Të dielën e 25 prillit rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote janë thirrur në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit do të duhet të paraqiten në 5199 Qendra Votimi.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Qarku Kukës është ai që nxjerr më pak deputetë, vetëm 3. Ndërkohë që nga Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë në vend, përftohen 36 mandate ligjvënësish.
Në këto zgjedhje parlamentare, do të garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.
Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit do të duhet të votojë për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit do të identifikohet nga një numër e jo emri i tij.
Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë. Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë.
Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi do të jenë të instaluara pajisje elektronike, të cilat do të kryejnë identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili do të mundësojë shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër. Ndërkohë në Zonën Administrative Zgjedhore Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, do të zbatohet projekti pilot për votim dhe numërim elektronik. Votuesit do të votojë në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial.
Zgjedhjet e së dielës kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, që do të jenë të angazhuar në vëzhgimin e tyre. Vëmendja do jetë kudo, por të ashtuquajtura zona të nxehta do tërheqim më shumë syrin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për të cilët standardet e zgjedhjeve mbizotërojnë mbi gjithçka.
Zgjedhjet e 25 Prillit do të zhvillohen në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19. E për këtë çdo votues do të duhet të jetë iu pajisur me mjetet mbrojtëse. Ndërkohë që çdo pjesëtar i Qendrave të Votimit apo edhe ata gjatë numërimit, do duhet të jetë i pajisur me këto mjete mbrojtëse.
As në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk do të mund të votojnë. Votimin e tyre, politika ia la në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ky mbeti vetëm një projekt në letër dhe faji për dështimin mbeti rrugëve.
KQZ: Në 230 Qendra Votimi problematika me aparaturat, procesi në dinamikë
Ora 09:30- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se deri tani procesi i votimit po vijon normalisht.
Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha tha se nuk ka pasur asnjë problem për shpërndarjen e bazës materiale, teksa në 230 qendra votimi ka pasur problematika me aparaturat.
“Nuk kemi pasuar një problem, as për bazën materiale. Qendrat e Votimit kanë qenë të pajisura me bazën materiale. Lidhur me numrin e operatorëve që do të përdorin pajisjen e identifikimit elektorin, ka pasur disa QV që nuk kanë qenë të pajisura me operatorë, në zona të thella, ku infrastruktura ka qenë e vështirë. Në këto QV nuk ka ndonjë problematikë sa i përket procesit të votimit. Pasi procesi i votimit në këto raste vijon sipas procedurave manuale. Procesi është në dinamikë. Ka pasur disa problematika në disa QV, nga 5199, 230 QV që ka pasur problematika ndoshta dhe për shkak të presionit, ndoshta dhe për shkak të mosardhjes në trajnime të komisionerëve për përdorimin e aparaturave.
Ambasadori britanik vëzhgon zgjedhjet në Durrës: Thirrje qytetarëve të votojnë
ORA 09:27 Të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë janë shpërndarë në rrethe të ndryshme të vendit për të vëzhguar procesin zgjedhor.
Ambasadori i Britanisë së Madhe Dunkan Norman ndodhet në Durrës, në Qendrën e Votimit 1494 tek Pallati i Kulturës për të parë nga afër votimin.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë atë që ata mendojnë. Dunkan tha se grupet e vëzhguesve janë në teren dhe po operohet siç është vendosur më herët. BE ka 60 grupe vëzhguesin në terren.
Ambasadorja Yuri Kim thirrje qytetarëve nga Shkodra: Sot është dita juaj, shkoni dhe votoni të lirë
ORA 09:21 Nga Shkodra, ku ka shkuar për të monitoruar procesin e votimit, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim, ka bërë thirrje për qytetarët. “Çdo qytetar shqiptarë të ketë mundësinë të votojë i lirë. Kjo është dita juaj”, tha ambasadorja amerikane. Sakaq, pritet që Ambasadorja Yuri Kim, të monitorojë procesin e votimit në Shkollën e Mesme “28 Nëntori” në qytetin e Shkodrës.
Albin Kurti voton për herë të parë në Shqipëri: Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë
ORA 09:06 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka votuar sot për herë të parë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Kurti votoi në kopshtin 31, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kandidon si i pavaruar, Bojken Abazi. Po ashtu, LVV ka garues edhe në Gjirokastër e Lezhë.
“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj qytetarët që të respektojnë Atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve. Dita është e bukur, me diell, e diel dhe do jetë deri në mbrëmje.” u shpreh Kurti në një prononcim për mediat.
Basha thirrje qytetarëve: Sot ditë historike për kombin. Dilni e votoni masivisht për fëmijët dhe familjen!
ORA 09:05 Fill pasi votoi në Njësinë numër 8 në kryeqytet, në prani të votuesve për herë të parë, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal për një prononcim për gazetarët e pranishëm. Basha tha se dita e sotme është historike për vendin. Ai i bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë masivisht, për kombin dhe demokracinë.
“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj.
Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë. Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë. Faleminderit! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.
Soreca ndjek nga afër procesin në shkollën Dora d’Istria në Tiranë: Ka shumë njerëz që po ndjekin zhvillimet nga jashtë Shqipërisë
ORA 08:53 Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ka qenë sot në shkollën “Dora d’Istria” në kryeqytet për të parë nga afër procesin e votimit. Ambasadori Soreca ka pyetur komisionerët për procesin e deritanishëm dhe iu ka uruar punë të mbarë. Ndërkohë ai iu kujtoi se ka shumë njerëz nga jashtë Shqipërisë që po ndjekin zhvillimet duke iu kërkuar të bëjnë sa më mirë punën e tyre.
