


















Një vajzë e re studente shqiptare në Gjermani, deklaroi nga podiumi i protestës në ditën e 66-të të saj se askush nuk e mendonte se rezistenca qytetare do vijonte kaq gjatë, edhe me mbështetjen e Diasporës.
Ajo deklaroi se deri tani në Diasporë ishin mbajtur të paktën 300 protesta dhe 10 prej tyre në Mynih. Ajo shprehu mbështetjen e plotë për protestuesit, deri në realizimin e qëllimit për një Shqipëri të re.
“300 protesta të mbajtura deri tani në diasporë. Vetëm në Mynih janë mbajtur deri tani 10 protesta. Diaspora është me ju, keni mbështetjen e saj”, tha ajo.
Studentja lajmëroi se edhe në datat 14-16 gusht emigrantët do të jenë masivisht në Tiranë për të protestuar kombëtarisht.
“Në datën 14, 15 e 16 do të jemi këtu me diasporën në shesh së bashku. Do të jemi këtu për Shqipërinë e re dhe revolucionin tonë. Jemi të gjithë bashkë për të sjellë Shqipërinë e re. Na duhen njerëz me dinjitet dhe ne jemi njerëz me dinjitet. Ne po e bëjmë revolucionin tani, Shqipëria nuk ka parë ndonjëherë që për 66 ditë të mbahet protestë dhe marshim, jemi bashkë”, përfundoi studentja thirrjen e saj publike. Panorama
Lëvizja qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë zhvilloi dje protestën e saj të 61-të radhazi, duke vijuar mobilizimin e përditshëm në Tiranë.
Gjatë tubimit, organizatorët përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa njoftuan se protesta e radhës, e planifikuar për nesër, më 1 gusht, pritet të jetë një protestë kombëtare me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe të diasporës shqiptare.
Sipas njoftimeve të shpërndara nga komunitetet e diasporës në rrjetet sociale, protesta do të zhvillohet në Bulevard, ndërsa shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë ftuar t’i bashkohen tubimit.
“Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara”, ishin thirrjet e bëra dje në protestën para Kryeministrisë.
Organizatorët kanë bërë apel për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e 1 gushtit, duke e cilësuar atë si një nga mobilizimet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, ndërsa theksojnë se pjesëmarrja e diasporës do të jetë një element kyç i tubimit. bw
Teksa sot mbahet protesta e 57, aktivisti shqiptar i diasporës së Londrës, Bledar Meti, paralajmëroi një kthim të tretë edhe më të fortë të shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve shqiptare. Në një intervistë për emisionin ‘News24 fundjavë’ me Megi Latifin, Meti tha se do të vendoset se kur do të jetë organizimi në fjalë, në gusht apo shtator.
Ai tha se Rama është konsumuar politikisht, duke u ndalur te disa skandale të ish-ministrave të tij apo dhe te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Aktivisti shtoi se Rama nuk ka tagër moral.
“Kthimi i tretë do të jetë më i organizuar, me pjesëmarrje më të madhe. Do të asistojmë në një kanalizim institucional. Jemi në dilemën, cila do të jetë më efikase, gushti, apo shtatori. Këto pushime për Diasporën, do të jenë festë dhe protestë. Nuk e shmang dot faktin se janë përpjekur që të na hyjnë në çdo organizim që kemi bërë. Është evidentuar që Tirana të na krijojë pak përçarje. Kemi arritur që të evidentojmë pjesë private të organizimeve tona. Janë publikuar takime shumë të ngushta, pasi kemi qenë 400 veta. Aty ka pasur dhe njerëz që ia kanë shitur shpirtin djallit. Janë përpjekur që të na baltosur, por nuk ia dalin dot. Janë përpjekur që të na hyjnë të na krijojnë përçarje, por nuk do të ndodhë! Ky do të jetë kthimi, e treta dhe e vërteta. I gjithë ky grupim duhet të jetë më i organizuar. Shqiptarë, qëndroni. Shqiptarët e diasporës po punojnë për të ardhur dhe për të qenë gjatë jush. Gjatë gushtit, iu kemi bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës. Festë dhe protestë dhe protestoni.”, tha ai.
