Kanalet ruse dhe pro-ruse në rrjetin social Telegram, të cilat deri më tani ishin të fokusuara në justifikimin e pushtimit në Ukrainë, u interesuan pothuajse njëkohësisht për situatën në veri të Kosovës.
Situata në veri po normalizohet gradualisht, ndërsa nga rrugët janë larguar kamionët dhe barrikadat, me të cilat serbët vendas kanë bllokuar rrugët që çojnë në dy pikat kufitare Kosovë-Serbi.
Bllokada pasoi pasi autoritetet në Kosovë njoftuan zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë për targat dhe dokumentet e Serbisë nga 1 gushti. Afati për zbatimin e vendimeve, pas tensioneve, më pas është shtyrë me një muaj.
Shpërndarja e organizuar e dezinformatave dhe propagandës
Konsistenca që tregon për një rrjet të organizuar, u shfaq më 31 korrik pas orës 19:00, kur kanalet që publikonin në rusisht dhe serbisht e transmetuan të njëjtin njoftim me një ndryshim prej disa minutash.
Bëhet fjalë për gjoja plagosjen e parë të serbëve në bllokadën drejt vendkalimit Jarinjë.
Ekstremisti rus Vladislav Pozdnyakov që është themeluesi i organizatës radikale “Shteti i Burrave”, i cili në publikimet e tij mbështet hapur pushtimin rus të Ukrainës, publikoi informacionin në kanalin e tij Telegram. Më shumë se 116 mijë njerëz e ndjekin atë në Telegram, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Mitrovicën Veriore, Zlatan Elek kishte konfirmuar për mediat vendore, të dielën në mbrëmje, se asnjë person i lënduar nuk është paraqitur në objekt që nga fillimi i bllokadës.
Policia e Kosovës gjithashtu njoftoi se në disa vende janë dëgjuar të shtëna, se disa kanë qenë të drejtuara në njësitet policore, por nuk ka të lënduar.
Kanalet ruse kanë publikuar edhe një fotografi të çizmes dhe një pjesë të uniformës së një personi të paidentifikuar me deklaratën se ushtria serbe është në gatishmëri për të ndërhyrë, siç thuhet, në kufirin administrativ, përkatësisht në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Që nga viti 2001, Ushtria serbe ka të drejtë të patrullojë pjesën tokësore, e cila mbulon një zonë pesë kilometra të gjerë përgjatë kufirit me Kosovën. Megjithatë, që nga tërheqja nga Kosova në qershor 1999, ushtria dhe policia serbe nuk kanë mundur të kalojnë në territorin e Kosovës.
Për shkak të dezinformatave që po përhapeshin, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka reaguar duke thënë se “Ushtria serbe ende nuk e ka kaluar vijën administrative dhe në asnjë mënyrë nuk ka hyrë në territorin e Kosovës”.
Gjysmë ore më vonë, kanali në gjuhën serbe “Rebelimi është një gjendje shpirtërore”, e cila informon çdo ditë 61 mijë ndjekësit e saj për pushtimin e Ukrainës, publikoi informacione për raporte jozyrtare për transferimin e aeroplanëve serbë në aeroporte dhe fusha afër Kosovës.
Pak minuta më vonë “Lajmëtari serb” si dhe kanalet në gjuhën ruse “Rusia e Madhe” dhe “Shqiponjat” bënë të njëjtën gjë në rusisht. Ky informacion nuk është publikuar apo konfirmuar askund zyrtarisht.
Pas pak kohësh, llogaria “Rosich” që është pjesë e njësisë paraushtarake ruse Wagner, e cila po lufton në lindje të Ukrainës, iu bashkua shkëmbimit të informacioneve për Kosovën. Në publikim thuhet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Ushtria e Kosovës synon të sulmojë veriun e vendit në mesnatë.
Ajo që tha Vuçiç në konferencën për media të asaj dite është se zbatimi i vendimeve të autoriteteve të Kosovës për tabelat dhe kartat e identitetit do të fillojë në mesnatë.
“Shqiptarët kanë dërguar dy njësi me 21 tonelata karburant në vendkalimet administrative, me dëshirën për të ndaluar ata që kanë letërnjoftime serbe. E gjithë kjo duhet të fillojë sonte në mesnatë, ndërsa në të njëjtën kohë të bindin serbët të heqin dorë nga tabelat KM”, pati thënë Vuçiç.
Të njëjtat akuza me disa minuta diferencë i ka publikuar edhe kanali në Telegram “Rusia e Madhe”, si dhe Vladislav Pozdnjakov.
Rrjeti i ekstremizmit dhe dezinformimit
Ky lloj rrjeti për përhapjen e dezinformatave ka kohë që po ndërtohet, thotë drejtori i hulumtimeve në Qendrën për Politikë dhe Siguri, Predrag Petroviç. Sipas tij, kjo është mënyra e veprimit të grupeve të ndryshme ekstremiste që janë të lidhura me njëri-tjetrin.
“Qëllimi kryesor i kësaj është të krijohet përshtypja se numri i tyre është i madh dhe se ata mbështeten nga një numër i madh njerëzish. Është gjithashtu një mënyrë për të arritur një audiencë sa më të gjerë”, thotë Petroviç.
Ai paralajmëron se një mënyrë e tillë komunikimi është “mjaft efektive” veçanërisht me njerëzit që kërkojnë një alternativë ndaj politikës kryesore.