“Ne do të jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë por do doja ta fillonim ditën këtu me një këtë sistem të ri votimit. Ne do të shikojmë punën tuaj. Dëshiroj që ta dini që ka shumë njerëz që po ndjekin zhvillimet nga jashtë Shqipërisë. Nuk është se dua t’ju vë në presion, por pak që ta kuptoni që punën tuaj ta bëni sa më mirë”, deklaroi Soreca.
Voton famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, mesazh për qytetarët: Dilni masivisht, vota është e shenjtë. Lus Zotin të mos ketë incidente!
ORA 08:30 Drejt Qendrave të Votimit, për të votuar për qeverinë e re, është drejtuar famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, Atë Nikolla Petani. Pas hedhjes së votës në kuti, në Shkollën 9-vjeçare “Mati Logoreci”, Atë Nikollë Petani ka dhënë një mesash për të gjithë qytetarët e Shkodrës, e më gjerë. Ai ka thënë që në votime të marrin pjesë masivisht dhe të ruhet qetësia.
Atë Nikolla Petani e ka ndaluar kategorikisht fenomenin e shit-blerjes së votës, duke thënë që është e papranueshme. “Edhe unë si qytetar i Shqipërisë, erdha shpreha mendimin tim për sa i përket zgjedhjeve të reja që po bëhen në Shqipërinë tonë të dashur. I bëj thirrje popullit të Shkodrës të dalin sa më shumë në votime, sepse vota është e shenjtë, është diçka personale.
Kemi ndjekur këto ditë shit-blerje të votës, nuk besoj që populli i Shkodrës e ka në gjak një gjë të tillë. E lusim Zotin të mos ketë incidente dhe të mbarojë sa më shpejt e të fitojë ai që është më i miri. Ky është një mesazh paqja, sepse jemi të gjithë vëllezër e kjo duhet të shkojë sa më mirë”, u shpreh Atë Nikolla Petani.
Ruçi voton tek Liceu Artistik: Sot është dita e qytetarëve, jo e politikanëve. Nesër fituesi të administrojë fitoren pa eufori, humbësi pa panik
ORA 08:13 Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka votuar në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik. Në orën 08:00 fiks, Ruçi është paraqitur në Qendrën e Votimit, ku ka ka votuar qetësisht. Në një mesazh për mediat pas votimit, ai tha se sot është dita e qytetarëve dhe jo e politikanëve dhe shprehu bindjen se sot do të fitojë qytetaria.
“Sot nuk është dita jonë, e politikanëve, sot është dita e qytetarëve. Unë kam bindjen se sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve shqiptarë. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit që do japë sovrani. Nga nesër e tutje do ketë një fitues dhe një humbës. Nga nesër, fituesi të administrojë fitoren pa eufori dhe humbësi të administrojë humbjen pa panik”, deklaroi Ruçi.
Kryemadhi thirrje qytetarëve: Votoni për t’u afruar sa më pranë Evropës. Fitorja e LSI e pa tjetërsueshme!
ORA 08:20 – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pasi votimit, u ndal në një prononcim për mediat. Para gazetarëve, Kryemadhi i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime për t’u afruar sipas saj më pranë Evropës. Ndër të tjera, Kryemadhi theksoi se fitorja e LSI do të jetë e pa tjetërsueshme.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të drejtohen drejt Qendrave të Votimit, të qetë, të bindur, të realizojnë nëpërmjet votës, vullnetin e tyre. Vota e qytetarëve është një votë e fshehtë, që për hir të së vërtetës do të japin mundësi dhe të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve që përmes verdiktit të tyre, të afrohemi më shumë drejt Evropës. I uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos atyre të LSI. Jam i bindur që fitorja do të jetë e pa tjetërsueshme për LSI”, u shpreh Kryemadhi.
“Komunikimi i paprecedentë”/ Presidenti Meta thërret me ‘videocall’ Sokol Ballën në transmetim ‘live’, ja biseda (VIDEO)
ORA – 08:17 Një risi ka ndodhur në studion maratonë të lajmeve në “News 24”, në këtë ditë, ku e gjithë Shqipëria është duke votuar për qeverinë e re.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet një lidhje direkte me gazetarin Sokol Balla dha mesazhe të qarta për zgjedhjet.
Ai tha se 2 gishtat që bëri teksa votoi, janë një tregues për dy marsin e një viti më parë, ku presidenti zhvilloi në manifestim mbarëkombëtar në Tiranë. Ai tha se procesi deri më tani po ecën shkëlqyeshëm sepse dhe presidenti është në krye të detyrës.
Meta deklaroi më tej, se të gjithë sytë e Evropës janë në Shqipëri në këto zgjedhje.
Biseda:
Sokol Balla: Mirëmëngjesi!
Ilir Meta: Lidhje live?!
Sokol Balla: Po.
Ilir Meta: Procesi po ecën shkëlqyeshëm, sidomos në Elbasan. Dy gishtat janë dy marsi, Kushtetuta.
Sokol Balla: Pse pikërisht në ato tre qarqe?
Ilir Meta: Nuk presim situata. Sepse presidenti është në krye të detyrës në zyrë. Suksese në punën tuaj. Me dashuri e qetësi si Evropianë, të gjithë Evropa i ka sytë këtu sot. Sot qetësi, dashuri për Shqipërinë.
Një mesazh nga fëmijët, kryedemokrati Basha publikon videon: Votoni për ne! Ora 07:43- Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjete sociale, me protagonistë fëmijët.
Këta të fundit, bëjnë thirrje që në këto zgjedhje për të votohet për ta, nëpërmjet numrit 9.
