të zbatoheshin në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.

Që nga data 19 qershor 2026, shkëmbimet operacionale midis Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (SSI), magjistratit ndërlidhës dhe shërbimeve të policisë gjyqësore kanë qenë të vazhdueshme. Ky koordinim i përditshëm ka mundësuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe përshtatjen e vazhdueshme të hetimeve.

Më datë 24 korrik 2026, shtetasi E.B u arrestua nga autoritetet ligjzbatuese franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme). Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Republikës së Shqipërisë. Hetimet gjyqësore po kryhen tani nga njësi të specializuara të Drejtorisë Kombëtare të Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me SPAK-un.

Hetimet financiare po zhvillohen paralelisht për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale të identifikuara në territorin francez, në kuadër të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor.

Me kërkesë te Prokurorisë së Posaçme autoritetet franceze kane kryer kontrollin personal si edhe të disa ambienteve në pronësi të shtetasit E.B., ku janë sekuestruar sende qe vlerësohen me interes për procedimin penal.

Nga ana e Prokurorisë së Posaçme i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ti përcjellë autoriteteve kompetente të Republikës së Francës, kërkesa për ekstradimin nga Republika e Francës në Republikën e Shqipërisë së shtetasit E.B.

Prokuroria e Posaçme gjen rastin të falënderojë për bashkëpunimin; Policinë e Shtetit, ZQK Interpol Tirana, Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Ambasadën Franceze në Tiranë, Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore (DNPJ) Franceze, Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) në Francë, Brigadën Kombëtare të Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF) Francë si dhe Magjistratin ndërlidhës të Republikës së Francës, i cili siguroi komunikimin e rrjedhshëm midis autoriteteve gjyqësore franceze dhe shqiptare dhe kontribuoi në ndjekjen e vazhdueshme të procedurave.

Një rrugëtim sakrifice dhe kujtese: Rahim Beqiri – Komandant Roki dhe brezi i luftëtarëve që lanë gjurmë në historinë e shqiptarëve- Nga Isuf B.Bajrami

Një portret për një luftëtar të tri etapave të rezistencës shqiptare dhe për brezin e emrave që u lidhën nga sakrifica, përkushtimi dhe kujtesa historike

Ka njerëz që kalojnë nëpër kohë vetëm si emra, por ka edhe të tjerë që bëhen pjesë e kujtesës së një brezi. Jeta e tyre lidhet me periudha të rëndësishme historike dhe me ngjarje që kanë lënë gjurmë të thella në shoqëri.

Një ndër këta emra është edhe Rahim Beqiri – Komandant Roki.

Rrugëtimi i tij jetësor përfshin disa nga periudhat më të ndjeshme të historisë së shqiptarëve në fundin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI. Nga rinia e tij e formuar në frymën e angazhimit shoqëror e atdhetar, te vitet e mërgimit, lufta në Kosovë, zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe lufta e vitit 2001 në Maqedoni, jeta e tij u ndërthur me një epokë të trazuar ndryshimesh.

Njëzet e pesë vjet pas rënies së tij, emri i Rahim Beqirit vazhdon të ruhet në kujtesën e familjes, bashkëluftëtarëve dhe atyre që e shohin atë periudhë si një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve.

Rrënjët e një atdhetari

Rahim Beqiri lindi më 1 janar 1957 në fshatin Kopërnicë të Kamenicës. U rrit në një mjedis familjar ku arsimi, puna dhe lidhja me vendin kishin një rëndësi të veçantë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Dardanë (ish-Kamenicë). Më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ku u diplomua në vitin 1980.

Ishte një periudhë kur Universiteti i Prishtinës ishte një nga qendrat më të rëndësishme të jetës intelektuale dhe shoqërore të shqiptarëve në Kosovë. Në këtë mjedis u formua një brez i të rinjve që përballeshin me sfidat politike dhe shoqërore të kohës.

Në vitin 1981, Kosova u përfshi nga demonstrata të mëdha studentore dhe qytetare. Rahim Beqiri u përfshi në ato zhvillime dhe, për shkak të këtij angazhimi, u përball me ndjekje, burgosje dhe presione nga autoritetet e atëhershme jugosllave.

Këto përvoja ndikuan në formimin e tij dhe në rrugën që do të ndiqte më pas.

Mërgimi dhe vazhdimi i angazhimit

Në fillim të viteve ’90, për shkak të rrethanave të vështira politike në Kosovë, Rahim Beqiri u largua drejt Gjermanisë.
Por mërgimi nuk e shkëputi nga vendlindja dhe nga zhvillimet që preknin popullin e tij. Ai vazhdoi të ishte aktiv në mesin e mërgimtarëve shqiptarë dhe në lëvizjet e grupet e tyre që zhvillonin veprimtari kombëtare në interes të atdheut.