“Ata ua ofrojnë atë alternativë në pozicionet e ekstremit të djathtë. Është veçanërisht e rëndësishme që ata të përpiqen të përdorin ato kanale për të tregtuar informacionin që jep përshtypjen e autenticitetit – se është nga terreni, ekskluziv dhe i dorës së parë. Është i qasshëm te audienca dhe shpejt përhapet nëpër ato kanale”, shtoi ai.
Analistët rusë
Mendimin e tij për krizën në veri të Kosovës e ka dhënë edhe analisti rus Leonid Savin, bashkëpunëtor i ngushtë i Aleksandar Duginit që është “truri ekstremist” i Vladmir Putinit. Në kanalin e tij “Kybernet”, ai ka shpërndarë tekstin e organizatës ekstremiste “Katehon”, e cila është në pronësi të biznesmenit rus Konstantin Malofeev.
Aty thuhet se Serbia shpreson në ndihmën e Rusisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Meqenëse rendi unipolar po shembet pas fillimit të operacionit special ushtarak në Ukrainë, serbët besojnë se pas një kohe ndryshimet gjeopolitike do të ndikojnë edhe në Ballkan, ku Moska do të jetë në gjendje të përdorë forcën e saj ushtarake për të rivendosur integritetin territorial të Serbia. Ky nuk është qëndrim zyrtar i autoriteteve deri më tani, por para aspiratave të popullit serb”, thuhet në tekst.
Në Serbi nuk është bërë asnjë hulumtim që ka të bëjë me qëndrimet e opinionit publik ndaj pushtimit ushtarak të Kosovës me mbështetjen e Rusisë.
Një fotografi me armë e ekspozuar në një tavolinë, pranë ushqimeve dhe pijeve, diku në Mitrovicën e Veriut – u shpërnda njëkohësisht në shumë kanale ruse Telegram.
“Serbët e Kosovës po nxjerrin armët. Dhe na besoni, aty ka mjaft armë ilegale”, thuhet në përshkrimin e fotografisë, të cilën ndër të tjera e ka publikuar kanali “Shqiponjat”, i cili drejtohet nga organizata joqeveritare Qendra ruso-serbe “Shqiponjat” me seli në Shën Petersburg.
Të njëjtën foto po me të njëjtin tekst, pothuajse në të njëjtën kohë e kanë shpërndarë edhe kanalet “Rosich” në rusisht dhe serbisht. Foto, së bashku me të njëjtin tekst, është shpërndarë edhe nga Dejan Beriç, një shtetas serb i cili po lufton në anën ruse në Ukrainë.
“Nxitësit e NATO-s”
Ramzan Kadyrov, lideri çeçen, forcat ushtarake të të cilit po luftojnë në Ukrainë në anën e Rusisë, foli edhe për tensionet në veri të Kosovës.
Kadyrov në kanalin e tij Telegram, të cilin e ndjekin 2.6 milionë persona, ka shkruar se i përcjell ngjarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me vlerësimin se është një “situatë komplekse”, në të cilën NATO ka marrë anën e “nxitësve”.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, të cilin unë e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO dhe çfarë metodash përdor Aleanca për të nxitur konflikte”, thotë Kadyrov, sundimtari autokratik i Republikës Çeçene, e cila ka autonomi brenda Federatës Ruse.
Ai akuzoi NATO-n se, “po përpiqet të korruptojë vendet me vlera tradicionale” dhe t’i kthejë ato “në një tufë njerëzish të këqij me instinkt kafshësh pa besim dhe nder”.
Misioni i KFOR-it në Kosovë, që funksionon nën drejtimin e NATO-s, më 31 korrik, pas vendosjes së bllokadave në veri të Kosovës, ka njoftuar se është duke i monitoruar me kujdes ngjarjet dhe se është e gatshme të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti në vend.
Autorizimet për këtë mision burojnë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e miratuar në vitin 1999. Rezoluta u mbështet nga të 14 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Rusinë.
Thirrje për dhunë
Disa kanale në Telegram prisnin haptazi nga qytetarët dhe përfaqësuesit e shtetit serb që të fillonin veprime të dhunshme.
Administratori i kanalit “Rosich”, i cili ka afro 100 mijë ndjekës, në një postim më 31 korrik shprehu shpresën se “Vuçiç do të ketë vendosmërinë për të dhënë urdhër” për veprim ushtarak dhe se “ushtria serbe do të jetë mjaftë e fortë” për të “rrafshuar me tokë shqiptarët”.
Më 31 korrik, kanali “Shqiponjat” publikoi një video ku shihej një grup i personave që djegin flamurin e Shqipërisë dhe bënin thirrje për vrasjen e shqiptarëve.
“Ne presim veprime të tilla qysh nesër në gjithë Serbinë dhe më gjerë”, thonë administratorët e kanalit në përshkrimin poshtë videos, duke theksuar se bëhet fjalë për një regjistrim arkivor.
Në një postim të datës 1 gusht, i njëjti kanal shtron pyetjen “A kanë marrë zemër muzikantët dhe kanë filluar të mbledhin instrumentet e tyre?” Fjalët “muzikantë” dhe “instrumente” në këtë kontekst do të thotë “luftëtarë” dhe “armë”. Në një postim të datës 4 korrik, ai kanal ka shfaqur një foto të një personi të armatosur me uniformë me nënshkrimin “Muzikanti nga Serbia”.
Kanali “Wagner Z Group”, i cili kryesisht promovon njësinë paraushtarake që lufton në Ukrainë, më 1 gusht ka publikuar një foto të flamurit serb, me një koment në rusisht “Kosova është Serbi. Denazifikimi është i pashmangshëm”.
