Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet e nisura në Spanjë për zhdukjen e Miklovan Dakajt, të riut nga Shkodra i cili rezulton i humbur prej 12 majit të këtij viti.
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore gazetaren Klodiana Lala, transmeton se në dosjen hetimore për këtë ngjarje, është dëshmia e gruas dhe babait të Miklovanit të cilët tregojnë se sihariqi i hidhur u erdhi atyre vetëm disa ditë pasi ata kishin kallëzuar në polici humbjen e njeriut të tyre, nga një korrier që mesa duket po u përcillte mesazhin e personave të cilët kishin gisht në zhdukjen e papritur të Miklovanit.
“Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”, mësohet të ketë thënë korrieri.
“Jam paraqitur në komisariat për të kallëzuar humbjen e djalit tim Miklovan Dakaj. Më datë 13 maj 2025 rreth orës 10:00 paradite, nusja e djalit tim që ndodhet ne Spanjë bashkë me vajzën, ka marrë në telefon bashkëshorten time dhe i ka thënë se Miklovani nuk është kthyer në shtëpinë ku rrinin në qytezën e Marbellos, në Malaga, Spanjë”, ka dëshmuar Pal Dakaj, babai i 34-vjeçarit Miklovan Dakaj.
Pjesë nga dokumentari
Zhdukja e Miklovan Dakajt
Ajo e tij është historia e një tjetër shqiptari që në rrethana të çuditshme humbi gjurmët në shtetin spanjoll.
Madje çuditërisht në të njëjtin rajon të gadishullit iberik, ku janë zhdukur edhe shumë shqiptarë të tjerë.
Ose në atë të quajtur tashmë ndryshe si Bermuda spanjolle e shqiptarëve, që nisen këtu me pushime dhe askush më tej nuk di asgjë rreth fatit të tyre.
Një fat i ngjashëm ky me Tauland Malshin nga Lezha, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme në vitin 2018, në një qytet pranë Malagas, për të mos u kthyer më pranë familjes.
Apo ai i pilotit të Forcave Ajrore Shqiptare, majorit Sokol Feka, që humbi jetën pikërisht në këtë rajon në vitin 2015 teksa sipas autoriteteve spanjolle po transportonte kokainë me mjetin fluturues.
Fate të paracaktuara të cilat duket se lidhen në një pikë me atë të Miklovan Dakaj. Shkodrani që prej muajit maj të këtij viti i mungon familjes, pasi u zhduk në rrethana të paqarta pikërisht në të njëjtin rajon të Spanjës me paraardhësit e tij, po kaq fatkeq.
Një trekëndësh Bermude në mbretërinë e Spanjës që lidh Malagën-shqiptarët dhe drogën që duket se po ha shumë koka të rinjsh shqiptarë.
Të cilët në ëndrrën për t’u pasuruar sa më shpejt bien pre e grupeve mizore kriminale të narkotrafikut, të cilët kanë gjetur pikërisht këtë pjesë me rëndësi strategjike që lidh gadishullin iberik me Marokun për të kryer transportin e tonelatave me drogë.
Suksesi dhe dështimi i kalimit të tyre përmes kësaj ure detare dhe ajrore, që ka përcaktuar në një farë mënyrë edhe fatin e shqiptarëve të përfshirë në të tilla punë.
Organizata kriminale të drejtuara nga krerët më të egër dhe famëkeq të narkotrafikut, të cilët bashkëpunojnë me shqiptarë, që nuk e kanë për gjë të tradhtojnë edhe gjakun e tyre, kur flitet për përfitimet që vijnë nga droga.
Fat që mesaduket e ka shoqëruar edhe Miklovan Dakaj. Kontakti i fundit i të cilit me familjen ishte më datë 12 Maj 2025 në qytetin e Marbellos në Malaga.
Aty ku ai kishte disa kohë që po qëndronte me bashkëshorten e tij shqiptaro-italiane dhe fëmijën e tyre vetëm disa muajsh. Denoncimi i parë në policinë shqiptare për humbjen e të birit që erdhi nga babai i tij, Pal Dakaj. Gati 3 javë pasi Mikovani kishte humbur çdo kontakt me ta dhe gruan.