Kujtojmë se lideri demokrat Basha pritet të votojë në orën 09:00, në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 8, në kryeqytet.
Situatë e çuditshme në Vlorë, komisioneri paraqitet në QV, por detyrohet të largohet Ora 07:30- Një komisioner i dyshuar si me COVID është paraqitur në një nga Qendrat e Votimit në qytetin e Vlorës.
Gazetari Enrik Mehmeti, raporton për “BalkanWeb”, se komisoneri është paraqitur që në mëngjes herët në Qendrën e Votimit ku është caktuar, por ka qenë nëna e tij, e cila ka paraqitur një dokumentacion që tregon se është me COVID, që ka bërë të mundur largimin e tij nga Qendra e Votimit.
Gazetari raporton se komisioneri fillimisht ka refuzuar të largohet, por me insistimin e komisionerëve të tjerë, ai është larguar, ku pritet që të kryejë një tampon e të paraqitet përsëri në QV.
“Qytetarët janë paraqitur që në orët e para të mëngjesit. Kjo është dhe situata e çuditshme, është paraqitur e ëma dhe i ka kërkuar që të largohet, ka paraqitur dhe një dokumentacion që është me COVID.
Ai është larguar, me insistimin e të tjerëve, do të kryejë tamponin dhe më pas do të kthehet përsëri në QV. I ka kërkuar vetë familjari që të largohet nga QV”, tha gazetari.
Policia e Shtetit kalon në gatishmëri, 5200 efektivë pranë QV-ve, plan me 4 faza për procesin zgjedhor Ora 07:34- Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliu, policia e shtetit ka kaluar në gatishmëri. 5200 punonjës policie janë pranë qendrave të votimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në to.
7519 punonjës policie janë trajnuar që prej dhjetorit për t’u angazhuar në këto zgjedhje. Policia po ndjek një plan me 4 faza për të garantuar një proces zgjedhor të qetë.
Rëndësi i është kushtuar ruajtjes së personaliteteve dhe institucioneve ku koordinohen forcat e policisë dhe ato komando.
Policia e shtetit ka referuar në prokurori më shumë se 30 raste që lidhen me krimet zgjedhore.
Në ndryshim nga vitet e tjera KQZ ka kërkuar nga policia të mos lejojë grumbullime 150 metra afër qendrave të votimit si edhe të mos angazhojë punonjës policie me më pak se 4 muaj eksperiencë.
Zgjedhjet, KQZ: Nis normalisht procesi thuajse në të gjithë Qendrat e Votimit në vend Ora 7:25- Gazetarja e “News 24”, Marsela Karapanço, e vendosur në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dha detajet e para në lidhje me çeljen e procesit të votimit në vend.
Gazetarja theksoi se burime për KQZ kanë raportuar se thuajse në të gjithë vendin janë hapur qendrat e votimit, ndërsa në disa zona të vendit, ka vonesa. KQZ ka theksuar se procesi i votimit ka nisur në normalitet.
“Sot shqiptarët vendosin kush do ti drejtojë në katër vitet e ardhshme, pranë burimeve të KQZ, procesi i hapjes së votimit është kryer në të gjitha qendrat e votimit. Raportimi i orës 08:00 që do të jetë komunikimi i parë i KQZ do të jepen detajet e tjera, procesi do të përfundojë në orën 19:00. Ka disa risi sa i përket këtyre zgjedhjeve, që nga votimi elektronik që do të implementohen në Njësinë 10 në Tiranë. Tirana ka dy mandate më shumë, risi ka pasur dhe procesi sa i përket qendrës së votimit. Do të votohet për kandidatin, jo me emër, por me numër”, tha Karapanço.
Zgjedhjet/ Rama mesazh shqiptarëve: Ta tregojmë të gjithë së bashku se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria, bindjet t’i shprehim me votë Ora 07:15- Kryeministri Edi Rama iu ka drejtuar një mesazh qytetarëve shqiptarë mëngjesin e sotëm duke iu bërë thirrje të gjithëve të vënë Shqipërinë të parën. Rama e cilëson një ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike.
“MIRËMËNGJES 🇦🇱
le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë👐🏿”, shkruan Rama.
Voton Presidenti Meta dhe përshëndet me dy gishta: Për Kushtetutën, për demokracinë, për Shqipërinë në Europë (Video) Ora 07:10- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka votuar pak minuta pas orës 7:00, ora zyrtare e hapjes së qendrave të votimit.
Meta është shfaqur i buzëqeshur në qendrën e votimit të vendosur në kopshtin numër 31, në njësinë 5. Ndërsa pas votimit ka pasur dhe një mesazh të shkurtër fillimisht.
“Për Kushtetutën, për demokracinë, për Shqipërinë në Europë”, tha Meta teksa ka përshëndetur me dy gishta.
E para politikane, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi voton në kopshtin 31: Qytetarë të votojnë të qetë Ora 07: 03- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është politikania e parë që ka votuar mëngjesin e sotëm. Kryemadhi ka votuar në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 5, në kopshtin 31. Kryemadhi iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë të qetë dhe të bindur për atë që duan të realizojnë.
“Dua t’ju bëj thirrje sot të gjithë qytetarëve që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre.
Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do t’i japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës.
Unë ju uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos kandidatëve të LSI-së, siç ndodh gjithmonë, kështu që jam e bindur që fitorja do të jetë e patjetërsueshme për LSI-në”, deklaroi Kryemadhi.
Hapen qendrat e votimit, qytetarët votojnë për partitë dhe kandidatët për deputetë Ora 07:00- Janë hapur 5199 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin. Komisionerët kanë nisur punën për të pritur votuesit e parë.
