VOAL

VOAL

NJË PARK NË STAMBOLL MERR EMRIN ‘ADEM JASHARI’

May 25, 2015

Komentet

Fordham University Hosts Book Event on “The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism”

FOR IMMEDIATE RELEASE

Albanian Student Association at Fordham University Hosts Book Event Honoring the Late Mustafa Elezi and the Jahelez Family

The Albanian Student Association at Fordham University invites you to join us for an afternoon book discussion honoring the late Mustafa Elezi and the Jahelez family. Together, we will reflect on The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism, an inspiring true account of courage, faith, and survival under communist dictatorship.

Event Highlights:

  • Tribute: Opening ceremony featuring the American and Albanian national anthems, followed by a moment of silence in memory of Mustafa Elezi and all victims of communism.
  • Book Discussion: An in-depth discussion exploring the central themes and historical significance of Mustafa Elezi’s life story.
  • Student Readings: Key excerpts from the memoir.
  • Books & Refreshments: Copies available for purchase, followed by free food and refreshments.

Event Details:

  • What: Book Event & Discussion
  • When: Saturday, November 7, 2026 | 1:00 PM – 3:00 PM
  • Where: McShane Center (Rose Hill Commons), Fordham University, Bronx, NY
  • Hosted By: Albanian Student Association at Fordham University
  • Admission: Free & open to the public (Registration link to follow)

About the Book

Authored by Ndue Ukcama and translated into English by Lekë Gjon Buçaj, The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism is based on the personal memoir of Mustafa Elezi. It records the true story of a noble family from northern Albania stripped of their property, sent to internment camps, and executed for refusing to yield to tyranny.

Përurohet në Universitetin Fordham libri “The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism”

PËR PUBLIKIM TË MENJIHERSHËM

Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin Fordham organizon nji përurim libri në nderim të të ndjerit Mustafa Elezi dhe të familjes Jahelez

Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin Fordham ju fton me u bashkue me ne në nji mbasdite bisede mbi librin, në nderim të të ndjerit Mustafa Elezi dhe të familjes Jahelez. Së bashku do të reflektojmë mbi librin “The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism”, nji rrëfim i vërtetë dhe frymëzues guximi, besimi e mbijetese nën diktaturën komuniste.

Pikat kryesore të ngjarjes:

• Nderim: Hapja ceremoniale me himnin kombëtar amerikan dhe atë shqiptar, e ndjekun nga nji minutë heshtje në kujtim të Mustafa Elezit dhe të të gjitha viktimave të komunizmit.

•  Bisedë mbi librin: Nji bisedë e thellë mbi temat kryesore dhe randësinë historike të jetës së Mustafa Elezit.

•  Lexime nga studentët: Pjesë të zgjedhuna nga kujtimet.

•  Libra & Pije freskuese: Kopje të librit do të jenë në shitje, e ma pas ushqim e pije falas.

Hollësitë e ngjarjes:

•  Çka: Përurim libri & Bisedë

•  Kur: E shtunë, 7 nandor 2026 | ora 1:00 – 3:00 mbasdite

•  Ku: McShane Center (Rose Hill Commons), Universiteti Fordham, Bronx, NY

•  Organizon: Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin Fordham

•  Hyrja: Falas & e hapun për publikun (lidhja për regjistrim do të shpallet së shpejti)

Rreth librit

Shkrue nga Ndue Ukcama dhe përkthye në anglisht nga Lekë Gjon Buçaj, The Jahelez of Dragobia: One Family’s Resistance Against Communism mbështetet në kujtimet personale të Mustafa Elezit. Libri shënon historinë e vërtetë të nji familjeje fisnike nga Shqipnia e Veriut, së cilës iu muer prona, që u internue në kampe dhe u ekzekutue pse nuk iu nënshtrue tiranisë.

“Më kërcënuan me arrestim se mbaj flamurin kuqezi” – Protestuesi te Kryeministria: Erdha nga Anglia vetëm për këtë flamur!

Shaban Brika, protestuesi që prej ditësh tërheq vëmendjen me flamurin kuqezi në protestën para Kryeministrisë, ka denoncuar në mikrofonin e News24 kërcënimet e pretenduara nga ana e policisë.

Në një prononcim për News24, Brika tha se është kërcënuar 3-4 herë me arrestim nga një drejtues policie, për shkak se mban flamurin kombëtar gjatë protestës. Ai u shpreh se nuk i është dhënë asnjë arsye për këto paralajmërime, ndërsa pretendoi se efektivët kanë mllefe personale.

Protestuesi theksoi se flamuri kuqezi ka një domethënie të veçantë për të, pasi i ka munguar gjatë viteve që ka jetuar në emigrim. Ai tregoi se është kthyer nga Anglia posaçërisht për të marrë pjesë në protestë dhe për të valëvitur flamurin shqiptar.

“Me kanë kërcënuar me arrestim sepse mbaj flamurin. Është një shef atje që ma tha. Më kanë kërcënuar 3-4 herë. Unë po mbaja flamurin, por ata kanë mllefet e tyre. Nuk më thanë as arsye. Unë këtë flamur kuqezi kam qejf, më ka munguar që nga viti 1992 e deri më sot, kur kam qenë në emigrim. Kam ardhur nga Anglia vetëm për këtë flamur. Këta e kanë në tru sikur unë paguhem që mbaj këtë flamur”, u shpreh Shaban Brika për News24.