Për shumë shqiptarë të asaj kohe, diaspora ishte një hapësirë ku vazhdohej puna për ruajtjen e identitetit, për organizimin dhe për mbështetjen e proceseve që zhvilloheshin në Kosovë.

Edhe Rahim Beqiri e vazhdoi këtë rrugë. Për të, lidhja me atdheun nuk përcaktohej nga largësia fizike, por nga përkushtimi dhe përgjegjësia që ndiente ndaj vendit të tij.

Kur Kosova hyri në periudhën e luftës, ai u kthye dhe u bë pjesë e zhvillimeve që do të shënonin një kthesë historike.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Karadaku si një kapitull i rezistencës

Me fillimin e luftës në Kosovë, shumë veprimtarë dhe njerëz që kishin qenë të angazhuar në forma të ndryshme për çështjet politike e shoqërore të kohës, iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mesin e tyre ishte edhe Rahim Beqiri.

Pas viteve të angazhimit në mërgim, ai u kthye në Kosovë dhe u rreshtua në radhët e UÇK-së, duke u angazhuar në Zonën Operative të Karadakut. Kjo zonë, me traditë të gjatë të qëndresës shqiptare, ishte një nga hapësirat ku u zhvilluan përballje të rëndësishme gjatë luftës së Kosovës.

Me përvojën e fituar ndër vite, me formimin e tij organizativ dhe me përkushtimin ndaj detyrave që iu besuan, Rahim Beqiri u bë pjesë e strukturave të luftës dhe e përpjekjeve të asaj kohe.

Karadaku ishte një hapësirë ku shumë njerëz të brezit të tij u bashkuan në një rrugëtim të vështirë. Aty u shkruan shumë histori individuale, por edhe një histori e përbashkët e një treve që përjetoi drejtpërdrejt dramën e luftës.

Në këtë kujtesë lidhet edhe emri i Isa Kastratit, i cili ra si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut. Së bashku me shumë luftëtarë të tjerë, ai mbetet pjesë e historisë së kësaj treve dhe e brezit që u përball me sfidat e kohës.

Nga Kosova në Luginën e Preshevës – vazhdimi i një rrugëtimi

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon vazhduan të ishin të ndërlikuara. Në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u hap një kapitull i ri, i lidhur me kërkesat dhe përballjet e shqiptarëve të asaj treve.
Rahim Beqiri vazhdoi angazhimin e tij dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në këtë periudhë, ai ishte një nga njerëzit që bartnin me vete përvojën e fituar nga lufta në Kosovë. Përballë zhvillimeve të reja, shumë ish-luftëtarë u përfshinë në një realitet tjetër historik, në një përpjekje për të përballuar sfidat që paraqiteshin në Luginën e Preshevës.

Kujtesa e kësaj periudhe lidhet edhe me emra të tjerë të njohur, ndër ta Komandant Fatmir Ibishi Nijazi Azemi – Komandant Mjekrra .

Secili prej këtyre njerëzve kishte rrugëtimin e vet, por emrat e tyre u ndërthurën në kujtesën e një kohe të veçantë. Ata përfaqësojnë një brez që u përball me zhvillime të mëdha dhe me vendime të vështira historike.

Viti 2001 – kapitulli i fundit i rrugëtimit

Në vitin 2001, zhvillimet në Maqedoni sollën një periudhë të re përballjesh. Në këtë kohë u krijua Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe në radhët e saj u përfshinë shumë shqiptarë me përvojë nga luftërat dhe zhvillimet e mëparshme.
Rahim Beqiri u bë pjesë e këtij kapitulli. Fillimisht u angazhua në zonën e Tanushës, ndërsa më pas vazhdoi veprimtarinë në zonën e Tetovës.

Përvoja e tij e gjatë bëri që atij t’i besohej detyrë drejtuese dhe ai mori përgjegjësinë e komandantit të batalionit në zonën e luftimeve në rrethin e Tetovës, në lokalitetin e Drenovecit.

Në këtë periudhë lidhet edhe kujtesa për Komandant Tahir Sinanin, një nga figurat e njohura të luftës së vitit 2001 në Maqedoni.

Kështu, rruga e Rahim Beqirit u ndërthur me rrugët e shumë bashkëkohësve të tij. Nga Kosova, në Luginën e Preshevës dhe më pas në Maqedoni, ai ishte pjesë e një brezi që jetoi në një periudhë të jashtëzakonshme historike.

1 gushti i vitit 2001 – dita që mbeti në kujtesë

Ka data që nuk mbeten vetëm shënime në kalendar, por shndërrohen në pjesë të kujtesës së një familjeje, të bashkëluftëtarëve dhe të një shoqërie të tërë.
Për familjen e Rahim Beqirit, për ata që ndanë me të rrugën e luftës dhe për të gjithë ata që ruajnë kujtimin për të, 1 gushti i vitit 2001 ishte një ditë e tillë.

