VOAL

VOAL

Në Shkup u mbajtën protesta për rastin “Monstra”

January 29, 2021

Komentet

“Je ëndrra e çdo vajze” Media greke: Politikani i ri shqiptar që është bërë viral në TikTok për pamjen e tij

Media greke Protothema shkruan se, ai është anëtari më i ri i organit suprem të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ka marrë një rol aktiv në çështjet politike dhe ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit shqiptar.

TIRANË-  Një valë e papritur popullariteti është shkaktuar nga analisti politik dhe akademiku shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ylli Pacuku i cili është bërë viral në TikTok.

Media greke Protothema shkruan se, ai është anëtari më i ri i organit suprem të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe ka marrë një rol aktiv në çështjet politike dhe ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit shqiptar.

Ai mban gjithashtu pozicionin e Zëvendëspresidentit të Shoqatës Evropiane të Studentëve të Drejtësisë (ELSA) në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse deri më tani ai njihej kryesisht për praninë e tij publike dhe aktivitetin shkencor, këtë herë interesi është drejtuar te pamja e tij, me shumë përdorues që e krahasojnë atë madje me një model.

Komentet në rrjetet sociale kanë qenë të zjarrta me shumë gra që e përshkruajnë atë si “ëndrra e çdo vajze”, “jashtëzakonisht simpatik”, ndërsa nuk mungojnë as referencat për “bukurinë e gjakut ilir”, me një ton krenarie. Në shumë postime, ai paraqitet si një kombinim i pamjes dhe inteligjencës, një fakt që e ka bërë atë një nga figurat më të diskutuara në skenën politike të Maqedonisë së Veriut./Dosja.al

“Po ata idiotët shqiptarë atje” Koalicioni shqiptar në RMV reagon ashpër ndaj Ferit Hoxhës: Skandal i rëndë! Të kërkojë falje publike

Koalicioni shqiptar në RMV, VLEN ka reaguar ashpër ndaj një mesazhi të zbuluar të ministrit shqiptar Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë një skandal të rëndë politik dhe diplomatik, pasi sipas tyre ai ka përdorur gjuhë përçmuese ndaj shqiptarëve në Maqedonia e Veriut, duke i quajtur “idiotë”.

Në reagimin zyrtar, VLEN thekson se një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe fyese, duke treguar mungesë të theksuar të etikës dhe kulturës diplomatike. Sipas tyre, deklarata ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si një përfaqësues i shtetit shqiptar mund të shprehet me përçmim ndaj bashkëkombësve jashtë kufijve.

VLEN nënvizon se ky nuk mund të konsiderohet një incident i zakonshëm komunikimi, duke sjellë në vëmendje reagimet e shumta nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë politikanë, gazetarë dhe qytetarë, të cilët e kanë dënuar gjuhën e përdorur si fyese dhe të papranueshme.

Sipas deklaratës, fshirja e mesazhit nga Hoxha nuk mjafton për të zhbërë dëmin e shkaktuar publikisht, ndërsa kërkohet një falje e qartë dhe publike. VLEN kritikon gjithashtu heshtjen e institucioneve zyrtare në Tiranë, duke theksuar mungesën e distancimit ndaj kësaj gjuhe.

VLEN thekson se kjo çështje nuk prek vetëm një subjekt politik, por një pjesë të gjerë të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke kujtuar se pas këtij subjekti qëndrojnë mijëra qytetarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Në përfundim, në reagim thuhet se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre përbën fyerje ndaj një pjese të rëndësishme të tij. VLEN kërkon që Ferit Hoxha të kërkojë të paktën falje publike për deklaratën e tij.