Pak çaste para çeljes së votimit, Meta publikon foton: Drejt zyrës në krye të detyrës. Sot dita e sovranit!
Ora 6:50- Ashtu siç e kishte lajmëruar një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të votojë ditën e sotme në orën 07:00, orar ky që përkon dhe me hapjen e procesit të votimit.
Me anë të një fotoje në rrjete sociale, Meta, e ka cilësuar ditën e sotme si një ditë të mrekullueshme dhe thekson se do të jetë dita e sovranit.
“Drejt zyrës në krye të Detyrës! Ditë e mrekullueshme sot. Dita e SOVRANIT”, shkruan Meta.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt ka ndarë tre prioritetet kryesore për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e vënë theksin te mbrojtja, zhvillimi ekonomik dhe siguria.
Me anë të një mesazhi drejtuar popullit shqiptar, Wendt falenderon fillimisht Presidentit Donald Trump dhe sekretarin Marco Rubio që i besuan detyrën në Shqipëri.
Diplomati amerikan thotë se ambasada do të zhvillojë një ‘proces vlerësimi që do të ndihmojë në formësimin e rrugë per te ecur përpara’.
Prioriteti i parë, sipas ambasadorit është forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushja e detyrimeve që burojnë nga anëtarësia në NATO.
Prioriteti i dytë lidhet me zhvillimin ekonomik, përmes rritjes së tregtisë, investimeve dhe krijimit të mundësive të reja që sjellin përfitime të ndërsjella për qytetarët amerikanë dhe shqiptarë.
Ndërsa prioriteti i tretë është siguria, ku ambasadori nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër krimit transnacional dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta.
“E para të bëhemi më të fortë. Ne forcohemi kur ndërtojmë kapacitetet të mirëfillta mbrojtëse dhe kur secili prej nesh përmbush pjesën që i takon si aleat.
E dyta është të bëhemi më të begatë. Do të gjejmë mënyra për rritur tregtinë, investimet dhe mundësitë duke sjellë përfitime të ndërsjellta për amerikanët dhe shqiptarët.
E treta është të bëhemi më të sigurt. Të bashkëpunojmë për të luftuar krimin transnacional dhe për të mbrojtur interesa tona të përbashkëta”, thuhet në mesazhin e ambasadorit amerikan, Eric Wendt. Panorama
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 paraqet gjetje alarmante, të cilat kërkojnë reflektim serioz dhe llogaridhënie nga ana e qeverisë:
.
• 40,5% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, pothuajse dyfishi i mesatares së BE-së.
.
• 94 milionë euro nga fondet e BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural (IPARD III) mbeten të pashpërndara.
.
• Gjatë vitit 2025, qytetarët kanë paraqitur mbi 5 500 ankesa kundër policisë.
• 444 punonjës të zbatimit të ligjit janë referuar për ndjekje penale.
.
• Janë raportuar 42 raste të shkeljeve të sigurisë së gazetarëve.
.
• Vetëm 2,6% e PBB-së shpenzohet për arsimin, krahasuar me mesataren prej 4,8% në BE.
.
Komisioni Evropian vë në dukje mobilizimin më të madh qytetar që nga fillimi i tranzicionit demokratik në Shqipëri, dobësitë institucionale, si dhe shqetësime serioze lidhur me pavarësinë e medias.
.
Integrimi evropian duhet të matet përmes përmirësimeve të prekshme në jetën e qytetarëve në mbarë vendin, institucioneve demokratike më të forta dhe një ulje të vërtetë të korrupsionit – e cila të mos shfrytëzohet nga qeveria për përfitime politike.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka deklaruar se PD ka qenë çdo ditë në krah të protestuesve, duke ofruar mbështetje dhe asistencë për të rinjtë e shoqëruar në komisariate pas protestave.
Sipas tij, rreth 500 të rinj kanë marrë ndihmën e përfaqësuesve të opozitës, ndërsa deputetët e PD-së kanë qenë pranë tyre si në komisariate, ashtu edhe në Spitalin e Traumës.
I ftuar në ‘Çim Peka LIVE’, Kedhi theksoi se PD ka mbështetur protestën dhe studentët, duke e cilësuar këtë angazhim si pjesë të përgjegjësisë së opozitës përballë asaj që ai e përshkroi si dhunë policore ndaj protestuesve.
Ai tha se të rinjtë kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e marrë nga PD-ja, ndërsa nënvizoi se opozita nuk e ka refuzuar protestën dhe se partia duhet të jetë një hapësirë ku të rinjtë gjejnë mbështetje.
Kedhi u ndal edhe te përpjekjet për të krijuar përçarje mes protestuesve dhe opozitës. Sipas tij, Edi Rama përfiton nga ndasitë dhe kërkon që opozita dhe grupet e ndryshme të protestës të vendosen kundër njëri-tjetrit.
‘Partia Demokratike ka qenë në protestë që nga fillimi, si me protestat që nisën në fillim të verës, ashtu edhe me protestën e tanishme. Deputetët e Partisë Demokratike kanë qenë çdo ditë në protestë, po kështu edhe të rinjtë e saj. Kështu që nuk e di ku e shihni ju këtë refuzim.
Ka një grup të vogël, herë pas here të zëshëm, por gjithsesi të vogël, i cili është grup interesi dhe, natyrisht, ka bërë zgjedhjen e vet që betejën ta zhvillojë kundër Partisë Demokratike. Por ky nuk është problemi ynë, nuk është problemi i studentëve dhe as i qytetarëve shqiptarë.
