Policia italiane ka arrestuar një ish-zyrtar shqiptar për trafik droge.
Mësohet se i arrrestuari është Agim Kajmaku, ish-kryetar i bashkisë së Vorës, shkruan Report Tv, media pranë kryeministrit Edi Rama.
Personi i arrestuar nga policia italiane është ditëlindjes 6 korrik 1971, të dhënat të cilat korrespondojnë me ato të ish-kryebashkiakut socialist të Vorës.
Kajmaku është arrestuar në 27 maj 2022 me 20 kg kokaine në zonën e San Benedeto del Tronto.
Operacioni vijon dhe Italia ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Policisë Shqiptare.
Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës që mori në 30 qershor 2019, pasi nuk deklaroi një procedim penal në Greqi.
Njësia e dekriminalizimit në Prokurori, ngriti ndaj Kajmakut akuzën e falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati.
Agim Kajmaku kishte mashtruar me formularin e dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por pikërisht në atë dy ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata dhe rëndoi akuzën ndaj tij.
Agim Kajmaku u arrestua në korrik 2020, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim, në një spital privat në Tiranë ku po trajtohej për probleme shëndetësore.
Por dy ditë pas ndalimit, Kajmaku u la i lirë më 8 korrik 2020, kur Gjykata e Apelit ndryshoi masën e shkallës së parë nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’.
Komentet