Mark Gjonaj thirrje shqiptarëve në SHBA: Votoni nesër në zgjedhjet e ndërmjetme, sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet

Ish-kryetari i Këshillit Koodinues te Diasporës shqiptare, Mark Gjonaj, u drejtohet shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.

Në mesazhin e tij, Gjonaj thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik, duke rikujtuar se çdo votë ka rëndësi dhe se qytetarët kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet që përcaktojnë të ardhmen e vendit ku jetojnë.

“Miq,

MOS U ANKONI, FILLONI TË VOTONI!

Nesër, e martë, 3 nëntor, është dita e zgjedhjeve.

Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet!

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 21:00.

Gjeni qendrën tuaj të votimit në këtë adresë: https://findmypollsite.vote.nyc

ÇDO VOTË KA RËNDËSI,

ÇDO VOTË NUMËROHET!

Në shenjë solidariteti,

Mark Gjonaj”,- thuhet në apelin e bërë.

Zgjedhjet e së martës, më 3 nëntor 2026, janë zgjedhje të ndërmjetme (Midterm Elections), të cilat zhvillohen në gjysmën e mandatit presidencial. Këto zgjedhje konsiderohen një moment i rëndësishëm për politikën amerikane, pasi përcaktojnë përbërjen e Kongresit dhe ndikojnë në raportin e forcave politike në Uashington. Panorama

STOP, dhunës ndaj grave në Kosovë e në Shqipëri!- Nga Emine S. HOTI, poete dhe publiciste, Norvegji    

 

 

                    

 

                                            “Femrat shqiptare janë në krye të jetës,

                                              Në krye të luftërave për atdhe e liri,

                                             Janë shtylla të familjeve e të shtëpisë,

                                             Mbjellin kudo paqe, harmoni, dashuri.”

                                                                           (Emine S. Hoti)

 

    Deri kur disa burra kriminelë do ta konsiderojnë “të drejtë” të tyre të dhunojnë e deri të vrasin nënat, bijat, motrat, bashkëshortet? A kanë zemër këta njerëz, apo u është shuar çdo ndjenjë njerëzore? Si do të rriten vajzat tona në një shoqëri, ku duhet të kenë frikë nga ata që duhet t’i respektojnë dhe t’i mbrojnë? Si mund t`i shohin në sy fëmijët e tyre ata njerëz vrasës, kur u kanë vrarë nënat, u kanë marrë atyre jetën duke e konsideruar veten “burra” zakoni? Vetëm gjatë vitit 2026, në Kosovë dhe në Shqipëri ka një bilanc alarmant tragjik të krimeve të lidhura me dhunën në familje. Në Kosovë, deri në fund të muajit tetor 2026, kanë humbur jetën 8 gra si pasojë e dhunës së ushtruar nga familjarët ose bashkëshortët e tyre. Rasti i fundit i Arlinda Zekajt në Pejë, më 25 tetor. Këto dhunime deri në marrjen e jetës së grave, vajzave, bashkëshorteve kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe konsiderohet një rekord tragjik e barbar. Edhe në Shqipëri, gjatë vitit 2026 janë vrarë 3 gra, ndërkohë janë shfaqur raste të shumta të dhunës ekstreme e goditjeve e fatale, duke krijuar situata dramatike e tragjike për familjet e tyre, për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

 

                       Askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën një gruaje,

                                askush s`ka të drejtë ta dhunojë atë.

 

Këto dhunime të rënda tregojnë se shoqëria shqiptare vuan nga një plagë e rëndë mentaliteti, nga një hije e zezë, nga një “sëmundje” e rëndë, që kryen dhunimin e grave dhe të vajzave tona. Kjo është emergjencë kombëtare, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Viktimat janë gra që vriten me armë zjarri, diku nga djali, diku nga bashkëshorti, apo rasti i Arlinda Zekajt, që u vra nga kunati i saj, vetëm katër ditë pasi kishte dorëzuar një shkresë urgjente në Prokurorinë e Pejës për të kërkuar mbrojtje.

Natyrisht që kanë vlerë edhe marshimet  dhe protestat  për të kërkuar llogari nga organet e rendit dhe të drejtësisë, por të gjithë janë shumë të vonuar. Ndaj, le të bjerë kambana e ndërgjegjes për ata që nuk kanë mend në kokë dhe zemër në kraharor! Le ta dëgjojë çdo njeri se gruaja nuk është pronë e askujt. Ajo nuk është një send që mund ta trajtosh si të duash, ajo është jetë, është qenie njerëzore me të drejta të barabarta. Askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën një gruaje, askush s`ka të drejtë ta dhunojë atë. Vajzat, gratë, nënat tona shqiptare në Shqipëri e Kosovë duhet të jetojnë  me dashuri, jo me dhunë e frikë, ato të mos jetojnë të ndrojtura e me mungesë kurajë për t`i shprehur fjalët dhe mendimet e tyre për jetën, për familjen e shoqërinë. Tek ne duhet kuptuar se,  në jetë, vendin kryesor e ka respekti, harmonia, dashuria mes njerëzve të një familjeje, harmonia në shoqëri.