Pal Dakaj që priti me kot që i biri të kthehej pranë familjes dhe në ankthin e ditëve që po kalonin dhe nuk kishte asgjë gjurmë prej tij, ai udhëtoi nga Italia ku ishte zhvendosur për arsye shëndetësore, bashkë me gruan dhe djalin tjetër dhe denoncoi zhdukjen e Miklovanit në policinë e Shkodrës.
Me shpresën se ndoshta autoritetet mund ta ndihmonin të binte ne kontakt me djalin. Një shpresë që rezultoi e kotë, pasi Miklovani jo vetëm nuk u kthye në gjirin familjar, por as nuk dërgoi qoftë edhe një mesazh nëse ishte mirë me shëndet.
Familja e Miklovanit që ishte informuar për moskthimin e tij në banesë në qytetin e Marbellos në Malaga, që më datë 13 Maj.
Pra pa u mbushur 24 orë nga largimi i tij. Njoftim që sipas dëshmisë së dhënë nga Pal Dakaj, ishte bërë nga bashkëshortja e djalit të tij. Por mesa duket përpara se t’i drejtoheshin policisë, ata kishin vendosur që do kishte qenë më mirë të prisnin.
Me mendimin se dikush do t’u sillte një mesazh, qoftë edhe nga ata që kishin gisht në zhdukjen e djalit të tyre.
Pal Dakaj, 5 Qershor 2025: ‘Jam paraqitur në komisariat për të kallëzuar humbjen e djalit tim Miklovan Dakaj. Më datë 13 maj 2025 rreth orës 10:00 paradite, nusja e djalit tim që ndodhet ne Spanjë bashkë me vajzën, ka marrë në telefon bashkëshorten time dhe i ka thënë se Miklovani nuk është kthyer në shtëpinë ku rrinin në qytezën e Marbellos, në Malaga, Spanjë.’
Sipas të thënave të nuses së djalit, koha kur Miklovani kishte lënë banesën për të mos u kthyer më aty, kishte qenë pasdreka e datës 12 Maj.
Ai nuk kishte shprehur asnjë shqetësim gjatë largimit të tij. Përvetëm faktin që do takonte një shok dhe do kthehej shpejt në banesë. Por ndërsa orët kaluan dhe po kështu edhe mbrëmja, mëngjesi i së nesërmes nuk e pa atë pranë familjes.
Çka ngriti alarmin te bashkëshortja e tij.
E cila gjithmonë sipas rrëfimit që ajo kishte bërë te prindërit e Miklovanit, ishte çuar dhe kishte bërë denoncim në rajonin e policisë në Marbello, pas humbjen së kontakteve me bashkëshortin e saj.
Pal Dakaj: ‘Nusja e djalit, i tha bashkëshortes sime se Miklovani nuk ishte kthyer në banesën e tyre të marrë me qira në qytetin e Marbellos, që nga darka e datës 12 Maj. Për këtë arsye ajo kishte bërë denoncim te autoritetet spanjolle të qytetit Marbello, në Spanjë. Përsa i përket rrethanave se si Miklovani ishte larguar nga banesa, nusja e djalit na rrëfeu se drekën e datës 12 Maj ata kishin qenë për t’i bërë vaksinën vajzës së tyre të vogël, që është 8-muajshe.
Pasi u kthye në banesë, ata kishin konsumuar drekë jashtë dhe kur janë kthyer në banesë, Miklovani i kishte thënë se do të vinte më vonë në shtëpi, pasi do takonte një shok, për të pirë kafe.’
Por Miklovani nuk i kishte treguar bashkëshortes për emrin e shokut që do takonte. As për bisedën që ata do të zhvillonin me njëri-tjetrin. Por ishte mjaftuar duke i thënë se ishte vetëm një kafe shoqërore.
Drekë e cila do të ishte e fundit midis tyre, pasi që nga ky moment ajo nuk u pa më me bashkëshortin e saj. Ndërsa ajo u kthye e vetme në banesë bashkë me vajzën disa muajshe.
