Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.
Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.
Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.
Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.
Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së “mini-Shengenit” apo siç njihet tani me termin “Ballkani i Hapur” që parasheh lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore në vendet e Ballkanit. Në këtë nismë bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Këtë inciativë është shprehur kundër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Komentet