Këto grupe tregohen më pak të guximshme se zonja Koçeku dhe vijnë e i bashkohen autokratit dhe regjimit.
Nëse doni të dini mendimin e studentëve, shumë prej tyre kanë dalë në media gjatë këtyre ditëve të fundit dhe unë kam dëgjuar të shprehin mirënjohje dhe falënderime ndaj Partisë Demokratike, për faktin se kjo e fundit i ka mbrojtur nga gazi, nga dhuna policore, nga plumbat e gomës dhe nga dhuna shkresore.
Nuk e di nëse keni qenë ju, zoti Peka, në protestë, por unë kam qenë dhe kam parë në sytë e këtyre narkopolicëve një urrejtje, sikur të ishin përballë një ushtrie armike. Partia Demokratike, që është shtëpia e të rinjve dhe shtëpia e protestës…
A mund të bëj unë një pyetje? Nuk e di ku e keni parë ju këtë refuzim.
Nëse janë 10 mijë njerëz në shesh…
Jo, unë nuk i di këto, sepse nuk i njoh me emra ata që flasin atje. Kam parë që është një pakicë e vogël, e parëndësishme, e cila ka bërë zgjedhjen e vet. Sot ose zgjedh të jesh në një front patriotik kundër autokratit, ose zgjedh të bësh lojën e autokratit.
Unë ju siguroj se Rama nuk do asgjë më shumë sesa të na shohë të përçarë, duke u marrë me njëri-tjetrin, sepse kështu ai sundon edhe më shumë mbi shqiptarët.
Tani, më përmendët dy shembuj, ndërsa unë po ju them se dhjetëra të rinj kanë dalë në media, të cilët nuk janë të Partisë Demokratike, dhe kanë thënë: ‘Falënderojmë Partinë Demokratike që na ka strehuar, që na ka mbrojtur nga dhuna policore, që na ka ndihmuar me ekipin e saj të juristëve dhe ekspertëve ligjorë’.
Janë 500 të rinj që janë asistuar nga Partia Demokratike në komisariate dhe që sot janë kthyer në shtëpitë e tyre. Deputetët e Partisë Demokratike kanë qenë gjithashtu në komisariate, në Spitalin e Traumës dhe kudo ku ka qenë e nevojshme.
Ata qytetarë që na ndjekin e kanë parë vazhdimisht se si kemi qenë pranë protestuesve. I kemi ndjekur nga afër dhe kemi vënë në dispozicion edhe ambulancën.
Qëndrimi për të dyja çështjet është bërë publik nga kryetari i Partisë Demokratike, është shpallur si në media, ashtu edhe në forumet e partisë. Nuk është e vërtetë që zoti Berisha ka thënë se është pro investimit aty. Ai ka thënë: ‘Ne, në parim, jemi pro investimeve që vijnë’. Por ka shtuar se, në atë rast konkret, duhet parë nëse janë respektuar ligjet e vendit’, u shpreh Nikola Kedhi në SYRI TV.
Deri në mbrëmjen e djeshme të 3 nëntorit Edi Rama po shpresonte.
Prej dy javësh ai personalisht, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe miq të huaj të kryeministrit shqiptar, po përpiqeshin të bindnin Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, që të shmangnin nga Raporti i përvitshëm rastin e Belinda Ballukut.
Një burim diplomatik i tha Hashtag.al se dy qeveri evropiane janë në dijeni të përpjekjeve të Ramës dhe rrjetit të tij të lobistëve, ndërsa mbrëmjen e së martës disa prej tyre janë kontaktuar dhe u është dhënë mesazhi se mund të hynin në shtigje të gabuara duke favorizuar Edi Ramën.
I njëjti burim diplomatik informoi Hashtag.alse prej disa javësh Edi Rama ka ftohur marrëdhëniet si dhe ka pakësuar kontaktet me Marta Kos; kjo e fundit mund të ketë qenë më herët objekt i kritikave nga qeveritë evropiane për favorizim të Edi Ramës.
Nga ana e tij ministri i Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha ka kuptuar në takime me përfaqësues së disa shteteve evropiane se qeveria shqiptare është në survejim konstant sidomos për 3 çështje:
a) Implikimet e anëtarëve të qeverisë (dhe familjarëve të tyre) me narkotrafikun
b) Implikimet e anëtarëve të qeverisë (dhe familjarëve të tyre) me dosjen AKSHI- Agasi
c) Dosja Balluku
Një grup protestuesish ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Tiranë, ku në fokus ka qenë situata e protestës dhe pretendimet për shkelje gjatë ndërhyrjeve të policisë. Në takim kanë marrë pjesë aktivistët Ilir Xhemalaj, Erjon Murataj, Laura Kërtalli dhe Asim Prengezaj.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga protestuesit, takimi u zhvillua me shefen e zyrës së politikave në OSBE. Gjatë tij, ata kanë ngritur shqetësimet për arrestimet dhe atë që e cilësojnë si dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit.
Protestuesit i kanë kërkuar OSBE-së që në raportet e saj të pasqyrojë pretendimet për abuzime, si dhe kërkesat e tyre për ndryshime në ligjin zgjedhor dhe shfuqizimin e reformës territoriale.
Në njoftimin e tyre bëhet me dije se ky takim shënon nisjen e një serie takimesh me përfaqësitë diplomatike në Tiranë, të cilat synojnë të informojnë ndërkombëtarët për situatën dhe kërkesat e protestës.
Ata deklarojnë se takimet do të vijojnë deri në përmbushjen e misionit të protestës.
Reagimi i plotë:
Ditën e sotme zhvilluam një takim me karakter informues mbi situatën e protestës me përfaqësinë e OSBE në Tiranë.