Miklovan Dakaj dhe bashkëshortja e tij T. M, që sipas rrëfimit të bërë në polici nga babai i tij, kishin dy vite që jetonin në Spanjë
Pal Dakaj: ‘Nusja e djalit tim quhet T.M dhe ajo ka shtetësi italiane. Ajo bashkëjetonte me djalin tim Miklovanin prej vitesh. Gjatë bisedave që kam bërë me të ajo nuk më ka treguar që Miklovani të kishte shqetësime.’
Por ndërsa familja qoftë ajo në Spanjë, por edhe ajo e prindërve në Shkodër, nuk raportoi për ndonjë shqetësim që Miklovani u kishte sjellë, lajmi që do të pasonte mbi fatin e tij ngriti edhe njëherë shqetësimin te ta, se diçka e keqe i kishte ndodhur njeriut të tyre të afërm.
Ajo që ata ishin lutur përgjatë gjithë kohës, që të mos i kishte ndodhur. Sihariq i hidhur që u erdhi atyre vetëm disa ditë pasi ata kishin kallëzuar në polici humbjen e njeriut të tyre.
Nga një korrier që mesa duket po u përcillte mesazhin e personave të cilët kishin gisht në zhdukjen e papritur të Miklovanit.
Lajm që mbërriti në familjen Dakaj në Shkodër nga një person nga qyteti i Durrësit
Dëshmia
Pasi familja Dakaj mësoi mbi humbjen e djalit të tyre Miklovanit në qytetin e Marbellos në Spanjë, një person nga Durrësi është paraqitur pranë tyre, duke u thënë se ‘Miklovani është vrarë, mos e kërkoni,’
Por cila ishte jeta e Miklovan Dakaj, përtej atij që është përkushtimi familjar? Apo mbulesës së një babai shembullor që kujdeset për vajzën e tij. Përse ai ishte zhvendosur në Spanjë dhe pikërisht në zonën e Malagas.
Dhe a ka lidhje qëndrimi i tij aty, me përfshirjen në grupet kriminale që merren me narkotrafikun, që shfrytëzojnë pikërisht këtë zonë të Spanjës, për të kryer aktivitetin e tyre.
Përse familja ka dyshime se ai është vrarë dhe a lidhet kjo me të shkuarën e tij?
Kush janë miqtë që mund ta kenë tradhtuar dhe nxjerrë në pritë te grupet kriminale në zonë. Dhe a lidhet kjo me humbjen e ndonjë sasie droge, ku Miklovan Dakaj mund të jetë lënë peng dhe më pas është ekzekutuar nga këto grupe kriminale?
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, Miklovan Dakaj, kishte një të shkuar jo shumë për t’u lavdëruar në raport me drejtësinë.
Ai thuhet se kishte kryer një dënim tre mujor në Itali, dhe ky është rekordi i vetëm penal që kishte me autoritetet ligjzbatuese. Por askush nuk di të thotë cila ishte arsyeja e ndalimit të tij nga drejtësia italiane.
Por ndërkohë që prisnin me ankth çdo lajm rreth fatit të tij, në muajin shtator familjarët e Miklovanit morën një lajm se një trup i pajetë, që dyshohet se mund të ishte i tij ndodhej në morgun e një spitali në Spanjë.
Arsye për të cilën autoritetet spanjolle, morën edhe një kampion të ADN-së së vëllait të tij si dhe të vajzës 8-muajshe.
Kjo me qëllim për të krahasuar ADN-në e trupit të pajetë që ndodhej në morg me atë të të afërmve të personit të zhdukur.
Ndërkohë që paralelisht me policinë spanjolle, një hetim për zhdukjen e Miklovan Dakaj nisi edhe nga policia shqiptare, pas kallëzimit të bërë në Shkodër nga familjarët e tij.
Një nga njerëzit që rezulton se ka patur kontakte me Miklovan Dakajn para zhdukjes së tij, është Juxhin Drazhi, një personazh i njohur i botës së krimit dhe pjesë e grupit të Troplinëve, sic njihet ndryshe grupi i Elvis Docit, ose Visit të Pojës.