                                  Gruaja nuk është pronë e askujt

 

“Burrëria” nuk matet me forcën për ta lënduar nënën, vajzën apo gruan, por shfaqet me karakterin për të respektuar dhe mbrojtur jetën e tyre. Mjaft më me dhunë! Mjaft më gra të vrara! Mjaft më me familje të shkatërruara! Drejtësia duhet të flasë fort dhe jo të zbutë dhunuesit apo të neglizhojë ngjarjet! Shoqëria duhet të reagojë dhe askush nuk duhet të heshtë përballë dhunës! Gruaja nuk është pronë e askujt. Të drejtat dhe dinjiteti i saj duhet të respektohen gjithmonë, por përherë dhe, asnjëherë me vonesë, sepse në shoqërinë shqiptare ka ndodhur që gjithçka bëhet me shumë vonesë: njerëzit  intelektualë, shteti dhe shoqëria ngrihen e reagojnë vetëm kur ndodhin ngjarjet, ndërkohë që duket t`i konsiderojnë ato plagë të rënda tragjike, që duhen shëruar e parandaluar me forma dhe mënyra të ndryshme. S`mund të themi se po ecim përpara drejt civilizimit dhe qytetërimit, kur ndodhin këto krime mizore?

 

                                                Dhunimi i njeriut

                nuk është çështje private, por është çështje gjithë – njerëzore

 

Tek secili lind pyetja: Pse vallë tek ne shfaqet kaq tronditës mentaliteti  patriarkal, mentaliteti se “burri paska të drejta absurde e dhunuese mbi gruan?”  Madje, ai, sipas “logjikës” së ruajtjes së nderit, i kontrollon jetën gruas së tij, shoqes së tij të jetës, bashkëshortes së tij, nënës së fëmijëve të tij? Ndërkohë që disa burra, kontrollojnë edhe mendimet e grave, vendimet dhe ëndrrat e tyre, e deri  pastaj i dhunojë ato, duke u marr edhe jetën? Çfarë  “burri” është ai që e kryen me gjakftohtësi kriminale një vrasje ndaj njeriut të familjes së tij? Doemos që ai me të vërtetë është një përbindësh, që nuk shpjegohet veçse me shpirtin e zi kriminal, të komanduar nga “djalli, nga errësira e zezë, nga ligësia dhe barbaria”. Edhe kafsha që është kafshë nuk e vret, por e mbron dhe deri sakrifikohet për të voglin e saj, për familjen  e vetë, për çdo pjesëtarë të asaj familjeje e jo më njeriu i kohëve gjoja moderne, gjoja i civilizuar dhe gjoja i qytetëruar? Një gjë duhet të jetë e qartë për cilindo: Dhuna nuk duhet në asnjë mënyrë të konsiderohet si një “çështje private” ose pjesë normale e  jetës, sepse dhunimi e deri vrasja e njeriut nuk është çështje private, por është çështje gjithë – njerëzore, që preokupon dhe revolton familjen, shoqërinë, shtetin dhe ligjet e tij, që fatkeqësisht shpesh herë nuk zbatohen.

Ka raste flagrante që diferencohen aq shumë gratë dhe vajzat, nga disa njerëz që i duan ato të nënshtruara, ndaj burrave të tyre fanatikë dhe ato duhet t`i durojnë ata për të mos e turpëruar familjen apo fisin, se “për hir të fëmijëve” duhet të “gëlltitin” dhe të pranojnë  fyerjet e dhunën? Sipas tyre, ato duhet të pranojnë  dhunën fizike, dhunën që shkakton dhimbje ose lëndime trupore, goditjet, shtyrjet apo rrahjet. Ato, sipas tyre, duhet të pranojnë dhunën “brenda katër mureve të shtëpisë” dhe aty ta mbyllin krimin e dhunën. Sipas atyre burrave fanatikë me ndjenja antinjerëzore, gratë duhet të ulin kokën ndaj dhunës psikologjike, kërcënimeve, fyerjeve, izolimit, ato duhet të ndiejnë dhe ta pranojnë ndrojtjen dhe frikën, ato duhet të pranojnë të jenë edhe shërbëtore, edhe skllave të burrave të tyre. Sipas atyre burrave xhahilë, gratë duhet të pranojnë dhunën ekonomike, kontrollin e plotë mbi paratë dhe burimet financiare, “qesja është e burrit”, ai i grumbullon të ardhurat, ai komandon shpërndarjen e tyre, gruaja sipas atyre fanatikëve keqdashës duhet të presë kokulur dhe pa asnjë të drejtë “vendimet” e burrit barbar e kriminel. Kështu ata “burra zakoni” vendosin një varësi totale mbi gruan, duke e konsideruar atë një “kafshë” që, sipas tyre duhet të durojë “kamxhikun” për interesin e shtëpisë.

 

                                              Stop dhunës ndaj grave!

 

Këtyre mentaliteteve, dhunës e veprime barbare ndaj grave duhet t`u them STOP, t’u japin atyre fund njëherë e mirë, të jetojmë jetën që na është dhënë me ndershmëri e drejtësi, duke krijuar një familje të shëndosh shqiptare, paqësore, harmonike. Ndaj atyre rasteve të dhunës, duhet të ngrihet e gjithë shoqëria, të japë alarmin kundër dhunuesve, ata të ndëshkohen dhe të mos u krijohet mundësia që ta kryejnë krimin, ata të shtrëngohen me masa të forta shtrënguese. Gruaja është një pjesëtare e nderuar e shoqërisë, ajo është nënë, bashkëshorte, ajo është vajzë, është nëna, që mban shtëpinë, që rrit fëmijët dhe krijon marrëdhënie edukuese dhe harmonike në familje. Ajo ka edukuar historikisht bijtë si luftëtarë të mbrojtjes së atdheut dhe të lirisë. Kur  vritet një grua, humbet një jetë njeriu, shkatërrohet një familje, mbeten fëmijë pa nënë, prindër pa vajzë, vëllezërit pa motër, krijohet  një plagë që nuk mbyllet kurrë.

