VOAL

VOAL

Mbretëresha Elizabeth II vdiq, ngjitet në fron Mbreti Charles III

September 9, 2022

Komentet

Dronët me fibra optike ndryshojnë luftën në Lindjen e Mesme

Amos Chapple

Kur një kuadkopter i armatosur fluturoi mbi kufirin jugor të Libanit drejt Izraelit më 19 maj, një ushtar i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) vrapoi drejt një kodre aty pranë dhe u përpoq ta kapte kabllon me fibra optike që kontrollonte dronin, duke përdorur një copë metali.

Kjo skenë e jashtëzakonshme, e kapur nga fotoreporterët në kufi, ofron shembullin më të qartë deri më tani të përdorimit të dronëve me fibra optike – që fillimisht u përdorën nga ushtarët rusë dhe që tashmë përdoren gjerësisht në Ukrainë – nga militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani.

Po ashtu nxjerrë në pah cenueshmërinë madje të ushtrive më të avancuara të botës ndaj inovacioneve të dronëve të lirë.

Një ushtar izraelit tenton të kap kabllon me fibra optike të dronit FPV (dron me pamje ballore) përmes një litari prej metali më 19 maj.

Një ushtar izraelit tenton të kap kabllon me fibra optike të dronit FPV (dron me pamje ballore) përmes një litari prej metali më 19 maj.

Muajin e kaluar, militantët e Hezbollahut kanë vrarë tre ushtarë të IDF-së dhe një civil izraelit duke përdorur dronë kamikazë që kontrollohen me kabllo me fibra optike, të gjata me kilometra.

Në përgjigje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi për krijimin e një ekipi për të luftuar kërcënimin nga dronët e lidhur me kabllo. Izraeli po i vë në dispozicion kësaj taskë-force një “buxhet të pakufizuar”, mes kundërthënieve në rritje në vend lidhur me mungesën e përgatitjes për armën që për herë të parë u shfaq më 2024.

Raportohet se IDF-ja më herët kishin refuzuar oferta nga Kievi për të trajnuar forcat izraelite në teknikat kundër dronëve, por më 17 maj Netanyahu tha se kishte paralajmëruar për kërcënimin nga dronët e armatosur vite përpara krizës aktuale të shkaktuara nga këto pajisje.

“Pasi pashë luftën në Ukrainë, mendova se kjo mund të shërbejë si mjet në fushëbetejën tonë”, tha Netanyahu gjatë një mbledhjeje të Qeverisë.

Fotografi e publikuar nga ushtria izraelite që shfaq një dron FPV të kapur nga një rrjet e vendosur mbi makinat ushtarake izraelite në një lokacion të panjohur.

Fotografi e publikuar nga ushtria izraelite që shfaq një dron FPV të kapur nga një rrjet e vendosur mbi makinat ushtarake izraelite në një lokacion të panjohur.

Për dallim nga dronët që kontrollohen me radio, të cilët mund të bllokohen përmes pajisjeve elektronike dhe kërkojnë një linjë të qartë me transmetuesin, dronët me fibra optike mund të drejtohen pothuajse kudo ku ka hapësirë për të fluturuar.

Në Ukrainë, pilotë me përvojë të dronëve janë dokumentuar duke i fluturuar pajisjet e tyre përmes dritareve dhe duke kërkuar ushtarë brenda ndërtesave disa kilometra në thellësi të territorit të armikut.

Kjo liri e fluturimit, e kufizuar vetëm nga kohëzgjatja e baterisë dhe nga gjatësia e kabllos së dronit, rrit frikën se militantët mund të dalin nga tunelet për të lëshuar një dronë dhe më pas të operojnë me të nga nëntoka, pa u vënë re.

Kuadrokpterët me tela nuk lënë gjurmë që mund të detektohet e radio apo gjurmë të nxehtësisë dhe janë të vegjël mjaftueshëm që të shmangin shumë sisteme të radarit, duke u mundësuar operatorëve që t’i fluturojnë në lartësi të ulëta.

Disa ekspertë besojnë se shfaqja e dronëve me fibra optike të përdorur nga militantët e Hezbollahut tregon se Rusia po i furnizon Iranin me informacione për këtë teknologji, ndërsa të tjerë mendojnë se një mundësi tjetër, ndoshta edhe më shqetësuese, ka më shumë gjasa të jetë e vërtetë.

Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet ruso-iraniane, i tha Radios Evropa e Lirë se droni me fibra optike i fotografuar më 19 maj (më poshtë) duket identik me konfigurimet që përdoren nga forcat ruse në Ukrainë.

Ajo vë në dukje rezervat e mëdha të armëve ruse që zotëron Hezbollahu si një tregues të mundshëm se teknologjia e dronëve, të lidhur me kabllo, “ose po vjen drejtpërdrejt nga rusët, ose përmes iranianëve nëpërmjet Rusisë”.

Moska ka mohuar se furnizon Hezbollahun me armë.

Një dron me fibra optike duke bartur eksploziv. Droni është lëshuar nga Hezbollahu dhe është nisur drejt një objektivi të paidentifikuar në Izrael më 19 maj.

Një dron me fibra optike duke bartur eksploziv. Droni është lëshuar nga Hezbollahu dhe është nisur drejt një objektivi të paidentifikuar në Izrael më 19 maj.

Por, meqenëse pushtimi rus i Ukrainës është lufta më e dokumentuar vizualisht në histori, analistë të tjerë besojnë se militantët e Hezbollahut kanë arritur të ndërtojnë vetë pajisjet dhe taktikat e tyre duke u bazuar në videot nga pushtimi rus.