Ky koment i referohet formulimit të Kremlinit se Rusia nisi një “operacion ushtarak” më 24 shkurt me qëllim “denazifikimin e Ukrainës”, që pretendohej nga mbështetësit e pushtimit rus.
Militarizimi i shoqërisë
Petroviq thotë se rrëfimet e tilla janë të rrezikshme, pasi ato militarizojnë edhe më shumë audiencën që ndjek kanale të tilla.
“Ndihet domosdoshmëria e veprimeve ushtarake për hir të realizimit të disa interesave, në këtë rast realizimit të interesave kombëtare siç i shohin ata”, thotë Petroviç.
Që kur Rusia nisi pushtimin më shumë se pesë muaj më parë në Ukrainë, shumë kanale ruse dhe serbe në Telegram publikojnë propagandë pro-ruse dhe përhapin lajme dhe dezinformata të paverifikuara çdo ditë.
Disa prej tyre haptas kishin vënë në shënjestër kundërshtarët e pushtimit rus, të cilët po protestonin në Beograd kundër luftës në Ukrainë./REL/
Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u publikua shkresa zyrtare e vitit 2017, ku kryetari i bashkisë Erion Veliaj, jepte miratimin për financimin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas gazetarit investigativ, Artan Hoxha, kjo shkresë e implikon Veliajn sepse ai firmos në emër të Këshillit Bashkiak, duke i marrë atributet dhe më tej edhe ato të bashkive të tjera të qarkut. Sipas Hoxhës të gjithë njerëzit që janë marrë me hartimin e kësaj shkrese janë në burg, përveç zotit Veliaj.
Hoxha tha se ishte telefonuar nga burgu pasi publikoi këtë shkresë zyrtare të firmosur nga Veliaj.
“Pse kjo shkresë i implikon Veliajn. E firmosur në vitin 2017, me këtë shkresë i thotë Ministrisë së Mjedisit se parimisht jemi dakord për rolin e bashkisë së Tiranës.
Pas shkresës së Veliajt të gjithë njerëzit që janë marrë me hartimin e kësaj shkrese janë në burg. Ish-ministri Lefter Koka dhe ish-sekretari Alqi Bllako janë në burg. I vetmi që nuk është në burg është Erion Veliaj. Ky është atribut i Këshillit Bashkiak. Ai ka marrë atributet edhe të bashkive të tjera të qarkut.
Kur është firmosur kjo nuk u mendua se do të vinte kjo ditë. Ata menduan që të bëjnë sa më shpejt letrat, pa menduar më tej. Atje nuk ka as një gozhdë”-tha Hoxha.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike, shkruan Zëri i Amerikës.
Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.
“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’.
Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës”, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.
Gazetarja kazake Zhamila Maricheva doli para gjyqit të enjten, për shkak të një artikulli që e kishte shkruar në mbështetje të shërbimit kazak të Radios Evropa e Lirë (REL), i njohur në vend si Radio Azattyq.
Maricheva u arrestua më 24 prill derisa kishte dalë për një vrapim, dhe më pas u akuza për përhapjen e “informatave të rrejshme”.
Akuzat kundër saj burojnë nga një artikull që ajo e kishte postuar në kanalin e vet në Telegram, ProTenge, në janar, kur ajo e kishte ngritur çështjen e telasheve me të cilat Radio Azattyq përballej për të siguruar akreditim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Kazakistanit.
Kjo kishte nxitur frikë se Qeveria po përpiqej t’i shtypte mediat e pavarura.
Maricheva e lartësoi Radion Azattyq për, siç tha ajo, profesionalizmin e saj, duke e theksuar rëndësinë e programeve të REL-it në Kazakistan.
Një gazetar tjetër kazak, Askhat Niyazov, e kishte shpërndarë artikullin e Marichevas asokohe dhe si pasojë ishte akuzuar për shpifje.
Një gjykatë e shpalli të pafajshëm Niyazovin vitin e kaluar dhe e mbylli rastin kundër tij, duke thënë se nuk kishte asgjë të jashtëligjshme në veprimet e tij.
Maricheva e përsëriti pafajësinë e saj gjatë seancës gjyqësore të enjten dhe theksoi se policia e shkeli të drejtën e saj duke e arrestuar për ta marrë në pyetje derisa ajo po bënte një vrapim, në vend se ta thërriste zyrtarisht për intervistim në stacion policor.
Avokatja e Marichevas, Asel Toqaeva, i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë rastin kundër saj dhe tha se të drejtat kushtetuese të Marichevas u shkelën nga policia gjatë arrestimit dhe intervistimit të saj.
Në janar 2023, Ministria e Jashtme ua mohoi akreditimin 36 gazetarëve të Radios Azattyq. Disa prej korrespondentëve nuk kanë qenë në gjendje ta vazhdojnë akreditimin prej fundit të vitit 2022.
Situata u përkeqësua kur një grup i ligjvënësve kazakë e miratuan një draft projektligj, i cili do t’ia mundësonte autoriteteve të ish-republikës sovjetike ta refuzojnë akreditimin për mediat e huaja dhe reporterët e tyre, për shkaqe të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
REL-i arriti marrëveshje me Ministrinë e Jashtme të Kazakistanit për akreditimin para rreth dy javëve.
Protesta e diasporës këtë të enjte në tribunat e Kuvendit të Shqipërisë është akti i parë i një luftë për një kauze të drejtë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe kjo mazhorancë merr rrezikun t’i mbajë zgjedhjet pa diasporën, lufta e kësaj të fundit do të përfundojë në sallën e Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, për mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të organizuara në kundërshtim me vendimin detyrues të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për pjesmarrjen e diasporës me vote ne zgjedhje.
Mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar po marrin kështu qartazi një rrezik të pa llogaritshëm me mos njohjen e zgjedhjeve në një vend që ende s’po hap një kapitull të parë të negocjatave për integrim në BE për shkak tashmë të problemeve me zbatimin e rregullave demokratike. Në momentin që po hedhim këtë shkrim në botim, gjasat janë që mazhoranca ka vendosur t’i hyjë rrugës së skenarit të më së keqes, kaosit institucional, politik dhe te sigurise në Shqipërinë e pas zgjedhjeve të 2025-ës që rrezikojnë të mos njihen si legale.
Për PS-në në pushtet është tepër vonë tani që të programohet votimi i diasporës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në pushtet, Blendi Klosi pati “meritën” këtë javë të bëjë publik pesimizmin e partisë së tij për sa i përket votës së Diasporës, duke i çjerrur në këtë mënyrë maskën Rilindjes. Me një cinizëm transparent apo me një transparencë cinike Blendi Klosi u shpreh kështu nga Shkodra:”… do të kishim shumë dëshirë që të realizonim votën e emigrantëve … por mungesa e opozitës shumë gjatë në komisionin per réformen zgjedhore na e bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje në komision”.
PS-ja akton ose aktron në këtë mënyre se nuk do të kete votë të diasporës për zgjedhjet e 2025, meqënëse sipas saj është tepër vonë tani. Këtë vonesë mazhoranca ia faturon sigurisht jo vetes por Opozitës. Të qeshësh apo të qash. Apo të dyja bashkë.
Në këtë shkrim do i përmendim disa të vërteta Blendi Klosit dhe liderit të tij maximo Edi Rama që i trembet po aq shumë votës së diasporës sa dhe reportazheve të gazetarëve të huaj si Rai 3. Të dyja palët , diasporë shqiptare dhe media perëndimore kanë një gjë të përbashkët, ato nuk kontrollohen nga kryeministri i Shqipërisë. Ndaj ky i fundit përpiqet të mbajë sa më larg vetes dhe Shqipërisë si angazhimin politik të diasporës ashtu dhe mediat investiguese ndërkombëtare në mënyrë që asgjë që vjen nga jashtë mos t’i cënojë pushtetin e tij brënda, një pushtet që e do pa limite në thellësi dhe në kohë.
Me ata që janë brenda Shqipërisë, që infuencojnë fletët e votimit, që numërojnë kutitë e votimit dhe që supozohen të gjykojnë krimet gjatë procesit të votimit, Rama merret vetë si ia do dëshira. Me ata që janë jashtë dhe që s’ka se çfarë t’u bëjë, ose i pengon të votojnë duke mos lejuar votën e diasporës, ose u bën telefonata kërcënuese siç veproi me drejtorin e RAI-t, duke thyer kështu dhe një rekord që deri atëherë e mbante Kremlini i Putinit. Rama po thyen dhe një rekord tjetër të Kremlinit. Regjimet e Putinit dhe të Vuçiçit të paktën sa për sy e faqe e lejojnë votën e diasporës, ai i Edi Ramës dhe këtë obligacion minimal kushtetues të një vendi anëtar të Këshillit të Europës nuk e përmbush.
Mazhoranca do mbajë përgjegjësinë për mos njohjen e zgjedhjeve nga GJK ose Strasburgu Blendi Klosi mund të bëjë sa të dojë sofizma për llogari të shefit të tij të llojit si ato që dëgjuam në Shkodër: “Ligjvënësi kur e ka ndërtuar Kushtetutën dhe ligjin ka menduar se do të ketë forca të ndërgjegjshme politike të cilat do të duan të ulen në tryezë, të negociojnë mes tyre dhe të marrin vendime përsa i përket ligjeve të rëndësishme të vendit. Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në këtë situatë”.
E para, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste ta rrotullojë gjuhën shtatë herë në gojë para se të përmendë Kushtetutën që kjo mazhorancë po e trajton si qilim kashte para portës ku fshin këmbët. Kushtetuta u njeh të gjithë shtetasve shqiptare, pra çdo qytetari që ka pasaportë shqiptare, të drejtën e votës! Për Diasporën shqiptare kjo e drejtë u ri-konfirmua biles në mënyrë specifike nga nje vendim enkas ne favor te saj nga Gjykata Kushtetuese.
Përse duhet të presë mazhoranca dakordësinë e opozitës për votën e diasporës? Kjo mazhorancë që s’pyet për opozitë kur ve në rend të ditës për votim në Parlament ligje nga më anti-shqiptaret si pakti Rama – Meloni për afrikanët, Butrinti që i jepet privatit, apo zvogëlimi zonave të mbrojtura natyrore të Shqipërisë, pse fshihet pas nevojës se një konsensusi me opozitën në rastin e votës për diasporën? U dashkan 84 vota thotë Blendi Klosi? Po le ta çojë mazhoranca ligjin për votën e diasporës, të japë të gjithë votat e saj të mundshme, 70 e disa që ka, dhe t’ja lërë kështu dopjo gjashtën në dorë opozitës po qe nevoja.
Le të guxojë nga ana e saj opozita para kamerave të gjithë botës të votojë kundër ligjit të propozuar nga mazhoranca për votën e diasporës. I takon shqiptarëve të gjykojnë kush po ia saboton votën diasporës, jo mazhorancës. Detyra e mazhorancës, ngaqë është mazhorancë është të japë shembullin dhe jo të ngrejë alibira boshe.
