Miqësia që na lidhte ne të dy ishte e vjetër. U-njohëm për herë të parë në Tiranë kur s’kishim shumë kohë që ishim kthyer në Atdhe nga studimet që kishim bërë jashtë. Ai jepte mësime në shkollën Teknike të Tiranës dhe unë në Institutin Tregëtar në në Vlorë. Për çudi që të dy jepnim matematikë. Më von ai u-transferua në Gjimnazin e Tiranës dhe unë në Liceun e Korçës.
Lidhja në mes t’onë nuk ka qenë dega arësimore, por interesimi i ynë për letërsinë franceze. Jo aq për atë të kohëve të lashta se sa për ç’kishte dalë dhe ç’po dilte në periudhën ndërmjet të dy luftave. Të rinjve në Shqipëri, atyre që kishin studiuar jashtë sidomos, u dukej sikur shpirti po u veshkej, po të mos merrnin pakë ushqim nga Europa. Ndjenin nevojën që të ngriheshin nga rrethi që i shtypte. Nexhatit Franca ia kishte rrëmbyer zemrën.
Sa herë që veja në Tiranë, do t’a shihja Nexhatin. Nuk ishte vështirë. “Kursali”, kafeneja që mblidhte të rinjtë për muhabet, ishte në qendër të qytetit dhe kishte një kopsht. Atje do të shkëmbenim mendime për libra që ishin botuar. Kapellën Nexhati e mbante pakë mbi sy, duart i lëvizte kur fliste, dhe fjalët i dilnin si me vrull – ishte plot gjallëri.
Vëndin e okupoi fashizmi dhe një zi i thellë i ra rinisë patriotike. Shpejt filluan transferimet e internimet: Nexhatin e dërguan në Elbasan dhe mua më internuan në Ventotene të Italisë. Kur u-lirova, nuk e pashë më Nexhatin; nuk e pashë as më von. Kisha dëgjuar vetëm se gjatë sundimt fashist dhe nazist kishte marrë pjesë aktive kundër okupatorëvet dhe kundër atyre që ishin bërë vegla të të huajve. Vëllavrasja e pikëlloi në zemër. I dhembej vëndi dhe i dhembeshin të rinjtë, mjaft nga të cilët i kishte patur nxënës. Traktet e tija të asaj kohe u-çmuan nga Shqiptarët.
Kaluan shumë vjetë dhe një ditë pas Luftës së II-ë u takuam në Romë. U-përqafuam dhe të dyve s’na pritej të mësonim për njëri tjetrin. Nuk çmallosen miqtë e vjetër brenda një dite. Më von, kur erdhi këtu, kishim kohë të fjaloseshim gjer’ e gjatë për të gjitha. Por kushtet tashti kishin ndryshuar. Në bisedimet t’ona rallë përmendej letërsia franceze; thelbin e tyre e përbënin Shqipëria dhe Shqiptarët. Zemra Nexhatit i digjej për Shqipërinë – atje kishte lënë dhe familien. Terrori i regjimit komunist e revoltonte. Patriotizmi i tij ishte sentimental – nuk e kuptonte ndryshe – dhe mërgimi i rëndonte. Me librin Një zemër në Mërgim sikur gjeti pakë prehje.
Por Nexhati nuk ishte më ai që kishte qënë. Jeta dhe mërgimi i kishin lënë gjyrmat e tyre. S’ndodh kjo, pakë a shumë, dhe me ne të gjithë? Nuk e kishte më atë flagë në sy dhe atë gjallëri në gojë. Dal nga dal po venitej dhe një ditë Shkurti mbaroi larg Atdheut që kaq shumë e deshte. Mbaroi, por nuk u-harrua.
E kam dashur gjithnjë Nexhatin, kudo që ka qënë dhe si ka qënë, por sot dua të kujtoj më mirë Nexhatin që kisha njohur në kohën e rinisë, atje poshtë në Shqipëri, në Tiranë.
____________________
FOSHNJA E PLAKU – Skicë nga NEXHAT PESHKEPIA
_____________________
O yll i ri, mos u a vërë veshin atyre që thonë: “Foshnja me plakun : sa ndryshim!”
Ata që thonë ashtu, e kanë fjalën te koha, që cakton drejtimet e kundërta. Por ata nuk dinë se shkalla e njejtë, që na permban, është në mes të ciklit magjik, që përmbledh çdo gjë dhe në të cilin koha dhe drejtimi i shpëtojnë logjikës.
Prandaj ç’rëndësi mund të ketë, që ti je dyke u ngjitur dhe unë dyke zbritur, gjersa mbështetemi në të njëjtin parmak, për të sosur në pikën magjike të mbylljes së përsosur të ciklit? Ti për të gjetur lumturinë e bukurisë dhe unë qetësinë e së vërtetës.
Komentet