 

                                 Çfarë na këshillon Nënë Tereza?

 

SHEN TEREZA, Nëna e Madhe  Shqiptare, Nëna e të gjithë popujve të botës, kur flet për familjen, për rëndësinë e saj, për  paqen dhe harmoninë, ajo  këshillon:  “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde.”

Për humanisten e madhe shqiptare, familja ishte bërthama, ku lind dhe ku duhet të kultivohet çdo dashuri dhe paqe përpara se të shpërndahet në botë. Ja disa nga mesazhet e saj, që asnjëherë nuk duhet t`i harrojmë:  “Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit, ata që ndodhen në shtëpinë tënde.” “Varfëria më e madhe është të qenit i padëshiruar, i padashur dhe pa njeri që të kujdeset për ty. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.” “Paqja dhe rrezatimi i shpirtit në botë fillojnë me një buzëqeshje. Buzëqeshini njëri-tjetrit në familje, sepse kjo sjell ngrohtësi dhe dashuri.”

IKËM, POR KURRË NUK E HARRUAM ATDHEUN- Nga Eduard M. Dilo

 

Ikëm nga Atdheu jo sepse nuk e deshëm, por sepse na detyruan të largoheshim. 

Nuk ikëm nga vendi ynë; ikëm nga padrejtësia, nga përndjekja, nga një regjim që na mohoi lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen.

Klika që sundoi për gjysëm shekulli  na e shndërruan jetën në ferr. Nuk na lejohej të mendonim lirshëm, të flisnim lirshëm, të jetonim si njerëz të lirë. 

Edhe fryma  ishte e ndaluar.

Në vitet e errëta të diktaturës, burgjet dhe kampet e internimit u mbushën me bijtë dhe bijat më të ndershme të këtij kombi. 

Shumë prej tyre nuk kishin bërë asnjë krim. “Faji” i vetëm ishte dashuria për Atdheun, besimi te liria dhe refuzimi për t’u përkulur para së keqes.

Na mohuan të drejtën për arsim, për punë, për pronë dhe për një jetë normale. 

Na kërkonin vetëm bindje të verbër, duartrokitje dhe heshtje. Na detyronin të shpifnim kundër njerëzve tanë, sepse kështu urdhëronte partia kriminale që mbolli frikë dhe gjak në çdo cep të vendit.

Shumë nga njerëzit tanë vdiqën në burgje dhe internime. Shumë familje nuk patën as të drejtën të qanin mbi një varr, sepse edhe vdekja u trajtua me mizori.

Pastaj erdhi ndryshimi i sistemit. U fol për demokraci, për liri dhe drejtësi. Por për shumë prej nesh, ajo mbeti vetëm një premtim i pambajtur. Ata që dje shërbenin me besnikëri diktaturën, u zgjuan të nesërmen me petkun e demokratit. 

U ndryshuan emrat, ngjyrat dhe sloganet, por jo gjithmonë mendësia.

Ata që sakrifikuan më shumë nuk morën drejtësinë që meritonin. Pronat nuk iu kthyen, plagët nuk u shëruan dhe e vërteta shpesh mbeti e pambrojtur. Për shumë familje, demokracia nuk solli drejtësinë e pritur.

Prandaj morëm rrugët e botës. Punojmë, jetojmë dhe ndërtojmë jetën larg vendlindjes, jo nga dëshira, por nga domosdoshmëria. 

Në pamundësi për të marrë me vete edhe varret e të parëve tanë, shkojmë t’i vizitojmë aty ku prehen në përjetësi.

Dhe kur kthehemi, kthehemi për të përqafuar kujtimet, për të ndezur një qiri mbi varret e të parëve tanë dhe për të kujtuar

 Ata që u grabiten lirinë dhe vatren familjare ua zëvendesuan me burgje dhe interrnime.

Ne e duam Shqipërinë. E kemi dashur përherë dhe do ta duam gjithmonë. Dashuria jonë për Atdheun nuk matet me pushtetet që kanë ardhur e kanë ikur, por me sakrificat që kanë bërë breza të tërë për të.

Na vranë,masakruan, na burgosën, na internuan, na morën pronat, na mohuan të drejtat dhe na detyruan të marrim rrugët e mërgimit. Por një gjë nuk arritën ta shkatërronin kurrë: besimin se e vërteta nuk vdes dhe dashuria për Atdheun nuk shuhet.

Historia nuk duhet harruar. Jo për hakmarrje, por për drejtësi. Jo për të mbajtur gjallë urrejtjen, por për të mos lejuar që padrejtësitë e së shkuarës të përsëriten kurrë më.

Diamant Hysenaj dhe Bruce Blakeman bashkojnë forcat: Një vizion i ri për komunitetin shqiptar dhe të ardhmen e New York-ut!

