Sot është dita më e gjatë që nuk i jam ndarë ekranit të medias vizive.
Për herë të parë në historinë e pluripartitizmit post komunist u mblodh organi më i lartë i një partie politike nga vetë anëtarësia e partisë.
E për këtë zhvillim gjithësesi të shëndetshëm e të papritur të demokracisë shqiptare duam apo nuk duam ne, duhet të falenderojmë Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken sepse pa vendimin e tij për non-gratan e Berishës do ishim aty ku ishim para datës 9 Shtator, pra asgjëkundi.
Faleminderit Blinken

Sot përgjithësisht ishte një ditë pozitive ku Kuvendi i ligjshëm dhe i verifikuar në lupën e mediave hodhi në kosh të plehrave të gjitha dyshimet se kishte manipulime te emrave e formularëve.
Po ishin 4935 delegatë duke hedhur po ashtu në kosh të plehrave edhe vendimin e Bashës për mbledhjen e Kuvendit me datë 18 Dhjetor pasi mbi 50 % të numrit të përgjitshëm të anëtarëve të
Kuvendit kanë votuar shkarkimin e Lulzim Bashës.
Nga sot Lulzim Basha është vetëm deputet i thjeshtë i partisë demokratike dhe nuk ka asnjë të drejtë ligjore të marrë më vendime në emër të saj.
Nga sot ka hyrë në fuqi statuti i ri që ka pika shumë të mirëpritura brenda tij siç janë primaret, referendumet e nene të tjera tē rëndësishme.
Me vërejtjet që kam për kuvendin e sotëm po e filloj me filmin e shkurtër që u shfaq në fillim që pa mohuar kontributin e Liderit historik Sali Berisha filmi ishte vetëm rreth figurës së tij!
Kjo nuk i shërben mendoj unë partisë demokratike si forcë që nuk është vetëm një individ qoftë ky edhe zoti Berisha!
Ne po duam të zvogëlojmë rolin e kryetarit e jo ta hiperbolizojmë atë.
Fjalimet me pak përjashtime ishin butaforike dhe alla – Spiropali me levdata dhe servilosje për liderin historik.
Fjalime për tu marrë në konsideratë ishin ai i
Edvin Kullurit ku preku problemin e pronës që është gangrena e kapitalizmit shqiptar.
Prisja sot nga
Partia Demokratike që të ju premtonte shqiptarëve abrogimin e ligjit famëkeq 7501. Shqipëria kurrë nuk do mund të zhvillohet dhe lulëzojë pa kthyer pronën tek i zoti.
Fjalim që do të doja ta dëgjoja sërish ishte ai i artistit Osman Mula. Fjalimi i tij i kishte të gjitha brenda pasionin, intelektualizmin, sinqeritetin konservatorizmin djathtizmin e patriotizmin shqiptar.
Ibsen Elezi mbajti një fjalim shumë përmbajtësor ku përmblodhi idetë e tij që janë edhe interes publik por ai tha diçka që nëse është e vërtetë është shumë e rëndë. Ai aludoi se brenda komisionit nismëtar të shpallur sot ka spiunë të ish Sigurimit famëkeq të shtetit.
Ai po ashtu tha që në atë komision ka edhe sorosianë!
Nëse kjo është e vërtetë është shumë e rëndë!
Nëse jemi të sinqertë në demaskimin e rolit të Xhorxh Sorosit nuk duhen lejuar njerëz që kanë bërë shkollat e Soros-it as në komisionin ri-themelues e as në asnjë strukturë të Partisë Demokratike.
Sot prisja që artikulimi anti-Soros i foltoreve të përkthehej në vendime konkrete.
Po ashtu sot prisja që Partia Demokratike të merrte një nismë konkrete për pastrimin e radhëve të saj nga ish-spiunët dhe hafijet e Sigurimit famëkeq të shtetit të diktaturës enveriane.
Duke u ndalur sërish tek komisioni nismëtar i rithemelimit nuk e kuptoj se çfarë mund ti japin PD-së se re Tritan Shehu, Edmond Spaho, Genc Pollo dhe Bujar Nishani. Ky i fundit sidomos ka kusure dhe mëkate për të cilat as nuk ka kërkuar falje.