“Nuk kërkohet shumë inteligjencë”, i tha Radios Evropa e Lirë analisti ushtarak izraelit, Yaakov Lappin. “Hezbollahu pa dronët FPV të përdorur me efekt të madh në fushëbetejat e Ukrainës dhe vendosi t’i adoptojë”.

Ai shtoi se të gjitha komponentët për këta dronë, përveç kokave shpërthyese, “mund të blihen në ueb-faqe në internet”.

Disa platforma tregtare kineze reklamojnë hapur komponentë për dronë me fibra optike, përfshirë mbajtëse bobinash me deri në 30 kilometra kabllo.

Monika Ahlborn, analiste që qëndron pas llogarisë së njohur në rrjetet sociale, Drone Wars, po ashtu beson se kuadkopterët e përdorur së voni nga Hezbollahu mund të jenë thjesht rezultat i imitimit. Ajo theksoi se dukshmëria në rrjetet sociale “do të thotë se konceptet, konfigurimet dhe taktikat mund të përhapen relativisht shpejt në teatro të ndryshme”.

Një përhapje e ngjashme e inovacioneve të fushëbetejës është parë edhe vitet e fundit, përfshirë përdorimin e bombave të vogla që hidhen nga dronët. Kjo taktikë u pa për herë të parë në videot propagandistike të grupit militant, Shteti Islamik, në fillim të vitit 2017 dhe më vonë u adoptua nga luftëtarë në Ukrainë dhe gjetkë.

Në një tank izraelit shihet e vendosur një rrjet. Tanku gjendet në kufirin Izrael-Liban. 19 maj 2026.

Në një tank izraelit shihet e vendosur një rrjet. Tanku gjendet në kufirin Izrael-Liban. 19 maj 2026.

Lappin tha se “asnjë nga mbrojtjet ekzistuese [izraelite] nuk është projektuar për kërcënimin nga dronët FPV [dron me pamje ballore] të lidhur me kabllo”.

Sipas tij, përpjekjet që po shqyrtohen në Izrael për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi të ri përfshijnë “dronë pengues, sensorë elektro-optikë dhe akustikë, pajisje kompjuterike për shënjestrim, si dhe potencialisht laserë ose mitraloza të drejtuar nga sensorët”.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina kanë zhvilluar pajisje kinetike kundër dronëve, përfshirë pengues të lehtë që lëshohen me dorë dhe armë me rrjeta, të cilat kanë pasur njëfarë suksesi të dokumentuar në fushëbetejë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Franca i ndalon hyrjen ministrit izraelit Itamar Ben-Gvir, i bën thirrje BE për sanksione

Franca ka vendosur t’i ndalojë ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, hyrjen në territorin francez, tha të shtunën Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot.

Ai bëri me dije se ky vendim vjen pas veprimeve të tij ndaj qytetarëve francezë dhe evropianë që ishin pasagjerë në flotiljen Global Smud.

“Që nga sot, Itamar Ben-Gvirit i ndalohet hyrja në territorin francez”, shkroi Barrot në X, duke kërkuar sanksione ndaj tij edhe nga BE.

“Së bashku me homologun tim italian, po i kërkoj Bashkimit Evropian që të marrë sanksione edhe kundër Itamar Ben-Gvir”, shtoi ai.

Edhe pse “nuk i miratojmë veprimet e flotiljes, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt të dobishëm dhe mbingarkojnë shërbimet diplomatike dhe konsullore (…) , ne nuk mund të tolerojmë që shtetasit francezë të kërcënohen, frikësohen ose brutalizohen në këtë mënyrë, veçanërisht nga një zyrtar publik“, tha Barrot.

Të mërkurën, Itamar Ben Gvir, një figurë e shquar e së djathtës ekstreme të Izraelit, publikoi një video që tregonte dhjetëra aktivistë nga flota të gjunjëzuar me duart e lidhura pasi u kapën nga ushtria izraelite dhe u ndaluan. Disa prej tyre denoncuan dhunën dhe poshtërimin e ushtruar ndaj tyre nga forcat izraelite gjatë ndalimit të tyre.

Rreth pesëdhjetë anije u nisën nga Turqia javën e kaluar me qëllim nisjen e një përpjekjeje tjetër për të thyer bllokadën izraelite të Rripit të Gazës. Të hënën, autoritetet izraelite ndaluan anije pranë brigjeve të Qipros që merrnin pjesë në këtë flotilje të re për Gazën dhe njoftuan arrestimin e 430 aktivistëve, përfshirë 37 shtetas francezë, të cilët u deportuan të enjten. gsh

Ukraina godet infrastrukturën e naftës në Rusi

Radio Evropa e Lirë

Një ndërtesë e naftës ruse është përfshirë nga flakët në qytetin Novorosiski në Detin e Zi, pas sulmeve të reja me dronë që Ukraina kreu gjatë natës, raportuan autoritetet më 23 maj.

Pjesë të një droni të rrëzuar ranë në hapësirat e një terminali karburanti, duke shkaktuar zjarre në disa ndërtesa teknike dhe administrative, tha shtab operacional rajonal të Krasnodarit.

Dy persona janë plagosur, sipas njoftimit.

Sipas dëshmitarëve okularë, që kanë publikuar të dhëna në rrjetet sociale, është goditur terminali i naftës Grushovaya, një nga objektet më të mëdha të depozitimit të naftës në Kaukaz, përfshirë rezervuarët nëntokësorë dhe mbi tokë, si dhe një objekt për transferimin e ngarkesave.