Emisioni “Në Shënjestër”, duke iu referuar hetimeve të nisura nga Spanja për zhdukjen e Miklovan Dakajt, publikoi të dhëna nga dosja hetimore ku thuhet se në muajin shtator familjarët e Miklovanit morën një lajm se një trup i pajetë, që dyshohet se mund të ishte i tij ndodhej në morgun e një spitali në Spanjë
Arsye për të cilën autoritetet spanjolle, morën edhe një kampion të ADN-së së vëllait të tij si dhe të vajzës 8-muajshe. Kjo me qëllim për të krahasuar ADN-në e trupit të pajetë që ndodhej në morg me atë të të afërmve të personit të zhdukur.
Ndërkohë që paralelisht me policinë spanjolle, një hetim për zhdukjen e Miklovan Dakaj nisi edhe nga policia shqiptare, pas kallëzimit të bërë në Shkodër nga familjarët e tij.
Por ndërsa shpresat për gjetjen gjallë të Miklovan Dakaj sa vijnë dhe zbehen, policia spanjolle duket se po përparon në hetimet e saj.
Hetime që sipas burimeve të emisionit ‘Në Shënjestër’ kanë mundur të shkojnë deri te personat e fundit me të cilët ai ka pasur kontakte para se të humbiste gjurmët.
Persona të cilët rezultojnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me një aktivitet të theksuar kriminal si në Shqipëri dhe jashtë saj.
Një nga këta persona me të cilët Miklovan Dakaj thuhet se ka pasur kontakte para se të zhdukej, është edhe Juxhin Drazhi. Personazh ky i dyshuar si pjesë e grupit kriminal Troplini, drejtuar nga Elvis Doçi, ndryshe i njohur si Visi i Pojës, që trafikoi sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.
Po për t’u kthyer te personazhi i Drazhit, dhe lidhja e tij me zhdukjen e mundshme të Miklovan Dakaj, më 12 Maj 2025 në qytetin e Marbellos në Spanjë, ai thuhet se u arrestua nga oficerët e Gardës Civile në Malaga, në një shtëpi luksoze në qytetin e Almunecar në Granada.
Mediat spanjolle raportuan se policia ra në gjurmët e të shumëkërkuarit pasi konstatoi se në një shtëpi të izoluar në zonë, po merreshin masa të shumta sigurie, çka ngriti dyshime të forta për ta.
Policia spanjolle ndërkohë kishte një denoncim për zhdukjen e Miklovan Dakaj dhe ndër të tjera kishte dyshimet e saj mbi implikimin e Juxhin Drazhit në këtë ngjarje. Arsye që me gjasë mund ta kenë çuar edhe në bazën ku ai strehohej.
Drazhi thuhet se u arrestua bashkë me një person tjetër, por është ende e paqartë nëse në banesën ku ata fshiheshin, policia mundi të gjejë gjurmë të Miklovan Dakaj, të zhdukur.
Policia spanjolle që disponon një informacion të rëndësishëm që mund të përbëjë kthesë në hetime.
Miklovan Dakaj u ngjit në makinë i pashqetësuar dhe një prej personave të fundit që mund të ketë informacion për fatin e tij, mund të jetë Juxhin Drazhi. 34 vjeçari, i cili nuk dihet ende nëse ka dhënë dëshmi përpara autoriteteve spanjolle.
Ai është ekstraduar drejt Shqipërisë, por nuk dihet nëse autoritetet shqiptare i kanë marrë dëshmi lidhur me zhdukjen e Miklovan Dakajt. Ndërsa po e hetojnë për pastrim parash në kuadër të organizatës kriminale, përmes kompanive të tij.
Kartela Penale
Juxhin Drazhi, 34-vjeç, zotëron kompaninë ‘Majestic Construction’ e cila është vënë nën sekuestro nga SPAK bashkë me 9 prona të tjera, po të tija.
Vendimi për sekuestrimin e ‘Majestic Construction’ dhe 9 sipërfaqeve të tokës është marrë më 21 Maj 2025, ndërsa është ekzekutuar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit dhe Zyrën e Hipotekës Durrës.’