Vendosëm theksin tek arrestimet dhe dhuna barbare ushtruar nga e ashtuquajtura e policia e shtetit.
Kërkuam nga OSBE të pasqyroj në raportin e saj abuzimet dhe kërkesat për ndryshime ligjore në ligjin elektoral dhe abrogimin e pseudo reformës teritorial.
Me këtë takim protesta cel siparin e një sërë takimesh me përfaqësitë diplomatike në Tiranë der në përmbushjen e misionit të saj. gsh
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas publikimit të progres-raportit për Shqipërinë.
Duke u ndalur te protestat që po mbahen në vend, ku kërkohet dorëheqja e Ramës, ajo tha se ato u nxitën fillimisht nga çështjet mjedisore, por më pas u shoqëruan edhe me kërkesa më të gjera, si lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i qeverisjes.
“Ishin çështjet mjedisore ato që nxitën protestat, që u shoqëruan me lëvizje më të gjera, luftë kundër korrupsionit, qeverisje më të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike nuk ka vend dhuna. Çdo reagim dhune duhet të mbetet proporcional. Por e përsëris, dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut. U takon institucioneve që të krijojnë kushtet për zhvillimin e dialogut demokratik. Dje Shqipëria mori progres-raportin, ku nuk mori kushte të reja.”, tha ajo.
Sa i përket progres-raportit, ambasadorja bëri të ditur se Shqipëria nuk ka marrë kushte të reja në këtë fazë të procesit të integrimit evropian. bw
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar progres-raportin e Komisionit Europian si një pasqyrë të punës së qeverisë, duke deklaruar se Shqipëria ka shënuar përparim të madh në rrugën drejt Bashkimit Europian. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, Rama u shpreh se raporti tregon qartë punën e institucioneve, por pretendoi se qytetarët nuk arrijnë ta shohin këtë progres për shkak të asaj që ai i cilësoi si kanale dezinformimi.
Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë një nga temat për të cilat kreu i qeverisë është pyetur gjatë konferencës për shtyp pas dorëzimit të progres-raportit të Komisionit Europian. Por Rama ka zgjedhur të mos japë një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke e cilësuar konfliktin si një çështje pa rëndësi për të.
“Janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë dhe vijnë në Bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, u shpreh Rama, duke shmangur komentet për përplasjen me Veliajn dhe akuzat e këtij të fundit nga burgu.
Deklarata e kryeministrit vjen kur raporti mes dy figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste është përshkallëzuar publikisht, pas pretendimeve të Veliajt se Rama i ka përcjellë kërkesa dhe mesazhe përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Veliaj pretendoi se gjatë takimit Gogu i kishte përcjellë tri kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri: të pranonte përfshirjen në organizimin apo financimin e protestave të studentëve dhe lëvizjes “Flamingot”, të delegonte drejtimin e Bashkisë së Tiranës te Arbër Hajdari dhe të hiqte dorë nga përfaqësimi ligjor prej avokatit Plarent Ndreca.
Sipas versionit të publikuar nga Veliaj, në rast se nuk do të pranonte këto kërkesa, mund t’i rëndoheshin akuzat, përfshirë edhe atë për cenimin e rendit kushtetues. Ai pretendoi gjithashtu se i ishte përcjellë mesazhi se mund të përballej me një dënim të gjatë me burg.
Më 4 nëntor, përmes avokatit Plarent Ndreca, Veliaj bëri publike edhe disa faqe nga ditari i tij personal, ku kishte shkruar përgjigjet për kërkesat që pretendon se i ishin përcjellë nga ministri. Në shënimet e publikuara, ai mohoi kategorikisht të kishte lidhje me protestat dhe kundërshtoi mundësinë e delegimit të drejtimit të bashkisë te Arbër Hajdari.
“Ma hodhe një herë, të të vijë turp, por herën e dytë, turp të më vijë mua”, ishte një nga mesazhet e Veliajt lidhur me refuzimin për të deleguar kompetencat. Ai mbrojti gjithashtu avokatin Plarent Ndreca, duke shkruar se gjatë kësaj periudhe i ishte gjendur pranë dhe se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë prej tij.
Veliaj deklaroi se nuk do të përkulet dhe as do të shantazhohet, ndërsa mohoi akuzat për përfshirje në protestat kundër qeverisë. Përplasja u shoqërua edhe me zhvillime të tjera, pasi avokati Ndreca bëri të ditur se kryebashkiaku ishte transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit për shkak të frakturës në këmbë, ndërsa ngriti shqetësime për vonesat në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore. bw
ROMË- Erjon Vishkulli, i riu që u qëllua nga policia me plumb gome në sy ka njoftuar se më 11 nëntor do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin Gemelli në Romë. Përmes një mesazhi drejtuar të gjithë personave që janë interesuar për gjendjen e tij, Vishkulli ka zbuluar se ky operacion do të jetë vendimtar për shikimin e tij, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha të jetës. 28-vjeçari ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këtë periudhë të vështirë, përmes mbështetjes, mesazheve dhe lutjeve.
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur dhe janë interesuar për gjendjen time, ju informoj se më datë 11 nëntor do t’i nënshtrohem një tjetër operacioni në spitalin Gemelli në Romë. Ky do të jetë operacioni vendimtar per shikimin tim, një sfide shumë e madhe në jetën time. Me besimin te Zoti, shpresoj që gjithcka te shkoje mirë. Faleminderit nga zemra te gjitheve per mbeshtetjen, mesazhet dhe lutjet!” shkruan i riu në postimin e tij.