Më 1 gusht të vitit 2001, gjatë luftimeve në zonën e Drenovecit të Tetovës, Rahim Beqiri – Komandant Roki u plagos rëndë. I transportuar me urgjencë në Spitalin e Prishtinës, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai ndërroi jetë natën e 1 gushtit 2001, në moshën 44-vjeçare.

Të nesërmen, më 2 gusht 2001, u përcoll për në banesën e fundit me nderime ushtarake dhe u varros në Varrezat e Dëshmorëve në Dardanë.

Rënia e tij shënoi humbjen e një bashkëluftëtari për ata që kishin ndarë me të vështirësitë e luftës, dhimbjen e një familjeje që humbi njeriun e saj të dashur dhe një tjetër kapitull të rëndë në kujtesën e një brezi të tërë.

Një familje që ruan kujtimin

Pas vetes Rahim Beqiri la bashkëshorten, tre bij dhe një bijë. Për familjen e tij, kujtimi për të është një pjesë e pandarë e jetës, një kujtim që lidhet me dhimbjen e humbjes, por edhe me respektin për rrugën që ai ndoqi.
Familja ka marrë mirënjohje dhe dekorata nga strukturat përkatëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij.

Por përtej çdo vlerësimi formal, trashëgimia më e madhe e tij mbetet kujtesa njerëzore: rrëfimet e familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e ruajnë emrin e tij me respekt.

Një brez emrash të lidhur nga kujtesa

Historia e Rahim Beqirit nuk qëndron e shkëputur nga historia e të tjerëve. Ajo është pjesë e një rrëfimi më të gjerë për një brez njerëzish që jetuan në një periudhë të vështirë dhe vendimtare.
Nga Karadaku i Kosovës, ku kujtohet edhe sakrifica e Isa Kastratit dhe e shumë luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, te Lugina e Preshevës, ku mbeten pjesë e kujtesës emrat e Nijazi Azemit – Komandant Mjekrra dhe Komandant Fatmir Ibishit, e deri te lufta e vitit 2001 në Maqedoni, ku lidhet edhe emri i Komandant Tahir Sinanit, shtrihet një rrugëtim i një brezi me histori të ndërthurura.

Pas secilit emër qëndron një jetë njerëzore, një familje, një vendlindje dhe një rrugëtim i veçantë. Prandaj kujtimi për njërin lidhet natyrshëm edhe me kujtimin për të tjerët.

Kujtesa që vazhdon

Njëzet e pesë vjet pas rënies së tij, Rahim Beqiri – Komandant Roki vazhdon të jetë pjesë e kujtesës së atyre që e njohën dhe e atyre që ruajnë historinë e asaj periudhe.
Jeta e tij ishte një rrugëtim përmes kohëve të vështira: nga formimi i tij i hershëm, angazhimi në mërgim, lufta dhe sakrifica përfundimtare.

Historia nuk ruhet vetëm në dokumente dhe arkiva. Ajo ruhet edhe në kujtesën e njerëzve, në rrëfimet që kalojnë nga një brez te tjetri dhe në respektin për ata që lanë gjurmë në kohën e tyre.

Rahim Beqiri – Komandant Roki mbetet pjesë e kësaj kujtese.

Lavdi kujtimit të Rahim Beqirit – Komandant Roki dhe të gjithë atyre që lanë gjurmë në historinë e shqiptarëve.

Shënim për lexuesin: Ky shkrim është përgatitur në frymën e një kujtimi përkujtimor për jetën dhe rrugëtimin e Rahim Beqirit – Komandant Roki, duke u mbështetur në të dhëna biografike dhe materiale për periudhën historike në të cilën ai jetoi dhe veproi.

Vendi i Lekës,01.08.2026

“Më 1958, Fan S. Noli i dërgoi një letër senatorit John F. Kennedy, ku e uronte dhe e mbështeste për kandidaturën e tij presidenciale, duke e cilësuar atë si…” Historia e panjohur e Peshkopit shqiptar

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, pak momente kanë pasur aq domethënie sa periudha e viteve ’50–’60, kur idealet e Presidentit John F. Kennedy për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor u përputhën me vizionin e Imzot Fan S. Nolit, prijës shpirtëror, mendimtar, diplomat e reformator i kombit shqiptar. Të dy këta burra – njëri në majat e pushtetit amerikan, tjetri në përkushtimin e tij ndaj një kombi të vogël – ndanin të njëjtin ideal të drejtësisë universale dhe përparimit njerëzor. Noli besonte se “një komb i vogël mund të mbijetojë vetëm nëse mban shpirtin e tij të lirë”, ndërsa Kennedy shpallte se “liria është përgjegjësi e përbashkët e njerëzimit”.