Ndërsa shpjegoi se për portalin po merren edhe mendime të diasporës dhe grupeve të interesit në të gjithë botën ku ka shqiptarë. . “Në Britani kemi marrë një mendim dhe përfshirje për zhvillimin e portalit me diasporën dhe me aktorë konkretë, intelektualë, përsona që përfaqësojnë aktorë me rëndësi. Sepse gjithpërfshirja duhet të jetë transparente, nga Australia në Kaliforni dhe më gjerë në të gjithë botën, për t’i dalë zot atdheut”, tha Meti.
Reagimet vlerësuese e falenderuese për Dua Lipën në rrjetet sociale pas publikimit të një pjese të podcast-it të saj me filozofen Lea Ypi kanë qenë të shumta.
Një pjesë e madhe e ndjekësve nga Shqipëria dhe e gjithë bota e kanë falënderuar artisten shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa për qëndrimin e saj në mbështetje të zërit të qytetarëve shqiptarë, duke e konsideruar atë si një figurë me ndikim që kontribuon në forcimin e frymës së ndryshimit në Shqipëri.
Shumë komentues e vlerësojnë faktin që ajo përdor platformën e saj ndërkombëtare për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve që prekin vendin. Në komente shfaqen mesazhe mbështetëse si “Faleminderit, Dua”, “Mbretëresha më në fund foli”, “Bravo, Dua”, “Jam i lumtur si shqiptar që ajo po flet” dhe “Bëhu zëri i shqiptarëve”, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj si të rëndësishme dhe duke e inkurajuar të vazhdojë të ngrejë zërin për çështjet që prekin Shqipërinë.
Në qindra komente vlerësohet Dua Lipa si artiste, intelektuale dhe model frymëzimi, duke theksuar se ndikimi i saj shkon përtej muzikës dhe se zëri i saj ka peshë në çështje me interes publik.
Disa ndjekës kanë kërkuar që artistja të mbajë një qëndrim më të drejtpërdrejtë lidhur me protestat qytetare dhe Ligjin 21/2024, duke mbështetur sloganin “Albania is not for sale” (“Shqipëria nuk është në shitje”).
Një mesazh që përsëritet në komente është kërkesa që shembulli i Dua Lipës të ndiqet edhe nga artistë, këngëtarë dhe figura të tjera publike shqiptare.
Qytetarët shprehen se personalitetet me ndikim kanë mundësinë të sensibilizojnë opinionin publik dhe të kontribuojnë në mbështetjen e kauzave që prekin interesin e përbashkët, duke përdorur zërin dhe platformën e tyre për të nxitur ndërgjegjësim dhe debat publik. bw
Dua Lipa godet kryeministrin Edi Rama në podcastin me Lea Ypin. Ajo është shprehur se është shqetësuese që Qeveria nuk pyet qytetarët.
“Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur për Shqipërinë sot. Me duket shqetësuese që qeveria mund të ndryshojë ligjin për mjedisin pa një konsultim publik”, është shprehur ajo.
Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare i referohet pikërisht ndryshimit të ligjit 21/2024 për ndërtimet në zonat e mbrojtura, i cili pret edhe lagunën Vjosë-Nartë, me pasojë ndërtimet luksoze në Zvërnec.
Prej 43 ditësht shqiptarët janë në protestë dhe kërkojnë jo vetëm anulimin e ligjit që lejon ndërtimet në këto zona, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.bw
Një numër i madh shqiptarësh nga diaspora pritet të mbërrijnë sot në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e 35-të kombëtare kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Sipas deklaratës së njërit prej koordinatorëve të protestës së diasporës, një grup protestuesish po vjen nga Igumenica, ndërsa një pjesë tjetër do të hyjë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Muriqanit.
Ai i bëri thirrje kryeministrit të dorëhiqet sa s’është vonë dhe t’i hapi rrugë një qeverie tranzitore apolitike.
“Disa shqiptarë nga Zvicra, Italia dhe Greqia kanë udhëtuar drejt Igumenicës dhe po vijnë nga Jugu. Belgjika, Franca, Austria, Britania dhe Gjermania po vijnë nga Veriu. Kemi udhëtuar dy ditë të plota. Ky kushtrim për të bashkuar zërin është i jashtëzakonshëm.
