Në moshën 57 vjeçare, vdes nga Covid 19, i braktisur e në mëshirë të fatit Petrika Genci Leka, i biri i vetëm poetit të pushkatuar Genci Leka.
Nuk ka parë një ditë të bardhë Petrika Leka.
Diktatura ia hoqi të drejtën e jetës prej kur ishte 14 vjeçar, kur ia pushkatuan të jatin. Aty mori fund jeta e Petrikës.
Rrëzimi i diktaturës ngjalli shpresa të vdekura, sepse demokratët e shfrytëzuan emrin e të jatit nëpër fushata elektorale, ndërsa ish komunistët vijuan stilin e të parëve dhe e pushuan nga puna.
Ishte pa punë Petrika Leka kur u infektua me Covid 19.
A mund të jetojë njeri pa punë?
A nuk është i varur në litar apo përpara skuadrës së pushkatimit një njeri i papunë?
Petrika e kapi me kohë sëmundjen. Dhe kishte mundësi të shërohej!
Por shërimi ka një kosto të shtrenjtë që Petrika nuk e ka përballuar dot, sepse i mungonte edhe kujdesi mjekësor, edhe mundësia financiare.
Ja çfarë shkruan Petrika Leka më 19 shkurt 2021 në Facebook, pra gati një muaj më parë:
“Shkova në urgjencë. Prita në fund të rradhës. Isha i papunë, i pasiguruar. Bëra një skaner për mushkërinë. Dola i dëmtuar në mushkëri. Grada e dytë. Mjekja e urgjencës, specialistja e linjës Covid tha: Këtij po të dua i jap recetë, ndryshe s’i jap”. Nuk më dha Edi Rama.”
Gjatë komenteve në Facebook kur një komentuese i thotë që të marrë mjekime, Petrika i përgjigjet: “Mjekja nuk më dha mjekime, që gjithësesi do t’i merrja privatisht” –
E kuptoni ju se çfarë do të thosh Petrika me lidhësën “që” dhe ndajfoljen “gjithsesi” ? Petrika do të thosh: se edhe pse nuk kishte para si i parrogë, do të merrte borxh dikund, ndofta tek parrallinjtë dhe zyrtarët e partisë demokratike që janë pasuruar e jetojnë në lluks e bollëk dhe që tani e kanë mendjen tek zgjedhjet e 25 prillit, tek postet që ua kanë premtuar!
Ndërsa një tjetër komentueseje që duket se është militante e Edi Ramës, Petrika Genc Leka i përgjigjet: “…te na rroje partia, ta kyçim gojen. Po une, paraardhesi im vajti ne plumb per ate çike fjale te lire. Une nuk mora bomba, ishte thjesht nje pakenaqësi…!
Dhe me këto komente të shkruara me dorën e tij më 19 shkurt 2021 Petrika Leka e mbylli, nuk komentoi më, sepse ishte sikur t’i binte murit me kokë, edhe majtas, edhe djathtas.
Petrika Genci Leka “e humbi betejën” do të shkruajnë sot gazetat e Tiranës, nëse do të shkruajë ndonjë gazetë a portal!
Në fakt, Petrika Genci Leka ishte në listën e atyre njerëzve që e kishin humbur këtë betejë pa e nisur.
Disa ditë më parë vdiq në Romë një tjetër i persekutuar politik Agustin Mirakaj, i lënë në mëshirën e vdekjes deri në minutën e fundit!
Kërkoi ndihmë Agustin Mirakaj në rrjetin social!
Sikur edhe Petrika Genci Leka, i cili ishte në listën e të persekutuarve politikë prej moshës 14 vjeç e deri dje kur u largua nga kjo jetë, viktimë brez pas brezi e këtij regjimi 76 vjeçar që i shkaktoi vetëm tragjedi dhe dhimbje.
Petrika Genci Lekën “e vrau” shteti kriminal.
Në kthetrat e vdekjes e la edhe indiferenca 30 vjeçare e pseudo opozitës!



Komentet