Të dy këto parime, të lindura në Massachusetts, u shkrinë në një filozofi që e lidhte Shqipërinë dhe Amerikën përtej gjeografisë – përmes vlerave.

II. Mjedisi i përbashkët: Harvard, Boston dhe “Vatra”

Fan S. Noli u diplomua në Harvard University më 1912, duke u bërë një nga intelektualët e parë shqiptarë me arsimim të lartë amerikan. Në të njëjtin universitet, disa dekada më vonë, u formua edhe John F. Kennedy, me po të njëjtin frymëzim për lidership dhe reformë demokratike.

Në Harvard, Noli u ndikua nga filozofia unit-ariane dhe humaniste, ndërsa Kennedy u ushqye nga parimet e etikës liberale dhe përgjegjësisë publike. Kjo afërsi intelektuale krijoi një vijë ideore që do të reflektonte në mënyrën si dy personalitetet kuptonin raportin midis politikës dhe moralit.

Boston – qendra e ndërgjegjes shqiptaro-amerikane
Boston mbeti për të dy simbol i përbashkët: për Nolin si shtëpi shpirtërore dhe qendër e “Vatrës”, për Kennedy-n si bazë politike dhe morale e karrierës së tij. Në Boston, Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare dhe gazetën “Dielli”, që për dekada u bë zëri i lirisë dhe i demokracisë shqiptare në Amerikë. Nga ana tjetër, Kennedy si senator i Massachusetts-it (1953-1960), shpesh vizitonte komunitetet emigrante të qytetit, përfshirë edhe ato shqiptare, duke shprehur respekt për punën e tyre komunitare e patriotike. Në një nga takimet e organizuara nga “Vatra” në fund të viteve ’50, përfaqësuesit shqiptarë i dorëzuan Kennedy-t një kopje të “Historisë së Skënderbeut”, me përkushtimin: “Për një mik të popullit shqiptar dhe të lirisë.”

III. Korrespondenca dhe respekti i ndërsjellë

Në arkivin e Federatës “Vatra” ruhet një letër e Fan S. Nolit drejtuar senatorit Kennedy (1958), ku i shprehej urimi dhe mbështetja për kandidaturën e tij presidenciale, duke e cilësuar si “zë i shpresës së re të Amerikës dhe popujve të vegjël”.

Në prill 1961, pak muaj pas inagurimit të tij si President, Kennedy i dërgoi një mesazh zyrtar Federatës “Vatra” me rastin e 50-vjetorit të themelimit, duke vlerësuar kontributin e shqiptarëve të Amerikës për ruajtjen e idealeve demokratike.

Ky ishte rasti i parë kur një President amerikan përmendte drejtpërdrejt “popullin shqiptar” në një dokument zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.

IV. Politika e Kennedy-t ndaj Europës Lindore dhe Shqipërisë

Ndryshe nga administratat e mëparshme, Kennedy zhvilloi një politikë më të nuancuar ndaj vendeve të bllokut lindor, duke ndarë regjimet totalitare nga popujt e shtypur. Në një memorandum të Departamentit të Shtetit (1962), udhëzonte ambasadat dhe radiot diplomatike që të dallonin midis “politikës së qeverive komuniste” dhe “ndjenjave njerëzore të popujve të robëruar”.

V. Shembuj konkretë të mbështetjes amerikane ndaj shqiptarëve në mërgatë

Kjo frymë u reflektua edhe në qëndrimin ndaj Shqipërisë. Kennedy nuk e njohu regjimin e Enver Hoxhës, por kurrë nuk mbylli kanalet humanitare dhe kulturore, duke lejuar programet për refugjatët dhe komunikimin përmes “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, që mori mbështetje të posaçme gjatë viteve 1961-1963. Në një predikim të tij në Kishën Shqiptare të Bostonit (1962), Noli kishte dhënë shembuj konkretë të mbështetjes amerikane ndaj shqiptarëve në mërgatë

– Programet humanitare të USAID (1961–1963): dhjetëra shqiptarë të arratisur nga regjimi komunist u pranuan në SHBA përmes Refugee Relief Act. -“Zëri i Amerikës” – transmetimet në shqip: nën administratën Kennedy, u sigurua mbështetje e re financiare që programet në shqip të mos ndërpriteshin.

– Përfshirja e diasporës shqiptare në fushatat ndërkombëtare të lirisë: në Konventën e Minoriteteve të Amerikës (1962), Kennedy përmendi me vlerësim komunitetin shqiptar si model i integrimit dhe ruajtjes së identitetit.

VI. Noli dhe Kennedy – dy simbole të së njëjtës dritë

Në thelb, Noli dhe Kennedy përfaqësonin dy krahë të një ideali të përbashkët:

– Noli – shpirtin e një kombi të vogël që kërkonte dritë në errësirën e tiranisë;

-Kennedy – fuqinë e një shteti të madh që ndriçonte përmes drejtësisë dhe lirisë.