Lançimi që kemi bërë nga Britania ka qenë që kjo duhet të jetë protestë politike. Kemi vendosur kusht që protesta të jetë politike. I bëjmë thirrje Ramës, mbretit pa kurorë, se e ke bërë baltë. Jemi këtu me një kusht të vetëm, dorëhiqu sa s’është vonë dhe hapi rrugë një qeverie tranzitore apolitike”, deklaroi koordinatori i protestës së diasporës.
Siç tregojnë edhe pamjet, shqiptarët kanë krijuar një varg kilometrik automjetesh në rrugë, ku nuk mungojnë flamujt kuqezi. Panorama
Një grup shoqatash dhe organizatash shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë dërguar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare që vazhdojnë prej mbi një muaji në vend dhe dënojnë dhunën policore ndaj protestuesve.
Letrës së hapur të tyre i është bashkuar edhe shkrimtarja Lea Ypi, e cila ka shpërndarë atë në rrjete sociale. Në letrën drejtuar qeverisë theksohet se protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe më të organizuar, dhe se ato janë një shprehje e pastër e demokracisë në veprim dhe një e drejtë kushtetuese.
“Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.
Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore. Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.”, thuhet në letër.
Në letër janë renditur gjithashtu 4 kërkesa kryesore drejtuar qeverisë: transparencë të plotë për ligjet, vendimet dhe kontratat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore, llogaridhënie për shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, mbrojtjen e interesit publik si parim themelor në politikat e zhvillimit ekonomik, si dhe nisjen e një dialogu të vërtetë e konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe protestuesit.
Letra është firmosur nga 11 organizata shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar, UKAP Foundation, Kosovar Albanian Youth Against Violence, British Albanian Culture & Arts Association, Edinburgh University Albanian Society, Cambridge Uni Albanian Society, LSE Albanian Society dhe UCL Albanian Society.
LETRA E PLOTE:
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,
Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.
Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.
Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:
Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;
Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;
Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;
Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.
Me respekt dhe me shpresë,
UKAP Foundation
Kosovar Albanian Youth Against Violence
British Albanian Culture & Arts Association
Edinburgh University Albanian Society
Albanian Book Lovers Culture Club
Cambridge Uni Albanian Society
LSE Albanian Society
Diasporas Speaking
UCL Albanian Society
Successful Mothers
Gjurmë Iliriane
Ditën e sotme protesta hyn në ditën e 35 dhe pritet që në vendin tonë të mbërrijnë një numër i madh shqiptarësh nga diaspora.
Aktivisti Olgert Rakipllari i ftuar në “Fundjavë” në News 24 deklaroi se në Tiranë ka mbërritur një numër i lartë protestuesish nga diaspora dhe pritet të vijnë ende.
Ai tha se organizimi do të jetë madhështor.
Rakipllari dekalaroi se qeveria po e ndjen rrezikun dhe tani po kërkon që të provokojë me qëllim që qytetarët të bëhen “kurban” për politikanët.
“Ky është një organizim madhështor, na janë bashkuar nga të gjitha qytetet e diasporës.
Tani në mëngjes kanë nisur të bashkohen brenda në Tiranë dhe do të jetë një organizim madhështor.
Sytë dhe zemra janë nga diaspora, sepse ata janë më të prekurot, sepse janë larguar për shak se gjërat nuk funksionojnë.
Diaspora është më e vështira për t’u kapur dhe intimiduar.
Mendoj që sa më shumë zgjatet protesta aq më shumë konsolidohemi, ndërsa qeveria mendon se do të lodhem. Ne jemi çdo ditë edhe më kreativë.
Në fillim nuk e pranonin protestën, pastaj e konsideruam e tani po përdor metodë përça e sundo, por shqiptarët tashmë janë zgjuar dhe masa e konsoliduar është koshiente dhe po e mban revoltën që të mos devijojë ku do pushteti.
Ka një masë solide dhe qeveria po e ndjen presionin. Tani po I ndan në të mirë dhe të këqinj, por ne nuk kemi ndasi.
Ndajmë mendime të ndryshme, sepse dhe brenda familjeve s’ka mendim të njëjtë. Ka nga ata që duan përshkallëzim, sepse jemi edhe në provokimin e pushtetit.
Mendojmë se protestuesit janë provokuar dhe kundërsulmi ishte joproporcional, gazi lotsjellës ishte i patolerueshëm. Kjo do të sjellë rebelim.
