Fisi Kajno më i hershmi i Korçës: Kusuret tona nuk kanë të sosur: Punonjësi i Kadastrës Vladimir Kiço na shiti pronat, asnjë frikë nga ligji
Jetojmë në një vend ku duhet të marrësh arratinë e të mos kthehesh kurrë
Kusuret tona nuk kanë të mbaruar, – shpjegon Nonda Kajno, kompozitori i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, – jetojmë në një vend, ku duhet të marrësh arratinë e të mos kthehesh më kurrë. Këtu nuk ka shpresa për një jetë të qendrueshme. Hajdutëria pasurohet, ndërsa pronarët e vërtetë ashtu siç u grabitën nga diktatori Hoxha, ashtu po vidhen edhe sot e kësaj dite. Madje vjedhjet e sotme janë edhe më të tmerrshme se ta grabisin pronën ditën me diell dhe të drejtën nuk e gjen dot kurrë. Më konkretisht, punonjësi aktual i Kadastrës së Korçës, Vladimir Kiço, prej njërës nga pronat tona prej 10,000 metra katrorë, na shiti një sipërfaqe prej 2800 metrash; ku një sipërfaqe prej 800 metrash ia pajisi me certifikatë pronësie Roland Demkos të blerë nga Kristaq Kafexhiu, ndërsa një pjesë tjetër prej 2,000 metra katrorë ia dha me certifikate pronësie Elsa Dishnicës që zotëron pronën e Gaqo Papadhopulit, e cila është në kufi me pronën tonë. Kjo aferë pati edhe bashkëpunimin e ish-regjistruesit Dhimitër Çyfeku dhe të topografit, Meleq Ramollari, shpjegon Nonda Kajno. Por edhe pse gjithçka e kryer prej tyre ishte në kundërshtim të hapur me ligjin, as nuk patën frikë dhe as nuk ndjenë ndonjë frikë, tashmë në këtë vend hajdutëria është kthyer në normë. Mjerr njeriu i ndershëm!
Drejtorja e re e Kadastrës Shpresa Spaho
Fill pas ardhjes së drejtores së re në Kadastrën e Korçës, Shpresa Spaho, shkova në zyrën e saj dhe i tregova dokumentacionin për tokat e trashëguara nga gjyshja jonë Mitevice (Eleni) Kajno, e cila vinte nga një familje e madhe nga më të hershmet dhe më të nderuarat familje të qytetit të Korçës e cila na linte trashëgimi 25,000 metra katrorë toke; njëra prej 10,000 metra katrorë, tjetra prej 15,000 metra katrorë. I tregova edhe dokumentacionin e rregullt, (origjinal) me firmë dhe vulë, pasi gjithçka ishte e konfirmuar ligjërisht nga një vendim i Gjykatës së Faktit Korçë nr.157 datë 02.02.1999, dhe nga një vërtetim i Arkivit të Këshillit të Rrethit të vitit 1945, ku saktësohet se: “Këtë sipërfaqe e ka patur në pronësi ish-pronarja Mitevice (Eleni) Kajno”. Pronat e mësipërme na u njohën nga Këshilli i Rrethit Korçë, nga Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ish-pronarëve. Dokumenti nr.168, mban datën 28.05.1999. Në këtë dokument me objekt njohje pronësie shkruhet: “Komisioni, pasi kontrolloi dokumentacionin e paraqitur, konstatoi se ai ishte i plotë dhe konformë kërkesave të ligjit Nr.7698, datë 15.04.1993 “për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve dhe akteve të tjera nënligjore”.
I tregova drejtoreshës edhe kufijtë e pronës
Drejtores së sapoemëruar i sqarova gjithashtu se pronare e pronave të sipërcituara ishte Mitevica (Eleni) Kajno, e vërtetuar kjo edhe nga arkivi i rrethit ku tekstualisht shkruhet: “Sipërfaqen e ka patur në pronësi ish-pronarja Mitevicë (Eleni), Kajno”. “Kufizimet e kësaj sipërfaqeje, – saktëson më tej dokumenti në fjalë, janë: Veri-Rrugë, Jugë-Përrua, Lindje-Gaqo Papadhopuli, Perëndim-Nikollaq Duro. E gjitha ndodhet brenda vizave kufizuese të qytetit të Korçë në gjendje të lirë”. Fal këtij dokumentacioni të plotë Komisioni i Kthimit të Pronave na kishte njohur pronarë. Edhe sot e kësaj dite, kufizimet janë po ato, pra nuk ekziston asnjë dilemë ku ndodhet prona jonë dhe kush janë 9 bashkëpronarët e familjes Kajno. Pronën e saj, gjyshja jonë Mitevica, na i dhuroi me testament. Drejtorja Besa Spaho më premtoj zgjidhjen.