Reagimi i plotë i VLEN:

VLEN: Fshirja e postimit nuk mjafton, ministri Ferit Hoxha duhet të kërkojë falje publike
Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. Ajo dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit.
VLEN nuk mund ta trajtojë këtë rast si një incident të zakonshëm komunikimi. Reagimet e shumta nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, përfaqësues politikë, gazetarë, publicistë dhe qytetarë dëshmuan se kjo gjuhë u lexua ashtu siç ishte fyese, përçmuese dhe e papranueshme.
Pas kësaj, Hoxha e fshiu postimin, sikur me një klik mund të fshihej edhe ofendimi publik. Por fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet falje publike. Edhe më shqetësuese është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë distancim dhe asnjë fjalë për këtë gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Mesazhi bëhet edhe më i rëndë nga fakti se në atë komunikim figuron edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Në vend që të dënohej një gjuhë e tillë, me të drejtë është krijuar përshtypja se Tirana zyrtare, përmes ambasadorit të saj, po vendoset në funksion të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e papranueshme.
Kush përpiqet ta paraqesë këtë si ofendim vetëm ndaj VLEN-it, gabon rëndë. VLEN-in e kanë votuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pas VLEN-it qëndrojnë familje, intelektualë, punëtorë, pleq e të rinj, njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur me votë rrugën e tyre politike.
Prandaj, ky nuk është vetëm sulm ndaj një subjekti politik, por përçmim ndaj një pjese të madhe të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë periferi e kombit. Ata janë pjesë e pandashme e trungut shqiptar. Çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre nuk prek vetëm një subjekt politik, por fyen një pjesë të gjallë të kombit shqiptar.
Ferit Hoxha duhet së paku të kërkojë falje publike. bw

“Kërko falje për ofendimet”- Reagon ministri shqiptar i Ekonomisë në RMV pas mesazhit të Ferit Hoxhës: Presim reagim urgjent

Në një postim në Fabook, Besar Durmishi shprehet se fjalori i përdorur nga ministri Hoxha është zhgënjyes dhe i papërshtatshëm, teksa shton se presin reagim dhe sqarim urgjente nga Tirana zyrtare.

 

TIRANË- Ministri shqiptar i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut nga radhët e partisë BESA, ka reaguar pas publikimit të mesazhit të ministrit të jashtëm shqiptar, dhe komentit të bërë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në Fabook, Besar Durmishi shprehet se fjalori i përdorur nga ministri Hoxha është zhgënjyes dhe i papërshtatshëm, teksa shton se presin reagim dhe sqarim urgjente nga Tirana zyrtare. Ai thekson se, ministri Hoxha, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e thëna.

Postimi i plotë: 

“Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.

Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti”, shkruan ai.

Më tej i kujton ministrit se ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombësit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

“I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut”, e mbyll ai reagimin./Dosja.al

Gruevski drejt Rusisë apo Bjellorusisë?

Partia opozitare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) deklaroi të enjten se ish-kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski, mund të jetë duke përgatitur një largim të ri nga Hungaria drejt Rusisë ose Bjellorusisë, duke akuzuar qeverinë aktuale të Shkupit për mosveprim të qëllimshëm, përcjell INA.

Sipas një njoftimi zyrtar të kësaj partie, ndryshimi i pritshëm i kursit politik në Budapest ka krijuar një urgjencë të re. Pas paralajmërimeve të liderit opozitar hungarez dhe kandidatit për kryeministër, Péter Magyar, se Hungaria nuk do të jetë më një strehë e sigurt për individët me precedentë penalë, shtetet e tjera kanë filluar të lëvizin. LSDM vuri në dukje se Polonia ka dërguar tashmë kërkesa zyrtare për ekstradimin e politikanëve të saj nga territori hungarez, ndërsa pretendon se qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po e bllokon procesin për Gruevskin.

Sipas inteligjencës partiake të cituar në deklaratë, opsioni i Turqisë si vendstrehim i ardhshëm është përjashtuar, duke lënë si alternativa të vetme Moskën dhe Minskun. “Pyetja që shtrohet është çmimi që ai do të paguajë me paratë e qytetarëve maqedonas për këtë mbrojtje të re,” thuhet në kumtesë, ku shtohet se ekziston një rrezik real që ai t’i shpëtojë përfundimisht drejtësisë për shkak të vonesave nga Ministria e Drejtësisë.