Industria e naftës në Novorosiski është jetike për ekonominë ruse të luftës dhe është shënjestruar vazhdimisht nga dronët ukrainas, ndërsa Kievi po përpiqet të mbrohet përballë pushtimit të plotë të nisur më shumë se katër vjet më parë nga Moska.

Ukraina ka intensifikuar së fundi sulmet ndaj pjesës së brendshme të territorit rus, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se 348 dronë u rrëzuan gjatë natës.

Këto pretendime nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Autoritetet ruse raportuan dëme nga sulmet me dronë në disa rajone, përfshirë në Anapa, në Detin e Zi.

Autoritetet në Perm, që gjendet rreth 1.000 kilometra në lindje të Moskës, raportuan gjithashtu për një sulm ndaj një objekti industrial, që shkaktoi zjarr në një fabrikë kimike.

Në Ukrainë, forcat ajrore thanë se 102 nga 124 dronët rusë të lëshuar gjatë natës drejt vendit u penguan.

Sipas tyre, gjithsej 12 goditje u regjistruan në nëntë lokacione, ndërsa copëza dronësh të rrëzuar ranë në pesë lokacione të tjera.

Armëpushim i menjëhershëm dhe zhbllokimi i Ngushticës së Hormuzit, mediat arabe: Marrëveshja Iran-SHBA do të shpallet në orët e ardhshme

Media arabe “Al Arabiya” raporton se sipas burimeve të saj, drafti përfundimtar i një marrëveshjeje të mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e ndërmjetësuar nga Pakistani, mund të shpallet në orët e ardhshme

Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje përfshihen një armëpushim i menjëhershëm, garantimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, si dhe heqja graduale e sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit.

Sipas mediave të Emirateve, marrëveshja pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas njoftimit zyrtar nga të dyja palët.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar, duke deklaruar se “është bërë përparim, por jemi ende larg marrëveshjes përfundimtare për Hormuzin”. bw

“Putini rrezikon ta zgjerojë luftën në Evropë deri në fund të vitit” – Garry Kasparov: Nuk ka shenje protestë në Rusi, ndryshimi mund të ndodhë nëse fiton Kievi

Garry Kasparov, ish-kampion bote në shah dhe sot një nga zërat më të fortë të opozitës ruse në mërgim, deklaroi në një intervistë “La Repubblica” se Rusia ka mbetur e “bllokuar” në luftën në Ukrainë sepse Vladimir Putin nuk mund ta përfundojë pa fitore ndërsa në terren nuk po arrin sukses.

 

Kjo, sipas tij, e bën luftën thelbësore për mbijetesën e regjimit rus dhe e shtyn atë drejt një gjendjeje “lufte të përhershme”. Ai paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet dhe se Rusia, sipas tij, mund të tentojë ta zgjerojë konfliktin drejt vendeve evropiane brenda këtij viti, veçanërisht nëse Perëndimi nuk rrit presionin ndaj Moskës.

“Nëse ndonjëherë do të ketë një ndërprerje të armiqësive, dhe kjo është një “nëse” e madhe, ata do të shkojnë diku tjetër. Vendet baltike e dinë mirë se kjo luftë vetëm mund të zgjerohet. Është si një kancer dhe nuk mund të negociosh me kancerin; ai duhet të zhduket.”, tha ai.

Kasparov thekson gjithashtu se brenda Rusisë po rriten tensionet ekonomike dhe pakënaqësitë në elitë, sidomos për shkak të goditjeve ndaj infrastrukturës dhe kostove të luftës. Megjithatë, ai beson se aparati i sigurisë së Putinit mbetet ende i fortë dhe e bën ndryshimin e pushtetit të vështirë në afat të shkurtër.

“Ai ende ka mjaftueshëm para dhe pushtet për të kontrolluar aparatin e sigurisë. Edhe pse po humbet aurën e tij të pathyeshmërisë, asgjë nuk do të ndodhë së shpejti. Nevojiten më shumë sulme nga Ukraina, më shumë forcë nga Evropa. Por për fat të keq, kam frikë se ka gjithnjë e më shumë gjasa që Putini ta zgjerojë luftën e tij në Evropë, madje edhe para fundit të vitit.”, shtoi ai.

Ai thotë se Perëndimi dhe NATO kanë ende fuqi të mjaftueshme për të ruajtur ekuilibrin dhe penguar përhapjen e luftës, sidomos nëse vendet evropiane forcojnë bashkëpunimin dhe mbrojtjen e tyre.

“Nëse kjo do të ndodhte ndonjëherë, NATO do të ishte mjaftueshëm e fortë për të luftuar Moskën edhe pa ndihmën e SHBA-së, por mekanizmat e vjetër mbrojtës duhet të riorganizohen. Fuqia e kombinuar ushtarake e vendeve baltike, skandinave dhe polake është shumë më e lartë se ajo e Rusisë.

Pyetja është nëse popullatat e tyre janë të gatshme t’i përballojnë pasojat e një lufte nëse sulmojnë dronët rusë dhe nëse NATO është e gatshme të godasë territorin e një fuqie bërthamore. Dhe, edhe më e rëndësishmja, nëse SHBA-të do të tërhiqeshin, siç ka të ngjarë, kush do të ofronte frenim bërthamor? Londra? Parisi?

Putini mund të mos ketë pasur shumë sukses në fushën e betejës, por ai është treguar shumë efektiv në minimin e demokracive perëndimore. A jemi të sigurt se presidenti i ardhshëm francez do të ofrojë një ombrellë bërthamore për vendet baltike?”, u shpreh ai.