Një tjetër emër i njohur të botës së krimit, që bashkëshortja e Miklovan Dakaj e denoncoi në policinë spanjolle si të dyshuar për zhdukjen e njeriut të saj është Flodian Plaku, që mban edhe dy mbiemra, Mamo dhe Serjani.
Ky i fundit është në akuzë për ekzekutimin e Gentjan Bejtjas. Ish-polici i burgjeve që u ekzekutua në banesën e tij më datë 15 Mars 2024, i lidhur me bandat kriminale në zonë dhe përtej.
Hetuesit kanë dyshime se Mikovan Dakaj mund të ketë tradhtuar Roan Brahimin alias Sidorel Prendin që u ekzekutua në Athinë, më datë 9 Maj 2024. Vetëm pak orë pasi kishte mbërritur aty nga Dubai, për të takuar bashkëshorten dhe djalin e tij.
Sidorel Prendi që ishte pjesë e klanit kundërshtar të Gentjan Bejtjas, i cili dyshohet se kishte gisht në ekzekutimin e ish-policit të Burgjeve. Krim që dyshohet të jetë kryer për hakmarrje.
Një seri ngjarjesh dhe episodesh kriminale që janë shpërndarë sa në Shqipëri dhe jashtë saj, kanë sjellë një lumë gjaku brenda krimit të organizuar, tashmë po eleminon vetveten dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Familja e Miklovan Dakaj ka dyshime mbi zhdukjen e djalit të tyre edhe te Flodian Plakun dhe lidhjet e tij shoqërore.
Kjo pasi në shtëpinë e tyre menjëherë pas zhdukjes mbërriti një person nga Durrësi, i cili pretendonte se kishte dijeni se kush ishin personat që kishin lidhje me ngjarjen.
Familja nuk mundi ta identifikonte këtë person, pasi pyetja e tij ndoshta mund të ndihmonte policinë për të mësuar për fatin e Miklovanit.
Pistat për zhdukjen e këtij personazhi, që dyshohet të ishte i implikuar në rrjetet e narkotrafikut, janë të shumta.
Përse është e vështirë për të gjetur fijet se si këto organizata veprojnë dhe kahet se si fryjnë erërat.
Ndërkohë që Spanja është kthyer në një bastion të krimit shqiptar dhe të drogës, aty ku duket se tashmë janë strehuar shumë kontigjentë të krimit. Të cilët kanë gjetur aty ‘El Doradon’, por njëkohësisht edhe varrin e tyre.
Emisioni “Në Shënjestër”, solli këtë të martë në kujtesë disa prej viktimave të cilët ishin pjesë e klaneve mafioze shqiptare që vepronin në Spanjë.
Miklovan Dakaj nuk është shqiptari i parë dhe i fundit i zhdukur në Spanjë.
Por as shqiptari i vetëm emri i të cilit është përfolur si i lidhur me botën e errët të krimit dhe me trafikun ndërkombëtar të drogës, që humbet jetën në Spanjë.
Dhe konkretisht në zonën e Malagas, e cila përballë ka detin dhe në krahun tjetër Marokun.
Majori i aviacionit shqiptar, Sokol Feka, ishte duke drejtuar një helikopter mbi qiellin e Malagas në Spanjës, kur në janar të vitit 2015, u rrëzua dhe në bordin e mjetit fluturues që ai pilotonte u gjetën 1 ton kanabis.
Helikopter që pas rrëzimit u gjet disa orë pasi ishte zhdukur nga radarët në malet që rrethojnë komunën Gaucin.
Sokol Feka që sipas hetimeve të kryera në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes dhe shkresës kthim-përgjigje, që ky dikaster i drejtonte regjimentit 3003 në Farkë, rezultoi ishte larguar nga Shqipëria, gjatë periudhës së lejes së tij vjetore.
Por nuk kishte lajmëruar që do të udhëtonte jashtë vendit.
Majori Feka që nga hetimet e mëtejshme doli se nuk e kishte për herë të parë udhëtimin drejt Spanjës.