U bë mbi një dekadë që Edi Rama është në pushtet. Si produkt i diasporës me banim më parë në Paris, Edi Rama e futi të drejtën e diasporës për votim që në programin e Partisë Socialiste më 2013. Mbi 10 vjet më vonë asgjë. Mburret Edi Rama se arriti të paarritshmen me votimin e Reformës së Drejtësisë më 2016. Pse nuk vuri të njëjtën tempo, energji, përkushtim e atdhetarizëm për të realizuar votimin për votën e diasporës? Pse? Sepse me Reformën në Drejtësi ai shpresonte të realizonte vënien e drejtësisë së re nën hiqmin e mazhorancës së re dhe kjo e motivoi tej mase t’i shkonte deri në fund. Ndërsa votës së diasporës ai nuk i sheh veçse efekte negative me mbi 1 milion njerëz jashtë që nuk mund t’i kontrollojë. Ndaj ai tallet dhe votimin për votën e diasporës, e shtyn periodikisht për në “kalendat greke”, për të mos ta lejuar kurrë, për aq kohë sa ai do të jetë në pushtet. Është më e ndershme t’i prezantosh gjërat kështu, se sa të fshihesh pas topureve të opozitës se po e pengon kjo votën e diasporës. Këtë fabul si ajo tjetra mbi papërgjegjësinë e Ramës në korrupsionin galopant që ka përfshirë vendin si në “flakët e Ferrit” mund ta hanë disa mendje naive në Shqipëri por nuk do gjesh një adult apo adoleshent të diasporës shqiptare ta besojë këtë qeveri në mashtrimin se votën e diasporës nuk e ka ajo në dorë, por opozita.
Thirrje spektrit politik për solidaritet me diasporën deri në mosnjohje të zgjedhjeve Diaspora shqiptare nuk duhet të merret me gjatë me lutje ndaj një mazhorance me qëndrim të qartë anti-shqiptar karshi votës së diasporës. Strategjia e diasporës duhet t’i bëhet e ditur mazhorancës dhe ndërkombëtarëve. Nëse ajo nuk lejohet të votojë në 2025, do të ketë rekurse te gjithanshme për mosnjohje të zgjedhjeve dhe kërkesë për ripërsëritje të tyre deri sa të integrohet vota e diasporës. Diaspora ka forcën e ligjit me vete, ka Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin specifik në favor të saj të Gjykates Kushtetutese.
Edhe sikur gjykatat shqiptare mos t’i japin të drejtë diasporës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të 2025-ës pa votën e diasporës, çështja do të shkojë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që mbarë Europa ta njohë të vërtetën e pushtetit të Edi Ramës në Shqipëri si i vetmi pushtet në Europën moderne që ia ndalon diasporës të votojë duke e tejkaluar siç u tha më sipër edhe Rusinë apo Serbinë.
Diaspora shqiptare duhet po ashtu të vërë para përgjegjësive të gjitha partitë e opozitës që këto të jenë të gatshme ashtu si diaspora të mos e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 2025 në Shqipëri nëse ato zhvillohen pa votën e diasporës.
Një ultimatum i këtij lloji t’i dërgohet përfaqësive perëndimore në Tiranë. Dhe ato të marrin përgjegjësitë e tyre nëse situata shkon në mosnjohje të zgjedhjeve nga opozita për shkak të mohimit të votës së diasporës. Perëndimorët që janë kaq të ndjeshëm ndaj situatës së sigurisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, kanë sot rastin të veprojnë që situata në Shqipëri mos të degradojë në 2025 nëse delegjitimohen zgjedhjet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka bërë detyruese votën e diasporës për 2025-ën.
Kur arriti të pamundurën më 2016, me 140 vota mbi 140 në favor të Reformës në Drejtësi, faktori ndërkombëtar të lëvizë tani sa nuk është vonë për të detyruar mazhorancën të lëvizë sa më shpejt për votën e diasporës. Më vonë do të jetë tepër vonë, Shqipëria do të rrezikojë të zhytet në një krizë politike dhe sigurie në 2025 atëherë kur nuk i dihet fati as situatës së sigurisë më gjerë në Europë pas një fitoreje të mundshme të Donald Trump në SHBA. Përgjegjësit në Shqipëri dhe në kancelaritë perëndimore të marrin bashkarisht përgjegjësitë e tyre: me mohimin e votës së diasporës shqiptare po luhet me zjarrin që gjithmonë është vërtetuar si një lojë tepër e rrezikshme
Një Shqipëri pa zgjedhje të legjitimuara do të jetë një Shqipëri në kaos!
Kreu i grupit parlamentar të PD, në fjalën e tij në lidhje me protestën e organizuar nga gazetarët në hyrje të Kuvendit në lidhje me sulmet ndaj mediave, tha se këto raste turpërojnë të gjithë politikën, jo vetëm ata që i kryen.
“I dënojmë sulmet ndaj medias. Liria e shtypit është një nga shtyllat e demokracisë. Gazetarët e terrenit kanë vështirësitë tuaja ashtu si media ka qenë pre e autoritarizmit të Ramës. Janë raste që turpërojnë jo vetëm ata që e kanë kryer por të gjithë politikën.
Në emër të grupit të PD keni mbështetjen e plotë tonën për të bërë punën tuaj”, tha ai.
Më parë për gazetarin Osman Stafa foli edhe deputeti Toni Gogu.
