Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë: epo mirë,
dhe prapë jemi puthur, ashtu si për lamtumirë.
Kemi gënjyer njëri-tjetrin, kemi bërtitur: s’të dua,
kemi pështyrë mbi proverbin që qenkeshim mish e thua,
kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë,
kemi thënë njëmijë herë: u mbush kupa dhe pikë.
Jemi përqafuar pastaj “epo unë isha në gjumë”,
jam futur në mishin tënd, siç futet në shkretëtirë një lumë,
jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
na është holluar shpirti nga frika, si hija e perit.
Dhe prapë jemi zënë, sa janë tundur tepsitë,
kemi ndarë dyshekun me vijë (ah vijë e florinjtë)
po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë,
me dredhi ballkanike qe as OKB s’ka pare.
Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
po ja qe s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar,
mos pushofsh kurrë, moj luftë, dhe qofsh e bekuar.