Pas vrasjes së Kennedy-t (nëntor 1963), Noli u shpreh në një homazh në Kishën e Bostonit:

VII. Trashëgimia e përbashkët në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

Fan Noli mbetet pararendësi shpirtëror i diplomacisë shqiptaro-amerikane. Ai krijoi urën e parë të besimit, kulturës dhe respektit reciprok midis dy kombeve. Kennedy e institucionalizoi këtë marrëdhënie përmes politikës së tij liberale, duke afirmuar se “Amerika nuk mund të jetë e lirë nëse kombet e tjerë janë të shtypur.”

Në thelb, vizioni i Nolit për një Shqipëri demokratike dhe vizioni i Kennedy-t për një botë të drejtë mbeten themeli i aleancës së sotme shqiptaro-amerikane dhe i mbështetjes historike që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për pavarësinë e Kosovës.

Fan S. Noli dhe John F. Kennedy nuk ishin thjesht dy personalitete që jetuan në kohë të ndryshme, por dy mendje që besuan në të njëjtën dritë. Njëri e solli atë nga ideali i kombit të vogël, tjetri nga përgjegjësia e kombit të madh.

Ky bashkim simbolik midis Bostonit dhe Tiranës, midis Harvardit dhe “Vatrës”, është themeli shpirtëror i miqësisë shqiptaro-amerikane – një miqësi që, siç do të thoshte Noli, “nuk ka kufij, sepse liria nuk njeh kufij”. / Memorie.al

Masakra e Negovanit dhe urdhri i Vangjelit të Zi! Prifti që bekoi krimet ndaj shqiptarëve, dosja e errët e 12 shkurtit 1905

HYQMET ZANE

PROLOG
Njohja intelektuale e historisë më orienton tek rrugët që duhet të ndjekim ne si shqiptarë, në një kohë që kryeministri i sotëm shqiptar nuk ka një strategji kombëtare për dosjet e shumta të çështjeve kombëtare, që lidhen me fqinjët tanë antishqiptarë dhe mungesa e strategjisë që t’i trajtojë në vendin e tij. Ai shkon e vjen në Athinë dhe Beograd pa pasur me vete dosjen e të vërtetave historike në marrëdhëniet me këto shtete fqinjë, ndaj dhe flet broçkulla në sytë e homologëve të tij. Doja t’i kujtoja zotit kryeministër se historia nuk mund të harrohet, aq më tepër ku vjen fjala për Çamërinë, por edhe për të gjithë kombin shqiptar përballë shovinizmit grek dhe serb. Po të njohësh një realitet të ndodhur që duhet të dijë kryeministri dhe sejmenët e tij diplomatët patronazhistë se asnjëherë nuk i është thënë për ngjarjet në Çamëri në atë 27 qershor dhe më pas. Pa harruar se ka edhe ngjarje të hershme si ajo që ndodhi në Negovan të territorit shqiptar para copëtimit të territoreve nga Konferenca e ambasadorëve të Londrës më 1913 dhe që ishte prologu që iu referua ambasadorëve në Angli. Fati i shqiptarëve të kriminalizuar nga fryma e urrejtjes nacionale nga një prift grek apo serb ka qenë modeli i sjelljes së fqinjëve të shqiptarëve. Një realitet historik flet më shumë se sa komentet apo togfjalëshat folklorik të kryeministrit.

Realiteti historik

Për hir të së vërtetës i kujtoj kryeministrit se çfarë ka ndodhur më atë fillim shekulli XX, me planin dhe organizimin e masakrës që bëri dhespoti i Kosturit, Germanos Karavangjelis, më 10 shkurt të vitit 1905, kur erdhi në kishën shqiptare të Negovanit dhe mori pjesë në përkujtimin e Shën Haral lambit, dëshmor i besimit të krishterë. At Kristoja përmendi edhe emrin e babait të tij, të ndjerin Harallamb. Dhespoti grek, kur dëgjoi At Kriston të ligjëronte në gjuhën shqipe, u xhindos dhe u largua nga kisha pa u takuar me besimtarët e mallkoi: “Mos e zëntë gjallë viti i ardhshëm!”. Karavangjelisi (Vangjeli i Zi) i urdhëroi andartët, që të vrisnin në Negovan 25 atdhetarë shqiptarë, me në krye Papa (At) Kriston) dhe vëllain e tij Theodhosin. Masakrimi i tmerrshëm u krye pas disa orësh në mesnatën e datës 12 shkurt 1905 me thika, hanxharë dhe sëpata nga banda shoviniste greke në pyllin afër fshatit.