E para ka qenë pjesë komisionit filtrues të Listës së kandidatëve të Bashës për zgjedhjet e fundit dhe …
E dyta, ka bërë një veprim shumë të rëndë ndaj një nga ikonave të shtrësës së përndjekurve politikë dhe letrave shqipe, Visar Zhitit duke bllokuar emërimin e tij ambasador në Vatikan dhe për më tepër duke u veshur atij akuza që zoti Zhiti i ka demantuar publikisht.
Në dijeninë time Bujar Nishani as nuk ka kërkuar falje për këtë. Kjo nuk anashkalohet kaq lehtë në sytë e të djathtëve shqiptarë.
Prania e
Evi Kokalarit ishte e mirëpritur si e ftuar në Kuvendin e Demokratëve dhe pavarësisht paqartësive që kam patur para disa muajve ajo sot është pa dyshimin më të vogël shqiptaro-amerikania më influente në qarqet e politikës së lartë Amerikane, pas Jo Dioguardit.
Ndoshta nuk ishte e nevojshme përfshirja e saj si pjesë e komisionit nismëtar dhe vetë zonja Kokalari nuk duhet ta pranonte atë rol sepse ajo nuk është anëtare e Partisë Demokratike dhe mund të vazhdojë ta ndihmojë Partinë Demokratike siç e ka ndihmuar gjatë muajve të kaluar.
Sidoqoftë kam shumë pikëpyetje për Trumpizmin dhe raportet e tij me Xhorxh Soros.
Të mos harrojmë që nën presidencën Tramp e ka bërë lesh e li Shqipërinë Donald Lu e akoma më keq ambadadorja që pasoi Zotin Lu dhe e dekretua nga Trump.
Gjatë presidencës Trump njerëzit e Sorosit vazhduan punët e zeza në Ballkan dhe trojet shqiptare pa ju hyrë gjemb në këmbë.
Ne shqiptarët e kthjellët nuk i harrojmë këto.
Të luftosh që PD të përqafojë idetë konservatore republikane është një gjë e mirëpritur, shumë e nevojshme dhe e shkëlqyer për shqiptarët, por për mua Trampizmi dhe Republikanizmi amerikan nuk jam i bindur se janë e njëjta gjë.
Në kuvendin e sotëm nuk u tha thuajse asgjë dhe nuk ju dha vend diasporës.
Zoti Berisha tha diçka që media dhe vëzhguesit e kanë anashkaluar;
Ai tha që qeveria e partisë demokratike do vendosë të drejtën e votës së shqiptarëve jashtë atdheut! Kjo për mua është “m’ka çue nana me la gojën”!
Zoti Berisha dhe të gjithë demokratët shqiptarë duhet ta dinë që në kushtet kur çdo votues në Shqipëri është nën hyqmin e patronazhistëve të Edi Ramës PA VOTËN E DIASPORËS, PD-ja NUK vjen dot në pushtet. Eshtë kaq e thjeshtë.
Pa rolin dhe ndihmën e diasporës shqiptare Shqiperia nuk mund të dali nga bataku ku është zhytur.
Shqipërisë i duhet jo vetëm vota e diasporës por edhe potenciali i jashtëzakonshëm i biznesmenëve, ekonomistëve, financierëve, mjekëve, shkencëtarëve e ekspertëve ligjorë më të mirë që punojnë prej vitesh në vendet më të zhvilluara përendimore.
Pa e tepruar më duhet ta them që truri që i duhet sot dëshpërimisht Shqipërisë është jashtë. Këtë duhet ta kuptoni ju miqtë e mi në Shqipëri.
Juve pa ndihmën tonë nuk keni më as këllqe as kapacitete të vini vendin tuaj dhe tonin njëkohësisht në shinat normale të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror.
Në këtë aspekt prisja më shumë nga Kuvendi i sotëm.
Po shpresoj që kjo do ndryshojë në javët dhe muajt në vazhdim.
Të mos harrojmë Partia Demokratike nuk ka më hapësirë të gabojë sërish.
Nuk do ketë më herë tjetër nëse nuk bëhet gjëja e duhur TANI!
Milaim Nela
Mjek, Britani e Madhe.
Komentet