Makina me të cilën udhëtoja së bashku me vëllanë dhe një mik të familjes, la pas qytetin e Korçës. Ende ndjeja aromën dhe ndikimin e fortë të kafesë që shijuam në një nga hotelet e qytetit. Pronari i tij na kishte rrethuar me mbështetjen dhe buzëqeshjen e ngrirë që u rezervohej klientëve të rinj. Ai nuk mundej të imagjinonte se në truallin ku ishte ndërtuar hoteli i tij, dikur ndodhej një shtëpi karakteristike korçare, e cila i përkiste familjes së tim eti.
Megjithëse, edhe po ta dinte, aq do i bënte. Të ndërtoje, apo të shfrytëzoje tokën që nuk të përkiste, ishte dhe vazhdon të jetë fenomeni më normal në Shqipërinë e post diktaturës. Grabitje të paskrupullta që kryhen me bekimin e shtetit.
Sakaq, makina e kishte rritur disi shpejtësinë. Rrezet e diellit përplaseshin me njerën nga pasqyrat, duke mbushur gjithë ambientin me grimca verbuese, të cilat më pas humbisnin në hapësirën për rreth. E ulur në sediljen e pasme, përpiqesha të shijoja bukurinë e kodrinave, që në atë periudhë të vitit ishin të gjelberuara. Ende ndodhesha nën pushtetin e emocioneve që me ngjallte vendi i origjinës dhe rrënjëve të familjes sime. Rrugicat e pastra të atij qyteti, me përfshinin në një botë sa imagjinare, po aq edhe reale. E mallëngjyer, ndjeja të më kumbonin tingujt e magjishëm të serenatave, të cilat krijonin një harmoni të ëmbël dhe mbresëlënëse me bukuroshet që fshiheshin pas kangjellave të dritareve, apo ballkoneve me lule. Siluetat e tyre ngjasonin me ato të shtojzavalleve të dashuruara të përrallave që herë çfaqeshin, e herë zhdukeshin duke tundur lehtas gërshetat.
Ato rrugica me kalldrëm, më sillnin ndër mend tim atë, asokohe një djalosh të dlirë dhe të shpenguar, që rendte hareshëm në to. E imagjinoja atë, mes thirrjeve entuziaste të bashkëmoshatarëve të tij, tek rrëshqiste mbi ski apo slita, në kodrinat për rreth. Gjatë stinës së dimrit ato mbuloheshin nga dëbora. Ai jetonte lumturisht fëmijërinë e tij, në një realitet shumë më te begatë, me human dhe më të drejtë se ky i sotmi. Por një dorë shkatërrimtare, e frymëzuar dhe drejtuar nga stepat e lindjes, veçanërisht ato ruso-jugosllave, i ndërpreu brutalisht ato.
Ashtu si në mbarë vendin, një epidemi vdekjeprurëse do të çfaroste çdo vlerë të qytetit të serenatave, përfshi dhe ato të familjes së tim eti. Ishte murtaja komuniste që u përhap si një mallkim. Fundi i luftës së dytë botërore do t’i sillte ata dhunshëm në pushtet. E instaluar përmes intrigave dhe plumbave vëllavrasës, ajo do të pasonte me një luftë të përbindshme kundër nacionalistëve dhe elitës së kombit. Në emër të një ideologjie të çmendur, qindra, mijëra shqiptarë u vranë, e u masakruan pabesisht. Mijëra të tjerë u izoluan në burgje e internime. Nuk mund t’i shpëtonte këtij represioni dhe genocidi familja e tim eti. Si shumë të tjerë, gjyshi im avokat u dënua me ekzekutim.
Fëmijët e tij, të cilët më parë kishin humbur edhe nënën, u hodhën në rrugë të madhe. Qeveria çnjerëzore komuniste, u grabiti atyre çdo gjë që trashëgonin, përfshirë edhe shtëpinë ku jetonin. U rrëmbeu të ardhmen dhe ëndrrat e pafajshme që e shoqërojnë atë. Katër fëmijë të mbetur jetimë, të dëshpëruar, të përbuzur, të flakur e refuzuar në mënyrë të frikshme. Por barbaria e diktaturës nuk u ndal me aq. Disa vite më pas, do të vijonin internimet familjare, duke e bërë këtë luftë të papreçedentë, ndoshta unikale në të gjithë rajonin. Ajo do të godiste pa mëshirë të gjithë pasardhësit e familjeve nacionaliste, brez pas brezi, deri në pafundësi.