Nikolla Gruevski, i cili udhëhoqi Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 deri më 2016, u arratis drejt Hungarisë në vitin 2018 për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit me burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ai mori azil politik nën qeverinë e Viktor Orbanit, një aleat i ngushtë ideologjik. Megjithatë, presioni i brendshëm politik në Hungari dhe ardhja në pushtet e pasardhësit të tij partiak në Shkup, Hristijan Mickoski, kanë krijuar një dinamikë të re komplekse. Edhe pse Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë rrënjë të përbashkëta me Gruevskin, marrëdhëniet e tyre janë ftohur publikisht, ndonëse opozita insiston se ekziston një marrëveshje e fshehtë për të parandaluar ekstradimin e tij që do të shkaktonte “trazira politike” brenda strukturave të pushtetit. (INA)

Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, pjesë e Artemis II, misionit të NASA-s në Hënë

Nga një fshat i Gostivarit drejt një prej projekteve më ambicioze në historinë e eksplorimit hapësinor – historia e Albon Rexhepit është një dëshmi e qartë se përkushtimi dhe dija nuk njohin kufij.

Sot, ai është pjesë e misionit Artemis II të NASA, një projekt që synon rikthimin e njeriut në Hënë pas dekadash.

Me një rol drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara, Rexhepi kontribuon në teknologjinë e testimit dhe matjes – një komponent thelbësor për sigurinë dhe suksesin e misionit.

rugëtimi i tij profesional nisi pas studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa përvoja e parë në SHBA e çoi në kompani të njohura si Pfizer dhe më pas Legrand, ku ndërtoi një karrierë të qëndrueshme përpara se t’i bashkohej DEWETRON-it në vitin 2022.

“Produktet tona përdoren në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të komponentëve për Artemis II. Testimet janë thelbësore që projekti të mos ketë asnjë dështim”, është shprehur Rexhepi, duke theksuar rëndësinë kritike të punës së ekipit të tij.

Ai nënvizon se përgjegjësia në projekte të tilla është e jashtëzakonshme, pasi çdo detaj lidhet drejtpërdrejt me jetën e astronautëve.

“Në projekte të tilla duhet të jesh jashtëzakonisht i përpiktë, sepse këtu në pyetje janë siguria dhe jeta e astronautëve. Nuk ka hapësirë për gabime”, ka thënë ai për Portalb.mk.

Megjithatë, përtej suksesit profesional, Rexhepi e sheh historinë e tij edhe si një mesazh frymëzues për të rinjtë shqiptarë.

“Punoni dhe mësoni. Askush nuk mund t’ju mposhtë nëse keni një qëllim në jetë. Punoni fort dhe do t’ia dilni”, është thirrja e tij për brezat e rinj.

Ndërsa misionet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi planet për krijimin e një baze në Hënë, kontributi i profesionistëve si Albon Rexhepi mbetet një gur themeli në këtë kapitull të ri të njerëzimit në hapësirë – dhe një arsye krenarie për gjithë shqiptarët./Ina

Shqipja nuk preket dhe nuk negociohet! Shkruan: Mevlan Ademi

Kjo protestë nuk duhej të ndodhte kurrë.
Nuk duhej (as mendohej) që në vitin 2026
studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre.
Por ja ku jemi.
Por para se të jemi studentë, para se të jemi profesionistë,
ne jemi shqiptarë.
Dhe kur preket gjuha,
preket vetë themeli ynë.
Gjuha shqipe nuk është veç mënyra si flasim.
Është mënyra si ekzistojmë.
Është mënyra si kemi mbijetuar, si kemi qëndruar, si kemi ardhur deri këtu.
Siç thoshte Gjergj Fishta:
“Gjuha shqype, sa e mirë!
Sa e ambël, sa e dlirë!”
Kjo është gjuha jonë.
Ky është identiteti ynë.
Dhe Shqipja kurrsesi nuk negociohet.
Ne jemi studentë të drejtësisë.
Ne jemi ata që nesër do të mbrojmë ligjin.
Por sot jemi detyruar të dalim këtu për të kërkuar diçka që ligji tashmë e njeh.
Të drejtën për të përdorur gjuhën tonë.
A është kjo shumë?
A është kjo kërkesë e tepruar?
Ky është minimumi.
Kjo është baza.
Është dinjitet.
Sepse një shtet që nuk zbaton të drejtat që vetë i ka shkruar,
nuk është i fortë — është i brishtë.
Sot nuk kërkojmë privilegje.
Nuk kërkojmë favore.
Kërkojmë barazi.
Dhe le të jetë e qartë për të gjithë:
Ne nuk jemi këtu kundër askujt.
Ne jemi këtu për veten tonë.
Për gjuhën tonë.
Për të ardhmen tonë.
Nelson Mandela thoshte:
“Të flasësh me dikë në gjuhën e tij, do të thotë t’i flasësh në zemër.”
Sot ne kërkojmë që shteti të na flasë në zemër.
Në gjuhën tonë.
Në shqip.
Sepse gjuha:
Është histori.
Është gjak.
Është kujtesë.
Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet,
nuk ka problem gjuhe — ka problem drejtësie.
Sot jemi këtu të qetë.
Të vendosur.
Të bashkuar.
Por le të mos ngatërrohet qetësia jonë me dobësi.
Sepse kjo është një gjeneratë që nuk tërhiqet.
Ne nuk kemi ardhur për të bërë zhurmë.
Kemi ardhur për të bërë histori.