“Vetëm ju mos t’ju cënojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.bw
Gazetarë të terrenit janë mbledhur sot para hyrjes së Kuvendit, ku po protestojnë për të drejtat e tyre. Me pankarta në duar, me mesazhe të ndryshme, gazetarët që përcjellin çdo ditë lajmin e fundit, të vërtetën te publiku, punonjësit e medias kanë protestuar sot, një ditë para 3 majit, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Kjo për faktin se sot ka seancë plenare dhe për të sjellë më mirë mesazhet te politika. Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave. “Keni mbështetjen tonë. Unë dënoj çdo lloj sulmi.
Vetëm ju mos t’ju cenojnë pa dashje. (qesh)”, tha deputeti i PS-së, Toni Gogu para gazetarëve.
“Gazetarëve iu janë dërguar mesazhe kërcënuese. Nga Politikanë apo personazhe të tjera. Janë identifikuar gjatë këtij viti 30 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Sot dita e sotme duhet të jetë alarm për ne gazetarët dhe çdo politikan të zgjedhur”, tha gazetari Isa Myzyraj duke bërë thirrje që politika duhet të reflektojë.
Afrimi i 25 prillit do të rindezë krahasimet ndërmjet Lirimit tonë e atij të të tjerëve. Është e parashikueshme që në manifestimet do të ridëgjohet thirrja “Palestina e lirë”, e do të hymnizohet “qëndresa” e atij popilli. Por po aq e sigurtë është se të njëjtin interes nuk do të shkaktojë qëndresa e ukrainasve. Simbas një paradoksi të eksperimentuar mirë në debatin tonë publik: pikërisht ata që janë më shumë të zotuar për të kundërshtuar pushtuesin izraelian, janë më të prirurit për të kuptuar arsyet e pushtuesit rus. Megjithëse Gaza nuk ishte e pushtuar para se të shpërthente lufta, ndërsa Donbasi ishte dhe është. Kjo vëngëri etike e politike është interesante edhe në motivimet e saj. Pardje ishte një dëgjuese e radios tepër e zemëruar me qeverinë ukrainase: “Atë që e gjej të palejueshëm – thonte – është përçmimi i skajshëm i jetës njerëzore nga ana e atij që dërgon dy ushtarë të luftojnë kundër dymijëve”. Zakonisht mbajmë anën e më të dobtit. Ndërsa në rastin e Rusisë, fuqia ushtarake dhe demografike e së cilës e quajtur e tepruar, është që në fillim një arsye shumë e mirë që ajo t’a fitojë luftën. Pra:zemërohemi në emër të shënjtërisë së jetës me ata dy që qëndrojnë, por jo me dymijët që përpiqen t’i vrasin.
Duke lënë mënjanë faktin që në histori shpesh herë më i trashi i ka marrë goditjet (Rusia cariste, rul ngjeshës i Evropës, qe për shëmbull fuqia e parë që u mund nga një Vend aziatik, Japonia e vogël, më 1905). Por ai që bën më shumë përshtypje është arsyetimi që mohon në rrënjë të drejtën e qëndresës së më të dobtit, që është i ligjëruar pikërisht nga dobësia e tij numerike e ushtarake e atij që pëson një padrejtësi e një paudhësi. Nuk e di nëse përkrahësit e kësaj teze a e kuptojnë se arrijnë deri në mohimin e shëmbëllesave të heroizmit si ajo e treqind spartanëve, që në Termopile mbrojtën lirinë e grekëve përballë fuqisë së pakufishme ushtarake persiane; ose atë të vietkongëve që në shtegun Ho Shi Min më së fundi mundën gjigandin amerikan; madje edhe qëndresën e hindianëve t’Amerikës, që më mirë se sa të përfundonin të internuar në një vend, parapëlqyen të përballeshin në një fushë beteje.
Shkurt: nëse më i dobti nuk ka të drejtë të mbrohet, duhet rishkruar e gjithë historia e njerëzimit. Nga ana tjetër, jam i sigurtë se e njëjta dëgjuese nuk do të kishte përdorur kurrë të njëjtin argument për të dënuar veprimet e partizanëve italianë ndërmjet 1943 e 1945, madje duke përsëritur padinë e vjetër të të bërit përgjegjës, me luftën e tyre, të shpagimeve të llahtarëshme nazifashiste të Marzabottos e të Sant’Anna të Stacemës. Nga ana tjetër ata që mendojnë si ajo sigurisht nuk i kërkojnë Hamasit të pushojë luftën për të shmangur plojën e mijra civilëve palestinezë. Madje dhe Hamasi, duke ngritur të famshmin flamur të bardhë, do të kishte fuqinë t’i jepte fund luftës, duke mos pranuar të përballonte një kundërshtar qartësisht më të fuqishëm për aftësi ushtarake e teknologjike. Megjithatë përgjegjësia e Hamasit, ploja e izraelianëve e 7 tetorit, nuk mund të krahasohet as së largëti me çfarëdo “casus belli” të përdorur nga Moska ndaj Kievit për të ligjëruar mësymjen. Pikërisht ndeshtrasha e luftës arabo-izraeliane, e filluar 76 vite më parë, do të duhej të na mësonte se paqja nuk është një fitore ushtarake, se nuk mjafton një bashkëngjitje territori ose dorzimi i armikut për t’a siguruar. Më 1948, kur OKB-ja vendosi lindjen e dy Shteteve në Palestinë, më të dobtit ishin hebrejtë, pak qindra mijra të rrethuar nga një det miljona arabësh në Egjypt, Jordani, Siri, Liban, Irak; të cilët bënë gabimin të mos pranimit të planit të ndarjes, të bindur se do të mbizotëronin me forcën, duke hapur kështu një nga luftërat sot më larg çdo shprese të paqes. Në të njëjtën mënyrë, nëse nesër në mëngjes një qeveri ukrainase do të vendoste t’i dorëzohej Putinit, nuk do të ishte fundi i luftës, por fillimi i një lufte të re, të zvarritur e të pafund, ndoshta edhe një stine terrorizmi ndërkombëtar; pikërisht ashtu siç ndodhi në Lidjen e Mesme, kur palestinezët e Arafatit e përqafuan atë si armë qëndrese.