Pasi vetëm një muaj, para se të kryente fluturimin me drogë në Spanjë, sipas dëshmisë së kolegut të tij, V. A, teknik helikopteri në regjimentin e helikopterëve në Farkë, ata kishin udhëtuar shpesh së bashku drejt Malagas në Spanjë.
Ku sipas tij, po kaq rastësisht ishin takuar në aeroport dhe kishte fjetur po së bashku në të njëjtin hotel ‘Ibiza’ në Malaga, me majorin tashmë të ndjerë, Sokol Feka.
Udhëtime që ishin kryer në mesin e muajit dhjetor 2014.
Ku në vazhdën e hetimeve të kryera për këtë ngjarje që cënoi rëndë imazhin e Forcave Ajrore Shqiptare, Prokuroria e Krimeve të Rënda mori në pyetje edhe majorin H. K.
Ky i fundit që ishte eprori direkt i teknikut të fluturimit V. A dhe majorit Sokol Feka, që humbi jetën në Spanjë, duke transportuar me helikopter 1 ton kanabis sativa.
Dëshmi nga ku doli edhe një tjetër shkelje e rëndë disiplinore…
Ajo se si lejet e zakonshme nuk jepeshin përmes shkresave zyrtare dhe kalimit nga zyrat e kuadrove, por nëpërmjet komunikimeve në rrjetet sociale.
Një prej tyre, 23-vjeçari Tauland Malshi, fati i të cilit ka mbetur ende i panjohur, pasi u raportua se u la peng tek një bandë kriminale kurde-shqiptare që pasi e vrau, e hodhi në detin që lag Malagan në Spanjë.
Tauland Malshi kishte vetëm pak ditë që kishte zbritur në Malaga së bashku me mikun e tij Edmir Vlashi.
Por që sipas dëshmisë së këtij të fundit dhënë për familjarët, herën e fundit kur ishin bashku ishte ngjitur me një makinë në të cilën ndodhej shqiptari Fatbardh Dervishi, alias Fatbardh Doda i cili më pas po sipas Vlashit, i kishte dërguar mesazh që mikun tuaj, në këtë rast Tauland Malshin e kishin hedhur në det.
Fatbardh Dervishi që afro 3 vite e 6 muaj nga zhdukja e Tauland Malshit, më 20 Janar 2022, u arrestua, pasi më 3 janar të këtij viti plagosi në dhomën e një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës, të dashurën e tij.
Të cilën e qëlloi me pistoletë në shpatull, në një ngjarje të cilën kjo e fundit e cilësoi aksidentale, por që i kushtoi prangat të dashurit të saj. Ngjarje kjo e ndodhur vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Spanja.
Por që ende edhe sot nuk ka folur për zhdukjen e Tauland Malshit dhe akuzën e Edmir Vlashit, ndaj tij.
Një tjetër shqiptar që ka humbur jetën në Spanjë si pasojë e përfshirjes në trafikun e lëndëve narkotike është edhe Fatmir A.
43 vjeçari që në vitin 2018, u qëllua për vdekje me armë zjarri rreth orës 00:45 minuta në qytetin Reus të provincës Tarragona në Katalonjë.
Policia që arriti të gjente vetëm makinën Peaguet të zezë dhe armën e krimit që dyshohet se ishte përdorur për ekzekutimit të shqiptarit.
Ndërsa mjeti nga i cili u derdhën plumbat u gjet i djegur poshtë një ure disa kilometra larg vendit të vrasjes.
Ku brenda mjetit u zbulua edhe një pistoletë.
43 vjeçari që u ekzekutua për hakmarrje pasi ai kishte vrarë në vitin 2008 shqiptarin Alfons C, pranë një karburanti në Cambrils.
Nga ku dyshohet se motivi i krimit ishte prishja e pazareve të drogës dhe prostitucioni.
Krim për të cilin Fatmir A., ishte dënuar me 6 vite burg, me rrethana lehtësuese, pasi vrasja ishte cilësuar si vetëmbrojtje.