Në një hap historik për komunitetin shqiptaro-amerikan, Diamant Hysenaj, shqiptari i parë që kandidon për Kongresin e SHBA-së në qarkun e 14-të (New York, Bronx dhe Queens), ka bashkuar forcat me Bruce Blakeman, kandidatin për guvernator të New York-ut.

Ky partneritet vjen si një thirrje e fuqishme për ndryshim, lehtësim ekonomik dhe mbështetje të pakushtëzuar për familjet dhe bizneset.

Gjatë takimit të tyre, Bruce Blakeman vuri në dukje se taksat e larta, faturat e papërballueshme të energjisë dhe çështjet e sigurisë publike kërkojnë veprim të menjëhershëm, duke u zotuar se së bashku do të punojnë për të ulur taksat, përgjysmuar faturat e dritave e ujit dhe për të rritur sigurinë në komunitete.

Nga ana e tij, Diamant Hysenaj theksoi rëndësinë e kësaj mbështetjeje për diasporën dhe nevojën jetike për një udhëheqje që kupton vërtet sfidat e qytetarëve, duke i dhënë një zë të fuqishëm përfaqësimit shqiptar në nivelet më të larta të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara.

Diamant Hysenaj: Përshëndetje! Unë jam Diamant Hysenaj, jam kandidat për Kongres të Amerikës në qarkun e 14-të, Bronx dhe Queens. Jam me Bruce Blakeman, kandidatin për guvernator të ardhshëm për New York-un, Bruce Blakeman. Faleminderit!

Bruce Blakeman: Faleminderit shumë. Të gjithë miqtë e mi shqiptaro-amerikanë po ankohen për taksat e larta, kostot qesharake të shërbimeve dhe mungesën e sigurisë në komunitetet tona. Kështu që së bashku, ne do të punojmë për të ulur taksat, për të përgjysmuar faturat e shërbimeve dhe për të krijuar komunitete më të sigurta, apo jo?

Diamant Hysenaj: Po, po zotëri, Bruce. Zoti të bekoftë. Taksat tona, të shqiptarëve, janë shumë të larta, energjia është shumë e shtrenjtë, kemi nevojë për një lider, një guvernator në New York që na ndihmon familjet tona, të gjithë shqiptarët. Bruce, këtë njeri e kemi në anën tonë!

Bruce Blakeman: Dhe një kongresmen të ri!

Diamant Hysenaj: Po zotëri, le t’ia nisim! GSH

“Mbështesim të drejtat e njeriut!”- Bruce Blakeman komenton revoltën studentore në Shqipëri: Jemi pro protestave të lira

Kandidati republikan për guvernator të New York-ut, Bruce Blakeman, ka komentuar në një intervistë për News24 protestat në Shqipëri, duke u shprehur se të drejtat e njeriut dhe protestat e lira duhet të mbështeten, ndërsa dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike.

Blakeman nënvizoi se parimet e respektimit të të drejtave dhe të protestës paqësore duhet të zbatohen në çdo vend të botës.

“Unë nuk i di të gjitha çështjet që janë të brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës, të mbështesim protestat e lira, por jo shkatërrimin e pronave dhe aktet e dhunës. Këto nuk duhet të jenë pjesë e proceseve politike. Janë parime që duhet të zbatohen në çdo vend”, u shpreh ai.

Kandidati republikan argumentoi se ndërhyrja e forcave të rendit është e domosdoshme në rastet kur protestat shoqërohen me akte dhune dhe shkatërrime.

“Nuk mund të kesh kaos, shkatërrim, vandalizëm. Këto nuk duhet të jenë pjesë e një diskursi politik”, deklaroi Blakeman për News24.

Bruce Blakeman në News 24: Unë nuk i di të gjitha çështjet që janë të brendshme në Shqipëri. Besoj se duhet të mbështesim gjithmonë të drejtat e njeriut në çdo vend të botës, të mbështesim protestat e lira, por jo shkatërrimin e pronave, aktet e dhunës, nuk duhet të jenë pjesë të proceseve politike. Janë parime që duhet të zbatohen në çdo vend.

Sërish, nëse ata njerëz protestojnë paqësisht, nuk duhet të përdoret dhunë. Por nëse protestuesit krijojnë akte dhune dhe shkatërrime, atëherë patjetër forca është e domosdoshme sepse nuk mund të kesh kaos, shkatërrim, vandalizëm, nuk duhet të jetë pjesë e një diskursi politik.

Bruce Blakeman: Kam shumë miq shqiptarë, janë popull punëtor! Do të jem Guvernator që kujdeset për ta

Bruce Blakeman, kandidat për Guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke u shprehur se do të mbështesë shqiptarët dhe familjet e tyre.

Blakman tha se ka shumë miq shqiptarë dhe se ata janë një komunitet punëtor, që synon një jetë më të mirë, vende pune cilësore, taksa më të ulëta, më shumë siguri dhe arsim më të mirë për fëmijët.

Kandidati për guvernator theksoi se shqiptarët kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës amerikane, përfshirë shkencën, arsimin, teknologjinë dhe drejtësinë. Ai shtoi se do të mbështesë komunitetin shqiptaro-amerikan, duke vlerësuar përkushtimin e tij ndaj familjes dhe punës.