“Të flasësh një gjuhë do të thotë të marrësh mbi vete një botë.”
Dhe ne nuk do të lejojmë që bota jonë të zvogëlohet.
Nuk do të lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion.
Sepse shqipja nuk është opsion.
Shqipja është identitet.
Sot, nga ky shesh, nga ky zë i përbashkët,
ne po themi një gjë shumë të thjeshtë:
Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën.
Nuk ka barazi pa shqipen.
Nuk ka të ardhme pa dinjitet.
Dhe ne jemi këtu për këtë.
Jo për sot.
Por për nesër.
Për të gjithë ata që do të vijnë pas nesh.
Sepse ne jemi brezi që nuk hesht.
Ne jemi brezi që nuk dorëzohet.
Ne jemi brezi që e mbron shqipen — me zë, me mendje me dinjitet, me zemër e me gjithcka që sjell nevoja.
kjo nuk është vetëm beteja jonë.
Është amaneti i atyre para nesh,
dhe përgjegjësia ndaj atyre që vijnë pas nesh.
Le ta dëgjojnë të gjithë:
Ne nuk do të tërhiqemi.
Ne nuk do të lodhemi.
Ne nuk do të ndalemi.
Derisa e drejta të bëhet realitet.
Shqipja nuk negociohet!

*Autori është një nga drejtuesit e nismës dhe protestës për kërkesën për provimin e jurisprudencës në shqip

“Stop diskriminimit!”- Protesta përmes fotove e studentëve në Maqedoninë e Veriut: Mos mohoni një të drejtë të fituar!

 

Qindra studentë shqiptarë në Shkup, kanë dalë sot për të protestuar pasi u mohohet e drejta për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase.

 

Para ministrisë së Drejtësisë ata kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov.

Të shumta kanë qenë edhe pankartat që ata mbanin në duar, ndër të cilat thuhej: “Respekto ligjin për gjuhët!”; “STOP diskriminimit institucional”; “Mos mohoni një të drejtë të fituar”; “Ligji për gjuhët është i qartë”, e të tjera.

studentet shkup protesta gjuha shqipe (5)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Studentët theksuan se gjuha shqipe është identiteti i tyre dhe se ata nuk do të lejojnë që shqipja të trajtohet si opsion.

“Kjo është gjuha jonë, identiteti ynë. Ne jemi student të drejtësisë që nesër do të mbrojmë ligjin, dhe sot jemi këtu për të përdorur diçka që ligji tashmë e njeh. Jemi këtu për të drejtën tonë. Gjuha është historia.

Sot jemi të bashkuar dhe nuk do lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse nuk është opsion por identitet. Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën. Ky është amaneti i atyre para nesh, dhe porosia për ata që do të vijnë pas nesh. Shqipja nuk negociohet”, u shpreh një prej studentëve. gsh

Pajaziti: Zemra mal me këtë rini që nuk përkulet!

 

Gazetari Naser Pajaziti ka vlerësuar lart guximin dhe masovitetin e rinisë studentore shqiptare sot në Shkup, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës është mbrojtje e dinjitetit kombëtar dhe të drejtës së tyre akademike.