REFLEKSIONE TË HIDHURA HISTORIKE

U informova për këtë ngjarje dhe kuptova që çfarë pasojash tragjike ka pasur kombi shqiptar nga udhëheqësia që i ka bërë kisha dhe priftërinjtë grek ndaj shqiptarëve. Konica ynë i nderuar thotë se “Grekët e pushtuan Epirin me kryqe dhe kisha”, kurse shkrimtari i nderuar Bilal Xhaferi ka thënë se “Grekët e pushtuan Epirin me trastën e lypësit”, për të shtuar se këta priftërinj kanë përdorur të gjitha krimet monstruoze mbi shqiptarët, ndaj burrave atdhetarë. Ky model antishqiptar i sjelljeve të priftërinjve grekë ka qenë edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës nga fryma kriminale e priftërinjve serbë e sllavë në tërësi. Kështu ka ndodhur edhe ndaj mësuesve të gjuhës dhe atdhetarëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare, po ashtu siç ka ndodhur ndër shekuj siç edhe na e ka shkruar në publicistikën e tij i madhi Faik Konica tek “Ju rrëfej grekët” me ato ngjarje drithëruese. Po kështu ndodhi edhe gjatë luftës ballkanike pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë që priftërinjtë frymëzonin në emër të institucionit të tyre udhëhiqnin masakrimet vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë dhe mendonin dhe flisnin shqip, vetëm pse ata atdhetarët dhe figura të shquara të kombit ishin shqiptarë dhe jo grekë apo serbë.

Lind pyetja: Pse kjo ndjesi e ortodoksisë ndaj shqiptarëve sido që të ishin myslimanë apo të krishterë sidomos ? Janë të fiksuara në kujtesën tonë historike emrat e mësuesve që nga Dhaskal Todri dhe deri tek Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani etj., etj.. Nga gjithçka kam lexuar dhe jam informuar ky ka qenë modeli i priftërinjve grekë në tokën shqiptare. Kështu ndodhi edhe në masakrat në Panarit, kështu ndodhi edhe në Korçë sidomos dhe në të gjithë Shqipërinë e Jugut. E dukshme dhe e spikatur është fryma e urrejtjes dhe udhëheqja që i bënë këta priftërinj masakrave në Çamëri. Ata kanë emra dhe njihen paudhësitë e tyre kriminale. Ndër klerikët e implikuar me krimet në Çamëri mund të përmend: – Dhespoti i Janinës Spiridhoni në bashkëpunim me zv.prefektin e Gumenicës vendosën internimin e 5000 çamëve nga 14 – 70 vjeç në ishujt e Egjeut etj.

– Mitropoliti i Paramëthisë në pabesi me Napoleon Zervën kryen masakrën e Paramëthisë e të gjithë Çamërisë në vitet 1944-1945. Çuditërisht këta priftërinj dhe shumë si këta nuk pësuan asnjë hakmarrje sepse shqiptarët nuk ishin kriminelë. Më keq akoma që shtetit grek nuk ka kërkuar një herë të falur ndaj gjithë kësaj vazhdimësie shekullore të krimeve të priftërinjve grekë ndaj shqiptarëve. Këta korbët e zinj të shoqëruar nga andartët e të zezave flisnin në emër të Zotit?! Kam bindjen dhe kam marrë informacione se në librat e shenjtë asnjëherë nuk flitet për hakmarrje të njeriut ndaj njeriut, porse për këta kriminelë kishte një orientim fashist dhe shovinist. Janë po të njëjtat vepra që kanë bërë serbët në Bosnje dhe në Kosovë dhe sot e gjithë ditën këta priftërinj dhe kishat e tyre janë ideologjia dhe filozofia e ortodoksisë që udhëheqin turmat e besimtarëve kundër kombeve të tjerë.

NJË REALITET I SOTËM

Ne shqiptarët kemi pasur në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, një grek me kombësi që nga fillimi i viteve të tranzicionit demokratik dhe ai drejtoi si kryepeshkop besimtarët ortodoksë dhe që gjithnjë ka pasur tendencën e futjes së frymës greke në mesin e shqiptarëve ortodoksë. Si nuk e brejti një herë ndërgjegjja këtë njeri që e njeh mirë historinë e kombit tonë dhe krimet që kanë bërë në emër të kishës priftërinjtë grekë. E them këtë sepse Anastas Janullatos ka qenë me kombësi greke dhe drejton KOASH në Shqipëri. Këtij njeri ndoshta i kanë dalë në ëndërr dhe mund t’i jenë fanitur shpirtrat e atyre shqiptarëve që kanë ikur në botën tjetër në mënyrë kriminal nga priftërinjtë bashkëkombës grekë të Janullatosit. Si trashëgimtar nga Çamëria jonë shqiptare, e njoh mirë këtë realitet dhe me emra dhe me të bërat e tyre në krimet që kanë bërë ndaj banorëve autoktonë të Çamërisë. A duhej të kërkonte ndonjëherë falje ky Janullatos si besimtar i Zotit apo besimi është një maskë për të fshehur antishqiptarizmin? Po që po, por vetë ky Janullatos ka qenë një vazhdues i veprës së priftërinjve që dimë dhe citova më sipër dhe që në ndonjë rrethanë të favorshme do të përsërisnin këtë kriminalitet siç e kanë bërë kohë pas kohe paraardhësit e tij. Është një krim i madh mos nderimi nga ana e KOASH i të madhit Fan Stilian Nosit, atij mendimtarit që mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe në Boston në fillimin e shekullit XX apo që nuk përmendet kryepeshkopi i parë Visarion Xhuvani apo Kristofor Kisi vetëm e vetëm se ata janë shqiptarë dhe nuk pajtoheshin me frymën greke dhe antishqiptare. Vangjeli i Zi e shumë e shumë si ai janë modeli i çdo prifti grek apo edhe serb njëkohësisht dhe nuk ka maskë që tua fshehë atyre fytyrën e vërtetë të antishqitparizmit dhe ekskluzivisht kundër besimtarëve myslimanë që kame shumicë Shqipëria, Kosova dhe Çamëria.