I riu nga Elbasani u lëndua në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ku raportohet se gjendja e tij është më e stabilizuar, ndërsa mjekët kanë dhënë shpresa pozitive për rikuperimin e syrit. Ngjarja ndodhi gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa në sfond dëgjohen shpërthimet e fishekzjarrëve dhe thirrjet e protestuesve që kërkojnë ambulancën për të ndihmuar të plagosurin. Vishkulli u transportua fillimisht në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve italiane, ajo ka kërkuar sekuestrimin e objektit që pritet të nxirret nga syri i 28-vjeçarit, për t’iu nënshtruar më pas ekspertizës. Hetimet përfshijnë edhe veprimet e efektivëve të policisë, me qëllim verifikimin nëse gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar./Dosja.al
Shqipëria renditet e para mes vendet europiane, për peshën më të lartë të automjeteve me motor mbi 2 000 kubikë.
Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 30% e totalit të automjeteve apo rreth 300 mijë i përkasin kategorisë së fuqisë motorike të lartë. Nga totali i automjeteve mbi 2 mijë kubikë, 27.8% e tyre janë me naftë dhe 2.4% me benzinë.
Preferenca e shqiptarëve për makina me motorë mbi 2 mijë kubikë lidhet me çmimet e përballueshme të automjeteve të përdorura të importuara, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Italia, ku taksat dhe sigurimet për motorët e mëdhenj janë të larta.
Ndikojnë gjithashtu perceptimi i makinës si simbol statusi dhe nevoja për automjete më të fuqishme në zonat me terren të vështirë, apo dhe fakti që historikisht rrugët në Shqipëri kanë qenë të prishura, ndonëse vitet e fundit situata është përmirësuar.
Kjo preferencë për makinat me fuqi motorike të lartë pritet të penalizojë shumë përdorues veturash. Nga ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për taksat kombëtare”, pronarët e këtyre mjeteve pritet të përballen me rritjen më të madhe të detyrimit të taksës vjetore të mjeteve të përdorura.
Propozimet me paketën fiskale krijojnë për herë të parë dy nivele të taksimit sipas madhësisë së motorit. Nisur edhe nga numri i lartë i tyre, për automjetet me fuqi motorike mbi 2,000 cc propozohet taksë fikse për karburantin më e lartë sesa për kategoritë e tjera.
Aktualisht, taksa fikse për llogaritjen e detyrimit vjetor të mjeteve është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën, pa dallim sipas cilindratës.
Me propozimin e ri, për automjetet me motor mbi 2,000 ç, taksa fikse për naftën do të jetë 26 lekë, ndërsa për benzinën 21 lekë. Ndërsa për automjetet me cilindratë deri në 2,000 ç, përfshirë edhe autoveturat, taksa fikse propozohet të jetë 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Krahas taksës fikse ndryshojnë edhe koeficientët e vjetërsisë.
Monitor ka përllogaritur detyrimin e ri për autoveturat me fuqi motorike 2,500 cc. Sipas llogaritjeve duke përfshirë, edhe koeficentët e rinj të viteve të përdorimit të mjeteve të cilat janë rishikuar, detyrimi vjetor për pronat e autoveturave me naftë, në varësi të moshës së mjetit, do të rritet nga 80% deri në 289%. Për makinat me benzinë rritja e detyrimit varion nga 65% deri 236%.
Për të dyja kategoritë rritja më e madhe, efekti më i madh do të ndihet te automjetet e vjetra, të moshës 30 vjeçare.
Sa do të rritet detyrimi për mjetet mbi 2 mijë kubikë; Shembujt
Për një autoveturë me naftë 4-vjeçare dhe 2,500 cc, detyrimi vjetor aktualisht është 5,625 lekë. Pas ndryshimeve fiskale detyrimi arrin në 13,650 lekë, ose 8,025 lekë më shumë, me një rritje prej 80%.
Për një autoveturë 10-vjeçarë me naftë apo e prodhuar në 2016, detyrimi për taksën vjetore nga 7,500 lekë që paguhet aktualisht do të arrijë në 21,450 lekë. Rritja me 140%.
Edhe pronarët e makinave me benzinë do të përballen me një rritje të konsiderueshme, megjithëse më të ulët se ajo e makinave me naftë. Te makinat me benzinë të moshës 10 vjeçare, detyrimi nga 6 mijë lekë që është aktualisht llogaritet të arrijë në 17,325 lekë për autovetura me 2,500 cilindrat. Detyrimi rritet në vlerë 11,325 lekë apo 111% më shumë.
Për automjetet me benzinë 30-vjeçare, detyrimi vjetor do të arrijë në 43,050 lekë, nga 19,500 lekë që është aktualisht. Detyrimi në vlerë do të rritet 23,550 lekë ose 236%.
Detyrimi rritet edhe për makinat deri në 2 mijë kubik
Sipas ndarjes së fuqisë motorike që Eurostat bën për automjetet, në Shqipëri 40% e totalit i përkasin fashës nga 1,400 deri 1,999 kubikë dhe 5.5% e tyre nën fashën e 1,399 kubikëve.
Monitor përllogariti detyrimin e ri edhe për autoveturat me cilindrat deri në 2,000 cc, si për makinat me naftë, edhe me benzinë, duke marrë në konsideratë moshën e mjetit, nivelin e ri të taksës fikse të propozuar për karburantin dhe koeficientet e rinj të viteve të përdorimit.
Sipas përllogaritjeve nga 71% deri në 175% do të rritet detyrimi i taksës vjetore për makinat me naftë deri në 2,000 cc, në varësi të moshës së automjetit. Edhe për makinat me benzinë detyrimi vjetor për taksën e mjetit do të rritet nga 71 deri në 175% në varësi të moshës.