Ded Dokaj është një tjetër shqiptar i mbetur i vrarë në Spanjë.
Më 25 mars 2019, 44 vjeçari, babai i dy fëmijëve, me origjinë nga fshati Kimëz i Pukës u torturua me orë të tëra duke i prerë veshin dhe hequr thonjtë e këmbës më pas u ekzekutua me plumb pas kokës në qytetin Mazarron të Spanjës.
Dokaj kishte punuar më herët si roje në një klub nate, ndërkohë pak para se të vritej punonte si truprojë në zonën e Marbello në Malaga.
E njëjta zonë ku së fundmi ka humbur gjurmët edhe Miklovan Dakaj.
Trupi i pajetë i Ded Dokaj që u gjet jashtë makinës, pranë lumit Guadalentin në Totana. Sipas Gardës Civile torturat dhe vrasja kishte ndodhur në një shtëpi të vetmuar më pas për zhdukjen e trupit ishte zgjedhur një vend i mbuluar me shkurre pranë lumit.
Hetuesit deklaruan se vrasja ishte e tipit mafioz dhe dyshohet se ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Sipas tyre vrasja me një plumb pas kokës tregonte se bëhej fjalë për një vrasje me gjakftohtësi dhe profesionistë.
Viktima nuk rezultonte të kishte asnjë precedent penal të mëparshëm në vendin tonë.
Ndërkohë që jetonte prej 20 vitesh në Spanjë. Dhe shpesh herë postonte video në kanalin e tij në YouTube ku tregonte detaje nga jeta e tij.
Brendon Bregu ishte duke darkuar me partneren e tij britanike në një restorant në Alikante të Spanjës, kur një person iu afrua dhe e qëlloi për vdekje.
Ishte data 18 dhjetor 2020, kur 42 vjeçari shqiptar me origjinë nga Lushnja. u qëllua me 5 plumba nga një person i maskuar, në restorantin ‘The Orange Tree’.
Pista kryesore e hetimit nga autoritetet spanjolle mbeti ajo e larjes së hesapeve, që lidhej me një operacion policor ku ishin sekuestruar një vlerë e konsiderueshme parash të ardhura nga trafiku i kokainës.
Brendon Bregu që reklamonte një jetë luksoze.
Dhe që në krahun e tij mbante të gdhendur një tatuazh me mbishkrimin ‘Santino’.
Por që ishte arrestuar dy herë në Spanjë për trafik të lëndëve narkotike si dhe trafikim të armëve.
Një tjetër shqiptar që i bashkohet listës së gjatë të atyre që janë vrarë në Spanjë është edhe Endrit Sinaj.
29 vjeçari i cili u qëllua me armë zjarri më 23 Prill 2023, në Girona të Spanjës.
Teksa ai humbi jetën në dyert e urgjencës së spitali Trueta de Girona rreth orës 19:00 ku u la nga tre persona të cilët u larguan me një mjet tip ‘Audi’ të zi.
Sinaj që ishte një i ri me precedentë kriminal.
Ku vetëm pak ditë pas lirimit me kusht pasi ishte arrestuar gjatë një operacioni kundër trafikut të marijuanës në Marbello.
Marbello që del edhe këtu, si në rastin së fundmi të zhdukjes së Miklovan Dakaj.
Sinaj që ishte arrestuar së bashku me një bashkatdhetar tjetër në La Selva.
Ku gjykata në Marbello i kishte dhënë atij lirimin me kusht.
Ndërsa shoku i tij mbeti në qeli.
Endrit Sinaj që rezultonte i arrestuar më parë në Vlorë në vitin 2020 si pjesë e një grupi prej pesë personash teksa po futeshin për të kryer një grabitje, të maskuar si policë e të armatosur u kapën brenda shtëpisë së Fidel Çaushit në fshatin Hadëraj, Selenicë.
Të rinjtë para se të organizonin grabitjen kishin kontrolluar me dron zonën në territorin e banesës duke planifikuar çdo gjë por hasën rezistencën e vëllezërve Çaushi.















Komentet