Rusët duhet t’a dinë mirë, mbas përvojës së Afganistanit: e mësyen edhe atë Vend, por u detyruan të tërhiqeshin mbas dhjetë vitesh, duke lënë të hapur plagën e skajshmërisë islamike nga e cila mbiu sulmi i Bin Ladenit Amerikës, përgjigja e Bushit të ri, lufta e Irakut, pafundësia e vatrave të luftës dhe atentateve që ende sot gjakosin botën. “Nuk ka paqë pa drejtësi”. E ka thënë edhe Gjon Pali i II, duke shtuar: “Nuk ka drejtësi pa falje”. Kush përgatitet të ndyejë kujtimin luftës sonë të Lirimit për të përligjur shtypjen e të tjerëve, ose për të bërë dy pesha e dy masa simbas mësyesve, le të kujtojë këto fjalë më 25 prill.
“Corriere della Sera”, 15 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Ivan Ilin është njëri ndër filozofët e parapëlqyer të Vladimir Putinit, të cilin e citon shpesh e me dëshirë. Por Ilini, i vdekur më 1954, ka qënë edhe një adhurues i bindur i Hitlerit, përpkrahës i nazizmit dhe i quajtur si teoricieni i “fashizmit rus”.
Prandaj studentët e Universitetit Shtetëror për studimet humaniste ngritën krye përballë vendimit të Rektoratit për të titulluar me të Shkollën e re eprore të Politikës, duke emëruar si drejtor një tjetër figurë të diskutueshme, mendimtarin tejet kombëtarist Alexandër Dugin. Në një thirrje zyrtare, të nënëshkruar nga 5 mijë veta, studentët i kërkojnë ministrisë së Shkencës e Prokurorisë federale të ndryshojnë emrin e Shkollës, mbasi”qëndra e kërkimeve të njërit ndër universitetet kryesorë të Vendit që ka thyer nazifashizmin, nuk mund të mbajë emrin e një mbështetësi t’atyre ideve”. Një deputet i Dumës, Vladimir Isakov, ka kërkuar një hulumtim mbi vendimin, sepse po të kishte qenë gjallë Ilini, do të ishte në dhunimin e ligjit rus që ndalon riabilitimin e nazizmit.
Gjëja më kureshtare është se, në përgjigje të një pyetjeje, zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peshkov, paska thënë se Kremlini “nuk parapëlqen të jetë i ngatërruar në këtë diskutim”. Nga të dyja njëra: o Putini lejon që sistemi të ketë ndonjëherë ndonjë valvul shpërthimi, ose nuk i bën përshtypje të vetëkundërshtohet, duke paditur ukrainasit se janë të gjithë fashistë e ndërkaq merr frymëzim nga një filozof nazist. Janë sjelljet tipike të Carëve, fundi i të cilëve filloi pikërisht nga Universitetet.
“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 Përktheu Eugjen Merlika
Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes pikës kufitare të përbashkët Shqipëri-Kosovë me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.
Më herët, kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës. Qytetarët e Kosovës që kanë zgjedhur të udhëtojnë sot thonë se zbatimi i kësaj marrëveshje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi.
Ndërkohë, që në orët e para të ditës së sotme, pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova, të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi.
Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.sn
Kryebashkiaku i Tiranës u paraqit të martën në SPAK pas një fletë-thirrje të javës së kaluar për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.
BIRN
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet të martën për gati 7 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK.
Rreth orës 09:00 të mëngjesit, Veliaj u paraqit në ambjentet e SPAK me një dosje në dorë dhe kur doli pas dëshmisë, deklaroi para gazetarëve se kishte shkuar si ‘bashkëpunëtor’, pasi kishte kohë që e kishte kërkuar vetë një takim.
Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve. Ai shtoi se ishin thënë edhe disa detaje të tjera, por u tregua i rezervuar me argumentin se për shkak të sekretit hetimor i ishte “kërkuar dashamirësisht që të mos i ndante me gazetarët”.
I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.
“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.
Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë euro – ndonëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish- deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.
Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar.
Media greke i ka kushtuar një artikull ngritjes në detyrë të zëvendëskryeministres, Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj, siç është rasti i Evis Berberit, që ndodhet pas hekurave për shpërdorim detyre.
Newsbombë.gr shkruan për arrestimin e Berberit, krahut të djathtë të ministres së Infrastrukturës, Balluku.
Po ashtu shtrohen një seri me pyetje se pse ende nuk zbatohet vendimi i gjykatës franceze që shteti shqiptar t’i paguaj 50 milionë euro kompanisë greke “Actor”.