Kasparov beson gjithashtu se ndryshimi në Rusi është i mundur sidomos nëse Ukraina arrin të rezistojë dhe të forcojë pozitat e saj. Sipas tij,  rritja e presionit ndërkombëtar dhe izolimi i luftës mund të dobësojnë gradualisht aftësinë e Kremlinit për të vazhduar konfliktin.

“Na pëlqen apo jo, tani për tani, nuk ka asnjë shenjë proteste në Rusi. Ndryshimi mund të vijë nëse Ukraina fiton luftën. Një nga programet që unë i kërkoj me dëshpërim Perëndimit të miratojë është ajo që unë e kam quajtur ironikisht “Tajvani Rus”, për t’u garantuar rusëve që nuk duan të marrin pjesë në luftë mundësinë për t’u larguar, me kusht që ata të nënshkruajnë një deklaratë që do t’i bënte ata kriminelë në atdheun e tyre dhe do të mbështeste tre koncepte kryesore: lufta është kriminale, regjimi i Putinit është i paligjshëm dhe Krimea është ukrainase.”, theksoi Kasparov.

Sipas tij, Ukraina me rezistencën që tregoi shpëtoi Evropën dhe se ende po e mbron atë.

Nëse Ukraina nuk do të kishte qenë në gjendje të rezistonte katër vjet e gjysmë më parë, bota do të ishte ndryshe sot. Kievi e shpëtoi Evropën dhe ende po e mbron atë. Ne duhet të krijojmë kushtet që opinioni publik rus të pranojë se lufta nuk mund të vazhdojë. Pastaj do të shohim nëse ajo do të rebelohet. Para së gjithash, duhet ta privojmë Putinin nga paratë dhe truri. BE-ja ka burime, por i mungon vullneti politik. E ardhmja e vetë idesë së Evropës është në rrezik. Por nëse Putini fiton, ne kthehemi te ligji i më të fortit. Vendet autoritare do të nënshtrojnë më të dobëtin. Dhe meqenëse Amerika nuk është më aty për të udhëhequr botën e lirë, uniteti, strategjia dhe forca e Evropës janë thelbësore për të siguruar mbijetesën e botës së lirë.”, u shpreh ai. Panorama

Ish-princi Andrew hetohet për akuza të mundshme për krime seksuale në rezidencën mbretërore! Hetuesit britanikë duan dëshminë e një gruaje

Policia britanike po heton Andrew Mountbatten-Windsor lidhur me dyshime për vepra të ndryshme penale, përfshirë pretendime me natyrë seksuale, korrupsion dhe shpërdorim detyre, raportojnë mediat britanike. Hetimi lidhet me marrëdhënien e tij me financierin e ndjerë amerikan Jeffrey Epstein.

Sipas raportimeve, hetuesit duan të marrin në pyetje një grua që pretendon se ishte dërguar në rezidencën e tij në Windsor “për qëllime seksuale”. Autoritetet britanike po u bëjnë gjithashtu thirrje personave të tjerë që mund të kenë informacion apo të jenë viktima të mundshme të dalin përpara.

Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i mbretit King Charles III dhe ish-përfaqësues tregtar i qeverisë britanike, u arrestua në shkurt 2026 në Norfolk, por më pas u lirua nën hetim. Ai dyshohet për “sjellje të pahijshme në detyrën publike”, një vepër që sipas ligjit britanik mund të përfshijë korrupsion, mashtrim, pengim të drejtësisë dhe shkelje të tjera serioze.

Hetimi u nxit pas publikimit në SHBA të dokumenteve të lidhura me çështjen Epstein. Sipas mediave ndërkombëtare, dokumentet përmbanin pretendime se Andrew kishte ndarë informacione sensitive me Epstein gjatë kohës kur mbante rol zyrtar në qeverinë britanike.

Burime pranë hetimit kanë deklaruar se publiku nuk duhet ta shohë çështjen vetëm si një hetim financiar, pasi policia po shqyrton “të gjitha aspektet” dhe do të ndjekë çdo provë që mund të dalë gjatë procesit.

Nga ana e tij, Andrew Mountbatten-Windsor i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat dhe pretendimet ndaj tij. GSH

Rubio në takimin e NATO-s mes shqetësimeve për tërheqjen e trupave amerikane

Alex Raufoglu

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, niset për në Suedi më 21 maj për takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, teksa aleatët evropianë kërkojnë siguri lidhur me zvogëlimin e pranisë së trupave amerikane dhe ndryshimin e retorikës së Uashingtonit sa i përket aleancës.

Rubio do të marrë pjesë në takimin në Helsingborg më 22 maj, që është një nga mbledhjet e fundit ministrore në nivel të lartë para se udhëheqësit e aleancës të mblidhen për samitin në Ankara në korrik.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, kryediplomati amerikan pritet t’u bëjë thirrje aleatëve për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen dhe për “ndarje më të madhe të barrës”, ndërsa fokusi do të jetë gjithashtu te siguria në Arktik.

Por, takimi zhvillohet në një moment kur ka shqetësim të madh. Zyrtarët evropianë po kërkojnë qartësi lidhur me shkallën e zvogëlimit të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, pas një sërë lëvizjesh të Pentagonit që kanë tronditur aleancën.

“Terr informativ”

Pasiguria buron nga njoftimet e fundit që kanë rritur frikën në mbarë Evropën se Uashingtoni mund të jetë duke dobësuar garancitë e tij të sigurisë në një moment të rrezikshëm.

Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur planet për tërheqjen e 5.000 trupave nga Gjermania. Pentagoni më pas konfirmoi se po anulonte një dislokim të planifikuar të rreth 4.000 trupave në Poloni dhe po pezullonte planet për dislokimin në Gjermani të një batalioni me raketa lundruese Tomahawk, që lëshohen nga toka.

Një diplomat i lartë evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, paralajmëroi se aftësia kyç parandaluese e aleancës po minohet nga mungesa e komunikimit.

“Gjëja më e keqe është fakti se kontinenti duket se po mbahet në terr informativ lidhur me përmasat e kësaj tërheqjeje”, tha diplomati, duke theksuar se shtetet që gjenden në vijë e parë, sikurse vendet e Baltikut, po kanë vështirësi që të bëjnë planifikimet e duhura.

Ky diplomat shtoi se planet e raportuara të SHBA-së për zvogëlimin e kontributeve në modelin e forcave të NATO-s – sipas të cilit, anëtarët paraprakisht angazhojnë forca për kriza madhore – do të “dëmtonte shumë” vijat fillestare të mbrojtjes të Evropës.

“Efektiviteti i NATO-s mbështetej në idenë se ajo ishte e pathyeshme”, tha diplomati. “Tani, në një ‘divorc’, ju filloni të shihni shfaqjen e çarjeve”.

Zyrtarët e administratës amerikane kanë këmbëngulur se këto lëvizje janë një përshtatje e përkohshme dhe jo një tërheqje strategjike. Nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi së voni se fokusi i administratës mbetet te “pavarësia dhe sovraniteti evropian”, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, e përshkroi vendimin për Poloninë si një “vonesë standarde në rotacion”.

Rubio, si transmetues “i qëndrueshëm” i mesazheve

Për shumë zyrtarë evropianë, prania e Rubios ofron një masë sigurie. Kryediplomati amerikan shihet gjerësisht në Bruksel dhe në kryeqytetet e Evropës Lindore si një figurë më e qëndrueshme dhe më tradicionale transatlantike sesa disa figura të tjera në administratën e Trumpit.

Kongresisti Don Bacon, republikan nga Nebraska dhe mbështetës i NATO-s, i tha Radios Evropa e Lirë se Rubio luan një rol kyç në stabilizimin e marrëdhënieve. Bacon tha se shpreson që Rubio do ta përforcojë përkushtimin e Uashingtonit ndaj mbrojtjes kolektive, duke u bërë njëkohësisht thirrje aleatëve evropianë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Kongresisti Bacon vazhdimisht ka argumentuar se aleanca mbetet qendrore për interesat e sigurisë së SHBA-së dhe ka paralajmëruar kundër izolacionizmit në kohën kur ka rritje të kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe Irani.

Këto shqetësime u pasqyruan edhe më 20 maj gjatë seancave dëgjimore në Senat për konfirmimin e kandidatëve të Trumpit për ambasadorë në disa vende evropiane.

Michael Kavoukjian, i nominuar për të shërbyer si ambasador në Norvegji, e përshkroi Oslon si “sytë dhe veshët e aleancës në Arktik” dhe u zotua për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe të inteligjencës kundër aktivitetit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Jeanne Shaheen, demokratja kryesore në Senat për politikën e jashtme, paralajmëroi se Norvegjia ndodhet “në vijën e parë të aktivitetit dhe përpjekjeve sabotuese në rritje të Rusisë në Baltik, në Detin e Veriut dhe në Arktik”.

Ndërkohë, Eric Wendt, kandidati i Trumpit për ambasador në Shqipëri, theksoi rëndësinë e ndarjes së barrës brenda NATO-s dhe tha se do ta nxisë Tiranën të përmbushë objektivat e aleancës për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri më 2035.

Seancat dëgjimore nxorën në pah balancimin e vështirë me të cilin përballet Uashingtoni: sigurimin e aleatëve për përkushtimin e Amerikës ndaj sigurisë evropiane, teksa vazhdon t’u bëjë presion anëtarëve të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre.

Kundërshtime nga Kongresi

Duke folur më 20 maj në Carnegie Endowment for International Peace, kongresisti Michael McCaul, kryetar nderi i Komitetit për Punë të Jashme në Dhomën e Përfaqësuesve, mbrojti NATO-n.

“NATO-ja na ka mbajtur jashtë një lufte botërore për 80 vjet, prandaj ka vlerë”, tha McCaul.

Edhe pse McCaul pranoi se Trump po kërkon ta transformojë NATO-n nga ajo që e quajti një marrëdhënie “prind-fëmijë” në një partneritet më të barabartë, ai paralajmëroi kundër retorikës që mund të largojë aleatët kyç.

McCaul po ashtu tha se Kongresi po kundërshton disa lëvizje të njëanshme ushtarake të administratës në Evropë.

“Unë e përshëndeta zhvendosjen e disa prej këtyre trupave në Poloni, ku po i vendosni drejtpërdrejt pranë kërcënimit që ekziston”, tha McCaul, duke iu referuar Rusisë. “Por, më pas administrata argumentoi tërheqjen nga Polonia. Kongresi tani ka ndërhyrë dhe ka thënë jo”.