Do të bëjmë korrigjim të hartës, më premtoi Besa Spaho
Atë çast kur drejtorja e re Besa Spaho më tha se do të bënin korrigjim harte, bazuar në dokumentet e mia të padiskutueshme, m’u duk sikur Krishti kishte zbritur në tokë. E drejta vonon por nuk harron, mendova i entuziazmuar, por asgjë nuk paskësh qenë e vërtetë. Pasi kaluan pak kohë, drejtorja e re e Kadastrës së Korçës më tha: Merr certifikatë pronësie për këto që të kanë mbetur, të tjerat zgjidhi me gjykatë. Fjalët e saj më lanë tejet të zhgënjyer: dokumentacioni im është i plotë, i qartë, i padikutueshëm, unë duhet të marrë pronën time si njeri i nderuar e jo të endem nëpër gjykata që edhe sot e kësaj dite nuk po japin drejtësi. Dhe jo vetëm kaq, dokumentacioni ynë (i Kajnove) ishte i depozituar në Kadastër. Juristët e institucionit mund t’ua shpjegonin eprorëve te tyre në çdo çast që ata do ta dëshironin, por jo, e drejta ende nuk përfillet, dhe nëse veprohet kështu siç është vepruar deri më sot, edhe 1000 drejtorë të ndërrohen përsëri as pas 1000 vjetëve nuk do të ketë drejtësi.
Falsifikuesin e pronave tona, nuk e ndëshkon askush
Kurse falsifikuesin e pronave tona, Vladimir Kiçon, nuk e ndëshkon askush, shpjegon Nonda Kajno. Ndodh kështu, sepse korrupsioni nuk ka të ndalur as sot e kësaj dite. Askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk dënohet. I konsultuar me juristët për çfarë ka ndodhur me pronën tonë, më thanë: “Punonjësi i Kadastrës Korçë, Vladimir Kiço, duhet të merret në përgjegjësi penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 të Kodit Penal; pushtimi i tokës, neni 200; duke kryer veprime arbitrare, vepër penale e parashikuar nga neni 250 i kodit penal; duke mos marrë masa për të ndërperë gjendjen e paligjshme, vepër penale e parashikuar nga neni 251 i kodit penal; duke krijuar dyshime të arsyeshme për kryerjen e një korrupsioni pasiv, vepër penale, parashikuar nga neni 319/a, dhe 259 i kodit penal. Të gjitha këto duhej të ishin kryer nga vetë Kadastra e Korçës, i takonte Kadastrës, drejtuesve të saj, të denonconin punonjësit e tyre në organet e drejtësisë, sepse nëse drejtuesit mbyllin sytë, të drejtën e merr lumi.
Kadastra ndryshoi titullin e pronësisë
Dhe është kjo arsyeja që korrupsioni po e gërryen çdo ditë e më tepër shoqërinë shqiptare, është kjo neglizhencë që i lejoi punonjësit të Kadastrës, Vladimir Kiço të pranonte një regjistrim të dytë të pronës së Gaqo Papadhopulit me një sipërfaqe prej 2000 metra katrorë, me qëllim që tashmë ta poziciononte ndryshe, duke e mbivendosur mbi pronën e Kajnove, gjë që është e palejueshme. Kërkesa për regjistrim të dytë u pranua nga ZVRPP Korçë, fal një urdhëri të brendshëm nr. 007988 të lëshuar nga Vladimir Kiço, punonjës i Kadastrës Korçë. Prona prej 2,000 metra katrorë e Elsa Dishnicës, (trashëgimtare e Gaqo Papadhopulit), u mbivendos mbi sipërfaqen e pronës tonë prej 10 mijë metra katrorë. E njëjta praktikë u zbatua edhe për pronën e Kristaq Kafexhiur prej 800 metrash katrorë të blerë nga Roland Demko, edhe këtë pronë e mbivendosi mbi pronën e Kajnove edhe pse prona e Kafexhiut ndodhet në pjesën e pasme të ish-kampit të punëtorëve. Për të gjitha këto, ulërima jonë është: Ku ndodhet drejtësia?! Aktualisht kemi problem edhe me një sipërfaqe toke prej 15,000 m2, por tashmë na duhet ende kohë të marrim frymë prej padrejtësive që nuk kanë të sosur. Sërish do t’i drejtohemi shtypit”, – përfundoi rrëfimin e tij, Nonda Kajno, intelektuali i nderuar i qytetit të Korçës dhe më gjerë.
Komentet