Po ndjejnë fundin dhe kërkojnë që protestat të jenë të dhunshme dhe që qytetarët të bëhen kurban për ta”, tha Rakipllari.
Mbahet sot, në orën 19:00, protesta e 35-të masive, ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Protesta e sotme është mbarëkombëtare ku diaspora pritet të jetë në Tiranë në mbështetjes së revoltës 35 ditore. Autokolonat janë nisur që nga dita e djeshme ndërsa policia ka deklaruar se çdo shtetas shqiptar që do të hyjë në territor këto ditë do t’i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm. Kjo është parë si përpjekje që diaspora të mos jetë pjesë e protestës në Tiranë.
Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit do të shprehin kërkesat e tyre.
Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në atë që cilësohet si protesta e 34-t radhazi.
“Ju erdhi fundi”, është mesazhi që organizatorët kanë përcjellë në thirrjen e tyre për pjesëmarrje në protestën. bw
“Për javë të tëra, dhjetëra mijëra shqiptarë janë ngritur, demonstruar, debatuar dhe shpresuar”, pa mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij, denoncojnë një kolektiv qytetarësh nga diaspora shqiptare në Evropë, në një letër të hapur drejtuar udhëheqësve evropianë.
Për demokracinë, dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e Shqipërisë
Të nderuar drejtues të Evropës,
Po ju shkruajmë nga Shqipëria, nga Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Greqia dhe nga çdo cep i Evropës ku shqiptarët kanë marrë me vete kujtimet, shpresat dhe dashurinë për vendin e tyre.
Ne jemi shqiptarë.
Disa prej nesh jetojnë në Shqipëri. Të tjerë janë detyruar të largohen për të kërkuar diku tjetër mundësitë, dinjitetin dhe të ardhmen që vendi i tyre nuk ua ofronte më.
Megjithatë, largësia nuk e ka zbehur kurrë lidhjen tonë me atdheun.
Prej javësh, dhjetëra mijëra shqiptarë po ngrihen, po protestojnë, po debatojnë dhe po shpresojnë.
Ata nuk po e djegin vendin e tyre.
Ata nuk kërkojnë privilegje.
Ata kërkojnë të dëgjohen.
Ata kërkojnë llogaridhënie.
Ata kërkojnë një të ardhme.
Dhe na kujtojnë një ide të thjeshtë:
Shqipëria nuk është në shitje.
As brigjet e saj.
As malet e saj.
As lumenjtë e saj.
As zonat e saj të mbrojtura natyrore.
As interesi i saj publik.
As demokracia e saj.
Ne refuzojmë që shkatërrimi i natyrës të quhet “zhvillim”.
Ne refuzojmë që betoni që mbulon plazhet, pyjet dhe peizazhet e mbrojtura të paraqitet si përparim.
Ne refuzojmë që pasuritë e një vendi të tërë të përvetësohen gradualisht nga një grusht njerëzish, ndërsa qytetarëve të zakonshëm u kërkohet të presin në heshtje.
Së fundmi, në faqet e Financial Times, Kryeministri ynë, Edi Rama, zgjodhi t’u përgjigjej kritikëve të tij me dy fjalë që tronditën thellë një pjesë të madhe të popullit shqiptar:
“Fuck you.”
Dy fjalë.
Dy fjalë që zbulojnë më mirë se çdo fjalim i përgatitur me kujdes hendekun që është krijuar mes një pjese të pushtetit dhe atyre që ai është i thirrur t’u shërbejë.
Sepse kur një udhëheqës u përgjigjet në këtë mënyrë atyre që vuajnë, atyre që protestojnë, atyre që ende guxojnë të besojnë te demokracia, kjo nuk është thjesht një fyerje.
Është një vizion i pushtetit absolut, madje arbitrar, ku respekti nuk i detyrohet më qytetarëve, por u kërkohet prej tyre.
Po ju shkruajmë sepse na ka ardhur në majë të hundës.
Na ka ardhur në majë të hundës të shohim Evropën që duartroket fjalimet për reformat, ndërsa kthen kokën nga ana tjetër kur qytetarët denoncojnë korrupsionin, klientelizmin, shkatërrimin e mjedisit, largimin e një brezi të tërë, rrënimin e besimit publik dhe arrogancën e pushtetit.