Ja mesazhi i plotë:

Zemra mal me këtë rini që nuk përkulet!

Sot studentët shqiptarë na kujtuan se kush është forca e vërtetë e këtij vendi. Në një marsh dinjitoz dhe masiv, ata u rreshtuan në mbrojtje të asaj që është më e shenjtë: dinjitetit dhe gjuhës sonë amtare.

Kur integriteti takon guximin, politikanët e “stivuar” në karriget e tyre e kuptojnë se llogaritë i kanë bërë gabim. Kërkesa e studentëve nuk është lëshime politike, por kërkesë për drejtësi – dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, e cila nuk mund të mbetet peng i burokracive apo vullneteve të mbrapshta politike.
Nuk ka pushtet që mposht dritën e rinisë. Ata që tentuan t’i nënçmojnë apo t’i heshtin, sot morën leksionin më të mirë: Vendin jua treguan aty ku e keni – jashtë vullnetit të popullit dhe larg realitetit të kësaj rinie që nuk bën kompromis me të drejtat e saj.
Zëri i tyre sot ishte kumbues: Gjuha shqipe në provimet juridike nuk është dëshirë, është ligj!(INA)

“Do të kthehemi përsëri!” – Studentët dërgojnë mesazh të fortë Fillkovit për provimin e jurisprudencës

Protestë e përbashkët e studentëve: Kërkohet drejtësi, barazi dhe zbatim i ligjit

“Fillkov dorëheqje” dhe “Gjuha shqipe nuk negociohet” ishin mesazhet kryesore që dominuan protestën e studentëve shqiptarë sot në Shkup raporton INA.

Në këtë protestë u bashkuan studentët shqiptarë nga tre universitete – Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti Nënë Tereza – të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, si e drejtë e garantuar me ligj.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, pas deklaratave të tij se nuk do të lejojë zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe. Studentët theksuan se kërkesa e tyre është e qartë: zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Njëri nga zërat kryesorë të protestës, studenti Mevlan Ademi, u shpreh se kjo protestë është pasojë e një padrejtësie që nuk duhej të ekzistonte në vitin 2026.

“Kjo protestë duhej të ndodhte dikur. Nuk duhej të mendohej që në vitin 2026 studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre. Para se të jemi studentë e profesionistë, ne jemi shqiptarë. Gjuha shqipe nuk është vetëm mënyra si flasim, por mënyra si kemi ekzistuar dhe kemi ardhur deri këtu. Gjuha shqipe nuk negociohet. Ne jemi studentë të drejtësisë – nesër do të mbrojmë ligjin, por sot kërkojmë të drejtën tonë për gjuhën amtare. Një shtet që nuk zbaton të drejtat e veta, nuk mund të ekzistojë”, deklaroi Ademi.

Ndërkohë, studenti Besar Sejdiu theksoi se kërkesa e tyre është minimale dhe plotësisht ligjore.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë: respektojeni Kushtetutën dhe ligjin – as më shumë, as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Çdo zvarritje është përpjekje për ta mohuar këtë të drejtë”, deklaroi ai.

Në përfundim të protestës, studentët dërguan një mesazh të qartë paralajmërues për institucionet: “Do të kthehemi përsëri”, nëse nuk zgjidhet çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.(INA)

“Gjuha nuk negociohet!” – Studentët shqiptarë në protestë, mesazhe të forta për barazi dhe identitet

Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, para protestuesve parashtroi kërkesat e studentëve, duke theksuar se një situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në vitin 2026. Sipas tij, është e papranueshme që studentët të detyrohen të dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën e tyre, raporton INA.

“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi.

Ai nënvizoi se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë e garantuar me ligj dhe nuk mund të vihet në diskutim.

“Shqipja assesi nuk negociohet. Kjo është minimumi i dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Nuk jemi kundër askujt – jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Ademi shtoi se studentët nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, por si pjesë e pandashme e identitetit.

“Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës pa barazi gjuhësore. Jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet – brezi që mbron dhe flet shqip”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

Ligji për gjuhën shqipe në Kushtetuese, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut: Problem i madh nëse shfuqizohet

Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka folur për statusin e gjuhës shqipe dhe sfidat e zbatimit të saj praktik. Pendarovski gjatë fjalës së tij në një intervistë tha se shqipja është gjuhë zyrtare për shkak të 20% të popullsisë shqiptare dhe përdorimi i saj rregullohet nga ligji për gjuhët, i ndryshuar disa herë për të përmirësuar të drejtat e komunitetit.

Ai paralajmëroi se një qytetar ka paraqitur një mocion në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit, çka mund të shkaktojë një problem të madh nëse ky ligj asgjësohet.

“Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ndërkohë, ne kemi pranuar dy gjuhë juridike. Është ligji kryesor në anglisht, por është ligji në shqip, në esencë. Ligji i parë mendoj se është në vitin 2008. Dhe i fundit ishte në vitin 2007 e diçka. Pra, ne kemi ndryshuar këtë ligj disa herë duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve.

Çfarë ndodhi ndërkohë? Dikush supozohet një qytetar i thjeshtë, i panjohur për publikun ka paraqitur një mocion para Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ligji për gjuhë, për gjuhën shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar asgjësimin e këtij ligji.

Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ai.

Pendarovski theksoi se problemi kryesor mbetet zbatimi praktik i ligjit, sidomos në institucione dhe në sistemin gjyqësor.

“Shqiptarët mund ta përdorin këtë gjuhë, por në shumë raste nuk e shohim zbatimin e plotë në institucione dhe gjykata. Është e rëndësishme që të pyetet nëse këto të drejta po zbatohen në jetën e përditshme.

Njëri nivel është i vendosur në ligj, por nuk e shohim në përdorim me njerëzit dhe sipas mendimit tim nëse ligji është aty vetëm për disa parti politike shqiptare për të thënë në kohën tonë ne kemi miratuar ligjin me standardin më të mirë të mundshëm për përdorimin e gjuhës shqipe kjo është propagandë politike, krejtësisht ndryshe në këndvështrimin tim duhet të jetë me interes për të gjithë, për çdo shqiptarë që jeton këtu duhet të pyet a po zbatohen në praktikë këto të drejta në jetën e përditshme. Mund t’ju them që nuk zbatohen.

Dhe nëse pavarësisht kësaj ende nuk zbatohen plotësisht atëherë ka disa njerëz që do të dëshironin të kundërshtonin edhe atë që u vu në ligj”, deklaroi ai. euronews

Mbi gjysmë miliardi euro për autostradën ende të papërfunduar Kërçovë – Ohër

Aleksandar Samarxhiski

Sanimi i rrëshqitjeve të dheut, mbrojtja nga shembjet në shpate përmes pyllëzimit, vendosja e rrjetave dhe spërkatjes me beton, janë disa prej hapave që po merren aktualisht në terren në autostradën Kërçovë – Ohër. Kjo autostradë kushton pothuajse 600 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve tashmë janë paguar. Mesatarisht, shteti paguan 9.7 milionë euro për një kilometër autostradë.

Pothuajse e gjithë shuma e projektuar së fundmi për autostradën Kërçovë–Ohër është paguar. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë ndarë rreth 560 milionë euro për këtë segment.

E nisur zyrtarisht për ndërtim në vitin 2014, disa muaj pasi në nëntor 2013 u nënshkrua kontrata, autostrada edhe pas 12 vjetësh nuk është përfunduar.

“Deri në këtë moment janë realizuar 557.985.782,11 euro ose 93.3 për qind e shumës së paraparë për ndërtimin e autostradës Kërçovë–Ohër”, thuhet në të dhënat e fundit që nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSH) i janë ndarë Radios Evropa e Lirë.

Nëse shuma e paguar deri më tani përbën 93.3 për qind të totalit të paraparë, atëherë vlera përfundimtare, sipas projeksioneve aktuale, do të arrijë në 598.055.500 euro. Kjo është mbi 200 milionë euro më shumë se 374 milionë eurot e projektuara fillimisht, të bëra publike më shumë se një dekadë më parë.