Sa i përket politikave të emigracionit, ai u shpreh se mbështet largimin e emigrantëve me të dhëna kriminale, ndërsa për ata që ndodhen në SHBA pa dokumentacion të rregullt, por që nuk janë përfshirë në krime, tha se duhet të ketë mundësi për të jetuar dhe punuar në vend. Panorama

SHABAN GASHI -BEGATI E KRENARI KOMBËTARE- Nga Selman ETEMI

 

Nuk do të thotë se je shqiptar vetem të flasësh shqip apo ta kesh një emër shqiptar, por atë ta dëshmosh së vepruari për kombin tënd.

Kur njerëzit e mëdhej nga vlera dhe cilësia, por dhe nga veprat, e që i bëjnë jo veç për të mirën përsonale por për atë kombëtare në përgjithësi, na janë ajka vlerëmadhe e kombit. Pa të tillët do na mungonte krenaria që e kemi si etni e veçantë para çdo kombi tjetër. Me të tillët njerëz u bëmë faktor dhe prezantues e promovues vlerash edhe gjithandej diasporës shqiptare nëpër botë; me ta u bë disi edhe riidentifikimi i neve si komb; për të cilën vlerë që kishim, forcat e ndryshme sunduese por dhe ato përkrahëse të tyre u përpoqën të na zhbëjnë kombëtarisht. Kësaj nuk iu arrit, falë burrave me më vlerë të kombit, siç na është i yni Shaban Salih Gashi. Ku për këtë të mirë fati na e solli birin e kombit, që kurrë s‘u ndal në shtimvlerën, dhe deri në çlirimin përfundimtar nuk pushoi së vepruari.

Vepra e Shabanit na e dëshmoi se, pavarësisht rrethanave me plot vështirësi e rreziqe me plot sakrifica, të sakrifikosh për atdheun është obligim moral e patriotik për çdo shqiptar.

Me krenarinë më të madhe i vëra këto shkronja në ndërtim fjalësh për njeriun dhe pjesëtarin e familjes tonë Shaban Gashin, i cili që nga rinia e hershme me sjelljet, të bëmat dhe veprimtarinë e vetë të gjithanshme sot na bën krenarë; e çmojmë fatin që e patëm dhe e kemi njeriun më vlerëmadh që mund ta ketë dikush.

Si në fëmijëri, rini dhe në pjekurinë e vet, ishte dhe na është shëmbull i veprimtarisë rezistuese dhe sakrificës për gjithë jetën në të mirën e kombit dhe atdheut.

Edhe pse largë në distancë jetonim, Shabani në Pejë e ne në Grabanicë, vizitat na ishin shumë të shpeshta; kushtet e udhëtimit na ishin shumë të vështira, se për të shkuar në Pejë, njëherë duhej shku këmbë në Klinë (mbi 5km) e mëpastaj me tren…; por këtë e bënim me dëshirën më të madhe. Në atë kohë nuk na ishte magjistralja Prishtinë – Pejë. Në pushimet e gjata shkollore me javë të tëra i kalonim si me Shabanin ashtu edhe me Haxhiun, Aliun, Sadikut e Ganiun (djem të dajës së Shabanit e kushëri të mi); pa i lënë anash hallën time Zelfijen (nanë e Shabanit), bacin Bajram (dajë i Shabanit), dadë Fatimën (motër e Shabanit), pastaj dadën Xufë e kështu me radhë.

Në këto dy familje të Shaban Gashit e Bajram Haxhë Berishës kalova muaj të tërë  përgjatë katër viteve përsa isha në shkollë të mesme po në Pejë.

Edhe këta kur na vinin në Grabanicë rrinin me javë tek ne.

Bash asnjë aheng gëzimi nuk e kishte bukurinë e as madhështinë pa pjesëmarrjen e këtyre dy familjeve vlerëmëdha; e sidomos i veçanti ynë Shabani; biles ftoheshin edhe në gazmende të tjera nga shumë familje të Grabanicës; ku me kujtohet në do dasma Shabani, për nderim, ishte edhe flamurtar (bajraktar), siç ishte rasti në dasmën e Anton Arifit, dikund në vitet e 70-ta.

Shabani, me pedantërinë që kishte, ishte një shembull i mirësjelljes dhe adukatës sidomos për neve që rrinim më së shpeshti me të. Edhe sjellja e tij shëmbullore ndaj prindërve të tij, por dhe në përgjithësi, neve na mësonte, se të tillë duhet të jemi edhe ne.

Si jetimë që ishimin (vitetet e 70-ta) përgëdhelja e dadës Zelfije, dadës Fatime e, e Shabanit në veçanti, neve ndjeheshim se nuk qenkemi të vetëm, edhepse tanimë kishim mbetur pa babanë.

Kur na vinin këta në vizitë, e ndjenim veten disi më të fortë dhe më të mëdhej; kjo ishte si punë jetimësh e shumë edhe të varur nga të tjerët.

Nganjëherë Bajram Haxha (Berisha) dajë i Shabanit, vinin në grup familjar tek ne, me vete merrte edhe sharkinë, dhe ia thojke këngës deri në orët e vona e në dritë të llambës apo fitilaçi me vajgur; por nuk mungonte as i veçanti ynë Shabani.

Pas burrërimit Shabanit i erdhi edhe koha për martesë, e këtë e bëri me një rugovase Xhevahiren (Xhevën), vajzë e një babai burrë shumë të çmuar fisnik rugovas, të quajtur Misin. Me të cilin kishim fatin të rrinim shpeshherë, dhe të dëgjonim fjalë tamam burrash.