Kjo tragjedi me përmasa kombëtare do të zgjaste afro gjysëm shekulli. Si bisha që po shqyenin trupin e tyre, diktaturat komuniste të Europës lindore, do të rrëzoheshin njera pas tjetrës. Në të vërtetë, ndryshimi i sistemit nuk arriti të ndahej nga mendësia komuniste. Madje nuk e dëshiroi aspak. Nuk pati vullnet të dënoheshin krimet e diktaturës dhe minimizoheshin pasojat e saj në jetën e qindra, mijëra qytetarëve të pafajshëm. Përmes një mashtrimi të madh, të veshur me petkun e demokracisë, pushteti u riciklua në duart e pinjollëve të diktaturës. Sërish keqpërdorim i vuajtjeve, sërish vjedhje dhe grabitje me miratimin e autoriteteve të shtetit.
Gjysëm ore më pas, kishim dalë nga rruga e asfaltuar dhe po udhëtonim në një rrugë të pashtruar fshati. Ishim afruar në zonën ku ndodhej liqeni i Prespës. Ujrat e kaltërta të tij, rrethuar nga një kurorë kodrinash e pyjesh të gjelbëruara, shpalosën një panoramë mahnitëse. Në rrethinat e atij liqeni, ndodheshin disa livadhe që i përkisnin familjes së tim eti. Si gjithçka tjetër, ato ishin sekuestruan nga rregjimi komunist gjatë viteve të para të sundimit barbar të tij. Por kjo padrejtësi nuk mori fund me rënien e diktaturës. Përmes një ligji absurd, në shkelje të Kushtetutës dhe të gjitha Konventave të të drejtave të njeriut të ratifikuara në mënyrë hipokrite nga shteti ynë, qeveritë postkomuniste tjetërsuan për të dytën herë përkatësinë e tyre, duke ua ndarë ato abuzivisht fshatarëve të zonës.
Kisha lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Dëshpërimisht ndjehesha viktimë e saj. Kisha humbur të gjitha betejat ligjore në kërkim të së drejtës së mohuar.
Ndonëse tërësisht e pashpresë se ato livadhe panoramike do t’i riktheheshin një ditë familjes sime, unë dëshiroja të shkelja në ato toka që aq shumë i kishte dashur e adhuruar gjyshi im. Gjithsesi, nuk qe e lehtë ta ndërmerrja atë rrugë. Angazhimi i dhimbshëm për t’i soditur e prekur së afërmi ato, ngjasonte me një premtim të pa thënë. Ishte një obligim i heshtur që diktohej nga një amanet që vinte nga një botë e mistershme, të ndryshme nga kjo e jona.
Makina u ndal para një shtëpie përdhese, në oborrin e së cilës ishin vendosur disa tavolina me karrike. Nuk qe e vështirë të dalloja se të zotët e saj e kishin shndërruar atë në një lokal modest fshati. Ndonëse nuk dalluam askënd në atë ambient, pa e zgjatur hymë brenda dhe zumë vend në njerën prej tyre. Qetësinë që na rrethonte e prishën nja pesë-gjashtë rosa të vendosura në rresht, që mbërritën nga ana tjetër e oborrit. Me krahë gjysëm të hapura, ato rendën të paduruara drejt liqenit. Disa metra me tutje, valëzat e qeta të tij përkëdhelnin lehtas bregun. I ndjeja kaq miqësore ato valë. Dukej sikur na uronin mirëseardhjen. Për disa çaste sikur humba në atë lloj magjie, aq sa po më dukej se isha në ëndërr. Nuk kisha mundur t’i rezistoja kurrë mrekullisë blu që ofronin ujrat e deteve apo liqeneve. Dukej sikur më përfshinin në petkun e misterit dhe pafundësisë se tyre. Ato më rrëmbenin e më merrnin me vehte drejt hapësirave të pacënuara nga përditshmëria e zvarritur mes makthit dhe padrejtësisë.
