Mediat kineze publikuan një video ku shihet tenistja e njohur Peng Shuai, e cila u shfaq në turneun e të rinjve në Pekin, për të cilën nuk dihej asgjë prej gati tri javësh që kur ajo akuzoi ish-zëvendëskryeministrin kinez Zhang Gaoli për ngacmim seksual në rrjetet sociale, transmeton Anadolu Agency AA).
Organizatorët e turneut China Open postuan një video në rrjetin social kinez Weibo, në të cilën Peng shihej duke qëndruar pranë terrenit duke përshëndetur me dorë dhe duke nënshkruar topat e tenisit për fëmijët.
Në njoftim nuk thuhet asgjë lidhur me zhdukjen e saj, as akuzat që ajo bëri ndaj anëtarit të lartë të Partisë Komuniste Kineze në pushtet.
Pamjet erdhën pasi media shtetërore ndau një postim nga Hu Xijin, kryeredaktor i Global Times, i cili deklaroi se Peng ishte e lirë, qëndronte në shtëpinë e saj dhe së shpejti do të shfaqej në publik dhe do të merrte pjesë në disa ngjarje.
Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve kineze të japin informacion mbi vendndodhjen dhe gjendjen e tenistes Peng Shuai.
Televizioni shtetëror kinez CGTN kohët e fundit publikoi përmbajtjen e një letre që supozohej se ishte shkruar nga tenistja e zhdukur, por kreu i Federatës së Tenisit të Grave (WTA) Steve Simon tha se letra nuk jepte përgjigje për pyetjet në lidhje me vendndodhjen dhe gjendjen e Peng.
Më 2 nëntor, një nga yjet më të mëdhenj të sportit të Kinës, Peng, akuzoi Gaolin në rrjetin social Weibou se e detyroi atë për marrëdhënie intime tre vjet më parë.
Qeveria kineze ende nuk është prononcuar lidhur me akuzat. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, i cili merret me mediat ndërkombëtare, u tha gazetarëve se ai nuk ishte në dijeni të situatës dhe se rasti nuk ishte “çështje diplomatike”.
Komentet