Shtatë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi u nënshkruan mes Shqipërisë dhe Turqisë më 17 janar, me rastin e vizitës zyrtare në Shqipëri të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ato përfshijnë pajtueshmërinë mes dy vendeve për thellim bashkëpunimi në fushën e mediave, rinisë e sportit dhe menaxhim të fatkeqësive natyrore.
Në një konferencë të përbashkët, presidenti turk, Erdogan dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama thanë se të dy vendet do të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Presidenti i Turqisë tha se si një vend anëtar i NATO-s, Turqia “e ka të rëndësishme qetësinë e Ballkanit”.
“Ne jemi anëtar të NATO-s dhe do vazhdojmë të bëjmë detyrat tona siç kemi bërë deri më sot. Në lidhje me Ballkanin, jemi të mendimit se është e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria e Ballkanit, ndaj ne do të bëjmë çfarë është e nevojshme për qetësinë e Ballkanit, duke siguruar një të ardhme paqësore, do jemi një nga vendet që e garanton këtë”, tha Erdogan.
Kryeministri Rama tha se është mirënjohës për rolin që Turqia ka pasur për Shqipërinë, por theksoi se “kushdo qoftë në Shqipëri apo BE nuk duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale”.
Këto komente Rama i bëri në një kohë kur shtetet perëndimore vazhdimisht ngrenë shqetësim për ndikimin turk në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Po e mbyll me një fjali: Në fund të ditës çdo vendimmarrje është për Shqipërinë e shqiptarët, e nuk është as për Turqinë e aspak për të tjerët”, tha Rama.
Më herët gjatë ditës, Erdogan mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave të ndërtuara nga Qeveria turke për personat që mbetën pa strehë, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, në qytetin e Laçit.
Presidenti turk përuroi 522 banesat që Turqia ndërtoi në Laç, të cilat u tha se kushtuan afër 42 milionë euro.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të këtyre banesave, Erdogan foli për afërsinë mes dy vendeve dhe “ndjenjën e vëllazërisë” që ato kanë mes vete.
“Duke qenë se edhe populli turk ka përjetuar dhimbje të ngjashme, tërmetet e shtatorit dhe nëntorit lënduan zemrat tona njëlloj si popullit shqiptar. Fakti që Turqia është nga vendet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë, është dëshmi e qartë e solidaritetit të fortë mes nesh”, tha Erdogan.
Nga Laçi, Erdogan adresoi edhe situatën me pandeminë e koronavirusit, ku tha se shtetet e fuqishme të botës nuk kanë pasur qasje të drejtë ndaj vendeve më të varfra.
“Gjatë pandemisë të gjithë shtetet e mëdha u kyçën dhe mbyllën edhe sytë e tyre, por ne bëmë të kundërtën, dolëm edhe jashtë kufijve për të parë dramat e vëllezërve tanë për t’u qëndruar pranë me çdo mundësi”, tha Erdogan.
Komentet