ARTIKULLI
Emri Belinda Balluku mund të mos jetë shumë i njohur për ju, por në Shqipëri do të thotë shumë. Emri i ministres së Infrastrukturës dhe zv/kryeministres Edi Rama përbën një çarje në ngërçin e Shqipërisë. Më 13 mars, SPAK, Gjykata kundër Korrupsionit, arrestoi Evis Berberin, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të besuar të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv/kryeministres, Belinda Balluku. Akuza kishte të bënte me projektet e ndërtimit dhe konkurset luksoze, të cilat po fitoheshin nga të zgjedhurit e Edi Ramës. Sipas mediave shqiptare, pas një bastisjeje të policisë, SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit, arrestoi Evis Berberin, kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Policia e arrestoi atë së bashku me dy shokë biznesi (Valter Begaj dhe Ervis Lamajn), ndërsa në banesën e tij u sekuestruan shuma të mëdha parash dhe piktura me vlerë qindra mijëra euro. Evis Berberi ishte krahu i djathtë i ministrit Balluku dhe ishte ai që u fotografua pranë saj në të gjitha inspektimet dhe inaugurimet e projekteve të mëdha rrugore. Sipas SPAK, Valter Begaj, pronar i kompanisë NET – GROUP, ka fituar 6 tenderë publikë, paratë nga të cilat i ka transferuar nëpërmjet transaksioneve tek kompania DAAM. Përfitimi duket se shkon në 2.7 milionë euro.
NET-GROUP fitoi këto gara, paratë u transferuan përmes transaksioneve në kompaninë DAAM. Këto veprime kanë ngritur dyshime për veprimtari pastrimi parash. Hetimi i SPAK raportohet se ka nisur javët e fundit, me fokus shitjen e DAAM. DAAM është blerë nga Berberi me një çmim shumë të ulët, është shitur shumëfish, ndërsa pronësia dhe menaxhimi ndryshon disa herë mes biznesmenëve. Ka dyshime për një transferim të rremë për të shmangur konfliktin e interesit pasi Berberi ishte vendosur të emërohej këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. I gjithë skandali i mësipërm ka shkaktuar lëkundje ‘tektonike’ në skenën politike të Shqipërisë.
Shumë pikëpyetje ngre ngritja e bukuroshes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila para karrierës së saj të re punonte në Greqi si ndihmëse shtëpiake. Praktikisht, një ndihmëse shtëpiake u bë numri dy i qeverisë shqiptare dhe ministre e Infrastrukturës dhe për këtë arsye komandon punët publike të vendit fqinj.
HISTORIA
Ka një proces gjyqësor që kompania e ndërtimit ‘Actor’ ka fituar nga një gjykatë franceze, ndaj shtetit shqiptar, në shumën 50 milionë euro, për të cilën Ministria e Drejtësisë dhe e Jashtme nuk kanë dhënë dritën jeshile për ta ekzekutuar. Dhe diku këtu është përfshirë Balluku, ku krahu i saj i djathtë u arrestua për pastrim parash, ndërkohë që ajo u kishte kërkuar shefave (të vjetërit e kompanisë së ndërtimit) të shpejtonin ndërtimin e projektit. Por kur punimet u bënë, Balluku nuk i pagoi shumat.
Me fjalë të tjera, kompania ‘Actor’ bëri punën, shkoi në gjyq, fitoi 50 milionë euro dhe e zgjedhura e Edi Ramës ‘fishkëllen’ indiferente. Por ja ku nisin ‘pyetjet’ e nxehta:
-Kush dhe pse nuk i jep dritën jeshile zotit Exarchou të kompanisë ‘Actor’ për të ekzekutuar?
-Çfarë lojërash luhen në sfondin diplomatik që pengojnë pagesën e shumave ndaj një kompanie greke që ka fituar ligjërisht?
-Kë mbulon shteti shqiptar?
-Çfarë di Athina për këto raste dhe çfarë do të bëjë? A do të vazhdojë ‘të fërshëllejë’ indiferente?
Plani i dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar objekte turistike në Ballkan, ka nxitur reagime të shumta dhe shpesh edhe pakënaqësi në popull.
Sa i përket Serbisë plani i tij parashikon që një ndërtesë e cila shihet si kujtesë e bombardimeve të NATO-s në Beograd në 1999, të kthehet në një kompleks hotelesh luksoze.
Kjo është përkthyer si një ndërhyrje në kujtesën kolektive serbe të luftës.
Aleksandar Jovanoviç Çuta, një ambientalist, aktivist dhe anëtar i opozitës serbe u shpreh se nuk është normale që një vend ku civilët humbën jetën nga bombardimet, të kthehet në hotele me jakuzi dhe kazino.
Ai shtoi se Serbia nuk është “bar bufe” dhe presidenti Aleksandër Vuçiç nuk është kamerier që të japë me qira 99 vite godinat që nuk janë pronë tij private.
Si Jovanoviç, edhe figura të tjera të opozitës kanë nisur një peticion kundër projektit, duke mbledhur rreth 22,000 nënshkrime, ndërsa kanë bërë thirrje për protesta për të parandaluar zhvillimin e projektit.
Financimi prej 500 milionë dollarësh, do të ndërmerret nga firma e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, të cilën ai e themeloi pasi ai dhe vjehrri i tij, Donald Trump, u larguan nga Shtëpia e Bardhë.
Ka raportime se ai ka siguruar 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe gjithashtu ka marrë qindra milionë nga fondet sovrane të pasurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit.
Jared Kushner tha kohët e fundit se palët negociuese kanë rënë dakord paraprakisht që t’i japin qeverisë serbe 22% të fitimeve nga projekti, në një kohë kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe qeveria e tij argumentojnë se Beogradi duhet të rritet për më tepër për të krijuar mundësi biznesi.
Komentet