Na ka ardhur në majë të hundës ta shohim vendin tonë të paraqitet si një histori suksesi, ndërkohë që kaq shumë nga bijtë dhe bijat e tij largohen sepse nuk shohin më të ardhme aty.
Na ka ardhur në majë të hundës të shohim qytetarë të guximshëm të trajtohen si armiq vetëm sepse refuzojnë të heshtin.
Ne nuk ju kërkojmë të zgjidhni një kamp politik.
Ju kërkojmë të zgjidhni kampin e demokracisë.
Kampin ku qeveritë dëgjojnë popullin e tyre.
Kampin ku respektohet liria e shprehjes.
Kampin ku kritika nuk barazohet me tradhti.
Kampin ku qytetarëve nuk u kërkohet të heshtin kur institucionet pushojnë së mbrojturi ata.
Historia e Evropës është shkruar nga popuj që patën guximin të ngriheshin.
Punëtorët e Gdańskut.
Studentët e Pragës.
Berlinasit përballë Murit.
Gratë që kërkuan të drejtën e votës.
Qytetarë që, në një moment të historisë së tyre, refuzuan të pranonin se përçmimi ishte çmimi i stabilitetit.
Pse guximi i tyre duhet të festohet në librat e historisë dhe të shpërfillet kur shfaqet sot?
Ne kemi protestuar.
Ne kemi shkruar.
Ne kemi folur.
Ne kemi kaluar kufij për t’u bashkuar me ata që mbushin sheshet e Tiranës.
Dhe ajo që kemi parë nuk ishte as urrejtje, as dhunë.
Pamë diçka shumë më të fuqishme.
Qytetarë që refuzojnë ta braktisin vendin e tyre në duart e indiferencës.
Ja pse po ju shkruajmë.
Jo për të kërkuar dhembshurinë tuaj.
Por për të kërkuar vëmendjen tuaj.
Sepse heshtja ndërkombëtare shumë shpesh interpretohet si leje për të vazhduar.
Sepse devijimet autoritare lulëzojnë kur demokracitë zgjedhin të shohin nga ana tjetër.
Sepse një popull që ngrihet në mënyrë paqësore meriton më shumë sesa përçmim.
Dhe sepse, në fund të fundit, Evropa nuk do të gjykohet nga fjalimet që mban për demokracinë.
Ajo do të gjykohet nga popujt që zgjedh të dëgjojë kur ata i bëjnë thirrje për ndihmë.
Ne ftojmë të zgjedhurit, intelektualët, gazetarët, mbrojtësit e mjedisit, artistët, sindikalistët dhe të gjithë qytetarët e përkushtuar ndaj vlerave demokratike të qëndrojnë përkrah nesh.
Jo për një parti.
Jo për një udhëheqës.
Por për një parim të thjeshtë:
Asnjë qeveri nuk është mbi popullin e saj dhe asnjë vend nuk duhet të trajtohet si mall.
Shqipëria nuk është në shitje.
Populli i saj nuk është në shitje.
E ardhmja e saj nuk është në shitje.
Paris, qershor 2026
Kolektivi i qytetarëve të diasporës shqiptare në Evropë
Avokati Kastriot Berberi, i cili jeton prej rreth tre dekadash në Londër, theksoi se politika në Shqipëri e sheh diasporën si një kërcënim.
Në intervistën për News24, ai u shpreh se qeveritë nuk kanë dhënë asnjë kontribut për të, ndërsa shtoi se nëse do të njihej potenciali dhe dijet që kanë njerëzit që jetojnë në diasporë, vendi do të ishte më i zhvilluar.
Ai përmendi një rast që sipas tij kishte qenë Dhoma e Lordëve që e kishte ftuar për të pritur kryeministrin shqiptar dhe jo autoritetet shqiptare. Po ashtu, sipas tij, në një tjetër rast, ministri i Jashtëm nuk e kishte njohur.
“Kam qenë atje 30 vjet dhe nuk jam ftuar asnjëherë në samite. Kur vjen qeveria socialiste apo ish qeveria demokratike nuk ftohesha asnjëherë nga autoritetet shqiptare, nga ambasadori apo ministri i jashtëm. Kur erdhi kryeministri herën e fundit, më ftoi pala britanike që të pres kryeministrin, mora ftesë nga Dhoma e Lordëve.