Segmenti është i gjatë rreth 57 kilometra, që do të thotë se një kilometër i kësaj arterie të rëndësishme rrugore për Maqedoninë e Veriut do të kushtojë rreth 9.7 milionë euro.

Çfarë po punohet në terren?

Nga NPRSH bëjnë të ditur se aktualisht “ndërtimi është në fazë të avancuar”.

“Po punohet në sanimin e rrëshqitjeve të reja të dheut, si dhe në përgatitjen e masave mbrojtëse në shpate, përmes pyllëzimit, vendosjes së rrjetës gjeokompozite dhe spërkatjes me beton. Më pas, në disa shpate po zbatohet zgjidhja me të ashtuquajturat galeri”, thonë nga Ndërmarrja Publike.

Qëllimi është që sa më shumë pjesë të segmentit të bëhen funksionale, për të lehtësuar “udhëtimin drejt qendrës turistike në Ohër”.

Qyteti i Ohrit, i vendosur në bregun e Liqenit të Ohrit, në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, ka mbi 50 mijë banorë. Ai është edhe destinacioni më i njohur turistik në vend, ku sipas raporteve të Komunës, në vitet 2023 dhe 2024 janë regjistruar mbi 1.1 milionë netëqëndrime turistike për secilin vit.

Nga problemet me projektin dhe mungesa e punëtorëve te përplasjet politike

Sipas informacioneve të fundit në dispozicion për autostradën, e cila pritet të lehtësojë udhëtimin në këtë rajon, deri më tani janë përfunduar rreth 40 kilometra nga gjithsej 57.

Autostrada po ndërtohet nga kompania kineze Sinohydro, ndërsa Enti Shtetëror i Revizionit, në një nga raportet e tij për Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, e ka cilësuar atë si “investimi më i madh infrastrukturor me ndërtim shumëvjeçar”.

Që në vitin 2022, revizorët konstatuan se vlera e projektit ishte rritur për të paktën 45 për qind, si dhe se kjo autostradë kishte zgjatjen më të madhe të afatit të ndërtimit. Ajo duhej të përfundonte për katër vjet.

Arsyetimet që autoritetet i kanë dhënë për zvarritjen janë evidentuar edhe nga revizorët, të cilët kanë vërejtur se ndër shkaqet kryesore për dinamikën e ngadalësuar përmenden: mangësi në projekt, shpronësime të vonuara, marrëdhënie të pazgjidhura pronësore-juridike, dislokim objektesh, mungesë e stafit teknik, mekanizimit dhe pajisjeve.

Përveç këtyre problemeve, aktorët politikë prej vitesh kanë akuzuar njëri-tjetrin për ngecjen e projektit. Kur në qershor 2025 u hapën 20 kilometrat e parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE, paralajmëroi se segmenti duhet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2026, duke akuzuar se projekti më herët ishte shndërruar në “simbol të ngecjes” dhe “pasqyrë të turpshme të një shteti që numëron në vend”.

Nga ana tjetër, opozitarja LSDM, në qeverisjen e së cilës aludoi zëvendëskryeministri, pretendon se kur mori pushtetin në vitin 2017, në terren gjeti vetëm 30 për qind progres të punimeve, pa shpronësime, pa projekte kyç të përfunduara, dhe me një sërë problemesh, por se arriti të realizojë 83 për qind të projektit.

Projektin e kanë shoqëruar edhe kontestime që përfunduan me aktakuzë nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) në lëndën “Trajektorja”, për shkak të dyshimeve për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë mbi 150 milionë euro. Të akuzuar ishin ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dhe ish-drejtori i NPRSH-së, Ljupço Georgievski. Proces gjyqësor pati, por nuk u arrit vendim i formës së prerë, pasi lënda u parashkrua.

Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe kontrata për autostradën Miladinovci–Shtip, e arritur në të njëjtën periudhë me atë për Kërçovë–Ohër. Megjithatë, kjo autostradë prej 47 kilometrash u përfundua dhe u lëshua në përdorim në qershor 2019. Sipas NPRSH-së, në të janë investuar 177 milionë euro, ose mesatarisht 3,8 milionë euro për kilometër.


Send this to a friend