Regjisor, kompozitor, interpretues, saksofonist, drejtues i 12 festivaleve dhe i dhjetëra koncerteve të Vitit të Ri, autor tekstesh etj., i vlerësuar me disa çmime, përfshirë “Mjeshtër i Madh”, kësaj here Osman Mula vjen për herë të parë në një rrëfim për “Panorama për “pikturën por edhe një retrospektivë për artin në diktaturë, përfshirë debatin e hapur rreth akuzave të përfshirjes së kolegëve në spiunimin e njëri-tjetrit…
Përveç arritjeve të tjera artistike, jeni “legjendar” në organizimet e festës së Vitit të Ri të mbushura me humor, një eveniment shumë i rëndësishëm për kohën, por që është folur shumë pak. Si ishte të bëje humor në diktaturë?
Koncertet e Vitit të Ri në diktaturë kishin vërtet shumë humor. Por kishin edhe frikë. Frika ka të bëjë më një pjesë të materialit humoristik. Populli priste gjithçka nga humori, por nga ana tjetër ishte dhoma e kontrollit. Jo gjithçka me humor mund të dilte në ekran…
Pra kontrolloheshit materialet e humorit para se t’i nxirrnit ju në televizion?
Jo, kishte tjetër procedurë. Humori fillimisht shfaqej nëpër rrethe. Ishin estradat përkatëse të humorit, sipas qyteteve. Koncerti me rastin e Vitit të Ri në fakt niste 5 muaj para transmetimit në ekran. Një ekip i RTSH-së fillonte që në gusht një turne nëpër rrethe, ku bëhej “testimi” i humorit. P.sh. ishim Filip Çakuli, Leka Bunga, Pëllumb Kulla, Shaqir Rexhvelaj, Koço Devole dhe unë si regjisor, që shkonim dhe shihnim premierat, ku na ofroheshin materialet më të mira për Vitin e Ri. Estradat e rretheve e kishin natën e Vitit të Ri si festivalin e humorit, pasi ishte evenimenti më i rëndësishëm. Nuk po i përmend të gjithë humoristët, pasi kam frikë se do të harroj ndonjë dhe nuk do të ishte e drejtë. Veçse di të them që ishin humorist brilantë. Pra radha e punës ishte kështu: Ne si ekip seleksiononim materialet më të mira nëpër rrethe, pastaj u xhironte komplet koncerti i Vitit të Ri, dërgohej për t’u parë nga përfaqësuesit e Drejtorisë së RTSH-së dhe “shokët” e Aparatit të Komitetit Qendror, sepse RTSH varej nga KQ, ishte organ i tij.
***
Më duhet t’ju përfshij në debatin e fundit, sa ka depërtuar Sigurimi i Shtetit tek artistët?Më vjen mirë që ma bëni këtë pyetje, por kam dëshirë t’ju them diçka. Debati i fundit mendoj se është më tepër si lloj thashethemi që sjell pështjellim, sesa rregullon punë.
Pse, a nuk është mirë që të dihen ca të vërteta, qofshin këto edhe për artistët?
Sepse nuk më takon mua, as atij, as asaj e tjetrit, e tjetrit me radhë, se cili/cila nga artistët mund të kenë qenë pjesë e spiunazhit. Këtë mund ta thotë vetëm dikush që përfaqëson ligjin, përfaqëson institucionin. Gjithçka tjetër e thënë nga unë apo nga dikush tjetër është subjektivizëm, mund të jenë edhe inate personale dhe nuk ecet me të tilla gjykime. Duhet të ketë një institucion që hap dosjet fillimisht për politikën dhe pastaj le të shkohet tek artistët, shkrimtarët, sportistët etj. Madje, edhe në këtë rast mendoj se duhet të ketë leje nga institucioni përkatës dhe secili le të lexojë dosjen e tij. Sepse ka diçka. Një pjesë e artistëve janë shumë të lodhur, iu mbyll dera e artit, mbetën pa punë etj. Ca të tjerë janë të sëmurë dhe kur iu fut edhe këtë idenë, jo më spiunuan e jo i spiunova, me akuza dhe kundërakuza pa baza, atëherë i trondit fort, i shkërmoq, i sëmur edhe më keq. Ua baltos edhe nostalgjinë, u bën keq psikologjikisht. Pak edhe nuk janë në rregull vetë, kështu që më mirë me e mbyllë këtë histori. Pra, pyetja është e thjeshtë: Çfarë rregullohet duke hapur këtë debat?

Rregullohet e vërteta…
Të rregullohet nëpërmjet institucionit, jo me thashetheme. Ka pastaj diçka që dihet hapur. Në RTSH ka qenë drejtori, ngjitur me të ka qenë Sekretari i Partisë dhe ngjitur tij ka qenë nëndrejtori ushtarak, dhe ngjitur me këtë të fundit ka qenë operativi i Sigurimit. Gjithçka ka qenë e ligjëruar, zyrtare dhe asgjë e fshehur, sepse kanë qenë të punësuar dhe ne të artit i njohim të gjithë. Nuk ishte nevoja për spiunazh mes artistësh, pasi këta ishin të deklaruar që ishin në RTSH për këtë punë dhe uleshin hapur me ne në tavolina, madje veshur me rroba si ushtarakë. Dihej kjo gjë dhe as na bënte përshtypje.
Asnjë fatkeqësi nuk u ka ardhur artistëve nga njëri-tjetri?
Nuk mendoj se artisti ka vuajtur nga njëri apo nga tjetri. Artisti mund ta ketë pësuar nga ndonjë vepër, e cila është kritikuar shumë nga aparati i KQ-së, apo nga gazetat, sidomos nga “Zëri i Popullit”. Nëse të kritikonin këta, atëherë të filloje të këndoje nga mëngjesi në darkë “mora rrugën për Janinë” (qesh). Nga këto formacione ka ardhur e keqja, jo nga njëri-tjetri. Kështu ndodhi me Festivalin e 2-të që u kritikua, me Festivalin e 11-të etj. Çdo artist e ka krijuar me shumë mund repertorin e vet, të gjithë e meritojnë që të respektohen shumë, sot e gjithmonë, dhe jo të përgojohen. Kaq kisha unë.
Komentet