Kur bëhem i verbër
Dashuria të bën të verbër
çdo ditë që kalon, si i verbri
që tërheq këmbët zvarrë me shkopin e tij,
trafiku vjen e bllokohet plotësisht,
kurse engjëjt e Zotit ngjiten dhe zbresin-
okulisti e mbyll klinikën.
Dashuria të bën të verbër, por seksi është i padëmshëm;
nuk kam asnjë problem me shikimin,
mund të shoh shumë mirë.
Ja pse poezitë e mia të dashurisë kanë dështuar.
Symbyllur përshpëris në telefon,
jashtë stacionit të trenit qëndron një i verbër,
një besimtar evangjelist,
duke mërmëritur në shi
– i verbuar nga dashuria.
Të porsadashuruarit i puthin njëri-tjetrit majat
e gishtave.
unë e di këtë!
Bllofi i të verbrit
Ata i mbuluan sytë e tij me një shami
dhe ia lidhën rrotull qafës. Ai e pëlqeu atë lojë.
Duke iu marrë mendtë nga errësira, sillej në ekstazë
midis kushërinjve të tij, të tre “Hirësitë”
po gajaseshin së qeshuri. Ata qeshnin me të,
me euforinë e tij,
që ishte edhe e tyrja. Ai i kapi zërat e tyre një nga një,
por hamendësoi vazhdimisht gabim, loja vazhdoi
tërë pasditen. Ai ishte i lumtur në paditurinë e tij,
pa ndjenjat e lodhjes dhe frikës, një rrezik kishte kaluar,
ai preku fytyrat e tyre të skuqura;
duart e tij ishin të lirshme. Ai dëshironte vetëm
të vazhdonte, kur ata rrëmujshëm zgjidhën nyjen
dhe ia hoqën shaminë nga sytë. Ai qëndroi i shushatur
gati i përlotur, i shokuar nga drita
që për një çast e verboi atë plotësisht.
Për verbërinë e tij
1
Është më lirë tani, po mendoj,
të shkruash me bojë, apo në kohën kur Borgesi diktonte
tregimet e tij të labirinthit në Buenos-Ajres?
Homeri i Argjentinës i konsideronte fjalët
si simbole për t’i ndarë me të tjerët. “Unë besoj se
estetika abstrakte është një iluzion i kotë”,
– shkruante ai
në një nga parathëniet e tij, ku ngazëllehej me heqjen
dorë nga origjinaliteti.
Duket pa shtirje. Vetëm pasi u verbua,
ai arriti të kishte kontakte me sy me Xhon Miltonin
në Parajsën e Humbur të tij.
2
Dashuria të bën të verbër. Por u deshën dyzet vjet!
Dyzet vjet studime paraprake, shërbime dhe shpërthime
të zemërimit, kur tigri i ëndrrave arratisej.
Nganjëherë ai do të konsultohej me okulistët,
dhe çdo herë një zhgënjim.
Ai studioi Xhojsin, i cili duhet ta ketë dashur Norën, megjithëse
ai asnjëherë nuk u verbua nga dashuria. Vetëm kur Alonso Quixano
u çmend dhe e quajti veten Don Quixote, ai e braktisi librarinë e babait të tij;
dhe jo më parë se dyzet vjet pasi gjeti dashurinë në Gjenevë,
Borgesi u bë i verbër… i verbër siç u bë Bethoveni, i shurdhër.
3
Ai punoi në terr dhe i latoi fjalët në mendje,
derisa ato nxorën shkëndija nga metafizika e vërtetë.
“Nëse dikush është poet, ai mbetet gjithnjë poet dhe është
gjithë kohën i tromaksur nga poezia.” Borgesi u ushqye
nga fati i tij i keq dhe e zëvendësoi botën e dukshme
me sagat dhe vargun e anglishtes së vjetër, duke e kthyer
verbërinë në dhunti: Vetëm kështu ai do të shikonte njëlloj
si Homeri, vetëm kështu ai do të ishte në gjendje
të shihte thellë në errësirë, në botën e gjerë
dhe në çastin marramendës, që është përjetësia.
Instituti për të Verbrit
Duke kaluar nga Instituti për të Verbrit,
dhe shikuar nga një qoshe e errët një natë dhjetori,
i pashë të verbrit duke kërcyer tango
prapa dritareve të ndriçuara. E gjithë ngrehina
shkëlqente fort si një UFO
ose si një shtëpi e zotëruar nga metafizika.
Ndalova i paralizuar,
jashtë në errësirën e thellë,
me një vështrim të përhumbur, gati i verbër.
Përkthyer nga Kujtim Morina
Komentet