Edhe pas martesës Shabani me familjen e ngushtë tani të krijuar, Grabanicën e vizitonte shpesh, por tani me rrethana krejtësisht tjera… Ishte një burrë model i burrërisë për të tjerët. Kishte kriju një familje shembullore, dhe vet i punësuar me kualifikime të larta dhe me të ardhura t‘mira. Ishte një familje për lakminë e të tjerëve. Në çdo tubim dhe vizitë ishin të veçuar me pedantërinë dhe kulturën që kishin; pra, ishin një familje tipike intelektuale dhe të respektuar nga të gjithë që e njihnin.

Në vitet e 80-ta sikur u përmbys çdo gjë e tyre; Shabani me veprimtarinë e vet atdhetare ishte bërë halë në syrin e atij pushteti okupues policor; kishin filluar përcjelljet dhe përndjekjet; ftohej pandalshëm në stacionin policor në Pejë; iu bastis disaherë edhe banesa në Pejë; jeta badhkë me gjithë familjen iu bë e pamundëshme të vazhdohej në ato rrethana. Kështu, filloi të rrënohej e tëra e arritu dhe e krijuar si më së miri por me plot mund. Shabani me zemërthyerje detyrohet t‘a lë vendlindjen dhe të emigronte në vende të largëta; së pari në Zvicër pastaj në Gjermani dhe më në fund në Sh.B.A..

Edhe këtu Shabani, pas shumë mundimeve dhe peripetive, shëndriti si Ylli polar; mblodhi familjen rreth vetës dhe u integrua çdokund ku e kërkonte puna me karakter kombëtar; u bë faktor unifikues i mërgatës shqiptare, e sidomos në vitet e 90-ta ku jeta intitucionale kishte ra përtokë nga aparthejdi policor serbosllav. U angazhua që mërgata të jetë sa më kontributdhënëse në të mirën e kombit dhe në çlirimin e Dardanisë. Senzibilizoi çështjen shqiptare (të Kosovës) në qarqet më të larta të mundëshme në ShBA. Që më kohë Shabani kishte kriju kontakte shumë të ndërsjellta dhe të besueshme me kongresmenë dhe emra me peshë të madhe politike në botë. Me të tillë faktorë, e në të mirë të qështjes tonë, Shabani kishte udhëtuar disa herë  në Dardani e Shqipëri.

Besimi i shfaqur ndaj Shabanit dëshmojnë shumë emisione televizive e dokumentarë të ndryshëm ku vlerëmadhi na është i dukshëm në shoqërim me njerëz që vendosnin për fatin tonë si komb.

Edhë pas përfundimit të luftës, Shabani nuk ndejti duarkryq; u aktivizua në rimëkëmbjen e Dardanisë së shkatërrur nga lufta barbare; senzibilizoi shqiptarët për ndihmë dhe rindërtim; sidomos të shkollave e spitaleve; dhe me qellim që jeta institucionale të fillojë së vepruari.

Shabani ynë, si pjesë të veçantë të bëmirësisë së tij, mori hapin për ndërtimin e një objekti ndërlidhës ShBA -Kosovë (Dardani), me qëllim aktiviteti të ndërsjellë të vlerave historike, kombëtare e kulturore e pse jo edhe arkivore të këtyre dy vendeve historikisht mike, dhe ky objekt ngreh shtat në Pejën e Haxhi Zekës, me emërtimin ’Shtëpia e Bardhë‘.

Shabanit tonë i falenderohem prej toke e në qiell për të bëmat, për të cilat kurrë nuk kurseu mund e as sakrificë deri në çlirimin definitiv, e që na bëri të gjithëve krenarë që e patëm dhe e kemi.

Shoqëria jonë, por dhe faktori zyrtar i shtetit tonë, i kanë borxh të tillëve, t‘i kenë në konsideratë dhe t‘i çmojnë dhe vlerësojnë si gurthemel të shtetësisë së Kosovës, dhe sikurqë na është vlerëmadhi Shaban, të vlerësohet me Mirënjohje Presidenciale.

U jam përjetësisht mirënjohës nipi ynë vlerëmadh, dhe ju uroj shëndet e mbarësi në vazhdim!

 

Ps. Arsyeja që nuk më la të shkruaj edhe më gjerësisht, më është dalja e librit të vetë Shabanit këto ditë nga shtypi (botimi), ku janë të përfshira thuajse shumica e të bëmave dhe fakteve, por jo edhe të gjitha ato që e kompletojnë emrin dhe veprën me shumë vlera të këtij njeriu që la gjurmë të pashlyera, të cilat do na janë pjesë e pasurisë së historiografisë tonë kombëtare.

Kohë më parë shfaqa gatishmërinë që të isha pjesë kontributdhënëse e pasurimit të këtij libri, por rrethanat e krijuara një gjë të tillë nuk ma bënë të mundur.

Revolta studentore “Vendi s’mund të mbahet peng”, biznesmeni i njohur me influencë në SHBA, Harry Bajraktari thirrje ambasadorit amerikan dhe BE-së: Të krijohen kushtet për një qeveri teknike, Rama të japë dorëheqjen

Biznesmeni i mirënjohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari i ka bërë thirrje ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt, dhe përfaqësuesve evropianë që të angazhohen me protestuesit, qeverinë dhe opozitën shqiptare për krijimin e kushteve për formimin e një qeverie teknike.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bajraktari kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ai nuk mund ta mbajë vendin peng.