Sfida e Rubios në Suedi do të jetë që të balancojë presionet konkurruese: të mbrojë politikat “Amerika e Para” përpara aleatëve evropianë skeptikë, teksa ruan unitetin brenda një aleance që përballet me një Rusi gjithnjë e më të vendosur.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Skandali i dosjeve Epstein, pjesë e hetimeve bëhet edhe ish-partnerja e financierit amerikan

Nadia Marcinko, ish-partnerja e financierit Jeffrey Epstein, mund të përfshihet në hetime të reja nga Kongresi amerikan lidhur me rrjetin e trafikimit seksual të të miturëve që tronditi SHBA-në prej vitesh.

Marcinko, e lindur në Sllovaki, ishte për shtatë vite partnerja e Epstein pas Ghislaine Maxwell dhe më vonë pilote e avionit të tij privat. Edhe pse ajo nuk është akuzuar apo dënuar ndonjëherë për vepra penale, emri i saj është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të dokumenteve dhe emaileve të reja që hedhin dritë mbi marrëdhënien e saj me Epstein.

Sipas një hetimi të BBC-së, Marcinko ishte një nga katër gratë e përfshira në marrëveshjen e vitit 2008 që u garantonte imunitet nga ndjekja penale si “bashkëpunëtore të mundshme” të Epstein. Dy prej tyre, Sarah Kellen dhe Lesley Groff, pritet të merren në pyetje nga ligjvënësit amerikanë, ndërsa disa kongresmenë kërkojnë që edhe Marcinko të hetohet.

Dokumentet dhe komunikimet e siguruara nga BBC tregojnë se Epstein dhe Marcinko kishin planifikuar të krijonin familje së bashku dhe se ai i kërkonte vazhdimisht të gjente gra të tjera për të kënaqur dëshirat e tij seksuale.

Në një email të vitit 2006, Marcinko i shkruante Epstein se do të përpiqej të gjente vajza për të në Nju Jork, megjithëse shprehte shqetësimin për marrëdhënien e tyre. Megjithatë, nuk ka prova që ajo i ka prezantuar Epstein vajza të mitura.

Nga ana tjetër, dokumentet zbulojnë edhe aspektin kontrollues dhe abuziv të Epstein ndaj saj. Marcinko u ka treguar hetuesve federalë se ai ushtronte kontroll të plotë mbi jetën e saj, duke e detyruar të kryente operacione plastike dhe duke përdorur dhunë fizike ndaj saj.

Në një email të vitit 2012, ajo i shkruante financierit: “Nuk dua të jem me ty, por më shqetëson të shoh se si manipulon dhe lëndon vajza të tjera”.

Pas arrestimit të dytë të Epstein në vitin 2019 për trafikim seksual, Marcinko nisi të bashkëpunonte me FBI-në. Agjencia amerikane më vonë mbështeti kërkesën e saj për të qëndruar në SHBA, duke e cilësuar atë si viktimë të një marrëdhënieje seksuale detyruese.

Sot, Marcinko është larguar nga jeta publike dhe sipas raportimeve jeton në Nju Jork, ku është përfshirë në aktivitete të një qendre budiste Zen.

Rasti ka hapur debat në SHBA mbi kufirin mes viktimës dhe bashkëpunëtores në rastet e trafikimit seksual. Ekspertët ligjorë theksojnë se shpesh viktimat mbeten nën kontrollin psikologjik të abuzuesve edhe pas largimit fizik prej tyre.

Ndërkohë, Kongresi amerikan pritet të vendosë nëse Nadia Marcinko do të thirret zyrtarisht për të dëshmuar mbi rolin e saj në rrjetin e Jeffrey Epstein. shqip

SHBA ngre aktakuzë për vrasje ndaj ish-presidentit kuban Raúl Castro, për rrëzimin e 2 avionëve më 1996

Raul Castro, tashmë 94 vjeç, kur ndodhi rrëzimi i 2 avionëve në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës​ ishte kreu i forcave të armatosura të Kubës dhe ngjarja u dënua ndërkombëtarisht. Castro u largua nga posti i presidentit në vitin 2018.

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj ish-udhëheqësit kuban Raúl Castro për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë dhe krime të tjera, lidhur me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës.

Çështja, e bërë publike të mërkurën, akuzon Castron dhe pesë persona të tjerë për rrëzimin e avionëve që i përkisnin grupit kubano-amerikan “Brothers to the Rescue”, ku humbën jetën katër persona, mes tyre tre amerikanë.

Castro, tashmë 94 vjeç, në atë kohë ishte kreu i forcave të armatosura të Kubës dhe ngjarja u dënua ndërkombëtarisht.

Ndërsa SHBA po rrit presionin ndaj regjimit komunist në Kubë, presidenti aktual kuban Miguel Díaz-Canel i cilësoi akuzat si “një manovër politike, pa asnjë bazë ligjore”.

Duke folur në Freedom Tower në Miami, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, njoftoi se ndaj Castros do të ngrihen edhe akuza për shkatërrim avionësh dhe katër akuza individuale për vrasje, për vdekjet e Armando Alejandre Jr, Carlos Alberto Costa, Mario Manuel de la Peña dhe Pablo Morales.

“Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump nuk i harrojnë dhe nuk do t’i harrojnë qytetarët e tyre”, deklaroi Blanche.

Akuzat do të shqyrtohen në një gjykatë amerikane, ndërsa disa prej tyre parashikojnë mundësinë e burgimit të përjetshëm. Akuzat për vrasje mbartin dënim maksimal me vdekje ose burgim të përjetshëm.

Akuzat e reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë synojnë një nga figurat kryesore të udhëheqjes komuniste kubane, në një kohë kur Kuba po përballet me presion të fortë nga SHBA për reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike në sistemin njëpartiak të vendit.

