Autoritetet në Kosovë konfirmuan të premten se 3 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar në 303 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Gjatë kësaj kohe nga 463 teste të kryera, 181 raste tw reja janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi.
Kosova filloi edhe muajin gusht me numër të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe raste te vdekjeve nga pasojat e tij. Numri i të infektuarve ka mbërritur në 9 mijë 869 veta.
Kjo çështje ishte edhe pjesë e debatit gjatë seancës së parlamentit të Kosovës, ku pritet të shqyrtohet edhe një projektligj për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se institucionet po bëjnë përpjekje që të mbajnë nën kontroll situatën me koronavirusin.
“Ne po shkojmë çdo ditë rreth stabilizimit të kësaj situate edhe më duhet të jem i sinqertë nuk mund të presim efekt të menjëhershëm qoftë të numrit apo edhe të rasteve që përfundojnë me fatalitet. Çdo ditë është e ndryshme por është duke ecur në perspektivë më të mirë. Zgjerimi i kapaciteteve tona testuese edhe në nivelin publik por edhe në nivelin të sektorit privat do të na mundësojë një mundësi shtesë në përballje me pandeminë COVID-19 dhe pjesa tjetër domosdoshmërisht që lidhet me zgjerimin e kapaciteteve të infrastrukturës”, tha ministri Zemaj.
Por, shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, Rexhep Selimi, akuzoi qeverinë për mos menaxhim të mirë situatës që sipas tij ka dal jashtë kontrollit.
“Shifrat janë alarmante, statistikat janë statistika lufte, njerëzit po vdesin jo vetëm sepse janë të infektuar por edhe sepse nuk po u ofrohet ndihmë nga qeveria, me gjithë përkushtimin e punonjësve shëndetësorë edhe ata kanë mbetur si ushtar të braktisur në front të rrezikuar po aq sa edhe pacientët. Spitalet tashmë nuk mund të pranojnë të infektuarit”, tha zoti Selimi.
Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi që sipas tyre spitalet e Kosovës po përballen me mbingarkim të kapaciteteve pasi që aktualisht Kosova ka rreth 700 shtretër për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.
Deri më tash qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë masash përmes të cilave synohet frenimi i përhapjes së COVID-19. Por, shqetësim sipas tyre mbetet menaxhimi i situatës shëndetësore dhe asaj ekonomike, e cila që nga fillimi i pandemisë është përballur me rënie të madhe të të hyrave.
Komentet