Gjithashtu, ai i bën thirrje qeverisë që të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësorë dhe të hapë rrugën për një tranzicion paqësor të pushtetit.

  • foto galeri

Bajraktari thekson se aleatët perëndimorë duhet të monitorojnë të gjithë procesin, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në Shqipëri.

“Ambasadori amerikan Eric Wendt dhe përfaqësuesit evropianë duhet të angazhohen me protestuesit, qeverinë dhe opozitën në Shqipëri për të krijuar kushtet për formimin e një qeverie teknike.

Edi Rama nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai duhet të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësorë, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën tranzicionit paqësor të pushtetit.

Aleatët perëndimorë të Shqipërisë duhet ta monitorojnë gjithë procesin. Kjo është rruga e vetme që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike”, shkruan Bajraktari në reagimin e tij.

Në fund të mesazhit, biznesmeni shqiptaro-amerikan shpreh mbështetjen për Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë të Shqipërisë dhe popullin shqiptar.

Reagimi:

“Ambasadori amerikan Eric Wendt dhe përfaqësuesit evropianë🇪🇺, duhet të angazhohen me protestuesit, qeverinë dhe opozitën në Shqipëri për të krijuar kushtet për formimin e një qeverie teknike.

Edi Rama nuk mund ta mbajë vendin peng. Ai duhet të ndalë dhunën ndaj protestuesve paqësorë, të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën tranzicionit paqësor të pushtetit.

Aleatët perëndimorë të Shqipërisë duhet ta monitorojnë gjithë procesin. Kjo është rruga e vetme që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë të Shqipërisë dhe mbarë popullin shqiptar”.

Avokati që rezervoi pritjen e Edi Ramës në Detroit, refuzon postin e propozuar për Konsull në Michigan dhe kërkon dorëheqjen e Ramës – Nga Beqir SINA – New York

 

Avokati i njohur shqiptaro-amerikan Joseph Dedvukaj, i cili në shtator 2026, hapi dyert e shtëpisë së tij në Detroit, për të pritur kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin e tij gjatë vizitës në Michigan, ka refuzuar publikisht propozimin për t’u emëruar konsull i Shqipërisë në këtë shtet.

Ai ka shkuar më tej duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, në një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shqiptar në SHBA dhe të medias në Shqipëri.

Dedvukaj, avokat me më shumë se 30 vite karrierë në fushën e aksidenteve rrugore dhe me një bilanc mbi 350 milionë dollarë kompensime të fituara për klientët e tij, ishte një nga figurat kryesore të pritjes së ngrohtë që iu bë Ramës në shtëpinë e familjes Dedvukaj.

Në atë kohë, ai e cilësoi darkën si “një nder dhe kujtesë të rrënjëve shqiptare”.

Vetë Rama, gjatë takimit me diasporën, kishte njoftuar hapjen e shpejtë të një konsullate shqiptare në Detroit, si përgjigje ndaj kërkesave të komunitetit të madh shqiptaro-amerikan në Michigan.

Sipas burimeve të afërta me avokatin, propozimi për postin e konsullit erdhi si vazhdim i asaj vizite dhe i premtimit për përfaqësim diplomatik më të afërt.

Por Dedvukaj e ka refuzuar kategorikisht.

Në një mesazh të dërguar mediave dhe të shpërndarë në rrjetet e diasporës, ai shpjegon se nuk mund të pranojë një detyrë, që do ta lidhte me një qeveri të cilën e sheh si të dështuar në përmbushjen e pretendiimeve të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

“Nuk mund të shërbej si përfaqësues i një qeverie që nuk dëgjon zërin e qytetarëve të saj. Protestat e fundit në Shqipëri, kërkesat e studentëve dhe të opozitës për dorëheqje nuk janë thjesht zhurmë politike; ato janë shprehje e një lodhjeje të thellë. Unë e hapa shtëpinë time me respekt për institucionin e kryeministrit dhe për diasporën, por respekti nuk do të thotë heshtje kur situata përkeqësohet,” thuhet në deklaratën e tij.

Avokati thekson se postet diplomatike, duhet të shërbejnë interesave të komunitetit dhe jo interesave partiake.

Ai kritikon vonesat në shërbimet konsullore, mungesën e transparencës dhe atë që e quan “përdorim të diasporës për qëllime politike”.

Në këtë kontekst, Dedvukaj i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen, duke argumentuar se vetëm një ndryshim në krye të qeverisë mund të rivendosë besimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.

Reagimet në komunitetin shqiptar të Michiganit janë të ndara.

Disa e vlerësojnë qëndrimin e Dedvukajt si shenjë të pavarësisë së diasporës, ndërsa të tjerë e shohin si një hap të ashpër ndaj një lideri që ka mbështetur hapjen e konsullatës.

Ndërkohë, nga Tirana nuk ka pasur ende një reagim zyrtar mbi refuzimin e propozimit.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri, vazhdojnë të kërkojnë ndryshime thelbësore. Dedvukaj, i cili ka ndërtuar karrierën e tij mbi mbrojtjen e të drejtave të individëve, duket se po e zgjeron këtë mision edhe në planin publik, duke e vendosur dinjitetin e diasporës mbi çdo ofertë institucionale.


Send this to a friend