“Mendoj se strategjia është që presioni të rritet gradualisht deri në pikën kur qeveria kubane do të detyrohet të dorëzohet në tryezën e negociatave”, tha Wiliam LeoGrand.

SHBA ka vendosur sanksione ndaj Kubës dhe ka imponuar një bllokadë mbi furnizimin me naftë për vendin, gjë që ka sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesa ushqimore.

Më herët gjatë së mërkurës, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, publikoi një mesazh drejtuar popullit kuban, në përvjetorin e pavarësisë së vendit.

“Presidenti Trump po ofron një rrugë të re mes SHBA-së dhe një Kube të re”, deklaroi Rubio.

Rubio u tha qytetarëve kubanë se konglomerati ushtarak kuban i njohur si GAESA është përgjegjësi kryesor për ndërprerjet e energjisë dhe mungesat ushqimore që vendi vazhdon të përjetojë.

GAESA zotëron ose operon shumicën e sektorëve më fitimprurës të ekonomisë kubane, nga portet dhe pikat e karburantit deri te hotelet luksoze me pesë yje.

Në reagim ndaj mesazhit të Rubios, presidenti kuban Miguel Díaz-Canel akuzoi SHBA-në për gënjeshtra dhe për vendosjen e një “ndëshkimi kolektiv” ndaj popullit kuban.

Në moshën 95 vjeçare, Raúl Castro, vëllai i liderit të ndjerë kuban Fidel Castro, mbetet një figurë me ndikim dhe në Kubë njihet si “udhëheqësi i mbijetuar i Revolucionit Kuban”.

Ai është tërhequr nga rolet aktive në qeveri dhe në parti, por gjatë presidencës së tij në vitet 2008-2018, së bashku me ish-presidentin amerikan Barack Obama, mbikëqyrën një periudhë të shkurtër afrimi mes Uashingtonit dhe Havanës.

Todd Blanche deklaroi se nuk do të “krahasonte çështje” mes rastit të Castros dhe atij të Nicolás Maduro.

Presidenti amerikan Donald Trump u pyet për aspektin politik të aktakuzës së publikuar të mërkurën.

“Shumë prej atyre njerëzve janë të lidhur me mua në kuptimin që kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me kubano-amerikanët”, tha Trump. “Nga pikëpamja humanitare, ne jemi këtu për të ndihmuar.”

Ndërsa Castro nuk pritet të ekstradohet apo të paraqitet në proces, të gjitha opsionet duket se mbeten të hapura, sipas avokates Lindsey Lazopoulos Friedman.

“Nëse ai do të paraqitej në këtë çështje, do t’i garantoheshin të njëjtat të drejta ligjore si çdo të pandehuri tjetër”, tha Friedman, duke shtuar se kjo do të përfshinte edhe një gjyq me juri.

“Askush nuk pret që çështja të ndjekë këtë rrugë tipike… por aktakuza është bindëse dhe mbështetet nga prova të rëndësishme”, deklaroi ajo për BBC-në.

Qendra në Miami ku autoritetet amerikane shpallën aktakuzën ndaj Raúl Castro ishte e mbushur me kubano-amerikanë, kryesisht përfaqësues të organizatave të emigrantëve kubanë që prej dekadash udhëheqin opozitën ndaj qeverisë kubane nga Shtetet e Bashkuara.

Të rrethuar nga fotografitë e katër viktimave të rrëzimit të avionëve në vitin 1996, shumë pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar në Miami e përshkruan lajmin si një moment të shumëpritur.

“Ishte koha, pas 67 vitesh të atij regjimi vrasës”, tha Isela Fiterre. “Raúl Castro nuk vrau vetëm katër individë. Gjatë shumë viteve, ai ka vrarë njerëz të panumërt”, u shpreh ajo.

Fiterre tha se drejtësia nuk vjen kurrë vonë dhe se është mirënjohëse ndaj administratës Trump për këtë hap.

Një tjetër pjesëmarrëse, Mercedes Puid-Soto, shprehu të njëjtin qëndrim.

“Ndihem shumë e lumtur. Drejtësia u vu në vend”, tha ajo. “Është shumë e rëndësishme që familjet të mbyllin atë kapitull, por edhe ne kubanët.”

Megjithatë, mbi njoftimin e Todd Blanche vazhdonte të qëndronte pyetja nëse administrata e Donald Trump do ta përdorë këtë aktakuzë në të njëjtën mënyrë siç përdori atë ndaj Nicolás Maduro, si justifikim për një operacion ushtarak nën petkun e zbatimit të ligjit.

“Kjo ka pak gjasa të ndodhë pa përballje”, tha Roxanna Vigil. “Dhe çdo lëvizje që do të përfshinte bashkëpunim me regjimin kuban do të ishte shumë e vështirë të pranohej nga diaspora kubane në SHBA.”

Përfaqësues amerikanë dhe kubanë, përfshirë nipin e Raúl Castros, Raúl Guillermo Rodriguez Castro, kanë zhvilluar “bisedime” muajt e fundit, por akuzat amerikane ndaj ish-presidentit kuban nuk pritet t’i lehtësojnë këto kontakte.