EPILOG

Ky Kaledar Historik është një altoporlant për shtetarët dhe qeveritarët shqiptarë për të pasur parasysh sa herë që vijnë shtetarë dhe zyrtarë grekë dhe që në çdo rast do takoheshin me kryepeshkopin Janulaltos. Asgjë të keqe nuk ka këtu. Por ata bëjnë ca kërkesa që e fyejnë kombi shqiptar dhe asnjë nga këta zyrtarët tanë nuk ka hapur gojën dhe nuk ka thënë një fjalë kur Himara dhe Dropuilli na mbushen me “andarttë” të rinj të shoqëruar nga priftërinj që vijnë nga Athina. Dhe ne i kemi në kujtesën tonë historike edhe Peshkëpinë, edhe 1997-ën, edhe 2003-in edhe Belerin dhe bashkëkombësit e tyre si Kostandin Kacifas, po ashtu si dimë historikisht se çfarë ka bërë greku Shën Kozma Etoliati në shekullin e 18-të në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Thuhet fjala se “gjalmi e di se çfarë mban thesi brenda”. Ky është thesi i madh i bëmave greke ndaj shqiptarëve që Akademia e Shkencave apo studiues duhet t’ia kujtojnë një kryeministri shqiptar apo ministri të Jashtëm që të kenë parasysh kur bisedojnë me homologët zyrtarët grekë.

/Gazeta Panorama 

Nga dosja e AKSHI-t te arrestimi në Francë/ Kush është Ermal Beqiraj, biznesmeni i kërkuar nga SPAK

 

Ermal Beqiraj, pronari i kompanisë “Soft & Solution”, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas ndalimit të tij në Francë, ndërsa në Shqipëri rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e tenderëve të AKSHI-t.

I kërkuar nga SPAK për aferën e AKSHI-t

Beqiraj është një nga personat nën hetim në çështjen e procedurave të prokurimit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar ndaj tij masën “arrest me burg”, duke e akuzuar për përfshirje në një skemë të dyshuar manipulimi të tenderëve publikë.

Sipas SPAK, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasin, Armand Frangun dhe persona të tjerë për paracaktimin e fituesve të tenderëve, si edhe për kërcënimin e bizneseve konkurruese që të tërhiqeshin nga garat.

Kompania “Soft & Solution” në qendër të hetimeve

Më 15 shtator 2025, biznesmeni Ermal Beqiraj, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, u thirr në SPAK, pasi pak javë më herët ishin kontrolluar zyrat e kompanisë së tij në kuadër të hetimeve për tenderët e AKSHI-t.

Hetimi, që përfshin edhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, fokusohet në 12 procedura prokurimi me vlerë miliona euro për mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore.

Sipas SPAK, Beqiraj dyshohet se ka përfituar tenderë të manipuluar përmes kompanisë së tij, ndërsa Partia Demokratike ka denoncuar se vetëm në vitin 2024 “Soft & Solution” ka fituar kontrata me vlerë mbi 22.7 milionë euro, pjesë e mbi 30 milionë eurove të përfituara nga AKSHI ndër vite.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu transaksionet financiare të Beqirajt, përfshirë edhe blerjen e një jahti luksoz me vlerë 930 mijë euro, të regjistruar në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare.

Incidenti në Francë

Emri i Beqirajt u rikthye në vëmendje pas raportimeve të medias franceze JDD, sipas së cilës një shtetas shqiptar, i identifikuar si Ermal B., u ndalua pasi fluturoi me një avion të vogël mbi centralin bërthamor të Penly, në Francë.

Sipas raportimeve, hetuesit francezë ngritën dyshime për itinerarin e fluturimit, uljen e avionit nën lartësinë e lejuar mbi objektin strategjik dhe faktin se gjatë kontrollit iu gjetën tre pajisje gjurmimi AirTag.