Prapë në parlament isha në një tavolinë me përfaqësues të Britanisë dhe Shqipërisë, ministri i Jashtëm më përshëndet si i huaj. Ai nuk më njihte. Jam politikani i parë shqiptar i zgjedhur me vota në Britani. Pavarësisht se u shpreh me shumë dashamirësi, dhe më dha vlerësim, nuk ishte i informuar. “, tha ai.
Sipas tij, klasa politike në Shqipëri nuk do ta njohë potencialin e diasporës.
“Nuk duan ta njohin potencialin e diasporës. E shohin kulturën e dijen e diasporës si kërcënim për pushtetin e tyre. Ne ndihmojmë me kritika e kërkesë llogarie. Ne më tepër ndihmojmë me anën intelektuale. Sa njerëz inteligjent ka në diasporë. Nëse kryeministri mund të kishin marrë inteligjencën shqiptare në diasporë, Shqipëria do të ishte më e zhvilluar. “, shtoi avokati.
Duke u ndalur te platforma e PS “Deputeti që Duam”, ai theksoi se nuk aplikoi sepse refuzon që të marrë pjesë në një proces që caktohet nga kryetari.
“Nuk aplikova te “Deputeti që duam”. Nuk aplikoj dot në një proces në një proces që caktohet nga kryetari. Dua të votohem në sistemin një anëtar në votë. Dua demokratizimin e partive.”, shtoi më tej avokati.
Vijoi edhe dje për të 23-ën ditë radhazi protesta e mijëra qytetarëve kundër qeverisë Rama.
Sakaq një grua mori fjalën në podiumin e improvizuar duke denoncuar sjelljen e policisë së shtetit në kufi ndaj makinave të diasporës që erdhën në atdhe dy ditët e fundjavës për protestën.
Ajo u shpreh se makinat e diasporës u gjobitën me gjobë maksimale dhe nuk u lanë të largoheshin në vendet e tyre pa paguar gjobat.
Gruaja: E di si e priti ky shtet i korruptuar diasporën tonë. Duke ulur kursin e këmbimit. Kështu e priti diasporën. Turp! A thua se vetëm kjo do të mjaftonte? Të gjithë makinat që shkelën kufirin janë gjobitur me gjobat maksimale. Mbi 125 mijë e lekë, ose 450 mijë lek. E papranueshme që bijtë tanë të gjobiten me gjoba maksimale. Turp! Nuk i lanë pa paguar gjobat të kalonin kufirin. Duhet të ktheheshin prapë që të paguanin gjobat që të kalonin kufirin. gsh
LETRA E PAPA LEONIT NUK ËSHTË VETËM PËR KARDINALIN TONË, POR PËR TË GJITHË NE, (EDHE PËR ATA QË S’DUAN TA LEXOJNË…)- Nga VISAR ZHITI
SHKODRA NUK E HARRON HISTORINË E SAJ- Nga Frank Shkreli
In Memoriam: Lisa Milicaj: “Ndiqni ëndrrat tuaja dhe mos u dorëzoni kurrë!” Intervistoi Ruben Avxhiu
A është Rama partner i besueshëm për Uashingtonin?- Nga KASTRIOT HAXHIAJ
Revolta masive për dorëheqjen e Ramës, Arben Malaj: Protestat paqësore atdhetare duhet të kulmojnë pa vonesë në “Mosbindje Civile”! 5 rastet frymëzuese që ndryshuan rrjedhën e historisë
“Mos u dorëzoni”- Rezistenca për dorëheqjen e Ramës në ditën e 66, Dua Lipa dhe Lea Ypi inkurajojnë qytetarët: Protestat sjellin ndryshim, mbrojnë demokracinë
Lara Gut-Behrami ka vendosur të mbyllë karrierën e saj
Opozita qendrim antagonist dhe puç kundër sistemit demokratik të Kosovës Nga Elida Buçpapaj
“Protesta ka futur në panik Edi Ramën”- Studenti: “Gjenerata Z” do ndryshojë Shqipërinë, jemi gati! Do luftojmë klasën e vjetër politike
Paradoksi i reformës territoriale – Bashkitë nën 10 mijë banorë mbeten, ndërsa shkrihen 4 që kanë mbi 25 mijë banorë
Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë ngre alarmin: Mijëra shqiptarë humbin jetën para kohe për shkak të investimeve të ulëta në shëndetësi
LDK kërkon postin e presidentit
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022

Komentet