Niveli aktual i taksës fike
Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse.
Propozimi për ndryshimet e taksës fikse
-Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin për mjetet me vëllim deri në 2 000 cm3 , për autoveturë, motomjet ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë) dhe gjithë të tjerat (APV) (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë); ii.
-Taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin për mjetet me vëllim më të madh se 2 000 cm3 , për autoveturë, ATP (sipas grupit I të koeficientit të vjetërsisë) dhe gjithë të tjerat (APV) (sipas grupit II të koeficientit të vjetërsisë);
Avokati Plarent Ndreca ka reaguar pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, duke konfirmuar se ai është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të frakturës në këmbë dhe nevojës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas avokatit, ekzaminimi është kërkuar edhe në bazë të udhëzimeve të mjekut që ndjek procesin e rikuperimit të Veliajt.
Ndërkohë, Ndreca ka bërë të ditur se gjatë takimit, kryebashkiaku i ka dorëzuar disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal. Në këto shënime, sipas avokatit, janë përgjigjet që ai i ka dhënë ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij – sipas kryebashkiakut me porosi të kryeministrit Rama – për heqjen dorë nga drejtimi i Bashkisë Tiranë dhe delegimi te Arbër Hajdari, pranimin e autorësisë së protestave studentore dhe të Flamingove, si dhe distancimin nga avokati Ndreca.
Avokati ka paralajmëruar se këto përgjigje do të bëhen publike.
Reagimi i plotë i avokatit Plarent Ndreca:
“Dola nga takimi me Erionin.
Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor. Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij.
Erioni më dorëzoi disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal, ku ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij. Këto përgjigje do t’i bëjmë publike.”Panorama
Deputetja e pavarur dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka komentuar në emisionin “Prime News24” përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Koçeku e cilësoi situatën si një luftë mes dy figurave të së njëjtës forcë politike, duke u shprehur se nuk duhet të ketë ndërhyrje për të shpëtuar asnjërën palë.
“Situata është e qartë, të dy flasin nga burgu, por njëri është brenda dhe tjetri jashtë burgut. Ka një luftë mes tyre dhe mendoj se duhet t’i lëmë të mbysin njëri-tjetrin. Nuk kemi pse shpëtojmë asnjërën palë, por t’i lëmë në këtë rrugëtim që kanë nisur dhe që nuk ka shenja të kthehet pas”, u shpreh ajo.
Sipas Koçekut, përplasjet dhe ndarjet brenda Partisë Socialiste ishin të pritshme dhe zhvillimet e fundit mund të shkaktojnë një efekt zinxhir, duke sjellë skizma të tjera në radhët e kësaj force politike.
“Ishte e pashmangshme që do të kishte skizma të tilla politike. Një e tillë ishte në PS edhe kur u largova unë dhe pritet të ketë një ‘butterfly effect’ në vijim. Kjo që ndodhi pritej dhe besoj se do të zgjasë në kohë. Efektet e asaj që po ndodh do të ndikojnë edhe në krijimin e skizmave të tjera në PS”, deklaroi Koçeku.
Ajo parashikoi se zhvillimet mund të çojnë në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë përfundim edhe me kërkesën e protestuesve.
“Finalja besoj është ajo që po kërkojnë edhe protestuesit, dorëheqjen e kryeministrit Rama. Nuk mendoj se është çështje dëshire, por është e qartë. Rama nuk është politikani që pranon dorëheqjen dhe nuk do të donte të largohej nga posti, por situata do të vijë e tillë sa nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër”, tha ajo.
Gjatë intervistës, Koçeku foli edhe për vendimin e saj për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së dhe për të vijuar si deputete e pavarur, duke sqaruar se shkëputja nga anëtarët e grupit ishte një zgjedhje personale.
“Që kur kam vendosur të largohem nga grupi i PS-së dhe të jem deputete e pavarur, ka qenë vendim imi personal që të shkëpus marrëdhëniet me anëtarë të grupit të PS-së. Nuk kam qenë shumë fanse e miqësisë në politikë, sepse nuk besoj fort te ajo, por ka qenë edhe një kohë e shkurtër kur kam qenë pjesë për të krijuar diçka”, u shpreh Koçeku. gsh
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është zhvendosur nga sektori A i paraburgimit në Fier në sektorin spitalor, që gjendet në të njëjtin burg.
Zhvendosja e Veliaj ndodhi pas gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ankesave të kryebashiakut që pretendon se nuk u vlerësua gjendja e tij shëndetësore, pasi ai ka dëmtime në këmbë që i ka marrë në burgun e Durrësit.
Kujtojmë që Erion Veliaj u transferua nga paraburgimi në Durrës drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier.
Pas këtij transferimi, Veliaj publikoi një letër të shkruar me dorë, përmes së cilës ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Sipas versionit të Veliajt, ministri Gogu e kishte vizituar në burg, në orët e vona të mbrëmjes së 30 tetorit 2026, dhe gjatë takimit i kishte përcjellë një mesazh në emër të kryeministrit.
Në letrën e tij, kryebashkiaku pretendon se i janë komunikuar tri kërkesa kryesore:
1-Të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave të njohura si protestat e “Flamingove” dhe studentëve, në të kundërt do të përballej me akuza të tjera dhe me një dënim që, sipas pretendimit të tij, mund të shkonte deri në 100 vite burg.
2-Të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte kompetencat Arbër Hajdarit.
3-Të ndërpriste konsultimin dhe bashkëpunimin me avokatin e tij, Plarent Ndreca.
Komentet