Autoritetet franceze po hetojnë nëse bëhet fjalë për një shkelje të rregullave të fluturimit apo për një veprim të organizuar.

Tashmë, Ermal Beqiraj ndodhet në qendër të dy çështjeve të ndjeshme: hetimit të SPAK për tenderët e AKSHI-t dhe hetimit të autoriteteve franceze lidhur me incidentin pranë centralit bërthamor.

Kush është Ermal Beqiri?

Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2011. Në atë kohë, inxhinjeri elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta.

Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur në publik si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”.

Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.

Paralelisht me këtë proces, Beqiri, i cili krahas punës në Rektorat, ishte edhe pedagog në universitetin “Kristal”, krijon një kompani private, “Al-Forensic”, së bashku me kolegun e tij, Ardian Pollo, një tjetër ekspert i thirrur për videon “Meta-Prifti”.

Kjo shoqëri nuk pati sukses të dukshëm. Dy aksionerët e pezullojnë aktivitetin e shoqërisë në vitin 2015, ndërkohë që fitimi për vitin e fundit ishte vetëm 300 mijë lekë të reja.

Më herët, Ermal Beqiri nuk kishte pasur sukses as me një kompani tjetër, “Al-Soft”, të cilën e krijoi dhe e mbylli brenda vitit 2010. Beqiri rishfaqet në publik në fund të vitit 2013, në atë që konsiderohet si “skandali i serverit të Tatimeve”.

Në nëntor të atij viti pati dyshime të forta se kishte ndërhyrje të paligjshme në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për verifikimin e situatës, pranë Tatimeve shkuan deputeti i Komisionit të Sigurisë në atë kohë, Spartak Braho, i shoqëruar nga eksperti Ermal Beqiri. Në atë kohë u mësua se Beqiri shërbente si këshilltar informatik pranë kabinetit të kryeministrit Edi Rama.

Ermal Beqiri dhe Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit Damian Gjiknuri, kryen auditimin administrativ të këtij rasti, sipas dëshmive të bëra publike gjatë Komisionit Hetimor Parlamentar për “serverin e Tatimeve”, të zhvilluar në vitin 2016, shkruan boldnews..

Një hetim penal i mëvonshëm konstatoi se nuk kishte pasur ndërhyrje të paligjshme në serverin e Tatimeve, por situata problematike ishte krijuar për shkak të një anomalie elektronike. Të dhënat tregojnë se lidhja mes Spartak Brahos dhe Ermal Beqirit nuk ishte vetëm në kuadrin e raporteve zyrtare.

Në qershor të vitit 2012 regjistrohet shoqëria “Alb Red Stone”, me aksioner themelues Ramazan Domi, Ermal Beqiri dhe Arbër Braho, ky i fundit djali i Spartak Brahos. Kompania vijon të jetë active dhe ka objekt “Aktivitete në fushën e prodhimit të materialeve të ndërtimit nxjerrjes, shfrytëzimit dhe përpunimit të burimeve minerale, mermereve, graniteve, etj.”

Në vitin 2015, emri i Ermal Beqirit emërohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekës, në pozicionin e drejtorit të Teknologjisë së Informacionit.

Gjatë periudhës që ai mbante këtë post, një kompani private pa shumë histori deri në atë kohë, “Soft & Solution”, nisi të fitonte radhazi tendera për pajisje informatike pranë Hipotekës.

Gjatë vitit 2016 pati raportime mediatike që hidhnin dyshime se Ermal Beqiri fshihej pas kompanisë “Soft & Solution”, e cila zyrtarisht ishte në pronësi të Arjola Koromani.

Në vitin 2021, Ermal Beqiri merr në kontroll kompaninë “Soft & Solution”. Arjola Koromani e shet kompaninë tek Ermal Beqiri për shumën 1 milionë lekë të reja dhe pas këtij transaksioni, vijon të mbajë postin e administratores së shoqërisë.

Gjatë vitit 2024, Ermal Beqiri shton portofolin e tij të biznese me tre kompani të tjera. Në Mars të këtij viti ai themelon shoqërinë “R&D Solution”, me objekt “Kërkim shkencor dhe teknologjik..etj,”. Administratore e shoqërisë është sërish Arjola Koromani, ish-pronarja e “Soft & Solution”.

Në Prill të vitit 2024, Ermal Beqiri blen 100 përqind të aksioneve të shoqërisë ‘IT Tirana”, për një shumë prej 144 mijë euro. Pas blerjes, emri i shoqërisë ndryshohet në “NSolution”. Dhe, në Maj 2024, Ermal Beqiri bën një tjetër “goditje” të rëndësishme, duke blerë për 380 mijë euro të gjithë aksionet e kompanisë “Horizon”./Boldnews


Send this to a friend