Përkundrazi, pala kubane dha sinjale të forcimit të mëtejshëm të qëndrimit “pa dorëzim dhe pa lëshime” ndaj presionit amerikan, ndërsa mediat shtetërore kubane i cilësuan akuzat si “akuza të rreme” ./BBC/

BE dhe SHBA finalizojnë marrëveshjen tregtare, shmanget përshkallëzimi i ri i tarifave

Bashkimi Evropian ka finalizuar tekstin e marrëveshjes së re tregtare me Shtetet e Bashkuara, pas muajsh negociatash intensive dhe debatesh politike, duke kapërcyer një nga pengesat e fundit për ratifikimin e saj dhe duke shmangur një përshkallëzim të ri të tarifave mes dy blloqeve ekonomike. Marrëveshja u arrit në orët e para të së mërkurës mes shteteve anëtare të BE-së dhe eurodeputetëve, ndërsa procesi i negociatave u koordinua nga presidenca qipriote e Bashkimit Evropian. Sipas draftit përfundimtar, Bashkimi Evropian do të heqë tarifat për produktet industriale amerikane, ndërsa në këmbim Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një kufi tarifor prej 15% për eksportet evropiane.

Marrëveshja mori rëndësi të veçantë pas paralajmërimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kishte deklaruar se nëse dokumenti nuk ratifikohej deri më 4 korrik, tarifat për automjetet evropiane do të rriteshin nga 15% në 25%. Tashmë, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare pritet të vijojnë me votimet përfundimtare për miratimin e marrëveshjes. Institucionet evropiane vlerësojnë se procesi mund të përfundojë brenda afatit, me Parlamentin Evropian që pritet të votojë më 16 qershor, ndërsa më pas do të vijojnë ratifikimet nga kryeqytetet evropiane.

“Ruajtja e një marrëdhënieje transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të ekuilibruar është në interes të të dyja palëve”, deklaroi ministri i Tregtisë i Qipros, Michalis Damianos.

Edhe pse marrëveshja fillestare ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar, procesi i ratifikimit u vonua për shkak të kundërshtimeve të forta në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët kishin bllokuar disa herë procedurat, fillimisht pas deklaratave të Donald Trump për Groenlandën dhe më vonë pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila rrëzoi një pjesë të kuadrit global tarifor të administratës amerikane. Versioni final i marrëveshjes përfshin disa mekanizma shtesë mbrojtës për Bashkimin Evropian. Mes tyre është edhe zgjatja e afatit të marrëveshjes deri në fund të vitit 2029, në vend të vitit 2028.

Po ashtu, negociatorët kanë përfshirë masa që synojnë mbrojtjen e industrive evropiane në rast të rritjes së ndjeshme të importeve amerikane. Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian fiton të drejtën të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA-të nuk respektojnë angazhimet e marra. bw

Kina konfirmon se do të blejë 200 avionë Boeing, pas samitit Trump-Xi/ Presidenti amerikan: Marrëveshje të shkëlqyera

Kina ka konfirmuar se do të blejë 200 avionë Boeing, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, u takuan në Pekin javën e kaluar.

Sipas marrëveshjes, SHBA-të do t’i ofrojnë Kinës garanci furnizimi për pjesë dhe komponentë të motorëve të avionëve, tha Ministria e Tregtisë e Kinës.

Të dyja palët do të punojnë gjithashtu drejt një zgjatjeje të armëpushimit të tarifave për të cilin ranë dakord në tetor dhe do të kërkojnë ulje të tarifave për 30 miliardë dollarë ose më shumë mallra secila, shtoi ministria.

Udhëtimi i Trump në Kinë prodhoi disa premtime mbi tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë, duke përfshirë blerjen e Boeing dhe rritjen e aksesit për fermerët amerikanë në tregun kinez.

“Ne bëmë shumë marrëveshje të shkëlqyera tregtare, duke përfshirë mbi 200 aeroplanë për Boeing, me një premtim prej 750 aeroplanësh, që do të ishte porosia më e madhe ndonjëherë”, u tha Trump gazetarëve. bw

Financial Times zbardh diskutimet mes Trumpit dhe Xi Jinpingut: Putin mund të pendohet për pushtimin e Ukrainës

Presidenti kinez, Xi Jinping pranoi se homologu rus Vladimir Putin mund të pendohet përfundimisht për pushtimin e Ukrainës gjatë bisedimeve me Donald Trump në Pekin javën e kaluar.

Sipas disa personave të njohur me vlerësimin e SHBA-së për samitin e Pekinit dhe të cituar nga Financial Times, Xi i bëri komentet gjatë bisedimeve të gjera që përfshinin edhe Ukrainën dhe në të cilat Trump sugjeroi që të tre udhëheqësit të bashkëpunojnë kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJPN).

Komentet e Xi-së mbi vendimin e Putinit për të nisur një pushtim në shkallë të plotë të fqinjit të Rusisë në vitin 2022 dukeshin më të theksuara se në të kaluarën. Një person i njohur me takimet e Xi-së me ish-Presidentin e SHBA-së Joe Biden tha se ndërsa udhëheqësit kishin zhvilluar bisedime “të sinqerta dhe të drejtpërdrejta” rreth Rusisë dhe Ukrainës, Xi ende nuk e kishte vlerësuar Putinin apo luftën.

Zbulimi vjen ndërsa presidenti rus udhëton për në Kinë të martën për një samit me Xi Jinping, katër ditë pasi presidenti kinez priti Trump për takimin e tyre të dytë që kur presidenti amerikan u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Putini nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, tre javë pas një udhëtimi në Kinë, në të cilin ai dhe Xi njoftuan një partneritet “pa kufizime” . Vizita e tij dy-ditore këtë javë vjen 25 vjet pasi presidenti i atëhershëm Jiang Zemin nënshkroi një traktat miqësie sino-ruse me Putinin. syri.net


Send this to a friend