Nga ajo përhumbje më zgjoi zëri i gulçuar i një zonje që nxitoi pranë nesh. Një përparse e pastër kuzhiniereje mbulonte veshjen e saj. Ajo nuk e fshehu dot habinë për mbërritjen tonë atje. Me sa dukej, ishte mësuar të frekuentohej vetëm nga klientë të përhershëm, banorë të fshatit. Na uroi mirseardhjen dhe pyeti se çfarë dëshironim të merrnim. Vështirësia me të cilën fliste gjuhën shqipe, më bëri të kuptoja se ajo i përkiste një komuniteti jo shqip folës. Pasi na shërbeu me mirësjellje, e ftova të ulej për disa çaste pranë nesh. Me atë shqipen e çalë, ajo nuk ngurroi të pyeste se cili ishte qëllimi i vizitës sonë në atë fshat disi të izoluar. Hezitova për një çast të përgjigjesha. Në realitetin kriminal e të përgjakur që kishte krijuar babëzia e posedimit të pronave të patrashëguara, prania jonë mund të perceptohej si një sfidë apo kërcënim për atë grua të thjeshtë, që jetonte dhe zhvillonte biznesin e saj modest në tokën e gjyshit tim. Fundja, ç’faj kishte ajo, se një shtet bandit si ky i yni, në dhunim të së drejtës së patjetërsueshme të trashëgimit të prones, ua kishte ndarë atë në mënyrë abuzive e të padrejtë fshatarëve të zonës?
Çfarë përgjegjësie kishte ajo, ku përmes proçedurash mashtruese, një pjesë e atyre tokave u ishte shpërndarë fiktivisht disa fshatarëve që nuk figuronin aspak banorë të tij në periudhën që parashikonte ligji absurd dhe dhunues i së drejtës së pronës ?
Çfarë përgjegjësie kishte ajo, që një deputet i parlamentit shqiptar dë kërkonte ndryshimin e emrit të atij fshati, duke e përshtatur atë me gjuhën e atij komuniteti, pa reflektuar aspak sa antikombëtar ishte ky propozim ?
Gjithsesi, ajo nuk çfaqi asnjë shqetësim për qëllimin e vizitës sonë. Disa minuta më pas, mbërriti dhe i shoqi, i cili paksa i habitur dhe ai për prezencën tone, shkëmbeu nxitimthi një komunikim në gjuhën maqedonase me të shoqen. Më tej, biseda për jetën në atë fshat dhe perspektivën e turizmit në atë zonë ende të virgjër, vijoi normalisht.
Pas një shëtitjeje në livadhet e lëna pas dore, dy orë më pas morën udhën e kthimit për në Tiranë. Ndjeja të më kishin shterur bisedat dhe pothuajse nuk fola fare gjatë të gjithë rrugës. Largimi nga ai vend i mahnitshëm, ngjasonte me një lamtumirë të trishtë dhe të imponuar. Isha e sigurtë se nuk do të kthehesha më kurrë. Teksa shtrëngoja në duar disa foto që i përkisnin asaj mrekullie të natyres, një brengë sa nuk po më mbyste. Më rëndonte pesha e padrejtësisë për pronën e grabitur për të dytën herë. Me gërryente tradhëtia e tjetërsimit të saj. Më trishtonte papërgjegjshmëria e trajtimit, e cila ngjasonte me një kafshim të vetëdijshëm të terrirorit dhe sovranitetit të vendit tonë.
Hëmmm…………..Nuk e di pse mu rikthye pikërisht në këtë moment kjo ngjarje e përjetuar dhjetë vite më parë, e cila më shkakton veçse dhimbje. Ndoshta, se kthetrat e përçudnimit të trojeve shqiptare, si një mallkim, po ngulen thellë dhe më thellë në trupin e saj të mbuluar nga plantacionet vdekjeprurëse të drogës…….diku mbijnë varreza grekërish, e diku tjetër ujrat e pasura të bregdetit tonë. Nga ana tjetër, mijëra bashkëkombas që ja mbathin të pashpresë, larg vendit të tyre. A do mundemi vallë t’i ndalim këto gjëma që po na katandisin pa Atdhe…..Jo, nuk është kjo Shqipëria ime. Nuk është kjo Shqipëria që dua.
Komentet