Lamtumirë Paulin Preka.
Hidhërim si kolegë, si kojshi që as më pak e as më shumë por kemi nda bash pusin bashkë, në rrugën Melej, tek Arra e madhe.
E quej fat që kam pirë të njëjtin ujë me ty, i madhi Paulin Preka.
Jo një njohje, por një rritje qysh se më ka rënë koka në atë mahall tanë jetë e hare, e i kjosha fal.
Do të shkruej vetëm shendin që u bënte në dasmat tueja.
Tanë mahalla në kambë për atë lezet e humor që u bënte tek ju, si askund.
Mbaj mend Marijen e paharrueme, nanen tande, që këndonte kangën e pilafit me nji kusi të madhe të shndritshme plot me pilaf, kur do tu servirte pilafi në dasëm.
Unë kurrë nuk e harroj atë kangë.
Ju mbaj ndër mend Ty e Tand vlla, Pjetrin e mrekullueshëm, tuj u vesh ju të dy, e të lyem buzësh si gra, më faculeta në krye etj, etj, e tuj hypë mbi tavolina e tuj kërcy e tuj ba humor që MOS U HARROFTË. As nuk di me e përshkru se sa bejtat, e gazi që shpërthente tuj u ndigju nëpër tanë mahallën.
E jeta e sjell që unë, kojshija jote, më ardh në Teatrin Migjeni e me kenë bashkë në skenë.
Fat e privilegj me kenë në skenë bashkë, më pasë një eksperiencë të madhe duke parë lojën tandë brilante.
Nuk thuhet ashtu kot fjala Brilante, e nuk kisha me thanë kurrë nëse nuk qëndron.
Paulin Preka, ti linde i tillë, natyrshëm t’u hapën dyert e skenës: intuitiv, i mprehtë, dëgjues i shkëlqyer i partnerëve, kurrë bosh në skenë, më një lojë ma se elegante, organik, asnji ‘gabim’ në skenë, çdokush mund të gabonte, e ti ishe i shkëlqyer për me mbulu mrekullisht ndonjë ‘ngecje’ në skenë. Vesh e sy e shpirt në shërbim të rolit.
Ti ke interpretue në drama aq bukur, tek drama ” Kunora e Nurijes” në mos gaboj, isha e vogël, por kurrë nuk harroj ajo që më shtangte: reagimet e tua, kthesat e tua të forta emocionale, në kërshërinë time të fëminisë.
Aktori shumëdimensional Paulin Preka.
Ti ishe partneri kaq dinjitoz, e në rresht me Emnat e mëdhenj të skenës së artë të Shkodër-Loces, e lum e lum Shkodër-Locja se çfarë djepi përkundi e KË rriti!!!
Lamtumirë Paulo! I pavdekshëm talenti e çfarë na le, përherë vendin ma se të veçantë si një personalitet i shquar në mbresat e mija, për një Artist të madh, si TY.
E bukura që ngelet asht pikërisht që, të gjithë herë mbas here takohemi me njeni- tjetrin, e shmallemi, e kujtojmë, e qeshim, e besa kajherë edhe nuk qeshim, por kemi mbet me dashninë e respektin qysh kur ndanim atë pus të shenjtë bashkë.
Dritë të baftë shpirti. E paç fluturimin e paqtë, e paqa me TY.
TANË RESPEKTET E MIJA.
Justi
Komentet