Mbështetur në pasionin tim për t’i shërbyer komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Amerikë dhe Atdheut, mbështetur në vlerat dhe rëndësinë e Fedratës Vatra si asset i çmueshëm i Kombit shqiptar, po ashtu mbështetur në rëndesinë absolute që Këshilli i Vatrës merr me aprovimin e Kanunores së re si strukturë e dytë hierarkike dhe vendimmarrese mbas Kuvendit, mbështetur po ashtu edhe në integritetin dhe ambicjen time personale për të lënë një shenjë të mirë në jetën time dhe të Vatrës, ju paraqes kandidaturën dhe programin tim për të drejtuar Këshillin e Federatës Vatra për katër vitet e ardhshme.
Programi im përmblidhet në këto pika të përgjithshme:
⦁ Do të jem garant i zbatimit me fanatizëm të rregullit tonë të përbashkët, Kanunores, në të cilën përfshihen të gjitha të drejtat dhe detyrat anëtarëve dhe strukturave të Vatrës. Ekperiencat e mija të mëparshme në grupimet shoqërore dhe në Vatër më kanë mësuar se problemet vijnë më së shumti nga aktet autoritare dhe mos-respektimi i Statutit. Shtjellimi dhe zbatimi rigoroz i neneve të Kanunores, si themeli bazë i gjithë këtij formacioni të madh shoqëror që do të rritet edhe më shume, do të jetë Alfa dhe Omega e punës time ne këtë pozicion.
⦁ Do të nxis frymën e paqes dhe bashkëpunimit të degëve të Vatrës në mes tyre dhe Degëve dhe Qendrës. Do të shfrytëzoj të gjitha energjitë e mia dhe të miqve të mij, që Vatra si institucion të jetë nje trup gjithmonë në lëvizje, kjo nëpërmjet ideve dhe projekteve të reja, një Vatër të gjallë, aktive dhe produktive në çdo vit, çdo muaj dhe çdo ditë. Do të jem ndjekës i përpiktë në kohë reale i situatave dhe ngjarjeve në Shqipëri, Kosovë, viset e tjera shqiptarë dhe Amerikë, shoqëruar me reagimet përkatëse.
⦁ Do të inicioj formimin e komisionit të auditit të brendshëm të Vatrës. Vatra si një organizim kaq i madh dhe i gjerë komunitar dhe me shume degë, e ka të domosdoshme të ketë një komision auditimi. Ky komision do të ketë për detyrë verifikimin periodik të të ardhurave të Vatrës, verifikimin periodik të Fondit të Studenteve dhe Fondacionit Vatra, të auditojë fondet e degëve, të auditoje mbledhjet dhe zgjedhjet në të gjitha strukturat e Vatrës konform Kanunores, të auditojë punën dhe financat e gazetës Dielli dhe rezultatet e tyre t’ia kalojë Kryesisë së Vatrës dhe Këshillit të Vatrës. Heqja e strukturës së tre kontrollorëve që ishte në Kanunoren e vitit 1926, e kushtëzon një komision të tillë që mund të krijohet me një akt nën-Kanunor siç e parashikon neni 31 i Kanunores. Sigurisht kjo kërkon aprovimin e 2/3 të anëtarëvë të Këshillit.
⦁ Bazuar në nenin 9 të Kanunores, do të inicioj krijimin e grupit të lobimit me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Vatrës. Ky grup lobimi do të ketë për detyrë përcjelljen dhe avokatinë e çështjeve kombëtare shqiptare në strukturat e shtetit Amerikan. Ky Komision do të përbëhet nga intelektualë dhe Vatranë me eksperiencë në fushën e lobimit, njohës të mirë të gjuhëve shqip dhe anglisht, njohës të mirë të gjeo-politikës rajonale shqiptare dhe të marrdhëniave me shtetin amerikan dhe vatranë të tjerë që kanë lidhje personale dhe miqësore në Shtëpinë e Bardhe, Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres.
⦁ Do të filloj kontaktet dhe negociatat me Shtëpinë e Bardhe që mundësisht në një të ardhme të afërt, shqiptaro-amerikanët të celebrojnë festën e Pavarësisë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, kjo sipas modelit të vendeve të tjera fqinje të Shqipërisë. Kjo mund të arrihet nëpërmjet vënies në lëvizje të të gjithë figurave të shquara shqiptare të komunitetit këtu dhe lidhjeve të tyre me senator, kongresistë dhe në Departamentin e Shtetit.
⦁ Ne bashkëpunim me Kryesinë e Vatrës do të krijoj një plan të përhershëm të Vatrës që në rast vizitash të figurave drejtuese dhe elitare të shteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, përveç pritjes me rregull protokollar të tyre, të përfshihet edhe nje konferencë pyetje-përgjigjesh me anëtarë të Vatrës por edhe gazetarë, ku këta drejtues t’i përgjigjen pyetjeve dhe shqetësimeve të komunitetit shqiptar.
⦁ Do të inicioj krijimin e Bordit editorial të Gazetës Dielli. Ky Bord do të ketë për detyrë marrjen, përzgjedhjen dhe redaktimin e artikujve të ndara në tematika të ndryshme si: arti, kultura, politika, rendi publik, opinione, editoriale etj., në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht, gjithmonë nën kontrollin e krye-editorit. Bordi do të verifikojë rastet e plagjiaturave në shkrime, etikën dhe përshtatjen e tyre sipas fryme së Vatrës, gjithmonë duke ruajtur neutralitetin politik dhe respektin per publicistët. Ky Bord do të koordinojnë dhe menaxhojnë vendimet të rëndësisë kritike, sikurse mund të jenë mosmarrveshjet me pubicistët, ndihma financiare dhe logjistike për Gazetën Dielli.
⦁ Do të inicioj një akt nën-Kanunor, bazuar në nenin 31 të Kanunores, për rritjen e kuotës së anëtarësisë nga $100 në $150, respektivisht $50 anëtarësia dhe $100 gazeta Dielli. Nëse ky akt aprovohet nga Këshilli, do të propozoj rritjen e pagës së editorëve me 50% të pagës egzistuese. Kjo do të jetë nëpërmjet një plani të veçantë të parapregatitur.
⦁ Do të krijoj një klimë të butë dhe të përshtatshme për të afruar në Vatër intelektualë, profesorë dhe specialistë shqiptaro-amerikanë, të cilët janë një armatë e madhe profesionistësh të përhapur në Universitete, spitale, institucione lokale apo shtetërore. Kjo sigusisht, do të ishtë një vlerë e shtuar edhe për Vatrën për ta ngritur atë në nivelin e korifejve të saj. Kjo mund të arrihet nëpërmjet promovimit të aktivitetit të tyre, promovimit të botimeve të tyre apo edhe organizimit të simpoziumeve të ndryshme letrare, shkencore dhe historike.
⦁ Bazuar në nenin 7 të Kanunores, do të punoj fort me kryetarët e Degëve për hapjen në këto degë te klasave të gjuhes shqipe, duke ju ofruar atyre asistencë dhe këshilla profesionale dhe mundësisht fonde fillestare të cilat mund të sigurohen nepermjet Fundraiser-ve dhe donacioneve të ndryshme. Ruajtja dhe transmetimi ndër breza i kulturës dhe gjuhës shqiptare është një ndër pasionet e mia personale, por edhe një ndër qëllimet kryesore të Federatës Vatra.
Komentet